Na ruaj nga zotat, o Zot!

Oct 3, 2023 | 10:00
SHPËRNDAJE

NGA KRISTO MËRTIRI KRISTO-MËRTIRI

Miku ynë i çmuar Ilirian Zhupa, që jo rastësisht Dritëroi e quante me plot gojën “me kostum të vërtetë poeti”, ka mbi 32 vite që nuk di diçka për mua. Sa herë ndihesha keq nëpër vorbullat prej tymi a bore në media, sidomos përballë hipokrizisë e ligësisë së pashoqe të ndonjë drejtuesi në redaksinë e gazetës së dashur “Bashkimi”, unë nuk harroja t’i thosha vetes dhe kolegëve atë lutjen tronditëse te titulli i shkrimit.

Se nuk ishte rëndom një nga ato vorbëzat e gurta si gropë që mbajnë ujin e shiut ku pinë e kënaqen bagëtia. Dhe aq më pak një poçe prej balte të pjekur, që poçari merakli e bënte edhe për të zier e mbajtur sa më taze gjellët. Sepse më tutje “e di luga se ç’ka vorba” e poçja! Poeti Ilirian e tha bukur fjalën e tij. E tha në një kohë kur mjaft të tjerë nuk pipëtinin. E tha në 2 mars 1991: -Na ruaj nga zotat, o Zot! Po kush e dëgjoi?…

Mirëpo, zotat e djeshëm do të zëvendësoheshin me zota të rinj. Më intrigantë e më egërshanë rreth kolltukëve në partira e qeverira. Dhe përditë me parulla vezulluese e verbuese “demokratike”, me betime e fluturime pindarike që gati sa nuk thyheshin mikrofonat e ekranet. Rrëmbimi dinak, i djallëzuar e idhnak i votave ishte deviza e bicimsëzëve. Veçse “fëmija lindi i vdekur”, tha menjëherë Kasëm Trebeshina i viseve të mia. Si ky nuk ka të tjerë.

Dhe koha i dha të drejtë disidentit të prapë e trim, njeriut që pagoi pabesira e poshtërsira nga ishshokët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Drama paradoksale që luheshin pa mëshirë mbi të guximshmit. Drama drithëruese në zinxhirë, internime e qelira. Përsëritja e tyre në forma gjoja më “moderne” dhe përmes pluralizmit rrumpallë, po shokonte të gjallë e të vdekur. Kujtesa popullore e historike nuk mund të shuhet nga fjalimet lapërdharë të ca politikanëve zuzarë (qofshin djathtas e majtas). Se nuk janë vetëm shkopinjtë dhe kamxhikët që binin mbi njerëzit e ndershëm protestues në sheshin “Skënderbej” në 1996. Ishte një lloj preludi rrëqethës i ‘97-s së zezë. Vit që rrëzoi shtetin kallp si kuti kartoni.

Vit që groposi qindra të pafajshëm nëpër Shqipërinë tonë hallemadhe. Vit që shkatërroi ushtrinë dhe shqeu depot me armatime e municione. Vit që donin t’i merrnin frymën çmendurisht Jugut me ca taborë mercenarësh nga Veriu, të mobilizuar me pagesë e të komanduar nga ish pedagogu universitar, gjeneral Gazidede me shokë. Por populli nuk i hëngri aspak ato veprime antishqiptare. Dhe nuk i ka ngrënë historikisht. Po shtatori i marrë i ‘98-s, që pushtoi me tanke e kallashnikovë selinë e Kryeministrisë, Radiotelevizionin që dikur kish çoroditur e shushatur djallëzisht opinionin publik etj.? Bëmat dhe gjëmat nuk shteruan.

Si mund të harrohen flakët vdekjeprurëse në portën e Kryeqytetit, në Gërdecin fatkeq ku u dogjën dhe u poqën të gjallë mbi 30 vetë që punonin për bukën e gojës?! Po 3 vite më vonë, kush i përgjaku trotuaret ngjitur me Kryeministrinë? Nga bodrumet e kësaj të fundit, villnin zjarr armët e Gardës së Republikës (!). Ashtu me duar në xhepa, mbyllën sytë përgjithmonë 4 qytetarë të thjeshtë që besonin te demokracia e vërtetë e fjalës së lirë në protesta e mitingje…

Na ruaj nga zotat, o Zot!

Sot po shikojmë superbllokmenë të rafinuar nga Polit(h)ika pa moral. Një grusht demagogësh që shaluan poste e kolltukë të lartë në pushtet e në opozitë. Dhe shesin dëngla “demokratike” të vjetra e të reja nga vilat buzë detit, në kodra e male. Një karshillëk e maskarallëk i paparë, me rroga “shtetërore”. Taksapaguesit e shkretë vazhdojnë të shtrëngojnë rripin. Njerëzia u duket se ha bar, nuk shikon e as dëgjon! Mbi 3 dekada kështu! Surretër të njëjtë.

Ligjërime të njëjta e me “barut të lagur” kundër korrupsionit, pa veladon e maskë prifti na thonë pa pushim “bëni si themi ne”. Në të vërtetë, Zotat mbetën po ata, madje më të pasur e më rrufjanë në hajdutllëqet e tyre me çizme e pa çizme. “Zotat u ngritën në qiell dhe s’dinë më të zbresin,/ Kanë frikë mos dheu nga lindën, është dheu ku duhet të vdesin…”.

Kanë bubullirë e bubullijnë mbi ne. Kurrsesi nuk dalin në pension. Harruan deri nipër e mbesa. Ndërsa të pacipët vazhdojnë t’i thonë Edi Ramës: “Hip, se të vrava, zbrit se të preva!”. Një avaz politik i dalë boje edhe ditët e fundit, qoftë për drejtimin e Këshillit të Sigurimit në OKB dhe për ngjarjet në Kosovë. Shikuesit, dëgjuesit dhe lexuesit brenda e jashtë Shqipërisë, këta i vlerësojnë si “mish me dy sy”! Prandaj humbasin e bëjnë firo humnere në çdo fushatë elektorale. Populli është shumë hapa përpara këtyre politikanëve të ndryshkur. Bashkë me poetët. Që nga “Naim Shqipëria” i pavdekshëm që “për shqiptarizmin krijoi vetëm një perëndi, Perëndinë shërbyese të Shqipërisë”. Duke ia nënshtruar patriotizmit. Shkurt, e ndau nga të ligjtë!

Ay që ka mirësinë/

Ka Perëndinë e të mirat,/

Edhe kush ka djallëzinë,/

Ka djallë e ligësirat.

Edhe zotat e Pluralizmit nuk po zbresin nga qielli! Dhe nuk janë vetëm “pronarët” e partive politike. Farën e tyre e mbollën dhe e korrën mjaft namusqarë të “pavarur” e të pakallur. Konkretisht, shikoni për shembull drejtuesit e dhjetëra OJQ-ve gjatë 30 viteve të fundit: Më thoni, kush ka lëvizur nga kupolat drejtuese të tyre? Sot janë bërë edhe me vila e makina luksoze dhe ulërasin për të drejtat civile! Jo më kot disa ojëqëra, befas, një mëngjes gdhihen dhe veshin zyrtarisht kostume të forcave politike.

Një katrahurë morale krejt e pabesueshme përballë çdo qeverisjeje. Aq më tepër kur vijnë nga grazhde të pistë pasanikësh dhe mbajnë në krah edhe ndonjë kokëtul thjesht si fasadë. Dhe vetë ngjiten në qiell, e vegjetojnë si në frone perëndie! As u shkon mendja se poshtë në tokë është tharë e bërë shkrumb besimi popullor, legjitimiteti real.

Fluturojnë me presh në duar, në gojë e gjetkë, duke gogësitur mbi miliona fondacionesh e donacionesh mashtruese. Ditë e natë betohen e përgjërohen për të vërtetën dhe puthen me gënjeshtrën! Troç, është një “Dosje” e madhe, e gatshme dhe syshpuese për njerëzit e thjeshtë e të pambrojtur. Po SPAK-u e BKH-ja me rroga marramendëse e me plot favore, a do guxojë vallë të hapë atë dosje erërëndë? Apo majat e Polit(h)ikës mbeten maja të paprekshme e frikëndjellëse?! Heshtja e mosveprimi ndaj atyre në qiellin e “lumturisë”, flasin shumë. Me peshqit e vegjël në rrjetat e Drejtësisë, nuk mund të mbahen gjatë themelet e Reformës euroatlantike. Pehlivanët mashtrues në politikë e ojëqëra, le të dorëzojnë pasurinë e pamerituar dhe pastaj… të dëgjojmë bilbilosjet e tyre për Perëndinë e Qeverinë! Se hajdutllëku i secilit tashmë duket sheshit. Nuk ka nevojë hiç për studime e specializime brenda dhe jashtë vendit.

Dy fatura aspak sekrete e aspak të koklavitura, ka ardhur koha të vendosen mbi tavolina prokurorësh e gjyqtarësh me integritet: njëra për rrogat dhe tjetra për pasuritë e tundshme e të patundshme. Edhe një nxënës i zakonshëm i bën shpejt e saktë llogaritë. Kush i pengon? Mallkimi, bekimi apo kërcënimi i zotave në qiell ?!

Le ta mbyllim me vargjet e Poetit që foli hapur mbi 32 vite më parë: “…Këmbejnë midis tyre buzëqeshje, tinguj e shenja të fshehta,/ Njëlloj na përgjakin të dyja: fjala “e mençur” dhe heshtja/ Tani janë shumë larg nga toka e s’dinë të zbresin në tokë,/ Na ruaj nga zotat, o ZOT !”.

Të zgjuarit e moçëm e thanë prerë: Përçmimi i së kaluarës ose është injorancë ose frikë. Dhe, as padrejtësia nuk është e barabartë për të gjithë. Apo çdo njeri sheh ëndrrat që meriton ?!…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura