Na prijnë martirët në rrugën e paqes

May 22, 2024 | 7:58
SHPËRNDAJE

besimndregjoniBESIM NDREGJONI

Të nderuar Klerikë!

Të nderuar të mbijetuar të diktaturës, ju që përballuat vuajtjet e komunizmit!

Të nderuar qytetar të Shkodrës!

Fort i ndershëm dhe i respektuar Shkëlqesi Monsinjor Angelo Massafra!

Mire se keni ardhur në këtë ceremoni nderimi për një arbëresh nga “gjaku i shprishur”, për një përçues e mësues të palodhur në shërbim të besimit në Zot Jezues dhe të rehabilitimit të fesë katolike në Shqipërinë postkomuniste.

Për të nderuar aktivistin e palodhur Mons. Massafrën që përkrah besimit fetar, ky personalitet i madh i kohëve tona dha në mbrojtje të kujtesën kombëtare dhe dokumentimin e krimeve të komunizmit në Shkodrën e martirëve të lirisë e të qëndresës antikomuniste.

Ndjehem shumë i privilegjuar dhe me përunjësi ulem përpara veprës suaj imzot Angelo, por fati e deshi që unë, pinjoll i një familjeje që provoi tri diktaturat fashiste, naziste, komuniste në drejtimin e Unionit Mbarëkombëtar Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë të drejtoj këtë event madhështor dhe të flas për veprën tënde fetare e kombëtare dhe njerëzore.

Pak muaj më parë me ju vizituam Shenjtërinë e tij, mikun e madh të shqiptarëve, nga toka arbnore në Selinë e Shenjtë, Papa Françeskun. Vizita e jonë konsakroi rëndësinë e së kaluemes tonë tragjike dhe synoi njëkohësisht të përkrahjen e Selisë së Shenjtë ndaj dënimit të krimeve të komunizmit.

“Gjaku i shprishur” ju thirri ju, imzot, që me hapjen e kufijve shqiptarë nga ndërrimi i sistemit, ju me vizionin dhe misionin tuaj të shenjtë t’u kërkonit eprorëve tuaj që të vinit si misionar në Shqipërinë tonë të përbashkët. Dhe përfundimisht arritët në vendin e Skënderbeut, 1993. Veprimtaria e juaj baritore si detyrë e parë te famullia pranë komuniteteve të krishtera në Troshan dhe Fishtë, në Fishtën Gjergjit të madh, Homerit shqiptar, ju u bëtë mësuesi i parë për formimin e të rinjve, mësues i Novivicëve në provincën e rilindur të fretërve minor në Shqipëri pranë Kuvendit të Lezhës. Në dhjetor 1996 u emëruat Ipeshkev i Dioqezës së Rrëshenit dhe administrator Apostolik i Lezhës së kryetrimit, mbrojtësit të krishterimit, heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, dhe në vitin e zi ‘97 u shuguruat Ipeshkev nga Shën Gjon Pali i II në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, ku mbas 10 muajsh pas vdekjes Arqipeshkevit të Shkodrës, Frano Ilia, u emëruat Administrator Apostolik së Arqipeshkëvisë së Shkodrës dhe Sapës. Krahas detyrave të rëndësishme nga Ati i Shenjtë, ju u zgjodhët anëtar i Këshillit Papnor në vitin 2005, pikërisht më 25 janar, Selia e Shenjtë dekreton bashkimin e Dioqezës së Pultit me Arqidioqezën Metropolitane të Shkodrës, me emrin e ri Arqipeshkevia Shkodër–Pult dhe kështu Imzot Massafra bëhet Arqipeshkev i Shkodër Pultit. Si President i Konferencës Ipeshkvnore, ju treguat kujdes vençanërisht në fushën e edukimit, sporteve dhe animacionit si dhe dialogut ndërfetar. Ju u bëtë promotori i riorganizmit të kishës shqiptare, duke afruar shërbimet e nevojshme, duke punuar për kujdesin e thirrjeve, duke i restauruar dhe ndërtuar kishat e shkatërruara, për t’i afruar bashkësisë së krishterë vende të shenjta, të denja dhe duke gjallëruar në aspektin e asistencës, që veçanërisht në vitet e para ishte shumë i nevojshëm. Gjatë shërbimit tuaj Ipeshvnor janë të shumta veprat tuaja si “Fshati i Paqes”, rrëzë Taraboshit, që e krijove për të mirëpritur refugjatët e luftës së Kosovës, duke pasur një bashkëpunim midis Zyrës për Drejtësi dhe Paqe në Dioqezën dhe komunitetit të Santegjidos, që përfshin gjithashtu të krishterë ortodoksë dhe myslimanë të pranishëm në territorin e Arqiodezës. Ku nuk u gjende Imzot me misionin tuaj, tek projekti “Shpresa në Shkodër”, në ndihmë të personave me aftësi ndryshe në kampet verore, një ndihmë të madhe dhe në fushën e bamirësisë. Besnik ndaj motos Ipeshknore, në pajtimin e gjaqeve për gjakmarrje. Ti i solle paqen Shkodrës në vitin 1998, në një moment të një lufte civile, që mund të çonte dhe luftë fetare. Ju përveç punës baritore të kishës, keni publikuar dy publikime “Pajtohuni me Hyjnin 2002” dhe “Dhuratë dhe Angazhim 2016” katër letra baritore të botuar nga Shkëlqesia juaj “Ati na pret t’i dalim përpara, 1999″, “Ju dua të gjithëve në Jezu Krishtin 2002”, “Ata që Soditim”, “Ne e Kumtojmë 2006”, “Gëzimi i Dëshmisë 2017”. Jeni kujdesur për gazetën periodike “Fjala e Paqes” dhe revista “Kumbona e Diellës” ka punuar biografitë për Vicens Prenushi dhe 37 shokëve martirë të vitit 900, të lumturuar më 5 nëntor 2016 e si President i Gjykatës Kishtare për procesin e kanonizmit të 40 shërbëtorëve të hyjit “Martirët shqiptarë vrarë gjatë diktaturës”, që ka filluar më 10 nëntor 2002 dhe përfundoi më 8 dhjetor 2010. Përkushtimi i juaj kulturor nuk ndalet vetëm me botime, por keni qenë promovues i Radio Maries në Shqipëri.

Ka qenë këshilltar i disa dokumentarëve të dedikuar figurave kombëtare shqiptare si Gjon Buzukut, Frang Bardhit, Pjetër Bogdanit. Ti, i dashur Massafra, erdhe në Shqipërinë postkomuniste se të tërhoqi “Gjaku i shprishur që të thërrisni rrënjët e tua arbëreshe, ku për besimin në Zot e fe ishin pushkatuar besimtare shqiptar. Por ti gjete këtu shpirtin e besimit në Zot. Komunizmi jetën jua mori, por besimin jo, ti gjete foton e Jezusit se si e mbronin besimtaret sokolesha shkodrane mbas fotos së diktatorit, si e mbronin nga shkatërrimin zojën e bekueme e shumë relike të shenjta të besimit në Zot. Dhe me këto dhe me ruajtjen e koleksioneve të kohëve të lashta në krijove muzeun e historisë, besimit dhe të kishës katolike.

Faleminderit për ketë dhuratë historike që i ke lënë Shkodrës dhe Shqipnisë besimit katolikë shqiptar

Ju ndoqët postulatin e Shën Gjon Pali II, ku në aeroportin e Rinasit, në vizitën historike 1993, ju drejtua popullit shqiptar “Demokracia nuk ndërtohet mbi harresën.

Falë përkushtimit tuaj sot ndodhet e parrënuar godina e burgut të Spaçit, ju shkuat deri në Amerikë dhe së bashku me fondacioni “Drejtësi dhe Paqe” e shpëtuat këtë simbol të kujtesës.

Ti, imzot, dhe ne të përndjekurit politikë presim një përgjigje përse nuk u dënuan krimelët që vranë klerin shqiptar e në veçanti klerin katolik e mbi 6000 shqiptarë, që sot nuk kanë një varr në tokën e tyre.

Shoqnia shqiptare nuk do të shërohet kurrë nga rrjedhimet e murtajës komuniste, për sa kohë që nuk del në shesh e vërteta. Ju punuat me misionin tuaj për të vërtetën. Ju kishit madhështi shpirtnore kur i kërkuat politikës së papërgjegjshme shqiptare dënimin e krimeve të komunizmit me ligj, siç e kanë vendet europiane!

Historia e popullit shqiptar nuk njeh nji rast të vetëm kur kleri dhe besimtarët katolikë të mos kenë qenë pjesëmarrës, e në shumë raste udhëheqës, në kalvarin shumëshekullor të vendit tonë, e në luftërat kundër armiqve kërcënues dhe tashti vonë, në forcimin e një Shqipërie të lirë, që përpiqet me qenë europiane. Kjo, falë punës misionit tuaj.

Sot, andrra e keqe ka përfundue! Por ne gjendemi para një procesi shërimi në vendin tonë, para detyrës së randë të rindërtimit moral për të gjithë ne. Jo vetëm ata që janë përgjegjës direkt për krimet e kryeme, por edhe ata që margjinalisht ndjehen fajtorë, – sepse kanë heshte dhe këtu ka nji numër të madh – duhet të kalojnë nëpër procesin e rivlerësimit të përgjegjësisë së tyne, të qëndrimit të tyne imoral ose amoral në ditët e vështira, kundrejt grupit shoqënor numerikisht ma të vogël, por ma të persekutuem se të tjerët, popullsisë katolike shqiptare.

Për fat të mirë, erdhi zhvillimi i ngjarjeve në Shqipëri: shpresa e ushqyeme me besim.

Tashti ndigjohet kumbona e kishës përsëri dhe përsëri muezini thërret besimtarët për adhurim të Zotit. Sot, shqiptarët luten, meditojnë, shpresojnë përsëri.

Sot, po zbret vala e vuajtjeve që urrejtja krijoi në marrëzinë e vet, dhe shpresojmë se do të zëvendësohet me nji frymë të re, të heshtun por plot gjallëni, me mirëkuptim, por pa harrue të kaluemen. Sot, ish-të persekutuemet kanë përbuzë hakmarrjen, nji fitore morale shqiptare me përpjesëtime historike, e që këput zinxhirin e hakmarrjes. Sepse falja e fajit ka zanafillë hyjnore, ashtë karakteristike e shpirtmadhësisë dhe ky ashtë nji ogur i mirë, nji shpresë e re që shoqnia shqiptare ka vendos mospërsëritjen e tragjedisë së kalueme. Sot, Kisha Katolike shqiptare, viktima kryesore, deklaron: “Ne, nuk gjykojmë! “Të përndjekurit thërrasin njëzëri hakmarrje jo, drejtësi Po. Pa drejtësi nuk ka liri, pa liri nuk ka demokraci”

27 vite jetë ia kushtove vendit tim, imzot; vendit tand; Shqipërisë.

27 vite ma të mirat ia dhe atdheut tonë të përbashkët, Shqipërisë.

Ju u bëtë bashkëpunëtor me ne të vuajturit e diktaturës, mësimet e tua, vizioni juaj, i së vërtetës, së paqes dhe të lirisë do të ngelet postulat për ne. Kërkesa juaj që të dënohen krimet e komunizmit ishte një kambana për të vërteten pa të cilën ne nuk mund të ndërtojmë sistemin e vlerave sistemin e qytetarit të lirë, por edhe një kambanaë ndaj papërgjeshmërisë së politikanëve shqiptarë, që në vend që të dënonin krimin iu bashkuan heshtjes ndaj krimit. Heshtja e tyre vret njëlloj si plumbat e xhelatëve të diktaturës dje.

Mirënjohjen tonë të thellë, Imzot Angela Masafrës, për kontributin e madh që jep në ruajtjen e kujtesës dhe dokumentimin e krimeve të komunizmit dhe po të vepronte klasa politike postkomuniste si Ju me përkushtimin e shqiptarit të madh e sensibilizues fati i të përndjekurve politikë shqiptarë dhe i shoqërisë shqiptare, sot do të ishte ndryshe.

Sot do të kishim një Shqipëri demokratike, një Shqipëri të lirë, një Shqipëri të paqme! Të besojmë dhe të shpresojmë! Faleminderit Imzot Angelo Massafra, ti u bëre pjesë e plejadës së njerëzve të shquar të kombit tim, të kombit tonë!

* Fjala e mbajtur në Muzeumin e Kujtesës në Shkodër, me rastin e nderimit me Certifikatën e Nderit “Mirënjohje e Martirëve të Lirisë” dhënë Shkëlqesisë së Tij, Mons. Angelo Massafrës

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura