Mynih, paralele fatale mes Hitlerit dhe Putinit

Feb 23, 2024 | 8:23
SHPËRNDAJE

NGA GJENERAL PIRO AHMETAJ piroahmetajkk

Sigurisht e ndoqa me interes dhe përgjegjësi shtesë Konferencën e 60-të Sigurisë, zhvilluar javën e kaluar në Mynih, Gjermani e cila vijon të mbetet në “top” të lajmeve dhe analizave për Kancelaritë, institucionet, institutet dhe personalitetet në, Uashington, Bruksel, Londër, Berlin, etj.. Prandaj, në kapacitetin e “Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonin dhe NATO-n”, po paraqes një përmbledhje strategjike rreth rrethanave si dhe mesazheve me peshë globale që u përcollën nga kjo Konferencë. Paraprakisht sjellim në kujtesë se Konferenca e Munihut për Sigurinë u mbajt për herë të parë në 1963, kur për shkak të luftës së ftohtë dhe ndarjes në kampe armiqësore (Varshava – NATO) morën pjesë vetëm 10-ra pjesëmarrës.

Deri në 1990, takimet e përvitshme ishin projektuar si ngjarje ndërkombëtare, ndërsa qëllimi i konferencës ishte t’iu jepte mundësi për të takuar dhe ndarë këndvështrime mbi rreziqet e sigurisë globale me kolegët Gjermanisë Perëndimore, SHBA-të, si dhe vendet e tjera të NATO dhe BE-së. Mbas 61 vitesh, Konferenca e Sigurisë së Mynihut u zgjerua dhe u institucionalizua si një nga takimet më të rëndësishme në botë për politikën dhe komunitetin e sigurisë. Motoja shumë e gjetur për Konferencën e këtij vit ishte: “from “lose-lose” to “win-win”, ose e shqipëruar “përtej humbjes fatale, drejt fitores së përbashkët”.

Po ashtu, ishte brilante përqasja e saj, ose ndryshe e quajtur “rregull i Mynihut”: “Ndërveproni me njëri-tjetrin, mos jepni leksione dhe as mos e injoroni njëri-tjetrin”, si dhe: “Të flasim dhe të mësojmë nga njëri-tjetri, në vend që të flasim për njëri-tjetrin”. Për më konkretisht, në Konferencën e këtij viti morën pjesë mbi 900 pjesëmarrës, rreth 50 krerë shtetesh dhe qeverish, mbi 100 ministra, diplomatë, strategjistë, gjeneralë, shkencëtarë, ekologjistë, biznesmenë dhe ekspertë nga Qendrat e Studimeve Strategjike etj.. Si në çdo 60 vjet, edhe para 1 jave pjesëmarrësit u mblodhën në hotelin “Bayerischer Hof”, Mynih për të diskutuar mbi Ukrainën, si dhe kërcënimet, sfidat dhe oportunitetet e mjedisit të sigurisë globale.

Ndër pjesëmarrësit e shquar mund të përmendim Kamala Harris, Tony Blinken, Alejandro Mayorkas dhe Hillary Clinton, Volodymyr Zelinskyy etj.. Pa asnjë mëdyshje fokusi i konferencës ishte përballja 2-vjeçare e Ukrainës martire me makinerinë kriminale të Rusisë – Putiniste. Por, ndoshta për ta shtensionuar atmosferën, në axhendën e këtij viti drejtuesi i Konferencës Christoph Heusgen përveç sigurisë kishte planifikuar edhe një sesion 45 minuta për shkencën.

Për këtë, z. Rolf Dobelli themeluesi i “World.Minds” prezantoi: “bisedë në hapësirë” dhe me tej bashkë me ekspertët evropianë u fokusuan në objektet ndëryjore pranë tokës, në qytetërimet jashtëtokësore dhe “Revolucionin e Kopernikut”, të cilat sigurisht kanë interes për politikëbëresit, përgjegjësia e të cilëve është siguria kombëtare. Ndër të tjera, z. Dobelli shtoi me sarkazëm se: “Politika jonë e mjerë tokësore lë shumë hapësirë për speciet jashtëtokësore, duke shtuar se nëse vendosemi ndonjëherë në mars mund të mbahet një konference sigurie larg Tokës”!

Së dyti, besoj jo krejt rastësisht konferenca u zhvillua edhe nën fantazmat e kujtimeve të hidhura si dhe krahasimeve të frikshme midis Hitlerit dhe Putinit, duke sjellë në vëmendje 1938 kur Hitleri sulmoi Çekosllovakinë si dhe shkurtin e 2002 kur Rusia sulmoi ushtarakisht tërësinë territoriale të Ukrainës, duke sfiduar rendit global, por dhe fuqinë ushtarake dhe interesat e aleancës eruroatlantike etj..

Pikërisht në shkurt 1938, kur një takim, sigurisht i ndryshëm nga Konferenca e Mynihut (shkurt 2024) nuk ndaloi as ambiciet kriminale të një diktatori vrasës/Hitlerit as pasojat katastrofike të luftës. Ishte fatkeqësisht në shkurt 1938 kur ish-kryeministri britanik Neville Chamberlain, mbasi u takua me liderin nazist Adolf Hitler si dhe homologët francezë dhe fashistë italianë, nënshkruan marrëveshjen për aneksimin e pjesës perëndimore të Çekosllovakisë (që gjermanët e quanin Sudetenland), duke shpresuar në mënyrë “naive” se do të arrinin të shmangin një luftë me gjakderdhje edhe më të madhe evropiane.

Ndërsa po ashtu, pas luftës barbare 2-vjeçare për pushtimin e Ukrainës nga diktatori rus Vladimir Putin, po e sjellim në vëmendje dinamikën pas Marrëveshjes së Mynihut të vitit 1938 apo “Paqes së pamundur të Chamberlain”, pasi ky krahasim i frikshëm mund t’u vlejë si “mësim i hidhur” ligjvënësve amerikanë dhe atyre europianë, që të mos hezitojnë për të miratuar mbështetjen urgjente (60 miliard $) të ushtrisë ukrainase që po lufton heroikisht “jo vetëm për Ukrainën”.

Kështu, para marrëveshjes Hitleri (ashtu si Putini NATO-n) kishte fajësuar dhe kërcënuar se: “do të fillonte një luftë evropiane nëse udhëheqësit e Britanisë, Francës dhe Italisë nuk binin dakord për aneksimin e Sudetenland”, një rajon kufitar me shumicë gjermane etnike. Miqtë e mi të mirë, deklaroi me entuziazëm Chamberlain përpara “Doëning Street 10”: “Për herë të dytë në historinë tonë, një kryeministër britanik është kthyer nga Gjermania duke sjellë paqen me nder”.

Koha tregoi se as paqe dhe as nder nuk prodhoi kjo marrëveshje, ashtu si edhe ngjashmërisht, as marrëveshja e Minskut 2015, për aneksimin e Krimesë nën “garantuesit” francezë dhe gjermanë, nuk prodhoi paqe, por nisjen e luftës kriminale nga Rusia–Putiniste kundër Ukrainës në shkurt të 2022. Kujtojmë se Hitleri kishte aneksuar Austrinë në mars 1938 dhe ai ishte i vendosur të gëlltiste rajonin gjermanishtfolës të Çekosllovakisë.

Ndërsa prej dy vitesh (2022-2023), Putini ka pushtuar tashmë pjesë të Ukrainës me numër të konsiderueshëm rusishtfolës, në territore që ai i konsideron si pronë e Mëmes – Rusi, si: Krimea, Luhansk, Zaporizhzhia, Kherson dhe Donetsk. Ndërsa Hitleri shkroi gjerësisht për nocionet e tij të shtrembëruara gjenetike dhe antisemite në Mein Kampf, duke ofruar një kopje të bestsellerit të tij kombëtar për çdo çift të ri martesor në Rajhun e Tretë në Gjermani. Si krahasim i hidhur, Putini në intervistën e tij cinike së fundmi me ish-gazetarin konspiracionist të “Fax-News”, z. Tucker Carlson ndau një shportë shtrembërimesh historike për shtetësinë e ukrainasve si dhe identitetin gjeopolitike të kombit Ukrainas, që datojnë prej shekullit të nëntë, deri në ditët aktualisht. Ashtu si në vitin 1938, kur fokusi i debatit ishte mbi të ardhmen e Çekosllovakisë dhe kur vlerësohej qëndresa heroike e vendit, po ashtu edhe tani fokusi kësaj Konference, gjithsesi mbeti në Ukrainë.

Ndërsa për shume liderë dhe ekspert të sigurisë, në të dyja rastet (1938 dhe 2022) fokusi do të duhej të ishte: “si mund ta ndalonin diktatorin përgjegjës për krimet e luftës”. Një tjetër ngjashmëri mes vitit 1938 dhe mbas shkurtit 2022 (në mos nga 2014 kur u aneksua Krimea) janë aleancat me diktatorët dhe shtetet autoritare. Kështu, menjëherë pas marrëveshjes të Mynihut së sipërpërmendur të Chamberlain (1938), u shfaq boshti famëkeq nazi-fashist gjermano-italianojaponez, ndërsa mbas 2022, bota Euroatlantike po përballen me një kërcënim serioz nga fuqia e liderëve autoritarë rusë, kinezë, iranianë, koreano-veriorë, e gjetkë.

Mund të ketë edhe paralele të tjera, por sigurisht ka edhe shumë dallime midis sfidave të sigurisë në 1938 dhe mbas 2022, por mesazhi thelbësor i këtij opinioni mbetet se: “Nuk duhet të anashkalohen kurrsesi ngjashmëritë e frikshme, por si duhet të adresohen mësimet e nxjerra nga të dy rastet”.

Së treti, përtej ngjashmërive të frikshme midis përqasjes kriminale të Hitlerit dhe Putinit, Konferenca e javës e kaluar, u shfokusua edhe rreth katër ngjarjeve me peshë gjeopolitike, që ndoshta jo vetëm rastësisht u shpalosën dhe e përkeqësuan atmosferën te pjesëmarrësit si brenda dhe jashtë Mynihut:

1.Deklarata e z. Donald Trump në kuadër të fushatës Presidenciale se: “Ai do t’i linte rusët të bënin ç’dreqin duan ndaj aleatëve të NATO-s që nuk paguajnë mjaftueshëm për mbrojtjen”; 2. vdekja makabre në burg e liderit të opozitës ruse Alexei Navalny; 3. fitorja e ofensivës ruse në qytetin ukrainas Avdiivka si dhe raportet e inteligjencës USA mbi planet e Kremlinit për të zhvilluar një armë hapësinore bërthamore. Gjithsesi, për deklaratën e Trump, mbështetësit republikanë në Mynih u munduan të shpjegonin pse “kandidati i tyre presidencial duhet të merret seriozisht, por jo fjalë për fjalë”, pasi mbështetja ushtarake e SHBA për Ukrainën, Poloninë dhe NATO-n u rrit gjatë administratës së tij dhe se: “Z. Trump thjesht dëshiron që evropianët të kontribuojnë më shumë në buxhetin mbrojtjes të Aleancës”.

Ndërsa për vdekjen e z. Navalny, gruaja e tij Julia (e cila ishte në Mynih për të folur në emër të tij) dha një përgjigje të guximshme: “Duke akuzuar Putinin për vrasjen makabre të tij si dhe u zotua se diktatori rus do të paguante për këtë akt kriminal”. Për më tepër, pjesëmarrës me eksperiencë në Konferencën e Mynihut, e ndërlidhen këtë akt me deklaratën fillestare të luftës së Putinit ndaj Perëndimit (2022), duke shtuar se: “Ai, pra Putini, mund ta kishte caktuar/kombinuar kohën e vrasjes së Navalny me Konferencën e Mynihut, për të dërguar një mesazh të fortë ndaj Perëndimit”. Po ashtu, përtej dhe përfshi pushtimin rus të Avdiivkas, u diskutua domosdoshmëria e forcimit të kohezionit Euratlantik si dhe e vijimit të mbështetjes së pakushtëzuar deri në fitoren e “jo vetëm Ukrainës”.

Nga ana tjetër, kryetarët e shteteve ridiskutuan edhe mbi: “nevojën kritike të ngritjes së sistemit të mbrojtjes europiane (Berlin + i avancuar), projekt që gjithsesi nuk e konkurron, por e komplementon fuqinë ushtarake të NATO-s, pavarësisht se kush është në pushtet në SHBA”.

Thënë këtë, të gjithë mbeten koshientë se investimet e BE-së për mbrojtjen janë një projekt i shtrenjtë dhe afatgjatë që do të përfshije ndoshta disa breza, pasi kurrsesi nuk mund të realizohet nëpërmjet buxheteve një apo disa vjeçare. Parë nga ky këndvështrim, MSC – 2024, mbetet “e dënuar të bëjë histori”, pasi, besoj se gjetjet dhe mesazhet e saj do të shërbejnë për të shkundur, zgjuar dhe zhvilluar një lidership të fortë me vizion dhe përgjegjshmëri e lartë, vullnet, solidaritet, projekte si dhe mbështete financiare për modernizimin aftësive ushtarake për t’u përballur me rreziqet konvencionale si dhe kërcënimet ndaj sigurisë, paqes, prosperitetit dhe stabilitetit demokratik përfshi/përtej hapësirës Euroatlantike.

Së katërti, në përmbledhje sa më lart mundet të nxjerrim si dhe të adresojmë edhe “tri mësime dhe mesazhe strategjike”, reciprokisht për:

1. NATO dhe BE: do duhet: “të forcojnë më tej kohezionin dhe besimin reciprok mes aleancave, vendeve dhe vlerave Euroatlantike duke mbështetur pa asnjë kompromis Ukrainën deri në fitoren ndaj Rusisë, por edhe për përmirësimin e fuqisë ushtarake (përfshi deterrence/aftësitë shkurajuese) në mbrojtje të tërësinë territoriale të vendeve anëtare si dhe interesave gjeopolitike të NATO-s/BE-së”!

2. Rajonin, gjetjet e Konferencës do duhet të shërbejnë si mesazhe Euroatlantike ndaj Beogradit zyrtar: “për të mos u keqpërdorur për interesat e Moskës dhe axhendën e Putinit në rajon; të mos e armatoset kot (pasi s’kërcënohet nga askush) deri në ‘dhëmb’ (me Mig29, raketa, tanke, dronë rusë, etj.); të mos frymëzojë radikalet e tipit Dodik në Bosnjë dhe grupet kriminale në veriun e Kosovës etj., si dhe: “Të mos guxojë të kërcënojë me agresion ushtarak ndaj Kosovës status-quonë gjeopolitike si dhe investimin e USA/NATO për paqen, stabilitetin e rajonit”!

3. Në planin kombëtar: “RSH duhet që përveç të demonstrojë solidaritet për të gjitha angazhimet dhe projektet e Aleancës Euroatlantike në interes të sigurisë kolektive (artikulli-5); në mbështetje të Ukrainës, por edhe për promovimin e peshës që mban RSH në stabilitetin demokratik, forcimin e partneritetit strategjik me SHBA/ NATO si dhe për integrimin Euroatlantik të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Po ashtu, RHh do të duhet të mbështes BE-në për zhvillimin e projekteve të përbashkëta ndaj të kërcënimeve asimetrike: “Terrorizmi, rreziqet kibernetike, konfliktet civile, ekstremizmi, krimi i organizuar, trafiqet e paligjshme, siguria e mjedisit, emergjencat civile, përballimin e krizës së refugjatëve etj.”. Me këtë rast, sigurisht duhet përshëndetur rritja e buxhetit të mbrojtjes 2 % GDP-së në 2024; organizimi në Tiranë i Konferencës së Paqes (28-29 shkurt) dhe pjesëmarrjen e Presidentit Zelensky; përfundimin e Bazës (mbështetëse) Ajrore të NATO-s në Kuçovë; trajtimin e ushtarakëve; modernizimin e kapaciteteve për mbrojtjen si dhe përmbushjes së detyrimeve në kuadër të NATO-s.

Gjithsesi, në krye të axhendës kombëtare, do të duhet të mbetet: “Përditësimi i mëtejshëm i Sistemit të Sigurisë, duke modernizuar konceptin, strukturat, kapacitetet, balancat e pushteteve si dhe kulturën euroatlantike të bashkëpunimit me NATO-n”. Në këto përpjekje me interesa të larta kombëtare, nuk vlejnë as privatizimi i axhendës Euroatlantike dhe as dashurisë për mëmëdhenë, as gajasja cinike me “oponentët e pushtetit apo qoftë dhe me opozitën e bravave”, as shpërdorimi i institucioneve kushtetuese si infermieri (pa) shërim nga sëmundja ballkanike e mbipushtetit, por “vetëm dashuria, nderimi dhe përulësia për vendin, vizioni, përkushtimi dhe përgjegjësia e lartë shtetërore ndaj interesave mbarëkombëtare, besimi në vlerat demokratike si dhe ‘bekimi’ nga/ndaj partneritetit strategjik me SHBA, NATO-s dhe BE”.

Së fundmi, por mbi të gjitha, shpresoj që gjetjet e kësaj Konference t’iu shërbejnë elitave mendjehapura në USA/NATO/BE etj.: “Për të punuar kundër rikthimit të gjakderdhjes shekullore”, duke risjellë në kujtesë thirrjen ulëritëse: “Njerëz, qëndroni vigjilentë! Paqja, siguria dhe demokracia nuk janë dhurata të përjetshme”, si dhe mesazhin e mençur të ish-Presidentit John Kennedy në hapjen së Konferencës së I të Mynihut, pra 61 vjet më parë: “T’u hedhim sytë përtej rreziqeve të së sotmes, te shpresat e së nesërmes”! Thënë këtë, duhet që të besojmë dhe promovojmë fortë se jo lufta, por paqja mbetet misioni vetëm i njerëzimit si dhe i Ukrainës, Lindjes së Mesme, Ballkanit Perëndimor si dhe në mbarë globin.

*Autori i këtij opinionit, gjeneral P. Ahmetaj: Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n, Zv.president i Këshillit të Atlantikut dhe ishKëshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD, Këshilltar i Presidentit, zv.ShShPFA, Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura