Muzikologu Tole: Iso-polifonia, kori më i vjetër në botë

May 26, 2011 | 9:39
SHPËRNDAJE

Me lotët rrëke, me jelet që u binin përdhe, ata ngjajnë si vajtojca. Fundja ky ka qenë edhe qëllimi i Homerit… Këtë simbolikë me kuaj, akademiku Vasil Tole e nxjerr nga konteksti homerik dhe e sjell në ditët tona për të hapur një parantezë për iso-polifoninë, tanimë pjesë e trashëgimisë botërore, në mbrojtjen e UNESCO-s. “Pse qanë kuajt e Akilit” është sprova e tij më e fundit, që tenton një vështrim vertikal drejt origjinës së iso-polifonisë. Për të, ajo përbën korin e parë në botë dhe është më e lashtë se vetë tragjedia greke, madje kjo e fundit i referohet asaj në krijimin e strukturës së vet. Për Vasil Tolen, iso-polifonia, e cila e ka atdheun në Shqipërinë e Jugut (lidhur me vendndodhjen e Hadesit dhe lumit Akeront), nuk është thjesht folklor, por mënyrë jetese. Është një dëshmi e organizimit shoqëror.
Nuk është hera e parë që shkruani për iso-polifoninë, por kësaj here grishni që në titullin e librit, ç’sillni të re?

Kopertina e librit

Zakonisht titujt janë çelësi për të hapur librin dhe kur zgjedh një çelës të Homerit, intriga bëhet e plotë për të gjithë. Ai hap një derë që na çon drejtpërsëdrejti në atë që unë e quaj “sofra homerike”, në periudhën kur lindi krijimtaria artistike. Unë besoj që iso-polifonia, që deri tani padrejtësisht është trajtuar si folklor, si krijimtaria argëtuese e një popullate të caktuar, në vitet e hershme të krijimit të vet nuk ka qenë siç është sot. Përfytyrimi im më çon të mendoj që ajo ishte një kulturë, që reflektonte drejtpërsëdrejti në mënyrën e organizimit shoqëror të banorëve në kohët e vjetra dhe këtu kam parasysh periudhën neolitike, diku rreth 7-3 mijë vjet para Krishtit. Kjo dëshmohet bindshëm nga zbulimet e kulturës materiale, siç janë ndërtesat e para prehistorike, kasollet apo mjetet e punës, si dhe varrimi me tuma, një lloj varrimi që imitonte formën e diellit në tokë. Me këtë dua të them që shqiptarët arritën që krahas kulturës së madhe greke, të formatonin korin si një shenjë jo vetëm e organizimit shoqëror, por edhe e ansamblit të parë artistik në botë dhe ky është këndvështrimi im i veçantë, duke hedhur një hap drejt prejardhjes, origjinës së polifonisë, të cilën e shoh shumë të lidhur me jetën dhe në mënyrë të veçantë me vdekjen e shqiptarëve. Ka lindur në kohën kur njeriu ishte i mbytur nga dhimbja dhe përdori vajtimin, jo vetëm për të nderuar të vdekurin, por edhe për të çliruar veten nga dhimbja. Dhe çdo kulturë, e cila është e lidhur fortë me mënyrën e jetesës, të çon tek rrënjët e njerëzimit.
Po ç’lidhje kanë kuajt e Akilit me iso-polifoninë?
Ka një episod të mrekullueshëm tek “Iliada”: kur dy kuajt e Akilit, Baliosi dhe Xanthi (Baliosi është shumë i afërt me emrin shqip Balashi, Xanthi i verdhi), kur shikojnë Patroklin të vrarë, fillojnë e qajnë. Kjo është një gjetje, sepse kuajt e pavdekshëm nuk preken nga simptomat e njerëzve që kanë dhimbje dhe jetë të përkohshme, por aq e madhe ishte dhimbja e tyre, saqë Homeri i përshkruan ata si vajtojcat me jelet që u binin para dhe lotët që i rridhnin rrëke. Kjo është simbolika ime, sipas së cilës iso-polifonia është vaj-kënduar. Dhimbja i mblodhi njerëzit së bashku dhe aty lindi këndimi me shumë zëra, prandaj aty përshkruhen etapat e këtij strukturimi të jashtëzakonshëm të korit të parë në botë.
Nuk është paksa e guximshme të thuash se është kori më i vjetër në botë?
Ky libër nuk është fantashkencë, por ka dy orientime shumë të forta. Njëra pikë e horizontit është vepra e Homerit, dëshmia e vetme e vjetër, që shkon 800 vjet para Krishtit dhe përshkruan ngjarje 1500 vjet para Krishtit dhe ekstremi fundor është realiteti i muzikës iso-polifonike. Ky realitet nuk duhet parë si një shumësi këngësh, si folklor, por të zbulojë se si është e mundur që një kulturë zanore, që prodhohet nga aparati zanor i njeriut e ka edhe atributin e fjalës e të këngës, mundi të formatonte korin. Europës iu deshën 5 shekuj për ta formatuar polifoninë. Si është e mundur që në një realitet tradicional të ekzistojnë koret, të gjenin një strukturimin, i cili zgjeron hapësirën përmes isos, që është e njëtrajtshme, horizontale dhe zërat e tjerë që e presin strukturën vertikalisht si për t’u kujtuar njerëzve se janë të vdekshëm dhe stinët e kohët kanë vendin e tyre. Kjo ishte tërheqja dhe përmes një forme që quhet “e qara me bote”, me rrëke lotësh, për njeriun, si pjesë e botës, përpiqem që nga e sotshmja të shkoj drejt së shkuarës, për të gjetur atë rrugë të vështirë, thuajse të pamundur. Prandaj, këto quhen sprova. Askush nuk e ka monopolin e dijes sa i përket kësaj çështjeje, por ato që nuk ndryshojnë janë fakti që kjo kulturë ka lindur korin, ka lindur nga aparati njerëzor zanor që është instrumenti më i vjetër dhe se isoja është e zezë, sepse ka lindur gjatë zisë dhe zërat janë të kuq, sepse brenda asaj njëtrajtshmërie çlirojnë, ashtu si loti, jetën.
Tanimë iso-polifonia është pjesë e trashëgimisë botërore, pjesë e listës së kryeveprave shpirtërore shqiptare, ç’duhet bërë më?
Të nxisim jetesën e kësaj forme të mrekullueshme, e cila përpara se të jetë një grup muzikor që këndon apo kërcen, tregon nivelin e shoqërizimit, nivelin demokratik të kësaj shoqërie. Dhe duke u kujdesur për iso-polifoninë, nuk kujdesemi thjesht për ruajtjen e një kënge, por ruajtjen e tipareve më origjinale të traditës sonë, që përfshijnë këngën, vallen, melodinë, gjuhën, veshjen dhe mjedisin e caktuar. Pra, ruajtja e iso-polifonisë si kulturë, ruajtja e Shqipërisë arkaike, që na bën të përveçëm në raport me të tjerët.
Është kthyer gati në modë përpunimi i këngëve polifonike, e dëmton kjo gjë këtë lloj trashëgimie?
Unë besoj që kultura me shumë zëra është një vend ku ftohen të gjithë të pinë ujë, pa përjashtim. Jam dakord edhe me përdorimin e kësaj kulture në muzikën simfonike, në stilimet e modës, në veprat e piktorëve, pra çdo lloj fushe të artit bashkëkohor që ajo ushqen. Ajo që unë nuk bie dakord ka të bëjë me cilësinë e reflektimit të kësaj kulture në një realitet të ri, pra është një thirrje për profesionistët që ta njohin këtë kulturë dhe ta përdorin me racionalitet dhe besoj këtu më kuptojnë të gjithë. Shqetësimi im është se çfarë do bëjmë që këtë kulturë tradicionale, respektimin e korit të isos, për marrësin, prerësin dhe kthyesin, për ambientin tradicional ku kjo kulturë ekziston.
A kemi ne politika shtetërore në këtë drejtim?
Kanë filluar disa. E para ishte krijimi i Listës Kombëtare të Kryeveprave, që është detyrimi i shtetit t’i ruajë, t’i mbrojë dhe t’i promovojë këto kultura. Cilat janë elementet që i shpëtojnë ato? Së pari, përfshirja në kurrikulat shkollore. Është hapur dera në këtë drejtim. Në lëndën e Edukimit muzikor në shkollën 9-vjeçare dhe në lëndën e Trashëgimisë Kulturore në gjimnaze kjo gjë bëhet. Ndërkaq, vë re një handikap të madh në fushën studimore, sepse ndërkohë që shteti vë prioritete për listën e kryeveprave shpirtërore, nuk përgjigjen me të njëjtin shkallëzim institucionet studimore. Elementi tjetër është nxitja e dialekteve. Duke ruajtur gjuhën, ruajmë mënyrën e të menduarit që shfaqet në këngë. Element tjetër shumë i rëndësishëm është nxitja e prodhimit artizanal të veglave muzikore, që mbajnë gjallë muzikën, por dhe përbëjnë vepra arti të mirëfillta. Dhe, së fundi, por jo e fundit nga rëndësia, pushtetet vendore duhet të mbajnë gjallë aktivitetet kulturore, me çfarëdo lloj forme. Të nxiten projektet në këtë fushë. Trashëgimia materiale duhet parë e lidhur ngushtë me atë shpirtërore. Unë mendoj se monumenti më i vjetër nuk është ndonjë rrënojë apo kala, por njeriu shqiptar, sepse ai mban gjallë trashëgiminë më të vjetër që është gjuha, iso-polifonia, eposi… Trashëgimia materiale vjen më vonë.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura