Mungesa e ilaçeve, opozita akuza Beqajt: Kanë humbur jetën 6 pacientë me SIDA

May 12, 2016 | 22:25
SHPËRNDAJE

Pas akuzave të ngritura pak ditë më parë për mungesën e barnave për pacientët e prekur nga SIDA, deputetja e PD-së, Albana Vokshi, lëshoi një tjetër akuzë në adresë të ministrit të Shëndetësisë.

Gjatë seancës së djeshme në Kuvend, ku ishte thirrur ministri Beqaj, Vokshi tha se në harkun e 10 ditëve në pavijonin e infektivit në QSUT, prej mungesës së medikamenteve kanë humbur jetën 6 persona të sëmurë me HIVAIDS.

“Më vjen në celular një lajm tronditës. Brenda një periudhe 10-ditore ka 6 pacientë me HIV-AIDS që kanë ndërruar jetë për mungesë barnash. Mungesa e barnave ka sjellë viktima në jetë njerëzish. Kush e mban përgjegjësinë për këto jetë të humbura?”, iu drejtua Vokshi ministrit, i cili pohoi se nuk kishte dijeni dhe se do të merrte informacion e më pas do të prononcohej zyrtarisht.

Kjo përgjigje mjaftoi për të ngjallur tension në Komision mes deputetëve të opozitës e maxhorancës.

Beqaj1

Nënkryetarja e Komisionit, deputetja e PS-së, Klodjana Spahiu, ndërsa e cilësoi të rëndë situatën, kërkoi që për këtë të mbahej një mbledhje e posaçme.

“Nuk jemi mbledhur për këtë histori, mund të bëjmë një seancë të posaçme dëgjimore për këtë. Problemi është vërtet i rëndë dhe këtë e pranojmë të gjithë. Duhet një reagim sa më parë nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Spahiu.

Prej 4 javësh, personat e prekur nga HIV–AIDS vuajnë mungesën e tri medikamenteve në shërbimin e infektivit në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Bëhet fjalë për tri medikamente, Aluvia, Ritonavir dhe Atzanavir. Në vendin tonë janë rreth 400 pacientë që marrin mjekim.

LARGIMET NGA PUNA

Mbledhja, e cila zgjati për rreth 3 orë, u shoqërua me debate ndërmjet deputetëve të PS-së dhe opozitës. Ajo që ra në sy dje ishte edhe mungesa në seancë e përfaqë- suesve të LSI-së, përkatësisht e Petrit Vasilit dhe Vangjel Tavos, të cilët kanë mbajtur edhe postin e kreut të Shëndetësisë.

Por veç mungesës së barnave, dëmtimit dhe daljes jashtë funksionimit të disa pajisjeve mjekësore, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ishte thirrur për të “dhënë llogari” edhe për lëvizjet që kanë nisur në sistemin shëndetësor. Prej disa muajsh në disa spitale rajonale dhe bashkiake ka nisur një valë shkarkimesh.

Sipas ministrit, janë 519 punonjës shëndetësie që do të largohen apo janë larguar nga vendi i punës, prej të cilëve 268 janë nga spitalet bashkiake dhe 251 nga spitalet rajonale. Beqaj prezantoi edhe grafikun e të shkarkuarve për çdo spital. I pyetur se mbi çfarë baze është bërë kjo, ai tha se ky ristrukturim është i lidhur me shfrytëzimin e shtretërve. Më të prekur nga kjo ofensivë duket se janë infermierët.

Pak ditë më parë, edhe Urdhri i Infermierit përmes një letre të hapur ngriti shqetësimin për largimin e 200 infermierëve. Ata kërkuan nga ministri që të rishikonte vendimin, pasi nuk ishte e udhës që, nga njëra anë, punësohen të rinj dhe, nga ana tjetër, dërgohen në shtëpi ata që kanë vite përvojë mbi supe.

ADA HAZIZOLLI

bb4

bb5

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura