“Mos të përzihen më në këto afera”, Artan Lame mesazh të qartë punonjësve: Në këto 6 muajt e fundit, ka ndodhur ajo që…

Oct 29, 2019 | 11:27
SHPËRNDAJE

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Kadastrës, Artan Lame, ka deklaruar se po vijon puna intensive për të zbuluar rastet e abuzimeve që bëhen me pronat, si nga qytetarët ashtu edhe nga punonjësit e administratës.

Ndër të tjera Lame u shpreh se kjo bëhet edhe për t’u dhënë një mesazh punonjësve që të mos përzihen në këtë “llum”, dhe në këto afera.

Ndërsa ka bërë një bilanc pune për 6 muajt e fundit, Kreu i Kadastrës tha se ajo çka ka ndodhur me pronën në këtë çerekshekulli në Shqipëri, e tejkalon atë që ndodhi gjatë gjysmëshekullit të mëparshëm.artan lame2

Artan Lame deklaroi se në 6 muaj janë kryer 30 audite, kontrolle dhe verifikime nëpër të gjitha drejtoritë vendore dhe janë marrë 120 masa, përfshirë edhe largimet nga detyra.

Po kështu janë trajtuar në këto 6 muaj rreth 7500 ankesa nga publiku dhe nga institucionet të ndryshme.

“Prej disa muajsh, pas përmbylljes së riorganizimit institucional të saj, Kadastra Shqiptare po merret me sfidën më të vështirë që ka përpara vetes: Shthurjen e rrjetës çerekshekullore të kaosit të pronave, abuzimit me pronat dhe plaçkitjes së pronës. Duhet të jemi të qartë me veten dhe me shqiptarët: Ajo çka ka ndodhur me pronën në këtë çerekshekulli në Shqipëri, e tejkalon atë që ndodhi gjatë gjysmëshekullit të mëparshëm. Diktatura shpronësoi shqiptarët, por prona mbeti po aty, në dorën e shtetit dhe me rrëzimin e sistemit socialist, do të duhej të fillonte procesi i kundërt, ai i kthimit të pronës tek i zoti, ai i ndarjes së drejtë të tokës tek fshatari, ai i privatizimit nga pozita të barabarta e kështu me radhë. Për fat të keq, nuk ndodhi kështu gjithmonë”, u shpreh ai para mediave paraditen e sotme.

Ndërkaq, më tej Lame tha se “Ditë pas dite ne kemi grumbulluar dhe vijojmë të evidentojmë raste abuzimi me pronën, qoftë atë publike e qoftë atë private. Ky evidentim nuk bëhet thjesht se s’kemi me ç’merremi apo se duam të çojmë njerëz përpara drejtësisë”.
“Ky evidentim bëhet sepse abuzimi me pronën është shkelje e rendit kushtetues, është bllokimi i jetës ekonomike të vendit. Në këta 6 muaj operim të Kadastrës së re Shqiptare janë kryer 30 audite, kontrolle dhe verifikime nëpër të gjitha drejtoritë vendore. Janë marrë 120 masa, përfshirë edhe largimet nga detyra, madje si një risi e jona, të gjitha masat janë shoqëruar edhe me vendosje gjobash ndaj punonjësve. Janë trajtuar në këto muaj rreth 7500 ankesa nga publiku dhe nga institucionet të ndryshme, ku pjesa dërmuese ka sfond grabitjen e të drejtës së pronës. Do të mjaftonin këto shifra për të dëshmuar se sa i thellë është problemi, se sa e thellë ka qenë reforma dhe se sa e madhe është pritshmëria e publikut ndaj këtij institucioni të ri”, deklaroi ai.

“Problematikat e trashëguara të pronave bllokojnë shumicën e investimeve. Do të përmendja këtu zonat bregdetare përgjatë gjithë Jonit dhe Adriatikut, apo zona të tjera me fluks ekonomik si ato përreth qyteteve të mëdha dhe veçanërisht Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Kronikat e mediave në gjithë këto vite kanë trajtuar herë pas here problematika të tilla, por përgjatë këtij viti ky fluks është shtuar. Do të veçoja dy arsye për këtë çështje, e para tani Shqipëria kjo është, bregdeti i saj u nda dhe u stërnda dhe konfliktet kanë filluar të ngrenë krye ngado; dhe e dyta, gjatë këtij viti ndjeshmëria dhe reagimi i qeverisë dhe i Agjencisë së re të Kadastrës, duke vënë dorën në plagë është rritur dukshëm. Përpara disa kohësh, unë paralajmërova se problematika si ato të Vlorës do të bëhen publike edhe në zona të tjera. Do të ndeshen në Sarandë, ku i gjithë bregdeti i qytetit, i gjithë amfiteatri i kodrave të Sarandës është ndarë dhe rindarë e rindarë në më tepër se dy-tri herë, përfshi dhe zona që praktikisht janë në det. I ndeshim në zonën e Butrintit dhe përreth tij, në situatat tragji-komike të Butrintit antik, i cili sot del me pronar.
Do ndeshen përgjatë Rivierës së Jonit, ku së shpejti ne do të fillojmë regjistrimin fillestar dhe nga ku sondazhet na rezultojnë mbivendosje deri në katër pronarë të ndryshëm për të njëjtën tokë”, tha Lame.

Ai u shpreh më tej se problematika të tilla janë bërë publike dhe do të vazhdojnë të bëhen publike në gjithë Gadishullin e Karaburunit, ku falë ndërhyrjes së Task-Forcës së Kryeministrisë u mundua t’i kthehej shtetit rreth 25 hektarë tokë e grabitur.

“Problematika të tilla do t’i ndeshim në bregdetin e mrekullueshëm të Spillesë, ku edhe këtu në një pikë që vuri dorën qeveria u zbulua një vjedhje kolosale e tokës shtet, e cila i është referuar organeve ligjore, apo po këtu, i gjithë brezi i pishave përgjatë bregdetit, tani rezulton i ndarë si tokë buke.
Do t’i ndeshim këto problematika në të gjithë Gjirin e Durrësit, ku pikërisht këto ditë organet ligjzbatuese kanë ndërmarrë veprimet e para, nisur edhe nga indicie të bëra nga ana e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Më tej,  do t’i ndeshim këto problematika në Gjirin e Lalzit dhe në bregdetin e Shëngjinit ku edhe bankina e portit ka dalë me pronar. Do t’i ndeshim këto problematika në Bregdetin e Velipojës, ku si tokë buke janë ndarë dhe pjesë e kënetave që prej mijëra vjetësh janë nën ujë.

E bëjmë këtë sepse është e vetmja mënyrë që, nga njëra anë të pakësojmë konfliktet sociale dhe të ndikojmë në vendosjen e drejtësisë së pronës; dhe nga ana tjetër, të japim mesazhin punonjësve të këtij sektori, të mos përzihen në afera të tilla”, deklaroi Lame.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura