Moda për të sulmuar Vangjel Dulen

Jun 1, 2015 | 12:29
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ

  Vangjel Dulen nuk e njoh përtej ekranit të televizorit, as rastësisht në rrugë s’e kam ndeshur ndonjëherë. Nuk di asgjë për të kaluarën e tij parapolitike dhe nuk e vë dorën në zjarr as për ta mallkuar, as për ta bekuar. Por e njoh mjaftueshëm nga komunikimi publik për ta gjykuar si një politikan me gjuhë korrekte.
Ai është minoritar, nënshtetas shqiptar me kombësi greke. Gjithashtu drejton Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, subjekt ky me mbështetje elektorale në zonat minoritare.

Historikisht, marrëdhëniet tona me grekët që jetojnë në Shqipëri kanë qenë miqësore. Kjo jo vetëm për faktin se ne shqiptarët nuk jemi shovinistë, porse vetë grekët e kanë merituar me sjelljen e tyre respektin. Po ashtu, ne e kemi vetëdijen se Greqia është një popull mik, i cili nuk na ka pushtuar kurrë. Kudo në botë fqinjët edhe grinden, në Europë po e po, ndërsa në Ballkan shumë më tepër. Për disa shekuj bashkërisht kemi vuajtur zgjedhën e tmerrshme otomane. Grekët, falë kohezionit të brendshëm, revolucionit mbresëlënës dhe kujtesës së Europës për trashëgiminë e Eskilit, Aristotelit, Platonit, Perikliut, Demostenit etj., e cila u shndërrua në mbështetje diplomatike, e gjeti rrugën e pavarësisë kombëtare shumë para nesh. Ne shqiptarëve shpesh na shijon të hiqemi si viktima dhe të përdëllehemi vajtueshëm se paskëshim qenë krejt te paqtë e esnafë. Kokulur sa herë na i kanë ndezur turinjtë me flakërima, duke pritur që të na darovisë drejtësia.

Popuj pa grintë historia i nëpërkëmb. Por kjo doktrinë e qyqarisë i rri ndesh të vërtetës historike. Ne nuk kemi qenë as më trima e as më frikacakë se të tjerët. Bejlerët e jugut të Shqipërisë kanë qenë tmerri i Greqisë gjatë shekujve e jo vetëm, por edhe të zonave të tjera të Ballkanit këta të veriut. Jehu ndihet edhe te letërsia historike. Ivo Andriç te “Kronikat e Travnikut” përshkruan se si kur në qytet ia behën me britma dy mijë kalorës shqiptarë shtatlartë, me veshjet e tyre të praruara, vendit i hynë të dridhurat dhe jeta pushoi së ekzistuari. Po ashtu, kur ka trokitur rasti, fqinjët ne s’na e kanë harruar.

Grekët na e kthyen reston në kohën e Venizellosit të parë me masakrat e njohura në Çamëri dhe jug të vendit.
Këtë tokë shqiptare, kaq të bukur, Çamërinë, ata ia morën Perandorisë Osmane si palë e mundur me disa etapa, e cila nuk e njohu shtetin e ri shqiptar dhe s’pat ndonjë kokëçarje apo merak që të na e linte ne si akt të fundit “bamirës”. Të mos harrojmë se Selaniku deri në vitin 1914 ishte zotërim sulltanor. Qeveria e Ankarasë pranoi t’i marrë çamët si turq në vitin 1929 në këmbim të grekëve të Azisë, që u sollën në shtetin grek. Reagimet e dokumentuara të Mithat Frashërit, asokohe ambasador në shtetin helen, e përshkruajnë me ngjethje këtë zhveshje nga identiteti. Në përgjithësi kemi pasur rivalitet fqinjësh, një inat brenda karakteresh të ngjashme me grekët, por jo luftë. Politika greke dhe shqiptare ka preferuar për kalkulime të brendshme, herë nën zë e herë haptas, të kultivojë ndjenjën se fati na ka ndëshkuar duke pasur në kufi një komb “armiqësor”. Kjo nuk është ndjesi popullore.

E vetmja luftë mes nesh është ajo e stisur nga Italia dhe e braktisur nga shqiptarët se nuk ishte e tyrja gjatë konfliktit të dytë botëror, kur Musolini e detyroi qeverinë kuislinge të Shefqet Vërlacit t’i shpallte lufte Greqisë. Fatkeqësisht, si relikte folklorike, në mënyrë të pakuptimtë Athina mban ende ligjin e luftës. Përtej këtij bizantinizmi simbolik, aty mbi 800 mijë shqiptarë pas rënies së komunizmit gjetën mikpritje e punë duke ndërtuar një jetë dinjitoze. Minoriteti në Shqipëri ndonjëherë ka qenë objekt abuzimi “vorioepirot” nga grupe të caktuara të politikës nacionaliste e ksenofobe në Greqi. Ndërsa plotësimi i standardeve të BE për pakicat e ka ndihmuar vendin tonë në procesin e integrimit dhe Greqia nuk ka qenë bllokuese, ndonëse me të drejtë vetoje. Po ashtu, në tavernat tona të mendimit të pakultivuar politik nuk kanë munguar provokatoret antigrekë. Në këtë moment, qeveria jonë i ka thirrur përsëri në kauzë për një çështje të drejtë, që po mbrohet në mënyrë të gabuar.

Tani, duke u kthyer te Vangjel Dule, mund të themi se jo pak herë manipulimi i nuancave historike bie mbi të në formën e paragjykimit dhe agresionit verbal.
Partia e kryesuar prej tij, prej karakterit të saj etnik, por edhe për nevojë “demokratike” të qeverive shqiptare, qoftë të majta apo të djathta, është e thirrur të bashkëpunojë.
Kur cirku politik ka nevojë për akrobatë të rinj, thirret në skenë “patriotizmi”, i cili kalitet me provën e zjarrit në garën për të sulmuar Vangjel Dulen, “kalin e Trojës”, “shërbëtorin e Athinës”… shkakun “e vërtetë” të ngecjeve tona.
Veç politikanëve të interesuar për të konfirmuar zjarrminë e “atdheut në rrezik”, fati i të cilit i thërret si shpëtimtarë për të kërcyer mbi ndonjë kolltuk pushteti, aktivizohet edhe një skotë dokrraxhinjsh.

Këta të fundit gjithë jetën e kanë shkuar duke cimbisur kadaif dhe medituar mbi një libër të Alija Izetbegoviçit. Mbushur deri nën sqetulla me këso eksperience e kulture, me projeksion fundamentalist religjioz, i gërmushen Dules e po aq Janullatosit duke përdorur konotacionin “Athina”, a thua se është turp a mëkat që Vangjel Dule grek të mos ketë nderim për kombin e vet, historinë e tij, kryeqytetin dhe qeverinë që i udhëheq ato.
Një logjikë kësisoj ka përdorur propaganda e Millosheviçit për shqiptarët me referencë Tiranën. Madje, djerrimi ligjërimor prek skaje të tilla në ndonjë divanhane mediatike, aq sa grekëve të sotëm nuk u njohim vazhdimësinë apo lidhjen me grekët e vjetër, ndërsa vetes i pohojmë se jemi vazhdues të ndershëm të pellazgëve. Sa herë që politika qeveritare në Shqipëri gjendet ngushtë me ekuilibrat e brendshëm, siç është tani, nevoja për partinë e Idrizit miklon turbullirën nacionaliste dhe hap rubinetin e sulmeve ndaj Dules.

Entuziastët, nostalgjitë e të cilëve ushqehen edhe me poezi live, që bëjnë thirrje për xhihad, konfliktin turko-grek e përthyejnë shpirtërisht si konflikt shqiptaro-grek dhe, o burra, mbë ta.
Etikisht, për dinjitetin e shtetit tonë nuk na nderon kjo gojështhurje ndaj përfaqësuesit kryesor të minoritetit grek në Shqipëri, por edhe për raportet që duam të kemi me një vend kufitar, anëtar i BE-së e mik, siç është Greqia.
Dokrraxhinjve u duhet përsëritur se ne me grekët kemi shumë të përbashkëta, virtyte e cene, qytetërim i cili është në themel të identitetit europian para se këtyre anëve t’ia behnin “vëllezërit” pushtues.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura