Miratohet vetëm me votat e PS rezoluta antikorrupsion, Tabaku: Procesi i integrimit duhet të jetë gjithëpërfshirës, s’kemi nevojë për copa letre që dihet si e kanë fundin

May 23, 2024 | 13:41
SHPËRNDAJE

Me vetëm votat e mazhorancës është miratuar në Konferencën e Kryetarëve rezoluta antikorrupsion për thellimin e reformave që pritet të kalojë të hënën në Kuvend.

Draft rezoluta mori vetën 9 votat e deputetëve socialistë, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim.

Në përfundim, deputetja e PD, në një prononcim për mediat tha se janë disa kompetenca që i takojnë Këshillit Kombëtar të Integrimit, që ajo e drejton.

Sipas Tabakut, parlamenti ka nevojë për një gjithë përfshirje për ta bërë procesin e integrimit, kombëtar dhe “nuk ka nevojë për të miratuar copa letre që dihet si e kanë fundin”.

“Nuk besoj se mazhoranca e ka lartësinë që të na predikojë ne luftën ndaj korrupsionit.

Unë si kryetare  Këshillit Kombëtar të Integrimit e kam thënë që lufta ndaj korrupsionit duhet të kthehet në prioritet kombëtar. Deri më sot qeveria nuk e ka bërë këtë.

Së dyti janë një pjesë funksionesh me ngritjen e komisionit të posaçëm që i takojnë Këshillit Kombëtar të Integrimit. Janë edhe një pjesë që lidhen me mbikëqyrjen, raportimin dhe monitorimin që nuk i bën dot mazhoranca sepse mazhoranca nuk mund të raportoje tek vetja. Kjo është një detyrë që ligji ja ka dhënë për procesin e integrimit  opozitës.

Unë mendoj se parlamenti nuk ka nevojë për një rezolutë tjetër që nuk zbatohet. Parlamenti ka nevojë për një gjithëpërfshirje për ta bërë procesin e integrimit proces kombëtar, për të përfshirë të gjithë aktorët dhe partnerët, por ka nevojë që të mos miratojmë copa letre që dihet se çfarë fundi kanë”, tha Tabaku.

Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve u shoqërua me debate mes mazhorancës dhe opozitës. Kreu i Grupit Parlamentar socialist, Bledi Çuçi propozoi datën 27 maj 2024 për çuarjen në seancë për votim të draft-rezolutës  Çuçi kërkoi që në seancë të parashikohen disa orë diskutimi dhe debat mes deputetëve në lidhje me rezolutën përpara votimit në Kuvend.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura