Miratimi me 140 vota i Reformës, si u imponuan SHBA e BE deri në çastin e fundit

Jul 22, 2016 | 10:45
SHPËRNDAJE

Maxhoranca dhe opozita miratuan dje me një konsensus historik ndryshimet kushtetuese, të cilat i hapin rrugën zbatimit të Reformës në Drejtësi. Reforma që prej kaq kohësh identifikohej me datën 21 korrik, mori 140 votat e ligjvënësve shqiptarë, por miratimi në orët e vona të mbrëmjes bëri që ajo reformë të quhet e miratuar në 22 korrik.

lu vlahutin

Pavarësisht se negociatat u shoqëruan me vështirësi në komunikim dhe me tone të ashpra, ato morën në orët e vona të mbrëmjes dakordësinë e të gjitha grupeve parlamentare. Madje në seancë ka votuar dhe deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste, Armando Prenga, i cili edhe pse është në hetim nga Drejtësia, votoi dje në Parlament.

Kjo reformë u votua para dy negociatorëve të fortë të saj, ambasadores së Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, dhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu. Kanë qenë SHBA-të e BE-ja që me presionin e tyre, edhe përtej limiteve të diplomacisë, kanë arritur që të bindin politikën shqiptare të votojë.

Për më shumë se 2 vjet, përfaqësuesit e tyre më të lartë nuk hezituan asnjëherë të qartësojnë se reforma do të bëhet. Politika shqiptare tregoi se nuk e gjen dot gjuhën e përbashkët pa ndikimin ndërkombëtar. Kjo ishte edhe arsyeja që më shumë nga votimi i djeshëm, ku palët ceduan nga kërkesat fillestare, të gëzuar ishin Lu e Vlahutin. Këta të fundit, kur reforma ka marrë 140 vota dhe tejkaloi të gjitha pritshmëritë, e kanë pritur me gëzim të madh këtë arritje. Madje në momentin e votimit, Lu dhe Vlahutin janë përqafuar dhe kanë puthur njëri-tjetrin në faqe, ndërkohë që janë ngritur në këmbë dhe kanë duartrokitur si në finalen e “Euro 2016”.

NDRYSHIMET

Por çfarë miratuan deputetët, pjesa më e madhe e tyre as që nuk e lexoi draftin final të ndryshimeve kushtetuese, por gjithsesi e miratuan atë. Në këtë draft të ri, Partia Demokratike ka fituar në betejën e saj për të pasur rol vendimtar në procesin e emërimit të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe të Prokurorisë. Tashmë anëtarët e këtyre dy institucioneve shumë delikate do të filtrohen nga një nënkomision i posaçëm në varësi të Kuvendit, i përbërë nga 5 deputetë.

Tre deputetë do të jenë të maxhorancës dhe 2 deputetë të opozitës. Këta deputetë mund të miratojnë me 4 vota listat e kandidatëve për KLP-në dhe KLGJ-në, ndërkohë që votimi final në Parlament bëhet me 2/3 e votave, e thënë ndryshme me 94 vota. Në rast se nuk miratohen në dy raundet e para, në raundin e tretë kandidatët e listave quhen të miratuar.

Por çfarë ka fituar Partia Socialiste? Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit në procesin e vetingut është bërë sipas kërkesës së Partisë Socialiste e dakordësuar me ndërkombëtarët. Ky operacion, që u përfshi në Kushtetutë, do të ketë rol rekomandues dhe mbikëqyrës në procesin e rivlerësimit. Edhe pse PD-ja kërkoi që ky rol të ndryshonte me pretendimin se cenohej sovraniteti, në fund ata e kanë pranuar nenin siç iu paraqit nga ndërkombëtarët.

NEGOCIATAT

Si çdo reformë e miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, edhe Reforma në Drejtësi gjeti dakordësi me opozitën minutën e fundit, dhe pse puna për të kishte dy vjet që kishte nisur. Por data 21 korrik, si dita e rakorduar edhe nga ndërkombëtarët për miratimin e kësaj reforme, rrezikoi dje të dështonte për shkak se maxhoranca dhe opozita ishin larguar sërish nga pozicioni i konsensusit i arritur të mërkurën në mesditë, për të cilin kryetari i Kuvendit ishte investuar për të bashkuar Ramën dhe Bashën.

Me një gjuhë të ashpër kryetari i Kuvendit, që në nisje të seancës, në mungesë të dakordësisë, Meta kërkoi votimin e reformës vetëm me konsensusin e opozitës. Kreu i Kuvendit tha se kjo reformë nuk mund të miratohet pa opozitën dhe shtoi se për këtë Lulzim Basha është në kontakt të vazhdueshëm me ambasadën amerikane.

Pas këtij momenti, zyra e kryetarit në kryesinë e Kuvendit u bë tryeza e madhe e negociatave për t’i dhënë fund agonisë, për fatin e kësaj reforme. Për 90 minuta kreu i PD-së, Lulzim Basha, i shoqëruar edhe nga Oerd Bylykbashi, diskutoi me Ilir Metën dhe ambasadorët Lu dhe Vlahutin mbi propozimin e ri të ofruar nga ndërkombëtarët.

Më pas, Lulzim Basha ka mbledhur grupin e tij parlamentar për t’u konsultuar me deputetët rreth propozimit të ri ndërkombëtar. Kreu i Kuvendit, i cili e drejtoi vetë këtë negociatë, thirri në zyrën e tij në prani të dy ambasadorëve kreun e Grupit Socialist, Gramoz Ruçi, dhe Fatmir Xhafajn. Edi Rama e përjashtoi veten e tij nga këto negociata, kjo ndoshta edhe nga tensioni i krijuar mes tij dhe kryeparlamentarit Meta.

Basha është rikthyer në zyrën e Metës për të bërë propozimet e fundit rreth draftit e për ta miratuar atë më në fund. Pas 6 orësh negociata nën mbikëqyrjen e rreptë të kreut të Kuvendit, Meta në orën 18:30 ka lajmëruar arritjen e konsensusit për draftin e diskutuar në fund për mënyrën e zgjedhjes së institucioneve të reja të drejtësisë.

Më pas, miratimi kaloi në Komisionin e Posaçëm të Reformës për të përfunduar në Kuvend rreth orës 23:00, për të konkluduar me votimin në orën 00:30 pas mesnate.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit

1. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do të mbështesë procesin e rivlerësimit nëpërmjet monitorimit dhe mbikëqyrjes së të gjithë procesit. Ky Operacion përfshin
partnerët në kuadër të procesit të integrimit europian e bashkëpunimit euroatlantik dhe udhëhiqet nga Komisioni Europian.
2. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i ushtron detyrat e veta sipas marrëveshjeve ndërkombëtare. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit emëron vëzhguesit ndërkombëtarë pas njoftimit të Këshillit të Ministrave. Vëzhguesit emërohen nga radhët e gjyqtarëve ose prokurorëve me jo më pak se 15 vjet eksperiencë në sistemin e Drejtësisë së vendeve të tyre përkatëse. Mandati i vëzhguesit ndërkombëtar ndërpritet nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për shkelje të rënda.
3. Vëzhguesit ndërkombëtarë ushtrojnë këto detyra:
a) japin rekomandime për Kuvendin lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionin e anëtarit të Komisionit dhe Kolegjit të Apelimit dhe komisionerit Publik;
b) paraqesin gjetje dhe mendimet mbi çështje që shqyrtohen nga Komisioni dhe nga Kolegji i Apelimit, si dhe kontribuojnë për kontrollin e figurës sipas nenit DH. Lidhur me
këto gjetje, vëzhguesit ndërkombëtarë mund të kërkojnë që Komisioni ose Kolegji i Apelimit të marrë në shqyrtim prova ose të paraqesë prova të marrë nga organet shtetërore, entitetet e huaja ose personave privatë sipas ligjit.
c) U japin komisionerëve publikë rekomandime me shkrim për të paraqitur ankimim, në rast se komisioneri Publik nuk zbaton rekomandimet, ai përgatit një raport me shkrim
duke thënë arsyet e refuzimit.
ç) Kanë të drejtë të marrin të gjitha informacionet menjëherë, të dhënat personale dhe dokumentet e nevojshme, me qëllim monitorimin e procesit të rivlerësimit në të gjitha
nivelet dhe fazat.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura