Ministri i Mbrojtjes: Serbia e ka përcaktuar se cilat janë vijat e saj të kuqe! Situata në veri të Kosovës është shumë e rrezikshme

May 31, 2023 | 9:50
SHPËRNDAJE

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç, ka deklaruar se situata e sigurisë në veri të Kosovës është shumë e rrezikshme.

Millosh Vuçevic

Duke folur për Radio-Televizionin e Serbisë, Vuçeviç përsëriti akuzat e Beogradit zyrtar se fajtore për këtë situatë janë autoritetet në Kosovë.

Ai i cilësoi vendimet e tyre si “të njëanshme, të paligjshme dhe jolegjitime”, ndërsa theksoi se janë përcaktuar vijat e kuqe.

“Ushtria e Serbisë është e gatshme të kryejë çdo detyrë, ndërsa, nga aspekti politik, Serbia e ka përcaktuar se cilat janë vijat e kuqe kur ajo gjendet në një situatë, në të cilën i kërcënohen interesat jetike kombëtare dhe shtetërore. Po flasim për – Zoti na ruajt – skenarë ku dikush vret serbë”, tha Vuçeviç.

Ai tha se Forcat e Armatosura të Serbisë do të jenë në gjendje të lartë të gatishmërisë luftarake derisa të vlerësohet se interesat kombëtare dhe shtetërore të Serbisë janë të kërcënuara dhe derisa ka rrezik të lartë të sigurisë në Kosovë.

Më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura, si dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidimin e KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme.

Nga përleshjet mes protestuesve dhe ushtarëve të KFOR-it, të hënën në Zveçan, 30 ushtarë janë plagosur, ashtu si edhe dhjetëra protestues.

Vuçeviç tha se autoritetet në Serbi janë në kontakt me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Kemi komunikim të vazhdueshëm, ku shkëmbejmë informacione, por vëmë në dukje edhe mosmarrëveshjet për disa çështje, sepse nuk jemi të kënaqur me veprimet e KFOR-it”, tha Vuçeviç.

Ai tha se beson se KFOR-i duhet t’i largojë njësitet speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe.

Vuçeviç vlerësoi, gjithashtu, se ky është parakusht për qetësimin e situatës.

Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviçit dhe Zubin Potokut – të gjithë shqiptarë – u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Më 29 maj, 30 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në Zveçan.

Paraprakisht, Qeveria e Kosovë ka mbrojtur vendimin e saj për të çuar kryetarët e rinj në ndërtesat komunale, teksa për dhunën në Zveçan ka fajësuar Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste”. /REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura