Mesazhet shqiptare të zgjedhjeve greke

Jan 26, 2015 | 12:10
SHPËRNDAJE

MENTOR NAZARKO

   Zgjedhjet në Greqi me rezultatin e tyre do të kenë me siguri ndikim të jashtëzakonshëm në rrafsh europian, ndërkombëtar, por edhe rajonal. Më konkretisht edhe në marrëdhëniet greko-shqiptare. Për ndikimin e tyre në rrafsh europian dhe ndërkombëtar do të flasin me më shumë kompetencë analistët e huaj, por për ndikimin në marrëdhëniet rajonale dhe më konkretisht relacionet me ne ka hapësirë për të gjykuar nga një qasje shqiptare.
Gjykimet në këtë rrafsh janë pak të rrumbullakosura sa kohë që cilësia e raportimit të korrespondentëve shqiptarë nga Greqia ka qenë shumë grandomane: prej tyre na erdhën fare pak informacione apo gjykime mbi orientimin e SYRIZA apo dhe të partive të tjera kundrejt Shqipërisë. Është e qartë se koha e ngjeshur e fushatës së imponuar nga moszgjedhja e presidentit e ka vështirësuar leximin e këtyre orientimeve, i cili me gjasë nuk rezulton nga programet e shkruara të partive. Ama kjo s’do të thotë që Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë pasur rëndësi në zgjedhjet greke. Afro 100 mijë shtetas shqiptarë, njëherazi shtetas grekë, kanë votuar dhe kjo nuk është një shifër e parëndësishme në zgjedhje, në të cilat sipas sondazheve çdo votë ishte e rëndësishme. Për më shumë orientimi i SYRIZA-s në lidhje me çështje si ajo e përcaktimit të shelfit kontinental me Shqipërinë do të kishte implikime ekonomike (zbulimi i naftës), por dhe gjeopolitike-model dhe kundrejt Turqisë.
Është krejt e qartë se midis dy planeve të ndikimeve, atij europian dhe atij rajonal, megjithatë ka lidhje. Duhet imagjinuar se Greqia si shtet i falimentuar ekonomikisht do të mbetet brenda shinave të trenit europian, sepse komisarët (TROJKA) që e administrojnë atë, financuesit e saj europianë, nuk mund të lejojnë që paratë e tyre të shkojnë në tym dhe që Greqia të shërbejë si precedent për vende të tjera debitore. Gjithsesi, nëse kursi politik i partisë së majtë SYRIZA do të çojë në daljen e vendit të vet nga eurozona, kjo do të ketë me siguri ndikim në të ardhurat e shqiptarëve nga emigracioni. Do të zvogëlohen këto të ardhura, por do të ketë ridimensionim dhe të depozitave të emigrantëve që përfaqësojnë një potencial të madh zhvillimor për Shqipërinë.
Mesazhet drejtpërdrejt shqiptare
Në pikëpamje globale por me sytë e një shqiptari, është shumë interesante se si në një periudhë krize të përgjithshme europiane, ku Greqia megjithatë po vuan më shumë, ndërsa gjetkë po rritet shumë e djathta, në vendin fqinjë po rritet e majta. Madje, paradoksi është se kjo parti po rritet, ndërsa ofron politika pozitive sociale ndaj emigrantëve (shqiptarët janë përqindja më e madhe) për rrogat, për integrimin e tyre, lehtësimin e dhënies së shtetësisë etj., kurse gjetkë po rritet e djathta ekstreme antiemigracion- shiko Francën. Kjo do të thotë që elektorati grek ka pasur veshë të hapur më shumë për premtimet e tij të fokusuara te premtimet për vendasit, sesa ato për të lehtësuar jetën e emigrantëve.
Mesazhi tjetër me rëndësi globale, por edhe rajonale, apo shqiptare, është se askund, aq më tepër në demokraci nuk ka realitete politike të ngurtësuara, nuk ka elita politike të përjetshme. Urbanisti Tsipras që ka studiuar vetëm brenda vendit, është fytyra e re e Greqisë në moshë dhe në origjinë, në raport me një elitë të dominuar prej mbi 100 vjet nga një numër i kufizuar familjesh (Papandreu, Venizelos, Karamanlis), produkte të universiteteve më të mira amerikane, angleze, gjermane, të përbëra nga ekonomistë apo politologë. Kjo veçori antisistem që e përafron SYRIZA-n me Lëvizjen e Grilos në Itali, që megjithatë përdori rrugë të tjera efektive për t’u rritur politikisht, krijon dilemën më të madhe. A do ta zhbëjë një parti ateiste, komuniste si SYRIZA, sistemin e vjetër grek ku familjet, kapitalizmi shtetëror, Kisha dhe qarqet e errëta të shërbimeve, të ushtrisë dominonin jetën publike? Apo do të bashkëjetojë me to? Me fjalë të tjera, a do të prodhojë qeveria e re greke të njëjtën politikë tradicionale të jashtme? A do të vazhdojë të jetë Greqia e SYRIZA-s njëjtë si më parë gruaja e Perëndimit, por dashnorja e Lindjes? A do të prodhojë bashkëjetesa apo lufta me aparatin e vjetër përkeqësimin e krizës greke, apo rilindjen e vendit fqinj? Është krejt e qartë se Shqipërisë dhe shqiptarëve i intereson rreshtimi më i fortë i Greqisë në boshtin perëndimor dhe kjo pritet të shihet. Gjithsesi, Perëndimi i ka mjetet, mundësitë, traditën për ta mbajtur brenda kornizave të aleancës Greqinë e Aleksis Tsipras. Udhëtimet e tij në Perëndim kanë ridimensionuar ndjeshëm jo thjesht retorikën e këtij personazhi, i cili duke iu kundërvënë BE është mbështetur ama në një ndjeshmëri të përgjithshme antiperëndimore të shoqërisë greke, e cila është rritur për shkak të masave të ashpra kursimore të imponuara prej Trojkës.
Ardhja në fuqi në vendin fqinj e një force të ekstremit të majtë, me cilësitë e SYRIZA-s (duke iu referuar asaj çfarë shprehte publikisht Tsipras dhe jo aliazhit eklektik të udhëheqësisë së partisë së tij), për një arsye historike ngjan megjithatë pozitive për shqiptarët. Udhëheqësit e SYRIZA-s, bijtë apo nipërit e partizanëve grekë që kanë një të kaluar solidariteti dhe bashkëpunimi me Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por dhe më pas, nuk ngjan se do shmangen nga kjo traditë miqësie. Edhe në plan rajonal, siç parathonë sinjale apo deklarime të ndryshme të eksponentëve të partisë së ekstremit të majtë, ardhja e SYRIZA-s në pushtet ngjan pozitive. SYRIZA paralajmëron ndryshime paqësuese në politikën e jashtme kundrejt Turqisë për çështje territoriale dhe Maqedonisë për çështjen e emrit. Një relaksim eventual i marrëdhënieve rajonale të Greqisë do të reduktonte dhe shpenzimet ushtarake të vendit fqinj, që përfaqësojnë një barrë të rëndë për ekonominë e vendit. Në një skenar pozitiv si ky, Greqia do të relaksonte marrëdhëniet me fqinjët, me ne veçanërisht edhe duke mos financuar parti si PBDNJ-ja, apo organizata si OMONIA, që në vend se të shërbejnë për të amortizuar konfliktet ndërshtetërore, shërbejnë për të kundërtën.
SYRIZA përfaqëson në një bilanc të përgjithshëm një rast të madh që politika tradicionale greke ndaj Shqipërisë të ndryshojë, kah përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe. Por kjo do të varet nga suksesi, që do të ketë kjo parti në rrënimin e establishmentit të vjetër, nga dobësimi i ndikimit të Kishës në jetën publike greke, nga zerimi i interesave të qarqeve ushtarake dhe të shërbimeve të fshehta për konflikt permanent me fqinjët dhe dominim të Greqisë. Do të varet nga përforcimi i përbërëses perëndimore në politikën greke, diçka që ngjan paradoksale të pritet nga një parti e ekstremit të majtë. Mbase të presësh njëherësh dhe rritje rrogash, pensionesh, politika të drejta sociale për emigrantët dhe negocim të Marrëveshjes me Trojkën dhe riorientim të ri në marrëdhëniet me Perëndimin dhe rajonin, është diçka shumë pretencioze për shpatullat e Tsiprasit të ri. Por të shpresosh është më mirë sesa të dyshosh pambarimisht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura