Mesazhe të fuqishme e aktuale të Presidentit Steinmeier

Dec 1, 2022 | 9:00
SHPËRNDAJE

NGA BASHKIM ZENELI

Bashkim Zeneli
Bashkim Zeneli

27 vite më parë, në vitin 1995, erdhi për vizitë në Shqipëri. Presidenti i Gjermanisë, Roman Hercog (Roman Herzog). Ndër të tjera, ai mbajti një fjalim para Kuvendit të Shqipërisë dhe unë pata shkruar një artikull për këtë. Në thelb, ai foli për domosdoshmërinë e fqinjësisë së mirë, për nevojën e bashkëpunimit, të mirëkuptimit, të tolerancës në marrëdhëniet mes fqinjëve, të kompromisit. Dhe disa herë, përmendi nevojën e “gëlltitjes” (schlucken).

Kanë kaluar 27 vite dhe sigurisht rajoni ynë nuk është aspak ai që ishte. Përparimi në integrimin euro-atlantik është fakt e i dukshëm; Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut janë tashmë anëtarë të NATO-s, thuajse të gjithë vendet e Rajonit janë kandidatë për në Bashkimin Europian. Megjithatë, ky proces ka ecur jo pa probleme, pa ngecje, pa përplasje midis shteteve; shpesh me inate të vjetra, por edhe me sherre të rinj.

Sigurisht që agresioni i Rusisë kundër Ukrainë është reflektuar në çdo drejtim edhe në Rajonin tonë, ashtu si në Europë e në të gjithë botën. Rreziqet për paqen e lirinë janë më të larta se kurrë.

Moska mundohet të shfrytëzojë situatën për të rritur ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor, për të krijuar pasiguri e destabilizim përmes aleatëve e mercenarëve të saj në Rajon. Fatmirësisht, këto përpjekje kanë hasur një kundërshtim të qartë e të vazhdueshëm të Perëndimit, veçanërisht nga NATO, BE e SHBA-të.

Edhe ne, në rajonin tonë, pavarësisht përparimeve, kemi problem. Ka rritje të frymës nacionaliste, të autoritarizmit, të mosbesimit, të gatishmërisë për përplasje e armiqësi me njëri-tjetrin, të ringjalljes së urrejtjes dhe ksenofobisë, të bjerrjes së demokracisë funksionale e shtetit të së drejtës.

Në Bosnje-Hercegovinë shohim Republikën Sërpska që sfidon shtetin federal dhe Marrëveshjen e Dejtonit; mes popullsisë serbe shohim glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe mohimin e gjenocidit; Serbia herë-pas-here e hedh një shikim nga Perëndimi, por i shkel fort syrin Moskës, çka e bën të vështirë të kuptohet nëse është me Lindjen apo me Perëndimin. Në Serbi vazhdojnë të përsëritin se “Kosova është Serbi”, se ne “nuk do ta njohim kurrë”, etj., etj. Nga ana tjetër, vihen re sfidat e stabilitetit në Malin e Zi apo raportet e vështira Maqedoni e Veriut – Bullgari, në procesin e integrimit Europian.

Ndaj, vizita e Presidentit gjerman, Shtajnmajer (Steinmeier), në Shqipëri është shumë e rëndësishme, jo vetëm për ne, por për gjithë Rajonin. Askush nuk e ka mbështetur në Europë Rajonin sa Gjermania. Qartë dhe pa ndërprerje, si askush! Dhe sidomos pas vitit 2014, me fillimin e Procesit të Berlinit, me nismën e Kancelares Merkel (Madam Europa), i cili ka për Shqipërinë e Rajonin një rëndësi të jashtëzakonshme e të pazëvendësueshme. Në Europë, me Gjermaninë arrihet gjithçka. Aty duhet të ngulim spirancën gjithnjë e më thellë!

… Unë mendova të publikoj sot një fjalim të Presidentit Federal Frank Valter Shtajnmajer (Frank Walter Steinmaier) mbajtur në Berlin, në vitin 2020, me rastin e mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe fitores historike mbi nazifashizmin. Një fjalim brilant, përherë aktual, me shumë peshë për paqen e lirinë për të ardhmen, për vlerat europiane që ndajmë, për brezat e rinj, për patriotizmin që sheh nga e ardhmja e kundër nacionalizmit të verbër që të çon në konflikt e në luftë.

SOT, 75 VJET MË PARË, PËRFUNDOI NË EVROPË LUFTA E DYTË BOTËRORE

8 maji 1945 ishte fundi i tiranisë naziste, fundi i netëve të bombardimeve dhe i marsheve të vdekjes, fundi i krimeve të pashembullta gjermane dhe thyerjes së Holokaustit. Këtu në Berlin, ku lufta e shfarosjes ishte konceptuar dhe shpalosur dhe ku ajo po kthehej me gjithë forcën e shkatërrimit – këtu në Berlin, donim sot së bashku të përkujtojmë.

Donim të përkujtonim – së bashku me përfaqësuesit e aleatëve nga perëndimi dhe nga lindja, të cilët – me sakrifica të mëdha – çliruan këtë kontinent. Së bashku me partnerët tanë nga të gjitha rajonet e Evropës që kanë vuajtur nën okupimin gjerman dhe megjithatë ishin të gatshëm për pajtim. Së bashku me të mbijetuarit e krimeve gjermane dhe pasardhësit e viktimave, shumë prej të cilëve na kanë shtrirë dorën. Së bashku me të gjithë ata, në këtë botë që i dhanë shansin këtij vendi, për të filluar nga e para.

Donim të përkujtonim – edhe me të moshuarit në vendin tonë që e përjetuan vetë atë kohë. Ata vuajtën si fëmijë nga uria, arratia, dhuna dhe dëbimi. Pas luftës ata e ndërtuan këtë vend, si në lindje edhe në perëndim.

Dhe donim të përkujtonim me të rinjtë, të cilët sot, tre breza më vonë, pyesin se çfarë ka akoma për të mësuar nga e kaluara – dhe të cilëve u bëj thirrje: “Kjo varet nga ju! Ju jeni ata që duhet të mbartin mësimet nga kjo lufte e tmerrshme në të ardhmen!”. Kjo është pikërisht arsyeja pse kemi ftuar sot në Berlin mijëra të rinj nga e gjithë bota; të rinjtë, paraardhësit e të cilëve ishin armiq dhe që sot janë bërë miq.

Kështu që ne donim ta përkujtonim së bashku këtë 8 maj. Por tani pandemia e koronës po na detyron ta përkujtojmë vetëm – të ndarë nga ata që janë të rëndësishëm për ne dhe të cilëve u jemi mirënjohës.

Ndoshta kjo vetmi na rikthen edhe një herë në atë 8 maj 1945. Sepse në atë kohë gjermanët ishin me të vërtetë vetëm. Gjermania u mposht ushtarakisht, politikisht dhe ekonomikisht, e shkatërruar, moralisht e dërmuar. Kishim bërë tërë botën armik.

Sot, 75 vjet më vonë, na duhet të përkujtojmë vetëm – por: Ne nuk jemi vetëm! Ky është mesazhi i lumtur i ditës së sotme. Ne jetojmë në një demokraci të fortë, të konsoliduar, në vitin e tridhjetë të Gjermanisë së ribashkuar, në zemrën e një Europe paqësore dhe të bashkuar. Ne gëzojmë besim dhe korrëm frytet e bashkëpunimit dhe partneritetit në mbarë botën. Po, ne gjermanët mund të themi sot: Dita e çlirimit është një ditë mirënjohjeje!

U deshën tre breza para se të mund ta pranonim këtë me gjithë zemër.

Po, 8 maji 1945 ishte një ditë çlirimi. Por nuk qe e tillë akoma në mendjet dhe zemrat e shumicës së gjermanëve.

Çlirimi erdhi në 1945-n nga jashtë. Duhej të vinte nga jashtë – kaq thellë ishte përfshirë ky vend në ligësinë e tij, në fajin e tij. Dhe edhe rindërtimi ekonomik dhe fillimi i ri demokratik në pjesën perëndimore të Gjermanisë u bënë të mundur vetëm falë bujarisë, largpamësisë dhe gatishmërisë së ish-kundërshtarëve të Luftës, për t’u pajtuar.

Megjithatë, edhe ne vetë kemi pjesë te çlirimi. Ishte çlirimi i brendshëm. Ai nuk ndodhi më 8 maj 1945, jo në një ditë të vetme. Por ishte një udhëtim i gjatë dhe i dhimbshëm. Përgatitje dhe edukim mbi bashkëdijeninë dhe bashkëfajësinë, pyetje torturuese nëpër familje dhe midis brezave, lufta kundër heshtjes dhe fshehjes.

Ishin dekada, në të cilat shumë gjermanë të brezit tim ishin vetëm gradualisht në gjendje të bënin paqen e tyre me këtë vend. Ishin dekada, të cilat u mundësuan fqinjëve tanë të krijojnë besim të ri, të cilat bënë të mundur afrimin e kujdesshëm nga procesi i Bashkimit Evropian deri te marrëveshjet lindore. Dhe ishin dekada, në të cilat guximi dhe dashuria për lirinë në Lindje të kontinentit tonë nuk mund të mbylleshin më me mure – deri në momentin më të lumtur të çlirimit: të revolucionit paqësor dhe të ribashkimit. Këto dekada të luftës me historinë tonë ishin dekada, në të cilat demokracia në Gjermani arriti të piqej.

Dhe kjo luftë mbetet edhe sot e kësaj dite. Përkujtimi nuk ka fund. Nuk ka shpëtim nga historia jonë. Sepse pa kujtesë ne humbim të ardhmen tonë.

Vetëm sepse ne, gjermanët, shikojmë historinë tonë në sy, sepse pranojmë përgjegjësinë historike, popujt e botës i kanë dhuruar vendit tonë besim të ri. Dhe prandaj edhe ne mund t’ia besojmë veten tonë kësaj Gjermanie. Ky është një patriotizëm i kultivuar, demokratik. Nuk ka diçka të tillë si patriotizëm gjerman pa thyerje. Pa dritëhije, pa gëzim dhe trishtim, pa mirënjohje dhe turp.

Rabini Nachman ka thënë: “Asnjë zemër nuk është aq e plotë sa një zemër e thyer”. Historia gjermane është një histori e thyer – me përgjegjësinë për vrasje disa milionëshe dhe vuajtje disa milionëshe. Kjo na copëton zemrën. Prandaj: Këtë vend mund të duash vetëm me zemër të thyer.

Kush nuk e duron dot këtë, kur kërkon që t’i jepet fund, ai nuk jo vetëm që anashkalon katastrofën e luftës dhe diktaturën naziste. Ai gjithashtu zhvlerëson të gjitha të mirat që kemi arritur që atëherë – ai mohon thelbin e demokracisë sonë.

“Dinjiteti i njeriut është i paprekshëm”. Në këtë fjali të parë të kushtetutës sonë është dhe mbetet për të gjithë e shkruar qartë ajo që ndodhi në Auschwitz, ajo që ndodhi gjatë luftës dhe diktaturës. Jo, të kujtosh nuk është një barrë – të mos kujtosh bëhet barrë. Pranimi i përgjegjësisë nuk është turp – mohimi i saj është turp!

Por çfarë do të thotë përgjegjësia jonë historike sot, treçerek shekulli më vonë? Mirënjohja që ndiejmë sot nuk duhet të na bëjë komod. Përkundrazi: kujtesa kërkon nga ne dhe na detyron!

“Kurrë më!”, ky ishte betimi që bëmë pas luftës. Por kjo “Kurrë më!”, për ne gjermanët do të thotë para së gjithash: “Kurrë më vetëm!”. Kjo fjali nuk vlen askund më tepër sesa në Evropë. Ne duhet ta mbajmë Evropën të bashkuar. Ne duhet të mendojmë, të ndiejmë dhe të veprojmë si europianë. Nëse nuk e mbajmë Evropën të bashkuar edhe gjatë dhe pas kësaj pandemie, atëherë do të dëshmojmë se nuk jemi të denjë për 8 majin. Nëse Europa dështon, dështon gjithashtu edhe “Kurrë më!”

Komuniteti ndërkombëtar ka mësuar nga “Kurrë më!”. Ai derdhi pas vitit 1945 mësimet nga katastrofa në një themel të përbashkët, në të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare, në rregullat për paqen dhe bashkëpunimin.

Vendi ynë, nga i cili filloi katastrofa, ka evoluar me kalimin e viteve nga kërcënuesi i rendit ndërkombëtar, në promovuesin e tij. Kështu që ne nuk duhet të lejojmë që ky rend i paqes të shkrihet sot përpara syve tanë. Ne nuk duhet të pajtohemi me distancimin nga ata që e ndërtuan. Ne duam më shumë dhe jo më pak bashkëpunim në botë – edhe në luftën kundër pandemisë.

“8 maji ishte një ditë e çlirimit”. Unë besoj: Ne duhet ta lexojmë fjalinë e famshme të Richard von Weizsäcker rishtas dhe ndryshe. Në atë kohë, kjo fjali ishte një piketë historike në luftën me të kaluarën tonë. Por sot ajo duhet të drejtohet drejt së ardhmes sonë. “Çlirimi” nuk është kurrë i përfunduar, dhe ai nuk është aspak diçka që ne e përjetojmë vetëm pasivisht, por përkundrazi ai na sfidon në mënyrë aktive, çdo ditë nga e para.

Atëherë na çliruan. Sot duhet të çlirojmë veten tonë!

Nga tundimi i një nacionalizmi të ri. Nga magjepsja e autoritarëve. Nga mosbesimi, izolimi dhe armiqësia midis kombeve. Nga urrejtja dhe agjitacioni, nga ksenofobia dhe përçmimi për demokracinë – sepse ato nuk janë asgjë tjetër veçse shpirtrat e ligj të vjetër me kostum të ri. Në këtë 8 maj ne mendojmë edhe për viktimat në Hanau, Halle dhe Kassel. Ato nuk janë harruar nga korona!

“Nëse mund të ndodhë këtu, mund të ndodhë kudo”. Këtë na e theksoi Presidenti izraelit Reuven Rivlin këtë vit në Ditën e Kujtimit të Holokaustit në Bundestagun gjerman. Nëse mund të ndodhë këtu, mund të ndodhë kudo. Por sot nuk ka njeri që mund të na çlirojë nga këto rreziqe. Ne duhet ta bëjmë vetë. Ne u çliruam – të lirë në përgjegjësinë tonë!

E di shumë mirë: Ky 8 maj bie në kohë trazirash dhe pasigurie të madhe. Jo vetëm, por para së gjithash për shkak të pandemisë së koronës. Ne ende nuk e dimë se si dhe kur do të dalim nga kjo krizë. Por ne e dimë se si u futëm në të: me besim të madh në këtë vend, në demokracinë tonë, në atë që ne mund ta mbështesim së bashku. Kjo tregon pra se sa pafundësisht larg kemi ardhur në 75 vjet. Dhe kjo më jep shpresë për gjithçka që qëndron përpara nesh.

Për shkak të koronës nuk mund të përkujtojmë së bashku dhe të bëjmë aktivitete përkujtimore. Por le të përdorim heshtjen. Le të ndalemi.

U lutem të gjithë gjermanëve: Kujtojini sot në heshtje viktimat e luftës dhe të nazizmit! Pyetni – pavarësisht se ku janë rrënjët tuaja – kujtimet tuaja, kujtimet e familjeve tuaja, historinë e vendit tonë të përbashkët! Mendoni se çfarë do të thotë 8 maji, çfarë do të thotë çlirimi për jetën tuaj dhe veprimet tuaja!

75 vjet pas përfundimit të luftës, ne gjermanët mund të jemi mirënjohës për shumë gjëra. Por asnjë prej të mirave që janë arritur që nga ajo kohë, nuk është siguruar përgjithmonë. 8 maji nuk ishte fundi i çlirimit – liria dhe demokracia janë misioni i tij i përhershëm, misioni ynë!”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura