“Meritokracia është zhytur në ujë”- Artan Fuga për Panorama TV: Protestat e 8 Dhjetorit ishin të dirigjuara! Ja tre dramat e mëdha me të cilat përballet rinia

Dec 8, 2023 | 13:42
SHPËRNDAJE

Akademiku Artan Fuga, në një intervistë për “Panorama TV”, ka komentuar lëvizjen studentore të 8 Dhjetorit të 1990, që përkujtohet sot në 33-vjetorin e saj dhe që pasoi me rënien e komunizmit në Shqipëri.

Fuga është shprehur se atë kohë mendohej se Shqipëria do të ishtë në BE, ndësa sot ende nuk është anëtare.

“Flitej për një mundësi e bashkimit kombëtar, ndërsa sot nuk mendohet dhe konsiderohet më. Atë kohë flitej për një kulturë dhe arsim të zhvilluar”, tha ai.

I ndalur tek arsimi, Fuga u shpreh se sot Shqipëria dhe rinia shqiptare sipas tij, përballet me tre drama të mëdha në lidhje me edukimin dhe punësimin e tyre.

“Deri tani ka qenë një lloj dështimi, në atë kohë mendohej se Shqipëria do ishte në BE. Flitej për një mundësi të Bashkimit kombëtar, ndërsa sot nuk mendohet dhe konsiderohet më. Mendohej të kishim një ekonomi të zhvilluar, sot remitancat janë më të ulëta se ato të viteve 70.

Atë kohë flitej për një kulturë dhe arsim të zhvilluar. Familjet shqiptare e vlerësojnë dijen, por problemi është se çfarë dijë i jepet të rinjve. Ka tre gjëra, dijet të shkollën e mesme janë në nivelet e naivitetit, ashtu siç e tregoi dhe PISA. Adoleshentët kanë një nivel përthithje të lartë, por përmbajtja është naive dhe e prapambetur dhe larg Evropës. Nuk po investojmë për të ardhmen e kombit por po e shkatërrojnë. Dramë e madhe është se ka një shkëputje pas diplomimit të të rinjve që të integrohen në tregun e punës këtu.

Drama e tretë e madhe është largimi i të rinjve ekselentë dhe mos vlerësimi i tyre. Meritokracia është zhytur në ujë. Rinisë i duhet hapur rruga, rruga që e ka të bllokuat. Në politikë avancon nëse është në atë vijë që janë liderët e vjetër të politikës. Duhet hapur rruga në profesionet  e reja dhe t’u jepen mundësi të marrin dije bashkëkohore. Mos harrojmë që rinia do që të zhvilloj individualitetin e vet, por rinia jonë është shumë e shtypur. Rinia ka pak të drejta, për të nisur biznese, për të zhvilluar aktivitete profesionale”, tha ai.

Ndër të tjera, i pyetur në lidhje me ndikimin e lëvizjes studentore në 1990 dhe rolin e tyre në rrëzimin e komunizmit të Shqipëri, Fuga u shpreh se sipas tij, protestat nuk ishin arsyeja e vetme, dukë thënë se “nuk ishin spontane por të dirigjuara”.

“Protesta nuk kanë luajtur rolin kryesor. Studenti i dhjetorit është mitologji. Nuk ishin revoltat studentore ato që e lëvizën regjimin, nuk ishin spontane por te dirigjuara. Nuk është se studentët atëherë nuk patën një rol në të, e nuk ishte e shtypur. Nuk ra regjimi prej tyre, është një mitologji, që aktorët real fshihen. Presioni që vinte nga bota e jashtme ishte i madh, OKB , SHBA, kishin një presion shumë të madh, ky është realiteti i asaj kohe”, u shpreh Fuga.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura