“Më premtuan 20 mijë euro për të vrarë Artan Cukun”- Si u eliminua komisari i policisë! Ja kush është organizatori i atentatit

Apr 17, 2024 | 23:02
SHPËRNDAJE

Kanë kaluar 7 vite nga vrasja e komisarit të policisë Artan Cuku, por zbardhja e plotë e këtij krimi ende nuk është bërë.

artan cuku

Emisioni “Në Shënjestër” i Klodiana Lalës ka sjellë edhe njëherë në vëmendje këtë ngjarje të rëndë, ku janë publikuar fakte dhe dëshmi.

Ende dy nga autorët e këtij krimi, Bledar Jambelli, si porositës i vrasjes dhe Kristaq Leci si ndërmjetës, nuk janë vendosur në bankën e akuzës në Shqipëri.

Ndërkohë ne emision tregohet me detaje kush është organizatori i këtij krimi dhe si Mikel Shallari ka pranuar se i kanë ofruar 20 mijë euro për të kryer vrasjen.

Emisioni:

Vrasja e tij është një nga historitë më të turpshme, se si një oficer policie, jo vetëm lihet jashtë radhëve të kësaj organizate dhe hidhet në rrugë, sa herë që në Shqipëri pushtetet ndërrojnë kostumet, në të majtë dhe të djathtë, por edhe se si një zyrtar i lartë i kësaj uniforme të nderuar, pavarësisht luftës që ai ka bërë ndaj krimit, lihet pa mbrojtje dhe kthehet në një tabelë qitje për grupet kriminale. Të cilat më pas nuk e kanë të vështirë të ngrenë këmbëzën e armës dhe të qëllojnë ndaj tij. Ky duket se është edhe rasti i komisarit të Policisë, Artan Çuku. Por jo i vetmi ndër efektivët e lartë të policisë të braktisur nga politika, e çdo lloji, që i dha jetën dhe përkushtimin e tij luftës kundër krimit të organizuar, por që si shpërblim me të ardhur të majtët në pushtet në vitin 2013, u përzu jashtë radhëve të policisë.

Dhe për pasojë u kthye në viktimë të krimit. Vrasësi nuk pati drojë ta qëllojë në hyrje të pallatit ku banonte, me siguri i frymëzuar në aktin burracak, edhe nga klima që shpesh pushteti në Shqipëri, ka krijuar me ata që njihen si mbrojtësit e ligjit. Por edhe pse kanë kaluar 7 vite nga ajo mbrëmje e errët e 8 prillit 2017, ku komisari në lirim i policisë Artan Cuku u qëllua për vdekje, për shkak të detyrës që kishte mbajtur, ajo që duket se rëndon edhe më shumë sot familjen, është drejtësia e munguar. Ende dy nga autorët e këtij krimi, Bledar Jambelli, si porositës i vrasjes dhe Kristaq Leci si ndërmjetës, nuk janë vendosur në bankën e akuzës në Shqipëri.

Edhe pse ndaj Jambellit ka prova të qarta se ai është porositësi i vrasjes së punonjësit të lartë të policisë. Cuku kishte shërbyer edhe si Drejtor i Policisë së Vlorës për afro 2 vite, duke shënuar rezultate të prekshme, në luftën ndaj krimit të organizuar. Për herë të parë, pas shumë kohësh, emisioni ‘Në shënjestër’ do të përpiqet t’i kthehet edhe njëherë, mbrëmjes së 8 prillit 2017 dhe asaj që njihet tashmë si saga për zbardhjen e të vërtetës së vrasjes së zyrtarit të policisë, Artan Cuku. Çfarë deklaroi Mikel Shallari, bashkëpunëtori i drejtësisë, qitësi që mori përsipër dhe kreu ekzekutimin? Dhe pse Bledar Jambelli, pavarësisht se u arrestua në Greqi, nuk u ekstradua kurrë në Shqipëri? Në këtë mënyrë, i ka shpëtuar kësisoj gjykimit.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’ vrasja e komisarit të Policisë, kishte kohë që ishte organizuar dhe mirëmenduar dhe gjithçka lidhet me arrestimin që Artan Cuku në atë kohë Drejtor i Policisë Vlorë, i kishte bërë Bledar Jambellit në vitin 2012, i cili më pas ishte betuar që do ta vriste.

“Më datë 8 Prill 2017, rreth orës 20.10, në hyrjen e pallatit ‘Melrose’, që ndodhet në kryqëzimin e rrugës së ‘Kosovarëve’ me rrugën ‘Ndreko Rino’ në Tiranë, u vra me armë zjarri shtetasi Artan Cuku, oficer në lirim i Policisë së Shtetit. Ku nga akti i ekspertimit mjekoligjor të kufomës u konfirmua se në trupin e viktimës u konstatuan 4 plagë të shkaktuara nga qitja me armë zjarri, nga të cilat 2 prej tyre tejshkuese. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë të disa subjekteve private, u bë i mundur përcaktimi i itinerarit të largimit të autorit nga vendngjarja deri në afërsi të sheshit ‘Ëilson’. Nga ku më pas gjurmët humbisnin dhe ishte i paqartë itinerari i mëtejshëm i lëvizjeve të tij”, thuhet në dosje.

Shpejt ky autor do të identifikohej si Mikel Shallari. Sipas grupit hetues, ish-drejtuesi i lartë i Policisë, në momentin që u qëllua nuk ishte i armatosur.  Kjo vërtetohej edhe nga fakti që ai kishte ngritur duart për t’u vetëmbrojtur, pavarësisht se plumbi fatal që i mori jetën ishte ai i qëlluar në kokë. Ndërsa autori e priti atë i pozicionuar tek shkallët përballë hyrjes së pallatit ku ai banonte. “Pozicioni i vrimave të predhave të mbetura në pasqyrën e ashensorit si dhe çanta e viktimës e gjetur aty, tregojnë se pas goditjeve të para Artan Cuku ka tentuar të shpëtojë duke hyrë në ashensor. Aty ku ai është ndjekur nga autori dhe është qëlluar. Ndërsa goditjen fatale në kokë, shënjestra e atentatit e ka marrë pasi ka ridalë nga ashensori, duke tentuar të përleshet me autorin”, sqaron ekspertiza. Kjo ekspertizë u vërtetua edhe nga thëniet e vetë autorit të krimit, në këtë rast Mikel Shallarit, i cili u vetëdekonspirua nga kamerat e sigurisë pasi menjëherë pas krimit, hoqi veshjet sportive që mbante gjatë kryerjes së ekzekutimit dhe i hodhi ato në një kosh mbeturinash në anë të rrugës.

“Profili i Mikel Shallarit si vrasës i mundshëm i ish-drejtuesit të policisë Artan Cuku, u konstatua nga pamjet filmike si dhe nga teshat që ai hodhi në një kazan mbeturinash në rrugën ‘Zef Jubani’ në Tiranë. Ku pas ngjarjes u pa që një person po largohej me duar në xhepa nga vendi i krimit.  Pikërisht nga xhepat e bluzës së sipërme, të gjetur në kazanin e mbeturinave, u arrit të gjendeshin gjurmë biologjike si edhe të ndërtohej profili  gjenetik i ADN-së së një personi mashkull. Ku Interpol Berna (Zvicër) konfirmoi se ky profil gjenetik ADN-je përputhej me atë të një personi të regjistruar në Zvicër, në Kantonin e Zyrihut me të dhënat e mëposhtme: Mikel Shallari, lindur më 6 Nëntor 1993 në Skrapar (Shqipëri). I cili ishte dënuar në Zvicër dhe kishte vuajtur aty dënimin për shitblerje të lëndëve narkotike, nga data 22 Shkurt 2016 deri më 23 Qershor 2016”, thuhet në dosjen hetimore.

Mikel Shallari u ndalua vetëm dy muaj pas ekzekutimit të komisarit Artan Cuku, më 10 qershor 2017. Ai u akuzua si ekzekutori material i Artan Cukut. Po ku dyshimet e para ishin se Shallari e kishte kryer vrasjen e drejtuesit të policisë, i shtyrë nga një person tjetër, që mendohej të ishte porositësi, pasi ai vetë nuk rezultonte të kishte pasur përplasje me viktimën. Dyshime që u vërtetuan edhe gjatë marrjes në pyetje të Shallarit, i cili pasi tregoi emrin e Bledar Jambellit si porositës i vrasjes dhe të kushëririt të tij si bashkëpunëtor, fillimisht gënjeu për dy armët e zjarrit që kishte përdorur në krim. Ndërkohë që një ditë më pas, tregoi edhe vendin se ku i kishte fshehur në Kuçovë.

“Fillimisht Mikel Shallari mohoi përfshirjen e tij në vrasjen e Artan Cukut. Por pasi nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me drejtësinë, ai identifikoi në rolin e organizatorit shtetasin Bledar Jambelli (alias Rikardo Muho) dhe si ndihmës të tij Kristaq Leci (alias Gerti Kajo), djali i dajës së tij. Mikel Shallari tha se dy armët e krimit i fshehu fillimisht në një vend pranë Unazës së Re dhe më pas ua dorëzoi të nesërmen organizatorëve të krimit. Por në dëshminë e tij të dytë ai tha se kishte gënjyer dhe se armët i kishte fshehur në rrethinat e Kuçovës. në një vend pranë shtratit të lumit Devoll.  Aty ku edhe u gjetën më pas në praninë e tij. Konkretisht një pistoletë e markës ‘Glock’, dhe një e markës ‘Zastava’, nga ku doli se 6 gëzhoja dhe 3 predha fishekësh, të sekuestruara në vendin e vrasjes së shtetasit Artan Cuku, ishin qitur nga pistoleta e markës ‘Zastava’. Dhe 2 gëzhoja dhe 1 predhë fishekësh, nga pistoleta e markës ‘Glock’”, thuhet në dosje.

Mikel Shallari tha në dëshminë e tij se ai nuk e njihte Bledar Jambellin. Dhe për të kryer vrasjen e Artan Cukut, i ishin premtuar 20 mijë euro. Kjo përmes kushëririt të tij, Kristaq Leci. “Për të vrarë Artan Cukun, mua mu premtua 20 mijë euro. Që do t’i merrja nga një person, që ishte njohje e Kristaq Lecit, djalit të dajës tim. Kristaqi e konsideronte këtë person të rëndësishëm dhe e quante ‘I madhi’ ose ‘Shefi’. Që ishte Bledar Jambelli, i cili do më sistemonte më pas në Gjermani, aty ku ai banonte. Fillimisht edhe pse hezitova, i gjendur në vështirësi financiare, unë pranova ta kryej krimin”, ka deklaruar Shallari.

Vrasësi i Artan Cukut tregoi më tej për grupin hetues se skema për të vrarë komisarin u thur në mesin e muajit mars të vitit 2017. Vetëm pak javë para se ai të ekzekutohej në të vërtetë. “Unë nuk e njihja viktimën, Artan Cuku. Por fotografinë e tij ma tregoi Bledar Jambelli, që e kishte shkarkuar nga interneti. Plani i vrasjes u thur nga mesi i dhjetëditëshit të tretë të muajit mars. Unë fillova ta ndjek viktimën bashkë me kushëririn tim, Kristaq Lecit, deri te banesa e tij. Ku më duhej shpesh të ndërroja numrat. Rasti erdhi më 8 prill kur Kristaqi më njoftoi me anë të një mesazhi. Gjatë kohës që viktima u fut në një minimarket, unë u pozicionova tek shkallët në pjesën e brendshme të hyrjes, dhe aty e prita deri sa e qëllova”, ka thënë ai.

Lidhja e Mikel Shallarit me Kristaq Lecin dhe Bledar Jambellin, u vërtetua edhe nga transfertat e shumta të parave që ky i fundit i dërgonte nga Gjermania, si pjesë e marrëveshjes prej 20 mijë euro që ata kishin rënë dakord për të kryer ekzekutimin. Ku si ndërmjetës midis Shallarit dhe Jambellit, figuronte gjithmonë Kristaq Leci, djali i dajës së vrasësit. Ndërkohë që fillimisht Mikel Shallari, mori si shpërblim të nesërmen e krimit, nga vetë Bledar Jambelli, 2 mijë euro si paradhënie. Teksa më datë 7 Prill, pra një ditë para se Artan Cuku të vritej në të vërtetë, krimin e kishte marrë përsipër për ta kryer Kristaq Lec, i cili kishte veshur të njëjta rroba që Mikel Shallari, përdori edhe mbrëmjen e vrasjes.

“Pas krimit unë u largova drejt sheshit ‘Ëilson’, ku prenotova një taksi, e cila më çoi drejt ‘Astirit’ në zonën e ‘Unazës së Re’, ku e kisha lënë të takohesha me Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin. Por në takim erdhi vetëm Kristaqi, kurse Bledari nuk u paraqit. Edhe pse e pritëm më shumë se një orë. Gjatë kësaj kohe unë i telefonova shokut tim Xh. G, që të flinim te apartamenti i tij bashkë me disa shokë të tjerë. Edhe pse ai fillimisht refuzoi, ne shkuam të kalonin natën në banesën e tij. Po atë mbrëmje, unë theva edhe kartat SIM që kisha me vete. Të nesërmen Kristaqi më kontaktoi nëpërmjet motrës sime, ku në takim ishte edhe Bledar Jambelli, i cili më dha 2 000 euro, si shpërblim për krimin.  Në atë takim unë mësova që Kristaqi dhe Bledari, po atë pasdite do të largoheshin nga Shqipëria në drejtim të Greqisë”, ka thënë Shallari.

Mesa duket Bledar Jambelli ishte kujdesur në detaje të fshihte çdo gjurmë të ekzistencës së tij në porositjen e vrasjes së Artan Cukut, ashtu siç kishte vepruar me aq kujdes të fshihte edhe hyrje-daljet e tij në pikat kufitare.

“Bledar Jambelli, është kujdesur të mos lërë gjurmë të hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, si para krimit ashtu edhe gjatë daljes prej tij pas kryerjes së ekzekutimit. Por është e provuar se alibia e krijuar prej tij është e stisur. Pasi është e vërtetuar se ato ditë ai ka qenë në Tiranë. Kjo pasi rezulton se para dhe pas krimit ai ka ndejtur në shoqërinë e Kristqa Lecit, ndërmjetësit dhe nxitësit në kryerjen e këtij krimi. Fakt që provohet edhe nga deklarimet e disa shtetasve që ishin në gjendje ta njihnin Jambellin nëpërmjet fotografisë, dhe të deklaronin se me të ishin njohur nëpërmjet të pandehurit Mikel Shallari”, thuhet në dosje. Por do të ishin pikërisht Mikel Shallari, që do të rrëfente edhe arsyet e vërteta përse Bledar Jambelli kishte mbledhur një urrejtje kaq të madhe ndaj Artan Cukut, aq sa të paguante dhe të urdhëronte vrasjen e tij me çdo kusht. Arsye të cilat Bledar Jambelli ia kishte thënë në takimet ku kishte qenë i pranishëm edhe Kristaq Leci.

“Sipas rrëfimeve të bashkëpunëtorit të drejtësisë Mikel Shallari, Bledar Jambelli i kishte treguar se ai donte ta vriste Artan Cukun, pasi viktima e kishte ndaluar në vitin 2012, gjatë kohës që ishte Drejtor i Policisë në Vlorë, si të dyshuar për një vrasje. Jambelli e konsideronte këtë ndalim si të padrejtë dhe të shtyrë nga persona të tjerë. Mikel Shallari thotë se gjatë kohës që fliste me ne, Bledar Jambelli shprehej me tone fyese ndaj Artan Cukut dhe thoshte se i kishte ardhur koha për të vdekur”, thuhet më tej.

Këto thënie të Mikel Shallarit dhe kushëririt të tij, mbi motivet e hakmarrjes së Bledar Jambellit, u vërtetuan edhe nga koha dhe arsyet e qëndrimit të këtij të fundit në paraburgim. Si edhe nga fakti që gjatë kësaj kohe Artan Cuku, ushtronte detyrën e Drejtorit të Policisë Vlorë. Ku Jambelli ishte ndaluar më 7 dhjetor 2012, si i dyshuar për vrasjen e shtetasit Amarildo Delaj. Krim i kryer më 4 Shtator 2012, por që më 9 qershor 2014, Jambelli la qelinë dhe u deklarua i pafajshëm nga Gjykata. Por edhe pse Bledar Jambelli u kërkua të merrej në pyetje nga grupi hetues, ai nuk u gjet në banesën e tij në Tiranë.

“Bledar Jambelli, alias Rikardo Muho, i datëlindjes 1980, banues në Fier, por me qëndrim të përkohshëm në Gjermani, me precedentë penalë ende të pakonfirmuar, nuk u gjend në banesën e tij dhe as në vende të tjera. Babai i tij deklaroi se nuk ka dijeni mbi vendndodhjen e djalit”, sqaron dosja.

Edhe pse Bledar Jambelli, u arrestua në vitin 2018 në Greqi, një gjykatë greke refuzoi ekstradimin e tij në Shqipëri. Teksa në qershor të vitit 2017, Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri, kishte caktuar për të, masën e arrestit me burg, si urdhërues të ekzekutimit të komisarit Artan Cuku. Bledar Jambelli thuhet u paraqit në gjykatën greke si një minoritar, dhe për këtë arsye nuk u ekstradua në Shqipëri. Dhe si të mos mjaftonte kjo, zyrtarë të lartë në Shqipëri, dëshmuan në gjykatën e lartë greke dhe mbrojtën vrasësin e një komisari policie, që në jetën e tij la gjurmë në luftën kundër krimit, dhe po nga krimi iu pre jeta në mes.

Por ku kanë kaluar 7 vite nga ngjarja kriiminale e vrasjes së zyrtarit të Policisë, Artan Cuku, qoftë porositësi i vrasjes, Bledar Jambelli, një prej emrave më problematikë të botës së krimit, ashtu edhe ndërmjetësi në këtë ekzekutim, Kristaq Leci, vazhdojnë të jenë ende në liri. Ndërsa familja e komisarit Artan Cuku, bashkëshortja dhe fëmijët, janë ende në kërkim të drejtësisë. Drejtësi që duhet ta kishte vënë në vend shteti shqiptar, për fat të keq i njëjti i cili vazhdon dhe i hedh në rrugë punonjësit e tij të policisë, sa here nuk u duhen.

Ndërkohë që procesi në ngarkim të Bledar Jambellit ndodhet në Gjykatën e Tiranës, që prej ditës kur u shkri Gjykata e Krimeve të Rënda, ku ka pasur largime të shumta të gjyqtarëve dhe prokurorëve, me dorëheqje nga çështja, apo për shkak të Vettingut. Një tjetër turp për drejtësisë shqiptare, që vazhdon të mbajë në sirtar këtë dosje dhe të mos mundet të japë një vendim fajësie. Ku i vetmi i dënuar deri më tani për këtë krim është ekzekutori Mikel Shallari, i cili u dënua me 10 vite burg.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura