“Më pajisni me vizë që të shoh Shqipërinë”, kërkesa e kongresmenit amerikan për misionin shqiptar në OKB! Çfarë i kërkoi i biri i kandidatit për president të SHBA-ve ambasadorit Bashkim Pitarka

Jun 11, 2024 | 14:33
SHPËRNDAJE

DASHNOR KALOÇI/ Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga arkivat sekrete të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilat bëjnë fjalë për një korrespodencë të misionit diplomatik shqiptar në OKB dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, lidhur me një kërkesë të bërë nga kongresmeni amerikan, Joseph Kennedy, djali i madh i senatorit amerikan Robert F. Kennedy, i cili në gushtin e vitit 1989, i paraqiti një kërkesë përfaqësuesit të përhershëm pranë misionit shqiptar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Bashkim Pitarka, duke i kërkuar që ata ta pajisnin me një vizë, pasi ai dëshironte që të vinte për një vizitë në Shqipëri, duke dhënë dhe shpjegimet e rastit, rreth arsyeve që e obligonin për ta ndërmarrë atë udhëtim, si dhe planet konkrete që ai kishte për ta ndihmuar vendin e vogël ballkanik. Cili ishte ndërmjetësi që mundësoi takimin në mes politikanit të lartë të SHBA-ve dhe misionit shqiptar në OKB, që ishte dhe zyrtari i parë amerikan që pritej prej tyre që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore dhe debatet e ashpra që u bënë prej tyre lidhur me arsyet që iu parashtruan atij dhe përgjigjen negative e refuzimin kategorik që Tirana zyrtare po i bënte kërkesës së tij…?!

MixCollage-11-Jun-2024-02-32-PM-8135

Informacioni i Ministrisë së Punëve të Jashtme lidhur me kërkesën e gazetarit amerikan me origjinë shqiptare, Peter Lukas, për kërkesën e kongresmenit amerikan, Joseph Kennedy, që të vijë për vizitë në Shqipëri.

INFORMACION

•Këto ditët e fundit, gazetari politik amerikan me origjinë shqiptare, Peter Lukas ka dërguar një teleks në të cilin thotë se “kongresmeni amerikan Xhon Kenedy, nipi i presidentit të ndjerë, do të donte të vizitonte Shqipërinë, me 1 shtator”, së bashku me të. Kur ishte në Shqipëri për vizitë, Peter Lukasi e ka quajtur Xhon Kenedy “mik personal të tij dhe një nga personalitetet më në zë, në politikën e jashtme amerikane, i cili ka influencuar edhe në Kongresin amerikan, për miratimin e rezolutës për çështjen e Kosovës”. Xhon Kenedy, kongresmen amerikan, është nip i Xhon F. Kenedy dhe i biri i Robert Kenedy, kandidat për president, i cili edhe ai u vra. Mendojmë që për tani, ta evitojmë këtë kërkesë, duke udhëzuar Misionin tonë në New York, që të komunikojmë me Peter Lukasin e t’i thotë atij, që këtë çështje ta diskutojmë kur të vijë atje delegacioni ynë, i cili do të marrë pjesë në sesionin e 44-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

•Kryetari i Lobit shqiptaro-amerikan, Xhozef Dioguardi, me banim në New York, nëpërmjet shqiptarëve të ndryshëm patriotë, që jetojnë në SHBA, ka shprehur dëshirën e tij për të ardhur në Shqipëri, si vizitor. Ai ka qenë kongresmen për shtetin e New York dhe tani, si qytetar privat, është vënë në krye të lobit shqiptar, i cili ka rreth 6 muaj që është krijuar, me synimin kryesor: propagandimin e gjendjes së popullit shqiptar, në Kosovë e në viset e tjera të Jugosllavisë, si pasojë e dhunës terroriste të shovinizmit serbomadh.

Vetë ai është me origjinë arbëreshe gjë që e propagandon në çdo rast me krenari. Tani është plotësisht i angazhuar me drejtimin e veprimtarisë së lobit, i cili luajti një rol të rëndësishëm, në miratimin e rezolutave kundër Jugosllavisë, nga Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan, si dhe nga Senati Amerikan. Ai ka njohje të shumta në hierarkinë legjislative të SHBA. Sipas burimeve të lartpërmendura, në asnjë rast publik, nuk ka folur negativisht për vendin tonë.

Sado që rasti i Dioguardit është pak ndryshe nga ai i Xhon Kennedit, sepse Dioguardi është qytetar privat dhe ka avantazhin që është me origjinë shqiptare, mendojmë që, për tani edhe kërkesën e tij ta evitojmë, duke e lënë mundësinë të hapur. Delegacioni ynë, gjatë qëndrimit në New York, të paraqitet të mësojë më shumë për personin dhe veprimet e Dioguardit.

Tiranë, më 17 gusht 1989

Letra e kongresmenit Joseph Kennedy, për ambasadorin shqiptar, Bashkim Pitarka, në SHBA

Komiteti Shqiptar për Marrëdhënien Kulturore E Miqësore me Botën e Jashtme.

KONGRESI I SHTETEVE TE BASHKUARA

DHOMA E PËRFAQËSUESVE

WASHINGTON DC 2015

5 shtator 1989

Bashkim Pitarka

Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë

Përfaqësues i Përhershëm i RPS të Shqipërisë

Pranë Kombeve të Bashkuara

I dashur Ambasador Pitarka,

Po ju shkruaj juve për t’u shprehur me respekt interesimin tim të fortë për të vizituar vendin tuaj.

Si anëtar i Kongresit të Shteteve të Bashkuara nga Bostoni, shteti i Massachusetts-it jam i interesuar për Shqipërinë, nëpërmjet miqve të mi nga komuniteti shqiptar këtu. Shqiptaro-amerikanët kanë dhënë një kontribut të madh, për kombin tonë dhe unë jam i besimit, se marrëdhënien më të ngushtë midis popullit të SHBA dhe popullit të Shqipërisë, do të ishin në avantazh të të dy vendeve. Qëllimi i udhëtimit tim do të jetë, që të kuptoj më mirë kulturën, historinë dhe nevojat e vendit tuaj dhe për të arritur një mirëkuptim më të madh, të Shteteve të Bashkuara.

Nëpërmjet një angazhimi dhe marrëveshjeje reciproke, ne mund të eksplorojmë mundësitë për hapjen e disa lidhjeve ekonomike e kulturore, midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Për shembull, ne mund të merreshim vesh për shkëmbimin nga të dy vendet, të grupeve drejtuesish në fushën e biznesit, akademikëve apo organizatave kulturore. Udhëtime të tilla mund të përdoreshin, për të identifikuar më tej mundësitë për zhvillimin e marrëdhënieve me dobi reciproke.

Unë besoj se populli shqiptar ka shumë për t’i ofruar popullit të SHBA-ve dhe unë do të dëshiroja të vizitoja vendin tuaj, në mënyrë që të mund të fillonim një dialog. Do të shpresoja se një udhëtim i tillë mund të rregullohej për një periudhë, aty nga fundi i këtij viti ose në fillim të vitit tjetër.

Ju falënderoj për shqyrtimin e kërkesës sime. Do të kisha kënaqësinë të takoheshim personalisht me ju, zoti ambasador, kur ta kini ju të mundshme për të diskutuar më tej lidhur me këtë çështje.

Me sinqeritet

 Joseph P. Kennedy II

 Antar i Kongresit

……………………………………………………………………………………………………………………………

Udhëzimi nga Tirana: Joseph P. Kennedy, të mos vijë në Shqipëri

SHBA

Nipi i presidentit Kennedy, Joseph Kennedy të mos vijë për vizitë në Shqipëri. Mund të pritet në takim nga ambasadori, në qoftë se kërkon dhe me korrektesë t’i thuhet, se kjo dëshirë për arsye të njohura të shkallës së marrëdhënieve me SHBA, për tani nuk realizohet (nga SHBA nuk shohim ndonjë gjest ndaj Shqipërisë që ta justifikonte një Vizitë të tillë).

  • Ish senatori De Guardia, në qoftë se kërkon të vijë, meqenëse ai është arbëresh, kërkesa e tij mund të shihet.
  • Funksionarë të organizatave ndërkombëtare amerikane dhe sovjetike të mos pranohet të vijnë në Tiranë.

Informacioni i ambasadorit Pitarka për Ministrinë e Jashtme në Tiranë lidhur me kërkesën e kongresmenit, Joseph P. Kennedy, që kërkonte me insistim vizë për në Shqipëri

Prot. Nr. 383                                                                               New York, me 15.10.1989

MINISTRISË SE PUNËVE TË JASHTME

              T I R A N Ë

Bashkëlidhur ju dërgojmë dokumentat:

  1. Informacionin “Mbi kërkesën e kongresistit amerikan Joseph P. Kennedy II për të vizituar vendin tonë dhe takimin e tij në mision punuar nga shokët Bashkim Pitarka dhe Sazan Bejo;
  2. Informacion “Mbi debatin e përgjithshëm të komisionit ekonomik e financiar”, punuar nga sh. Kadri Cenko.

                                                                                              Përfaqësuesi i Përhershëm

                                                                                                       (Bashkim Pitarka)

                                                           I N F O R M A C I O N

Mbi kërkesën e kongresmenit Joseph P. Kennedy II për të vizituar vendin tonë dhe takimin e tij në mision

Siç dihet në korrik të këtij viti gazetari me origjinë shqiptare nga Bostoni, Peter Lucas, i dërgoi një telegram në Tiranë, me anën e të cilit, lutet të ndihmohet për vajtjen për vizitë private në vendin tonë të anëtarit të Kongresit të SHBA, Joseph P. Kennedy II. Me 5 shtator 1989, vetë kongresisti amerikan Joseph Kennedy, në një letër drejtuar titullarit të misionit tonë pranë OKB-së, Bashkim Pitarka, paraqiste kërkesën e tij për të shkuar për një vizitë private në Shqipëri, duke e argumentuar me dëshirën e tij për të parë e njohur vendin tonë si mik i komunitetit shqiptaro-amerikan të elektoratit të tij të shtetit Massachusetts-it dhe për “të hapur një dialog për eksplorimin e mundësive për vendosjen e lidhjeve ekonomike e kulturore midis Shqipërisë dhe SHBA”.

Duke insistuar në kërkesën e tij për të realizuar këtë vizitë, kongresisti J. Kennedy mori në telefon misionin tonë dhe kërkoi të flasë me titullarin dhe me që ky i fundit nuk ndodhej në mision u lut që ai t’ia kthente telefonatën. Sh. Bashkim Pitarka sipas udhëzimeve e mori në telefon dhe pasi dëgjoi përsëri kërkesën e kongresistit Kennedy, për organizimin e vizitës në Shqipëri, i tha shkurt se tani për tani nuk mund të realizohet kjo vizitë e se meqenëse, në telefon nuk mund t’i jepte shpjegime më të hollësishme, ishte i gatshëm ta priste kongresmenin në takim në mision, kur t’i paraqitej atij rasti për të ardhur në New York. Në fakt kërkesën për takimin kongresisti e bëri pas disa ditëve nëpërmjet mikut të tij, gazetarit P. Lukas.

Me datën 13 shtator 1989 pritëm në selinë e misionit tonë pranë OKB-së në New York, anëtarin e Dhomës së përfaqësuesve të kongresit të SHBA, Joseph P. Kennedy II, përfaqësues i shtetit të Massachusetts-it. Në takim ai shoqërohej nga dy shqiptarë, P.Lukas dhe Lul Theodhos, si dhe nga ndihmësi i tij ekzekutiv James E. Mahoney. Nga misioni ynë morën pjesë Bashkim Pitarka dhe sekretari i parë i misionit, Sazan Bejo.

Kongresisti J. Kennedy, pasi falenderoi me përzemërsi që u prit nga ne në misionin shqiptar dhe shprehu kënaqësinë e tij për njohjen me ne, ndër të tjera tha: “Siç u kam shpjeguar edhe në letrën që u kam dërguar para disa kohësh, si dhe në bisedën që m’u dha rasti të kem me ju në telefon, unë kam kohë që dëshiroj të shkoj për një vizitë private në Shqipëri. Kjo dëshirë më ka lindur jo vetëm thjeshtë nga interesimi për të parë një vend si Shqipëria, të cilën nuk e njohim shumë, por edhe i nisur nga miqësia që ndjej për miqtë e mi të komunitetit me origjinë shqiptare të elektoratit tim në Meseçustes, i cili ka dhënë e jep një kontribut shumë të vlefshëm për kombin tonë. Unë gjithashtu jam nisur edhe nga predispozicioni im pozitiv e miqësor për të kontribuar në njohjen dhe afrimin midis dy popujve tanë. Kam shumë dëshirë, pra, që ju të ndërmjetësoni për të m’u dhënë mundësia të shkoj për vizitë në Shqipëri, që të njihem nga afër me popullin e vendin tuaj, me kulturën, historinë dhe jetën e nevojat e vendit tuaj, si dhe për të dhënë një kontribut direkt për arritjen e një mirëkuptimi më të gjerë për SHBA. Ka ardhur koha që të merret iniciativa për vendosjen e lidhjeve e kontakteve për të arritur në përmirësimin e vendosjen e marrëdhënieve midis dy popujve e dy vendeve tona. Kjo do të ishte në dobi të të dy vendeve. Një arritje e tillë do të plotësonte edhe dëshirën e vjetër e shumë të madhe të qytetarëve tanë shqiptaro-amerikan, të cilët për një kohë tashmë shumë të gjatë kanë mbetur pa lidhje me atdheun e tyre të origjinës. Këtu e kam fjalën sidomos për brezat më të rinj, që janë rritur pa e parë e njohur atë. Nga miqtë e mi shqiptaro-amerikan, kam mësuar për zhvillimin e vendit tuaj dhe ndryshimet që kanë ndodhur atje. Kam mësuar se kini arritur një zhvillim të mirë të bujqësisë, arsimit e kulturës dhe në fusha të tjera; se vendi juaj nuk ka probleme të mprehta sociale, si krimet, papunësia, etj,. Mbi të gjitha më kanë thënë se kini një vend e natyrë shumë të bukur, të cilin kam vërtetë dëshirë e pasion për ta parë nga afër.

Unë, vazhdoi J. Kennedy, vërtetë jam një zyrtar qeveritar, një anëtar i Kongresit amerikan, por megjithatë dua që vizita ime të jetë …./Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura