Nata e fundit e Ismail Qemalit në Peruxhia të Italisë, vdiq apo e helmuan?! Çastet fatale gjatë konferencës së shtypit, Et’hem Vlora: I hodhën helm në kafe

Nov 29, 2021 | 15:00
SHPËRNDAJE

Ismail Qemali ngritja-Flamuri-VloreAFRIM IMAJ/ Në episodet e zbuluara nga jeta e panjohur e krijuesit të shtetit shqiptar në dokumentarin e gazetarit Roland Qafoku “Ismail Qemali që nuk kemi njohur”, ajo e çasteve fatale në Peruxhia të Italisë, është ndër më interesantet. Ismail Vlora, që pas shpalljes së pavarësisë mori rrugën të përmbushte pjesën tjetër të sfidës, njohjen e shtetit shqiptar nga Fuqitë e Mëdha në Konferencës e Paqes, në rrethana misterioze ndërroi jetë në hotel “Brufani”.

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

Dilemave të shumta për vdekjen e papritur të babait të kombit, në dokumentar u jep një farë zgjidhjeje dëshmia e Et’hem Vlorës, djalit të Ismail Beut, i cili ka qenë i pranishëm në çastin e vdekjes. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për vdekje natyrale, por për një helmim të qëllimshëm. Në këtë argument bashkohen pak a shumë edhe studiuesit e ekspertët e thirrur nga gazetari për të shkuar tek e vërteta.

Përtej këtij momenti kulmor, dokumentari i Qafokut ndriçon të tjera fakte e ngjarje të panjohura nga jeta e Ismail Qemalit. Ndër to tërheqin vëmendjen të pathënat e përplasjeve në kabinetin e tij qeveritar, konflikti me ministrin e Brendshëm Libohova, marrëdhëniet problematike me Konicën e Nolin, mosmarrëveshjet me pjesëtarët e tjerë të fisit Vlora etj.

KARRIERA NE PERANDORINE OSMANE

Në vlerësim të punës së Ismail Qemalit, në dosjen personale të administratës turke shkruhet: “Vali i denjë, diplomat, deputet, udhëheqës shteti, mendimtar dhe kryetar i parë i shtetit shqiptar”. Ja cilat janë detyrat që Ismail Vlora mbajti në administratën e Perandorisë Osmane: Përkthyes në zyrën speciale në Ministrinë e Jashtme, guvernator i Përgjithshëm i Talcea, Bullgari, guvernator i Danubit të Poshtëm, kryetar i Komisionit Europian të Danubit, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, guvernator në Bolu dhe në Galipoli (Turqi), anëtar i Këshillit të Shtetit, guvernator i Përgjithshëm në Bejrut (Liban), guvernator (ad interim) i Sirisë, deputet në Parlament, i zgjedhur nga Berati dhe Vlora, kryetar i Parlamentit turk, kryetar i partisë turke, bashkëhartues i Kushtetutës së parë osmane 1876.

Në dokumente bëhet e ditur se Ismail Qemali ka refuzuar detyrën e ambasadorit të Perandorisë në Angli, si dhe atë të ministrit të Brendshëm e të Jashtëm. Kulmi profesional i Ismail Vlorës arrin në pjesëmarrjen e tij në hartimin e Kushtetutës së Perandorisë Osmane. Artikulli 108 i kësaj Kushtetute pranonte që “Administrata e krahinave do të kishte si themel parimin e decentralizimit”(17). Një nga idetë e Mit’hat Pashës, emëruar për të dytën herë Vezir i Madh, në 1876-n, ishte krijimi i një vilajeti shqiptar. Fatkeqësisht, pak muaj pas emërimit, reformatori i madh turk u arrestua, u dëbua nga Turqia dhe më vonë u vra. Kushtetuta, e cila kishte për qëllim forcimin e Perandorisë, mbeti e pazbatuar deri në 1908-n. Për idetë e tij liberale dhe bashkëpunimin me Mit’hat Pashën, që binin ndesh me regjimin absolutist të Abdul Hamid-it II, Ismail Qemali vuajti 7 vite internim (1877-1884).

UDHETIMI DREJT VLORES

Vapori “Baroni Beck”, në të cilin udhëtonte Ismail Qemali drejt Shqipërisë për të shpallur pavarësinë, ndoqi rrugën Stamboll, Bukuresht, Budapest, Durrës, Vlorë. Mbërritja në Durrës u shoqërua me një situatë të pakëndshme e të papritur. Ismail Qemali, duke iu kthyer këtyre çasteve kujton: “Me të vënë këmbë në qytet, moskuptimi i durrsakëve për Aktin e Shpalljes së Pavarësisë na dha të kuptonim se një punë e tillë nuk mund të bëhej atje. Ne u thoshim të përpiqemi për shpëtimin e atdheut, ata na thanë tradhtarë. Turqia nuk ka humbur dhe nuk humbet.

Qysh mundeshim ne tua mbushnim kokën këtyre njerëzve? Kështu u shtrënguam t’u thoshim të mirëmbetëshin, Zoti u dhëntë mend dhe u nismë për në Vlorë”. Në përpjekjen për të shpallur pavarësinë në Durrës, Ismail Qemali u përball me tentativën e një arrestimi. Ja si e kujton Mehmet Ndroqi, sekretar i Hamid Toptanit, mbërritjen e Ismailit në Durrës. “Kur doli Ismail Qemali në Durrës, ra në hotel ‘Konstandinople’ që gjindej në breg të detit. Dhespoti Jakovi në bashkëpunim me turkomanët, thanë se i kishin qenë besnikë flamurit turk në 500 vjet dhe ashtu do të vdisnin. Autoritet turke menduan ta arrestojnë Ismail Benë, por Hamid Toptani, që ishte komandanti i rezervistëve, gjithsej 800 veta, e ndaloi këtë punë.

Për të shmangur arrestimin e Ismail Beut, Hamid Toptani mblodhi një tufë me kuaj dhe ia vuri në dispozicion për udhëtimin që nisi më 23 nëntor dhe e shoqëroi atë deri në Kavajë. Karvani me në krye Ismail Beun, 27 delegatë nga zonat përreth dhe një shpurë shoqëruesish ndërmorën kështu udhëtimin e gjatë, të vështirë, të rrezikshëm, por më të rëndësishmin, një udhëtim që kishte si finale ngritjen e një shteti të ri në Ballkan, Europë e në botë. Një repart turk ua preu rrugën dhe shefi i Xhandarmërisë, i hipur në kalë, i tundte në ajër një urdhër. Aty shkruhej se Ismail bej Vlora duhet të arrestohej. Fati e deshi të mbërrinte edhe një urdhër i dytë, sipas të cilit Ismail Beu duhet të lihej i lirë. Karvani mori sërish rrugë, por andrallat nuk kishin të mbaruar.

Ismail QEmali-jeta-e-panjohur-biografia1-panorama.al

Një stuhi e fuqishme me shi të rrëmbyeshëm përmbyti tokat rreth e qark dhe lumi i Vjosës dhe Semanit doli nga shtrati. Karroca ku Ismail Beu udhëtonte u prish dhe udhëtimi nuk ishte më i mundur. Sakaq, koha nuk priste, serbët tanimë në Durrës, grekët po afroheshin drejt Vlorës, një tjetër ushtri serbe po afrohej nga Ohri në Tiranë dhe nëse vazhdonte kjo situatë, historia do të shkruhej ndryshe. Megjithatë, plaku i Vlorës, falë edhe ndihmës së fshatarëve të zonës, pas tri ditë e tri netësh udhëtim, në mbrëmjen e 26 nëntorit mbërriti në Vlorë. Të lodhur, të rraskapitur, të dërrmuar nga ajo rrugë e gjatë, por me një gëzim dhe dëshirë të zjarrtë për të përligjur ëndrrën shekullore të shqiptarëve, për të shpallur pavarësinë.

Gazeta “Dielli” e datës 5 dhjetor 1912, në editorialin e saj shkruante: Historia e Shqipërisë do të përmendë me ngashërim ditën e bukur që Ismail Qemali u nis nga Durrësi me shokët e tij për të mbaruar në Vlorë “misionin e madh”. Ka një hije politike të rrallë ky udhëtim i një grushti shqiptarësh për të shpëtuar Shqipërinë, për të bërë të vdekurin të gjallë, dhe për të shëruar trupin e asaj nëne fisnike, e cila po humbet gjakun nga një mijë plagë.

SHPALLJA E PAVARESISE
Aktin e Shpalljes së Pavarësisë plaku i urtë i Vlorës e kishte paralajmëruar më herët. Më 19 nëntor 1912, Ismail Qemali, përpara nisjes për në Durrës, i deklaronte gazetës italiane “Piçolo”: “Shpallja e pavarësisë është e pashmangshme. Ne duam t’i paraqesim Europës faktin e kryer. Do të krijohet një qeveri e përkohshme dhe ndoshta, unë do të jem kryetar. Ju siguroj se për idenë e pavarësisë jemi të gjithë në një mendje”. Ndërkaq, duke përshkruar momentin e Shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali kujton: “28 NËNTOR 1912, ORA 14:00. Ky është moment më i rëndësishëm në të gjithë historinë e Shqipërisë.

Oh, sa të lumtur e ndjej vehten sot që shoh këtu në Vlorë kaq burra shqiptarë të mbledhur tok, duke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike për fatin e atdheut tonë të dashur. Plot me gaz e me lot ndër sy nga mallëngjimi, pra po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh se sot edhe këtë minutë Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, duke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesinë e qeverisë së përkohshme të Shqipërisë së lirë”. Atë çast fatlum për Shqipërinë e kemi të përshkruar aq mjeshtërisht nga Luigj Gurakuqi: “Në krye të tavolinës rrinte Ismail Qemali, kurrë s’ishte dukur më i ri. Fytyra e tij e ëmbël fiton me të parë zemrat dhe nderimin”. Ky ishte plaku i urtë i Vlorës, babai i kombit, themelues i shtetit shqiptar, njeriu që ngriti flamurin, duke u dhuruar shqiptarëve shtetin e tyre.

PËRPLASJA ME MYFIT LIBOHOVËN
Studiuesit e shumtë e vlerësojnë Ismail Qemalin një produkt më të madh se statuja e popullit që e përfaqësonte. Ai ishte një personalitet që spikaste për maturi dhe i besonte më shumë diplomacisë dhe zgjuarsisë, sesa forcës kur përballej në debate të tilla si ai me Myfit Libohovën, që zbulohet për herë të parë pas 100 vjetësh. Aty nga mesi i vitit 1913, kur Kryeministri shqiptar ballafaqohej me çështje nga më kritiket për fatet e vendit, i del hapur një tjetër kundërshtar, madje nga radhët e kabinetit qeveritar.

Myfit bej Libohova, asokohe ministër i Punëve të Brendshme, në një letër denoncuese i drejtohej Ismail Qemalit: Ju njoftoj naltësia tuaj të ndiqni rrugën e ndërgjegjes e të njerëzillikut dhe të na paguani borxhet që na detyroheni me dëftesë e pa dëftesë.” As më shumë dhe as më pak: Ministri Brendshëm i kërkon Kryeministrit t’i kthejë ato pare që ia dha për të shkuar delegacion në Europë për njohjen e shtetit shqiptar! Sidoqoftë, ankesa e Libohovës nuk ishte fare pa arsye. Sipas të dhënave të kohës, pakënaqësia e tij paska qenë përse Kryeministri Ismail Qemali nuk e caktoi atë, por Luigj Gurakuqin në Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit(!). Një natyrë sjelljeje kjo si e politikanëve të sotëm që e kanë trashëguar nga një takëm paraardhësish si Libohova, që paratë e vëna në shërbim të Pavarësisë së Shqipërisë ia kërkonte më pas Ismail Qemalit në formë borxhi.

Sarajet e Ismail Qemalit-brenda-Panorama-al

QEVERISJA

Akti i Shpalljes së Pavarësisë është simbolik dhe me ide vizionare, sepse për qeverisje të Ismail Qemalit është shumë pak të thuash. Kjo qeveri kishte nën kontroll vetëm pesëkëndëshin Vlorë-Gjirokastër-Tepelenë-Fier-Berat. Por, edhe në këtë zonë nuk kishim të bënim me një administratë solide. Aq e theksuar ishte kjo, sa mjafton të sjellim një telegram urgjent të datës 13 mars të vitit 1913 nga Selman Shehu, nënprefekti i Tepelenës për Kryeministrin Ismail Qemali, i cili thotë: “Për shkak të kushteve të këqija, janë arratisur nga detyra të gjithë xhandarët dhe nuk ka ndonjë fuqi për të siguruar rendin dhe qetësinë e vendit”. Të tilla detaje janë shumë kuptimplote kur flasim për madhështinë e Ismail Qemal bej Vlorës. Plaku i Vlorës ngriti një shtet ku nuk ekzistonte asgjë. Ndërkohë që rrethohet nga të gjitha anët nga shtete që donin t’i merrnin ç’të mundin.  Duke iu referuar këtij fakti, mbesa e Kryeministrit anglez Gerorge Lloyd, Margaret Macmillan, në librin e saj “Paris 1919”, shkuan: “E gjora Shqipëri, sa e vogël, por me sa shumë armiq të mëdhenj!”

TENTATIVA PER VRASJE

Tentativa e parë për eliminimin e Ismail Vlorës ndodhi më 7 shtator 1901. Gazeta greke “Sotiria” shkruan: “Me tre fëmijët e vegjël shkoi në një anije anglezë, ku Ismail Vlora i dorëzoi ambasadorit anglez N.O.Konor letrën: “I lutem shkëlqesisë tuaj që të kini mirësinë të më ofroni mbrojtjen tuaj të lartë duke i dhënë kapitenit të anijes udhëzimet e duhura që të më nxjerrë jashtë atdheut tim, të cilin po e braktis për arsye të patriotizmit të tepruar”. Ishte koha e përndjekjes së Sulltanit ndaj Ismail Vlorës për shkak të bashkëpunimit të tij me Vezirin e Madh, Mit’hat Pashën, një reformator që pasi u dënua, u vra. Kjo solli edhe përndjekjen ndaj Ismail Vlorës. Tentativa e dytë kishte të bënte me Gani Toptanin, vëllain e Esat Pashë Toptanit.

Sipas dokumenteve të kohës, Ganiu ishte një agjent direkt i Sulltanit të Perandorisë Osmane dhe nuk ishin të pakta rastet që Ganiu kishte kryer vrasje me porosi direkte të tij. Ngjarja mori përmasa reale, kur dy miqtë e Ismail Vlorës i thonë që Sulltani kishte urdhëruar Gani Toptanin për ta vrarë. Duhet kujtuar që dy vëllezërit Gani dhe Esat Toptani kishin për motër nënën e Eqrem bej Vlorës, djalin e kushëririt të Ismail Vlorës, të cilin e quante nip. Në bisedë e sipër, miqtë i kishin thënë Ismail Qemal Vlorës se Ganiu i kishte garantuar se edhe pse sulltani i kishte dhënë urdhër, ai nuk do ta vriste Ismail Vlorën, në të kundërt, do të arratisej ose do të vriste veten. Nuk ndodhi as e para, as e dyta, por ndodhi kjo e treta. Për fatin e Ismail Vlorës, Ganiu vrau veten aksidentalisht, duke luajtur me një mikun e tij.

NJE VDEKJE PLOT DYSHIME

Akti i Shpalljes së Pavarësisë për Ismail Qemalin, sado i rëndësishëm, ishte vetëm një pjesë e sfidës. Pjesa tjetër e aktit final kishte të bënte me konfirmimin e saj nga Fuqitë e Mëdha. Rasti dukej se po vinte në Konferencën e Paqes në Paris. Viti 1919 sapo kishte hyrë dhe themeluesi i shtetit shqiptar po kërkonte mundësinë për të qenë aty i pranishëm. Me premtimin e liderëve të Italisë deri te Kryeministri Vittorio Emenuale Orlando, Ismail Vlora u bë gati të shkonte në kryeqytetin e Francës, ku do të mbronte çështjen e Shqipërisë. Por aty nuk do arrinte kurrë. “Çështjen e cilës Shqipëri?, pyet Ismail Vlorën gazetari William Fullerton i gazetës “Times” dhe po aty përgjigjet vetë: “Plaku i gjorë ishte simbol i zhgënjimit që i priste 50 popuj të ardhur me vrap në Paris, sikur po vinin në Mekë”.

Vetëm katër ditë para vdekjes, Ismail Vlora shkruan në një letër: “Sot është dita vendimtare e Shqipërisë, do të ngjallemi apo do të vdesim. Unë e dua Shqipërinë nën regjimin demokrat e federal për popullin shqiptar”. Por teksa priste në Peruxhia të Italisë, në hotel “Brufani” lajmin për të takuar politikanët italianë, vdiq papritur. Një vdekje shokuese dhe plot mister, për të cilën është folur në vite. Sidoqoftë, ata që kanë qenë pranë tij në momentet fatale kanë regjistruar fjalët e fundit të babait të Pavarësisë: “Më hëngër me të pabesë”

DËSHMIA E TË BIRIT: E HELMUAN

Et’hem Beu, djali i Ismail Vlorës, që ka qenë i pranishëm në çastet kur ka ndërruar jetë i ati, duke i treguar kryetarit të Bashkisë Ali Asllani situatat gjatë qëndrimit të tyre në Peruxhia, shpjegon: “Një ditë i përgatitën babait një konferencë për gazetarët. Pas buke ai hyri në sallon ku e prisnin korrespodentët. Që në fjalitë e para të bisedës, i zverdhur e i lëkundur nisi të belbëzojë e të mos lidhte dot fjalët. Kërkoi ta çonin në banjë. Atje e mbyti shkuma dhe të vjellët. Dyshimet e para përafronin idenë se diçka ishte hedhur në të dy filxhanët e kafesë që kishin pirë at e bir në barin e hotelit, pak minuta para konferencës së shtypit.

Gazeta “L’Unione Liberale” e datës 27 janar 1919, shkruan: “Dje në mbrëmje, në orën 23:30, pushoi së jetuari në hotel “Brufani” miku i shquar i qytetit, Ismail Qemal bej Vlora”. Gjithçka nga ai moment e deri më sot nuk është sqaruar plotësisht. Një sërë dilemash vazhdojnë të preokupojnë studiuesit e shumtë: Në çfarë rrethanash u izolua Ismail Vlora në Peruxhia? Çfarë fshihej pas konferencës së shtypit që u lajmërua jashtë axhendës? Pse u vonua ndihma mjekësore dhe pse nuk iu krye autopsia kufomës? Kush ishin shqiptarët që atë ditë udhëtuan në Peruxhia dhe qëndruan vetëm pesë orë? Përse djali i pronarit të hotelit ku vdiq Ismail Beu ka thënë se i ati e kishte pengun e jetës vdekjen e tij?

Cili ishte rrethi i njerëzve që i interesonte eliminimi i Ismail Qemalit dhe kush përfitonte nga vdekja e tij? Kujt i hapej rruga për karrierë politike dhe sundim të Shqipërisë pas kësaj? Kishin kaluar pak më shumë se shtatë vjet nga Akti suprem për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Çdokush që njihet sadopak me rrethanat si ndërroi jetë Ismail Vlora dhe mënyrën e papritur të vdekjes, në mendje i vijnë fjalët e fundit në fjalimin e tij kur ngriti flamurin shqiptar në ballkonin më të famshëm në Shqipëri:…Të pranoj që këtej e tutje të jem unë dëshmori i parë i atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valëvitet i lirë flamuri ynë në atdhenë tonë të lirë. Dhe ndodhi vërtet që Ismail Qemali u bë dëshmori i parë i shtetit shqiptar.

LEXO EDHE:  Jeta e panjohur e Ismail Qemalit, pa ditëlindje dhe pa mbiemrin Vlora! Njihuni me greken Kleoniqi Surmeli, zonja e parë e shtetit shqiptar

 

© Panorama.al

Te lidhura