Matura Shtetërore dhe mungesa e konsultimit

May 28, 2024 | 7:30
SHPËRNDAJE

NGA QEMAL ÇEJKU Qemal Cejku

Ka apo nuk ka provime Matura Shtetërore sivjet?!

Nuk shikoj asnjë konsultim apo “korrigjim” strategjie për të kuruar pasojat e pandemisë.

Mirë ministresha jomësuese, e cila po i bën qokë partisë, me anëtarësime të reja, apo agjendën ndërkombëtare të kryeministrit, por gjithë listën e gjatë të institucioneve përgjegjëse të maturës i ka pllakosur heshtja. Mos ndoshta kanë mbaruar provimet, sepse shihen faqe interneti që postojnë universitete jopublike. Apo iu është dhënë teza si detyrë shtëpie?

P.s Më vjen mirë të jem i gabuar unë, të dashur maturantë.

Sipas udhëzimit 661/datë 01 janar 2023, “Për miratimin e rregullores për zhvillimin e Maturës Shtetërore”, Neni 4 cilëson institucionet dhe strukturat përgjegjëse për këtë proces.

Institucionet dhe strukturat përgjegjëse për organizimin dhe zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore janë:

1. Ministria e Arsimit dhe Sportit.

2. Komiteti i Maturës Shtetërore.

3. Qendra e Shërbimeve Arsimore.

4. Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar

5. Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar.

6. Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar.

7. Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar.

8. Komisioni i Maturës Shtetërore nëZVAP.

9. Komisioni Shkollor i Maturës Shtetërore.

10. Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve.

11. Institucionet e arsimit të mesëm të lartë. Po të hapim faqet zyrtare të këtyre institucioneve shihet vetëm shpërndarja masive e aktiviteteve politike apo tallavatë e zonjës që akoma mendon se është duke drejtuar QSUT.

Është kthyer arsimi si një spital i stërmadh me pacientë që kanë nevojë për ndihmën e parë zonja jomësuese.

Ndërkohë ky duhej të ishte një vit shkollor, ku të shikohej seriozisht rënia e numrit të të diplomuarve në ciklin bachelor; vetëm për 2023 numri i diplomave u tkurr me 14% sipas INSTAT.

Zonja ministre me siguri as ia ka idenë se tkurrja më e madhe në numrin e të diplomuarve ka ndodhur pikërisht në degët që lidhen me përgatitjen e mësuesve të ardhshëm; vetëm 341 diploma në degët e arsimit nga 1613 të tilla që u dhanë në vitin 2015 me rënie 79%.

Duket që strategjia për të mbështetur këto degë ka dështuar me sukses si shumë nisma të tjera para saj. Shumë shpejt mësuesit e matematikës, fizikës, etj. nuk do të mund të gjenden as në bashkitë kryesore si Tirana e Durrësi sepse në rrethe të tjera ka kohë që mungojnë.

Këto dështime do të duhej t’ia prishnin gjumin dhe ëndrrat elektorale zonjës ministre, por mesa duket nuk po ndodh e nuk ka për të ndodhur!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura