“Marie Kraja”, ku janë sot fituesit e konkursit

Oct 27, 2015 | 13:27
SHPËRNDAJE

Ata sot ngjiten në skena të mëdha botërore, si “La Scala” në Milano, “Staatsoper” në Vjenë, në “Metropolitan” në Nju Jork, dhe janë yjet e rinj të muzikës operistike.

E vështirë të gjesh hapë- sira të lira në kalendarët e tyre, deri në fundin e vitit 2016… Disa syresh, dje ishin konkurrentë që nën ethe prisnin vendimin e jurisë, në skenën e Tiranës, në Festivalin Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”.

fituesit

Pjesëmarrja në këtë konkurs, i cili këtë vit zhvillon edicionin e tij të 15-të, duket se u ka prirë për mbarë disa prej fituesve, duke u hapur perspektiva, për të firmosur kontrata të shkëlqyera me teatrot më në zë të Europës e jo vetëm. Edhe pak ditë na ndajnë nga edicioni i radhës, ku do të konkurrojnë 14 këngëtarë, nga të katërt kontinentet. Mes tyre edhe dy shqiptarë. Më datë 29 tetor, këngëtarët do të konkurrojnë vetëm përpara jurisë me një repertor të përzgjedhur dhe me profesionistë ariesh.

Ndërsa në datat 30 dhe 31 tetor, konkurrentët do të kalojnë dy sfida: “Garën e arieve”, gjatë së cilës do të interpretohen nga ariet më të bukura të repertorit botëror, dhe “Garën e këngëve”, me repertorin më të famshëm të legjendave të këngës botërore. Gjatë interpretimit këngëtarët do të shoqërohen nga Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Këtë vit, TKOB është partner në organizimin e këtij festivali. Po le të kthehemi pak në kohë për të parë se ku janë sot disa prej fituesve të festivalit “Marie Kraja”.

ALESSIO ARDUINI, NJË INXHINIER NË SKENAT E MËDHA

Alessio Arduini, italiani me profesionin e inxhinierit, nuk aspironte aspak të vijonte karrierën në kanto, kur në vitin 2010 do të fitonte çmimin e parë në “Marie Kraja”. Sot ai cilësohet si zërat më premtues të bellcantos dhe është ndër baritonët më të kërkuar nga teatrot e botërorë. Prej vitit 2012 është anëtar i asamblesë në “Wiener Staatsoper”, ku ka kënduar role si Masetto, Marcello, Belcore, Guglielmo, Dandini etj. Me një axhendë të mbyllur për vitin 2016, aktualisht është i angazhuar në shfaqjen si “Don Giovanni” në “Wiener Staatsoper”.

RAMË LAHAJ, OGURI QË ERDHI NGA “MARIE KRAJA”

Edicioni i 9-të i Festivalit Ndërkombëtar Operistik e katapultoi tenorin kosovar, Ramë Lahaj, atëherë në fillimet e karrierës, në skenat më të mira europiane. Duke u ngjitur sot me role kryesore në teatro si “Hamburg State Opera”, “Deutsche Oper Berlin”, “Semperoper Dresden” në Gjermani, por edhe në “Royal Albert Hall” në Londër, “Polish National Opera” në Varshavë, “Sydney Opera House” në Australi, “Las Palmas” në Spanjë etj. I konsideruar nga kritika gjermane si “zbulimi më i mirë i skenës operistike gjermane”, sot Ramë Lahaj punon mesatarisht me 20 kontrata për çdo rol që merr përsipër dhe vlerësohet për vokalin, interpretimin, por dhe për paraqitjen e tij skenike.

EVIS MULA, NGA TIRANA NË “LA SCALA”

Tashmë të gjithë janë të bindur dhe e vlerësojnë talentin e sopranos shqiptare, Evis Mula, fituese e edicionit të 10- të “Marie Kraja”. Luca Targetti, drejtori artistik i teatrit “La Scala”, në Milano, anëtar i jurisë së festivalit atë vit, e përzgjodhi Evisin duke i dhënë mundësinë për një audicion në teatrin e njohur italian, nga ku këngëtarja shqiptare fitoi një bursë studimi e më pas dhe interpretoi në shfaqje në një prej teatrove operistikë më prestigjiozë në Europë.

SIMONE PIAZZOLA, KUR SUKSESI TROKET 20 VJEÇ

Simone Piazzola ishte vetëm 20 vjeç kur meritoi vlerësimin maksimal të jurisë ndërkombëtare në edicionin e vitit 2005 në festivalin “Marie Kraja”. Baritoni italian Simone Piazzola është tashmë një ndër vokalet më të kërkuara në skenën europiane të operës. Me 12 kryerole në operat botërore, këngëtari italian e hap CV-në e tij artistike pikërisht me fitoren e konkursit “Marie Kraja”. Sot karriera e Simone Piazzola-s është ndërtuar duke u ngjitur në skenat më prestigjioze, si teatri “La Fenice”, Venecia, Opera e Romës, “Staatsoper”, Berlin, “Opéra de Bastille”, Paris, “Wiener Staatsoper”, Vjenë, Opera Kombëtare në Amsterdam, “Hollywood Bowl”, Los Anxhelos, “Palau de la Mùsica”, Valencia, teatri “La Scala”, Milano etj.

SARA HEATON, AMERIKANIA QË BËRI PËR VETE TIRANËN

Një vokal i shkëlqyer dhe një soprano e kulluar janë disa nga etiketimet që media amerikane i bëjnë sot fitueses së edicionit të 12-të të festivali “Marie Kraja”, Sara Heaton. Me një zë mbresëlënës dhe me aftësi unike interpretuese, Sara arriti që pas suksesit në Tiranë, të startonte një karrierë të shkëlqyer në SHBA. Me repertor të gjerë, që nga Violeta në “Traviata”, Nedda në “Pagliaci”, por dhe në koncerte recitale me arie nga Mozart dhe krijimtari më bashkëkohore si “Miranda”, në “Death and the Powers”, ajo është ngjitur në skena si “Metropolitan Opera” në Nju Jork, “Chicago Opera Theater”, “Opera Boston”, “Santa Fe Opera” etj.

MARIGONA QEKREZI, VITI I SUKSESIT

Rasti i fundit është ai i këngëtares nga Kosova, 22- vjeçares, Marigona Qekrezi. Pas daljes në skenën e festivalit “Marie Kraja”, në vitin 2014, sopranoja ka nisur rrugën e saj në skenat internacionale. Fituesja e çmimit të dytë nuk është kthyer ende në Kosovë, që pas festivalit të vitit të kaluar. Suksesit të parë të Marigonës i janë shtuar gjatë vitit 2015 edhe çmime të tjera, si “Çmimi i talenteve të reja” në Aslico, Itali, apo dhe vendi i parë në Konkursin Ndërkombëtar Operistik “Leyla Gencer”, në Stamboll, çmimi special në Akademinë e teatrit “La Scala”, Milano. Krahas këtyre çmimeve, gjatë vjeshtës së viti 2015 është e angazhuar në rolin e “Marcelinës” në operën “Dasma e Figaros”, në turne në disa teatro në Itali.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura