Mali mitik i shenjtë hyjnor Tomorri, fillesë e gjenezës sonë, tempulli më i lashtë në dhe…! Samarxhi: Mbi 400 mijë vetë peligrinojnë

Aug 30, 2023 | 10:36
SHPËRNDAJE

FERDINAND SAMARXHI
NDER I KOMBIT

pelegrinazhi mali i tomorit (3)

Në vend të prologut…

Agimet e hershme të gjenezës njerëzore ndezin dhe bëjnë kërshëri, të gjurmosh historinë, historinë e gdhendur në mitologji, përcjellë në legjenda, rrjedhur në kohëra, si vazhdimësi tregimesh, ngjarjesh, heronjsh.

Histori mitike, që të çojnë larg në imazhe, që sot përfytyrimi shkon tutje, të çon, që të kujtosh, kohët, vendet, ngjarje, ndodhi të lashta, mitike të hershme të njerëzimit. Të kuptosh si njeriu volitej, në atë realitet, në kohë të lashta, mitike. Faltoret, tempujt, qendra qytetërime të kohës. Luftëra, fitore që përcilleshin dhe kremtoheshin në logun e tempujve. Burrat që hidhnin valle në nder të Perëndisë dhe Hyjnisë së Apolonit. Histori që sot njeriu i përfytyron kohët në imazhe, legjenda, tregime.

TOMORRI, TEMPULLI MITIK PELLAZGJIK, TEMPULL ABAZ ALI, ADHURIM HYJNOR …

Edhe pse kohët janë treguar të ashpra me largësinë e tyre dhe s’kanë dashur të lenë gjurmë, përsëri ngjarjet, luftërat, heronjtë, jehona e tyre u përcoll si dëshmi e shkruar për kohën.

Tomori, tempulli i lashtë mitik, i pari mbi dhe, që u njoh në histori. Vinin këtu nga të gjitha anët e botës, përtej kufijve të Ilirisë së veriut, Ilirisë jugore.

Qindra mijëra njerëz, pa gjumë përjetojnë, festojnë, blatojnë për Perëndinë. Aferoma kushtuar Perëndisë së Apolonit siç thotë Pindari që ishin ngazëllim dhe festë për të. Njerëzit vinin këtu në Dodonë, që ishte qendra e tempullit, pranë bijës së oqeanit, të detit, të qiellit dhe të dheut.

Tempull mitik i Tomorrit, Dodonës pellazgjike nis me një histori në thellësi të shekujve. Tempulli përmendet, dokumentohet në hershmëri të shkrimeve të para homerike.

Homeri ne Iliada shkruan: “O mbret Zeus, Dodonës pellazgjike, që banon larg duke sunduar Dodonën (Tomorrin e sotëm), që e rrahin dimra të rëndë e të egër”.

Eskili pozicionon dhe dokumenton tempullin shek. V, para erës së re, te “Prometeu i lidhur”. Kur ju të keni arritur në Tokën e Molosëve, të Dodonës së sipërme, ka një Orakull të Jupiterit Thesprot… “Në librin 6,7 ai shprehet se tempulli i Dodonës, gjendet në majë të një mali të lartë, që është Tomorri i sotëm”.

pelegrinazhi mali i tomorit (2)

DODONA MITIKE, HISTORI FILLIM GJENEZE…

Në poemën “Karmina”, Hesiodi thotë: këtu Zeusi, deshi që Dodona të ishte një faltore e vyer për njerëzinë…

Dodona, tempulli, ishte një qendër pellazge parahelenike, shumë e vjetër siç thotë Aravantioti në librin e tij, botuar në Janë 1859, më e vjetër se gjuha, perënditë dhe mitologjitë greke.

Hesiodi, në shek.. 8-7 p.e.s pohon “Dodona dhe Lisi ishin qendra e pellazgëve “se hyjnori Lykaon, ishte biri i Pellazgut, duke përforcuar kështu thënien e Homerit shekuj më parë se Pellazgët, paraardhësit e gjenezës sonë, ishin hyjnorë”.

Pseudo Skylasi, Tuqididi, Klod Ptolemeu, Tit Livi etj. pohojnë se paraardhësit elejtë, fis epiriotë, përkatësisht ilir, u përhapën në Italinë e Jugut. Në lashtësi figurohen disa qytete epiriote me këtë emër, por edhe gjiri eletea në Efyrë.

Stefan Bizantini, pohon dhe argumenton vijimësinë e gjenezës. Hellopia me të cilën lidhet emri i krahinës se Dodonës, gurra mitologjike e emrit ku pozicionohet tempulli. Hellopi, ishte i biri i Jonit, emri etnik i Hellopies, krahinë përreth Dodonës.

Joni, ishte i biri i Dyrrahut. Joni është dhe biri i mbretit ilir Adria, nga mori emrin deti Adriatik. Gjiri Jonian është gjiri, ku lindi Zeusi. Deti i kronit dhe i Reas, sipas Pierre Grimanit, vendi ku shtegtoi nimfa arkage, Io-ja e ndjekur nga Zeusi sipas Eskilit dhe Ovidit. Deti Jon në hershmërinë të thellë përfshin dhe detin Adriatik.

Dionis Hlikarnasi, në librin e tij të parë, thotë se Pellazgu ishte i biri i Zeusit dhe Miobës dhe Foronit. Zeusi ka lindur në Arkadi, në viset e Shqipërisë së sotme, se Foronidha, përfaqëson Jonë, Evropën, një nga gratë e Zeusit, se emri i nimfës lidhet me detin Jon.

Homeri tek Iliada thotë: pas Enianëve vijnë perrebetë, që banojnë rreth Dodonës dimërkeqe, fise këto që sipas Homerit ishin pjesëmarrës në luftën e Trojës. Lidhja Argë-Pellazgë-Dodonë -LikaonëAiakas-Pirrej-Hyllej-HeraklidëEpirote (Thesprotë, mollosë) është lidhje vertikale e drejtpërdrejtë e banorëve e gjenezës sonë. Dodona është ndërtuar në një epokë shumë të hershme, mitologjike.

Dionis Halikarnasi, në librin e tij të dytë, pohon dhe një fakt historik. Enea arriti në Dodonë, me ushtarët e tij të zgjedhur. Këtu, ai takoi dhe Helenën bashkë me ushtarët e saj që kishin ikur nga lufta e Trojës për të shpëtuar. Te Lisi i tempullit të Dodonës, Uliksi u lut, e kërkoi mendimin e Perëndisë, për të gjetur rrugën e kthimit për në Atdhe, Itakë.

TEMPULLI ORAKULLI, PROFECIA E SHENJTË…

Tempulli, Orakulli i tij, priftëreshat që shërbenin, siç përmend Straboni, lidhen me emrin e fisit “Graik-Gratë”, që lokalizoheshin pikërisht në Epir.

Fjala “Gra”, është vendase, pellazge ilire, shqipe. Priftëreshat, që shërbenin në tempull, ishin disa gra të gjata, me pamje fisnike, por të egra. Flisnin një gjuhë barbare, gjuhën e pellazgëve. Vizitorë që vinin nga vende të ndryshme, nga krahinat greke, ishin të detyruar të merreshin vesh me përkthyes. Sipas babait të historisë, Herodotit, feja Helene e Athinës, buron nga atdheu, ku ndodhet Dodona, nga Arkadia, nga “Pleqtë”, dmth nga Pellazgë, nga Epiri.

Sami Frashëri shkruan, në kohët më të lashta të qytetëruara të Greqisë, Tempulli i famshëm i Dodonës, që ndodhej në Epir, u përkiste Pellazgëve. Gjeneza e vendit tonë, ka pasur disa Orakuj të Zeusit jo vetëm në trojet tona, por edhe në Libi, Egjipt, ka një Dodonë famëmadhe. Disa Orakuj të Zeusit janë jashtë Epiriote Toske.

TOMORRI, TEMPULL I GJITHË BOTËS…

Roland Mathw thekson: çdo vit, në ditë gushti, bëhej një pelegrinazh në majë të tempullit dhe flijoheshin shumë kafshë në adhurim të dikujt ose diçkaje, që nuk mund ta thoshin. Qindra e qindra besimtarë të krishterë dhe besimeve të tjera ju bashkoheshin vargut të pelegrinëve…

pelegrinazhi mali i tomorit (4)

TOMORRI, TEMPULL DODONË PELLAZGJIKE-TEMPULL ABAZ ALI, ADHURIM I HERSHËM DHE I SOTËM PËR TË GJITHË BOTËN…

Në kohën që derdhej gjaku e shkruhej historia, në Qerbela luftohej kundër diktaturës famëkeqe të Jezidit të Mavijes. Të tradhtuar, shkelur ligjet e luftës, mosmbajtjes së fjalës, tradhtisë nga paria e Kufes në përgjakje Imam Hyseni, hero i luftës së Qerbelasë, kur pa se foshnjat që qanin me buzë të çara nga etja, siç thotë Naim Frashëri në poemën “Qerbelaja”: ç’është ai që shkon kaluar me dy-tre foshnja ndër duar është Abaz Ali. Abaz Aliu fluturoi drejt tempullit të shenjtë të njohur në histori Dodonës pellazgjike, Tomorr.

Nëpër mes të ushtrisë, të armikut shkon, si engjëll i Perëndisë, në erë fluturon. Abaz Aliu zu Tomorrë, erdhi afër nesh, Shqipëria smbet e gjorë se Zoti e desh. 20-25 gusht, Abaz Aliu qëndroi në Tomorr dhe prej këndej shkoi në Olimp. Më pas në Qerbela, ku siç dihet shenjtori, siç e kish parandjerë vetë i ati i tij. Kur Abaz Aliu do t’i vinte në ndihmë në luftë vëllai i tij, armiqtë do t’i prinin krahë me shigjeta. Për hir të dashurisë së madhe që Zoti kish ndaj tij, do t’i falë Abazit dy krahë, që të fluturojë në parajsë.

Sheh Hysen Tusiu, ngarkuar me misionin e stërgjyshërve të tij, donte të dokumentonte përhapjen e Kuranit të atëhershëm, të shkruar me dorë, shpatën simbol të Islamit dhe “dhenë” e marrë nga vend i shenjtë në Qerbela, ku kishin rënë dëshmorë, imam Hyseni dhe Abaz Aliu. Mori torbën e dhesë dhe me të ndërtoi mekamin, varrin kenotaf të Abaz Aliut. Duke qenë se bektashinjtë përjetësojnë veprat e heronjve mitikë, që në shek. 14, tempulli i Dodonës pellazgjike, tempulli i sotëm u quajt tempulli Abaz Ali. Shenjtëria e tij vazhdon nga kohët e hershme mitike në kohët e sotme.

Vendprehja kenotaf e Abaz Aliut është një prej shtëpive, mbi të cilën Zoti i plotfuqishëm tha: “Shtëpitë që Allahu ka shpallur, që të jenë tepër të respektuara dhe emri i tij të përmendet aty me nderim në mëngjes dhe në mbrëmje”(kurani 24-36), njerëzit duke njohur veprën e Abaz Aliut, kanë krijuar hapësirën e respektit, që duhet të kenë për këtë figurë. Të vizitosh sot Abaz Aliun, pas vdekjes së tij, është njësoj si ta vizitosh atë gjatë jetës së tij. Kjo, sepse profetët, shenjtorët, martirët janë gjallë me Zotin e tyre.

6

KURBANI, FLIJIM DHE BLATIM PËR PERËNDINË. TRADITA E TIJ…

Në lashtësi, njerëzit blatonin për Perëndinë, duke bërë fli kurban. Mishi i therur piqej në hell si blatim për Perëndinë. Kjo gjë bëhej për të adhuruar Perëndinë, Zeusin dhe Dodonën pellazgjike, Orakullin e saj. Këtu ka prejardhjen kurbani, që bëhet sot në Tomorr, Dodonën pellazgjike, që nga thellësitë e lashtësisë së kohëve dhe vijon në ditët e sotme. Gjithë Epiri është “helli”, vendi i shkuarjes në hell të mishrave të pjekura, si flijim dhe blatim për Perëndinë.

Tomorri sot, kamping gjigand, vazhdë shenjtërie…

Qytezë antike, e ndërtuar rishtas, çdo ditë rritet, çdo orë. Qindra e mijëra pelegrinë nga të katër anët e botës rreth 400 mijë vetë gjatë kë tyre ditëve, pelegrinojnë Tomorrin. Shpatulla ,lëndina, korije. Njerëz që vijnë pa pushim, pandërprerë nga të gjitha anët, nga të gjitha rrugët në Tomorr.

Kamping madhështor antik i ndërtuar. Ekrane të mëdhenj, Led wall, mbajnë zgjuar të gjithë logon e tempullit, pelegrinët. Pranë zjarreve, të pagjumë. Aferoma. Bllatime me Perëndinë.

Qirinj të ndezur. Pelegrinë të pagjumë presin agimet e mëngjeseve të malit, duke hedhur valle si burrat e moçëm, nën logon e tempullit. Çdo gjë, kushtim, kurban për Perëndinë. Çdo pelegrin, lutje, Orakullit të tempullit.

Njerëz në Abaz Ali në majën më të lartë, ndjejnë veten më pranë Zotit. Inspirojnë thellë Zotin, Perëndinë.

Kamping magjepsës, i ndërtuar sot me imazh hyjnor antik.

Kryegjyshi botëror, shenjtëria e tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, pret e përcjell me lutje, mijërat e mijërave pelegrinë, që marrin bekimin e tij, bekimin e vendit të shenjtë. Një kamping gjigant antik, një pafundësi e madhe njerëzish, që nuk u mungon asgjë. Sivjet, për herë të parë Kryegjyshi botëror, me iniciativën e Tij, këmbënguljen e pandërprerë, ka mundësuar që edhe pse në kushte lartësish të mëdha të malit mbi 2400 m, pelegrinët tashmë, të jenë këtë vit, shumë të mirëpritur, me kushte tepër optimale. Për herë të parë, sivjet u ndërtua, rruga prej 7 km, e gjerë nga 7 deri 10 m, nga Teqja e Kulmakut deri në vendin e shenjtë, tempullin Abaz Ali. Rrugë, që çdo besimtar, me çfarëdo makine, sado të vogël, të shkojë dhe të arrijë në pikën më të lartë, Abaz Ali, gjë që vitet e shkuara, nuk u mundësohej.

Sivjet, për herë të parë, me këmbënguljen e kryegjyshit botëror, Shenjtërisë së tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, kampingu gjigand antik u furnizua me ujë të bollshëm, të pandërprerë, në të gjitha ambientet, mjediset, infrastrukturën e objekteve të malit të Tomorrit. Shpimi në mal i pusit në thellësi të mëdha, sigurimi i ujit të bollshëm dhe të pandërprerë, ishte vlera, kuptimi më i madh, që i dha kampingut jetë dhe e skenografoi me imazhin e një qyteze antike, ku nuk mungon asgjë.

Me inspirim dhe blatim të vendit të shenjtë, për Perëndinë, pelegrinët presin ditën kulmore. Presin të marrin bekimin e shenjtë dhe të dëgjojnë mesazhin e lutjes së dashurisë njerëzore të Kryegjyshit botëror, Shenjtërisë së tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, bariut të këtij vendi të shenjtë dhe profecive të tij.

Ora 11:00. Pelegrinë nga Shqipëria, Europa, Amerika e nga vende të tjera. Kryegjyshi uron mirëseardhjen të gjithëve në malin e Tomorrit, tempullit të shenjtë të Dodonës pellazgjike, tempullin e sotëm të Abaz Aliut.

Këto ditë nderimi, përulje, lutje te ky vend i shenjtë, janë një e ardhme për paqe e begati, për energji të reja, për një të ardhme më të mirë.

I drejtohemi Abaz Aliut, këtij malit të shenjtë, tempulli mistik të na ndriçojë rrugën dhe të na udhëheqë drejt një të ardhmeje, me një mirësi, vizion e emancipim njerëzor.

Emri i Abaz Aliut, është më i hyjnizuari, i lartësuari, më i shenjti, hero i mbikohshëm, hero i përjetshëm, hero i idealeve më të larta njerëzore më i adhuruari ndër besimtarët e jobesimtarët e trevës së Skraparit dhe në Shqipëri e më gjerë në botë, qysh herët e deri në ditët e sotme.

Abaz Aliu ishte në fluturimin e tij mistik drejt malit të Tomorit, ku erdhi dhe qëndroi për jetë të jetëve. Abaz Aliu, si luftëtar që ra për lirinë, erdhi dhe gjeti prehje te mali ynë i shenjtë Tomorr. Luftoi për të vërtetën, lirinë, pavarësinë denjësisht e kjo për t’u treguar të gjithë besimtarëve pelegrinë të këtyre ditëve, që e vërteta është mbi gjithçka, edhe mbi jetën, e vdekja me dinjitet është përpara çdo gjëje tjetër.

Porositë dhe thëniet e Abaz Aliut, janë një pikë e rëndësishme referimi, mbi të gjitha në kohët e vështira që po jetojmë, që gjithsecili prej nesh duhet të ofrojë. Të gjitha këto duhet të priren nga besimi në Zot, si vlera më e lartë njerëzore e shpirtërore.

Abaz Aliu luftoi për të vërtetën, vendin, popullin e tij. Dashuria për vendin tënd, është po aq e natyrshme, aq e madhe, sa edhe dashuria prindërore.

Shqipëria ka nevojë për të gjithë ne këtu. Të kontribuojmë dhe ta zhvillojmë atë dhe jo të ikim nga Shqipëria larg saj.

Këto janë mesazhet e shenjtorëve tanë të mëdhenj, Imam Ali-Abaz Ali, që na shërbejnë sot, si mësim për të gjithë, si një kambanë që duhet të dëgjohet në katër anët e botës, për të na treguar se lartësimi i vlerave si mirënjohja, përulësia, besimi, ndershmëria, paqja, solidariteti, bamirësia, fjalët që thuhen duhet të burojnë nga zemra, puna e ndershme, dashura për atdheun, virtyti që burojnë nga besimi i pakushtëzuar në Zot, që shërbejnë për ndriçimin e së vërtetës, të ardhmen e shoqërisë së sotme njerëzore.

Me vargje për Abaz Alinë, deklamuar nga aktorët e mëdhenj të skenës dhe ekranit, Nderi i Kombit, Bujar Asqeriu, Dritan Borici, me këngët që çelën dhe mbyllën ceremoninë për Ehli bejtin dhe Perëndinë, interpretuar nga këngëtarët e mëdhenj Kastriot Tusha, Mjeshtër i Madh dhe Manjola Nallbani. Me këngën për Abaz Aliun, interpretuar nga këngëtari i mirënjohur Shkëlqim Beshiri, ceremonia u përshkrua si një ditë hyjnore, lutje inspirimi, adhurimi për këtë vend, tempullin e shenjtë, transmetuar në valë tokësore dhe satelitore, mesazhin dhe bekimin e Kryegjyshit botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj, jo vetëm pelegrinëve të pranishëm por të gjithë njerëzve kudo ku ata ndodhen: RTSH, NEWS 24, ORA NEWS, A2 CNN,ABC NEWS, TV PANORAMA, FAX NEWS ,TV REPORT etj. Një përsosmëri, një organizim i shkëlqyer nga punonjësit e policisë së qarkut Berat. Falenderim për drejtorin e Policisë së Qarkut Kastriot Skënderi, shefi i rendit Gramoz Lala, shefi i qarkullimit Artan Allajbeu.

Logu i valles që hidhnin si dikur burrat nën logon e moçëm të tempullit, vazhdon pranë zjarreve, me netët e pagjuma, me qirinj ndezur me kurbane, aferoma e blatime për Perëndinë…

pelegrinazhi mali i tomorit (1)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura