Libri i ri/ Belina Budini vjen me “Ndikuesit”, 20 rrëfime të gazetarëve e publicistëve për marrëdhëniet me politikanët

Nov 8, 2019 | 12:31
SHPËRNDAJE

A vazhdon media të jetë “pushteti i katërt”? A është ajo një superfuqi përballë politikës? Cili është raporti i saj me këtë të fundit? Cili është roli i gazetarisë dhe i gazetarëve në ndërtimin e demokracisë? Cili është ndikimi i tyre në opinionin publik? 

ndikuesit
KOPERTINA E LIBRIT “NDIKUESIT/INFLUENCERS”

Në ditët e sotme, rëndom ngrihen pyetje të tilla, që lidhen njëkohësisht me raportet e “nëndheshme” mes politikës dhe medias dhe besueshmërisë së kësaj të fundit. Këtë raport të ndërlikuar merr në analizë Prof.asoc. Dr. Belina Budina, Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, në veprën më të re, “NDIKUESIT/INFLUENCERS: Gazetarët përballë politikanëve”, botim i “UET PRESS”.

 

Belinda-Budini
Prof. Asoc. Dr. Belina Budini

Këtë temë të gjithkohshme, Budini e analizon duke iu referuar kontekstit shqiptar. Përmes shembujsh konkretë ajo sjell ndikimin që media ka në zhvillimin e një vendi dhe si një mekanizëm, i cili ushtron presion mbi politikën, për raportin mes këtyre dy pushteteve, përplasjet, “shkeljen e syrit” nga njëra palë te tjetra, kalimin e gazetarëve në politikë, duke marrë si shembull tipik gazetarin dhe ish-politikanin Ben Blushi, fjalorin dhe etiketimet e përdorura etj. “Roli politik i gazetarëve, nën dritën e prozhektorëve apo në kulisa, meriton më tepër të vrojtohet nga afër në kontekstin e vendit tonë, ndërsa pikëpamjet denigruese për gazetarët mbizotërojnë të folmet e politikanëve, shpesh edhe të vetë gazetarëve. Rrjedhimisht, edhe të opinionit publik në tërësi.

Gazetarët, së bashku me politikanët, janë nga aktorët publikë më të përfolur. Më së shumti në terma negativë, por duke zënë një vend qendror në hapësirën publike, në sajë të një ‘aleance’ shumëvjeçare, tanimë me politikën, në rolin e ndikuesve të opinionit publik”, thotë Budini. Libri nis me një parathënie të gazetarit Artur Zheji, i cili përgatit lexuesin për atë që vjen më pas.

belina1
Prof. Asoc. Dr. Belina Budini

Duke iu referuar edhe eksperiencës personale, Zhejiu thotë: “Ne gazetarët mundohemi të rrisim presionin ndaj politikanëve, vështirësojmë me aq sa mundim teatrin e tyre dhe ndonjëherë kjo kthehet në një luftë dramatike, në rastin kur gazetari ka një pavarësi të mirëfilltë nga pronari. Gazetarët përballë politikanëve 3 i medias. Ose kur nuk është ortak me të. Më të mirët janë ‘gazetarët e egër’, që veprojnë si ujqër të vetmuar të mediave në rritje, apo të mediave të sapolindura që duan të bien në sy, apo të fitojnë terren para publikut. Ose kur ndiejnë në veten e tyre kauza të mëdha dhe duan të bëhen ‘dikushi’ në jetë, por në Shqipëri, këto janë raste shumë të rralla”.

Pas shtjellimit sa teorik, aq edhe të mbështetur në kontekstin shqiptar, Budini konfirmon analizën e saj përmes intervistave me disa prej figurave më të rëndësishme të gazetarisë, analizës dhe opinionbërjes në Shqipëri. Edhe më e qartë na vjen situata e medias në Shqipëri dhe qëndrimi i saj përballë politikës, përmes intervistave me gazetarët dhe analistët Fatos Lubonja, Blendi Fevziu, Baton Haxhiu, Preç Zogaj, Mustafa Nano, Andi Bejtja, Ben Blushi, Armand Shkullaku, Alfred Peza, Ylli Rakipi, Alban Dudushi, Andi Bushati, Astrit Patozi, Mero Baze, Eni Vasili, Sokol Balla, Ilir Ikonomi, Ilva Tare, Adi Krasta, Bashkim Hoxha.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura