Lëviznin të armatosur me makinë, arrestohen 4 persona në Tiranë! Sekuestrohen 2 pistoleta, një 22-vjeçari i gjendet shpatë në banesë

Mar 19, 2023 | 9:59
SHPËRNDAJE

Katër persona janë arrestuar nga policia e Tiranës gjatë orëve të para të mëngjesit pasi iu gjetën armë në makinë.

Në pranga janë vendosur shtetasit A. V., 35 vjeç, A. V., 42 vjeç, F. Rr., 35 vjeç, dhe B. Gj., 22 vjeç. Ata po udhëtonin me makinën tip “Mercedes Benz” përgjatë aksit Ndroq-Tiranë ku u ndaluan nga policia.

Gjatë kontrollit të ushtruar, këtyre 4 personave iu gjetën 2 pistoleta, municion luftarak dhe një shumë prej 3600 eurosh.

Më pas, efektivët e policisë ushtruan kontrolle edhe në banesën e shtetasit B.Gj., brenda së cilës gjetën një shpatë.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet me sukses nga Komisariati i Policisë Nr. 6 operacioni policor i koduar “Bridge”.

Qarkullonin të armatosur në një automjet, vihen në pranga 4 shtetas.

Sekuestrohen dy armë zjarri pistoleta, njëra prej tyre me mulli, municion luftarak, një shpatë, 3605 euro, një automjet, si dhe 6 aparate celulare.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në inteligjencën informative se në rrugën Ndroq-Tiranë, me një automjet tip “Mercedes Benz”, po qarkullonin persona të armatosur, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tyre dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Bridge”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:

– A. V., 35 vjeç, A. V., 42 vjeç, F. Rr., 35 vjeç, dhe B. Gj., 22 vjeç, të katër banues në Durrës.

Në vendin e quajtur “Ura e Beshirit”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Mercedes Benz”, me drejtues shtetasin F. Rr., dhe pasagjerë 3 shtetasit e tjerë. Gjatë kontrollit të automjetit, u gjetën dy armë zjarri pistoleta, njëra prej tyre me mulli, municion luftarak, 3605 euro dhe 2000 lekë të rinj. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit B. Gj., u gjet një shpatë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy armët e zjarrit pistoleta, një shpatë, shuma 3605 euro dhe 2000 lekë të rinj, automjeti si dhe 6 aparate celulare.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura