“Largimi si vdekja”, si reagoi Boris Pasternak kur i kërkuan të ikte nga atdheu! U persekutua deri sa vdiq, i zhuritur për lirinë e vërtetë të njeriut

Jun 5, 2024 | 9:59
SHPËRNDAJE

SEJDO HARKASEJDO HARKA

“Gjithë jetën kam ecur mbi një shtresë të hollë akulli…”.
Boris Pasternak

Boris Pasternak, ky kolos i mendimit të lirë dhe i shkrimtarisë botërore, pasqyrim i gjallë i historisë së luftës së popullit rus, do të mbahet mend për këndvështrimin e ri ndaj saj dhe për guximin e mprehtësinë e tij, me të cilin ai godet hapur e nëpërmjet magjisë së fjalës thelbin barbar e shkatërrues të filozofisë revolucionare dhe të kolektivizmit egocentrik e konformist stalinist. Është kjo arsyeja, që regjimi i kohës e përbuzi dhe e izoloi, e përndoqi dhe e persekutoi tërë jetën, deri sa dha shpirt, i zhuritur për lirinë e vërtetë të njeriut. Ishte sistemi brutal dhe absurd stalinist, i cili e detyroi atë, siç thekson dhe vetë, që “Gjithë jetën të rendë mbi një shtresë të hollë akulli”, – plot rreziqe. Me vizionin e tij krijues, ai shkëlqeu si poet, eseist, autobiograf, por veçanërisht si romancier dhe përkthyes. Por, para se të ndalemi te vlerat e krijimtarisë së tij artistike, rikujtojmë me pak fjalë, se cili është Boris Pasternak:

Ai lindi më 10 shkurt të vitit 1890 në Moskë, në një familje intelektuale me origjinë hebreje. Babai i tij, Leonidi, ishte piktor dhe mik i Tolstoit, ndërsa e ëma, Roza Kaufman, kërcimtare. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, kreu konservatorin për kompozim e filologji dhe më pas mbaroi për filozofi, në universitetin e Moskës. Kështu ai nisi të thellojë njohuritë e tij për filozofinë neokantike të Cohenit, në Marburg, në Gjermani. Pas Revolucionit të Tetorit ai u bashkua me revolucionarët rusë, por nuk i fshehu kurrë mizoritë e atij sistemi. Pas përmbysjeve revolucionare, rikthehet në atdhe, ku me poezitë e tij të para frymëzoi poetët e rinj bashkëkohorë. Ishte koha, kur Pasternaku ëndërronte për një Rusi tjetër, Rusinë e shpirtit të lirë evropian. I dëshpëruar thellë nga dramat dhe tmerret e jetës, si dhe nga kthetrat e kolektivizimit absurd, u përpoq që, nëpërmjet ndërhyrjes te politikanët e kohës, të mënjanonte politikat shkatërrimtare sovjetike ndaj fshatit. Përmes Bukharinit ai ndërmjetësoi për të shpëtuar nga eliminimi fizik poetin Osip Mandelstam, në kohën që ai kishte shkruar një “ode” kundër Stalinit. Pasternaku, gjatë gjithë jetës përkrahu dhe mbajti qëndrim zbutës ndaj të internuarve dhe të dënuarve politikë. Është kjo arsyeja, që ai më vonë do të bëhet kurban i qëndrimeve të tilla humane. Duke parë se liria e shkrimtarisë sa vinte dhe ngushtohej, ai që nga viti 1946, vendosi të largohej nga letërsia e politizuar. Ishte koha, kur mori vrull sulmi i dhunshëm kundër intelektualëve të ashtuquajtur “deviacionistë dhe borgjezë”, siç i quante regjimi i kohës, ku bënte pjesë edhe Boris Pasternaku. Nisi të thellohej, kështu, gjuetia staliniste e shtrigave, kundër lirisë së artit dhe letërsisë ruse.

Boris Pasternaku u martua dy herë. Në vitin 1922 me Eugjenia Lurien, ndërsa herën e dytë, më 1932, u martua me Zinajda Neuhaus. Si njeri romantik, ai nuk mund të jetonte dot, siç shkruan dhe vetë, pa erën e një gruaje në apartamentin e tij. Pasternaku ishte dhe mbeti një nga poetët më të mëdhenj rusë. Nën ndikimin e së ëmës, në fillim jepet pas muzikës, për t’u kthyer më pas vrullshëm pas poezisë. Përmbledhjet e tij të para poetike janë “Binjaku në re” (1914) dhe “Mbi çdo pengesë”, të cilat do t’i jepnin atij njohjen e parë, që do të vazhdonte të rritej më tej me vëllimet: “Motër, jeta ime” (1922), “Tema dhe variacione” , “Lindja e dytë” (1931). Më pas, ai do të vazhdojë me vëllimin me ese “Lejekalimi” (1932), me të cilin do të forconte marrëdhëniet e tij me Majakovskin. Pasternaku provoi të shkruajë edhe disa poema të bukura, si: “Smid”, “Spektrale” etj. Kur ai nisi të përplasej me poezinë zyrtare ruse të kohës, filloi t’i përkushtohej përkthimit, nëpërmjet të cilit spikati me origjinalitetin e tij. Përmbledhjet e fundit poetike të tij ishin: “Trenat e mëngjesit” (1943) dhe “Hapësira tokësore”(1945), të cilat dalloheshin për hermeticitetin e mendimit dhe për gjuhën e thjeshtë. Pas kritikave të Zheleznovit, ai do të stërmundohej për të thyer akullin për botimet e reja.

Në përgjithësi, krijimtaria e tij poetike është një eksplozion ndjenjash dhe emocionesh për luftën dhe lirinë, për jetën dhe dashurinë, ku ndërthuren bukur vargu klasik me atë modern, duke qëndruar larg futurizmit majakovskian, i cili mbante brenda thirrjet për luftë, bomba dhe përmbysje revolucionare. Pasternaku u jep përparësi temave intime e shpirtërore, historisë së rishikuar, që i afrohet realitetit dhe largimit nga mitet e deformuara, të indoktrinuara dhe nga heronjtë e ndrydhur e të margjinalizuar. Në poezitë për Revolucionin e vitit 1905 dhe luftërat e mëvonshme, ai mundohet të mbajë distancë, duke i parë me një këndvështrim të ri, për t’u dhënë atyre ngjyrat e luftës bujare të popullit sovjetik. Poezitë e tij të fundit u ngjajnë pentagrameve muzikore, herë me brendi erotike dhe herë social-epike. Për të shijuar nektarin e pentagrameve të tilla poetike, mjafton të citojmë disa nga vargjet e shkëputura nga poezia e tij “Ëndërr”: “Mu shti vjeshta në qelqet dritëpaka,/ Ti me miq në hoka e kuvende,/ Dhe si fajkua që qiejsh gjuan gjak, / Zbriti zemra ime në pëllëmbën tënde. / Por iku ajo kohë, u plak. Si akull / Mëndafsh i kolltukëve u brejt anash, / Dhe ty zëri t’u bor, befas heshte / U mek ëndrra ime si jeh kambanash”.

Boris Pasternak

Poezitë e tij u bënë ushqim shpirtëror për miliona lexues, siç pati dhe shumë njerëz të qarqeve zyrtare të kohës, të cilët e konceptonin atë si “egoist e njeri të shitur tek armiqtë e Rusisë”. Pasternaku, në të vërtetë, ishte adhurues i letërsisë amerikane e perëndimore. Atë ishte e vështirë ta bëje të fliste për vete. Ishte i entuziazmuar për poezinë e tij dhe, veçanërisht, për figurën e doktor Zhivagos, e cila konsiderohej si një nga figurat më simpatike të letërsisë ruse.

Për Pasternakun funksioni i filozofisë së Niçes kishte mbaruar, pasi ajo kishte pasur si qëllim të transmetonte shijen e keqe të kohës së tij. Poezia e Pasternakut frynte që nga jashtë, si një piano e ngrohtë. Ndërsa me figurën e doktor Zhivagos, ai, siç thotë dhe vetë, dëshironte t’i shlyente një borxh bashkëkohësve të tij dhe të ringjallte vlerat njerëzore, që në atë kohë ishin venitur. Ai i donte të gjitha vlerat e Eseninit, sepse i konceptonte si “era e re e botës ruse”, si dhe poetët e rinj si Jevtushenkon, i cili shquhej për talent të rrallë.

Boris Pasternak shkroi disa romane, si: “Fëmijëria e Ljuversovës”, “Doktor Zhivago” e të tjerë. Ai kurrë nuk e kishte kuptuar pse e kishin quajtur tradhtar, në një kohë kur mëkati i tij i vetëm ishte se i donte bukuritë e rralla dhe lirinë e vendit të tij si gjënë më të shtrenjtë. Ishte koha kur Albert Kamyja i shkruante Pasternakut: “Unë gjej tek ju Rusinë që më ushqen dhe më jep forcë. Kufijtë mes nesh janë të përkohshëm, sepse ekziston dhe një forcë shpirtërore dhe krijuese që na bashkon të gjithëve. Sapo kam lexuar romanin tuaj “Doktor Zhivago”, për të cilin ju shpreh solidaritetin tim.”

Ai shkroi një seri veprash, por ajo që i dha çmimin e madh “Nobel” ishte romani “Doktor Zhivago”, i cili, ende dorëshkrim, jo vetëm u ndalua të botohej, por nga kupola shtetërore e partiake staliniste dhe nga Unioni i Shkrimtarëve Rusë të kohës, u quajt “pamflet antisovjetik”. Kjo e detyroi autorin, që me guxim e vendosmëri ta dërgojë për ta botuar në disa vende perëndimore të botës. Ishte botuesi italian, Feltrinelli, i cili e botoi për herë të parë, në vitin 1957, pa marrë parasysh kritikat e shumta që vinin për këtë roman, për të ashtuquajturat “refleksione të gabuara dhe shtrembërimet që ai i bënte historisë dhe luftës së popullit rus”. Lajmi i botimit të romanit në Rusi u konsiderua si një fyerje ndaj Revolucionit dhe Pasternaku u akuzua për tradhti ndaj kombit. U kërcënua për t’u dëbuar nga Rusia. Regjimi i kohës, në vitin 1958, e detyroi atë të mos e pranojë çmimin “Nobel”, të dhënë nga Akademia Suedeze, sepse ky roman “nxinte nga vula e zezë antisovjetike.”

Kjo bëri që Pasternaku të izolohej në periferi të Moskës, ku më 30 maj të vitit 1960, vdiq i përndjekur e i vetmuar, i përbuzur dhe i nënvleftësuar nga regjimi absurd stalinist. Vdekja e tij nga kanceri në mushkëri u përshpejtua si rezultat i izolimit dhe përndjekjes që i bëri regjimi i kohës. Kur ai u varros me nderim nga mijëra njerëz që e deshën, KGB -ja sovjetike ndaloi të merrnin pjesë në funeralin e tij shumë simpatizantë dhe ushtarakë të lartë. Vlerat e vërteta të Pasternakut nisën të zinin vendin e duhur vetëm pas vitit 1987, kur Lidhja e Shkrimtarëve Rusë e ripranoi atë si Anëtar Nderi, pas vdekjes. Fryma e shkrimtarisë së tij të lirë do të çelte një udhë të re, ku do të ecin të sigurt brezat e ardhshëm të letërsisë moderne ruse. Për ta njohur më mirë personalitetin njerëzor të Pasternakut, do të na ndihmonte dhe një intervistë interesante që i bën atij gazetarja ruse Korlisli, vajza e njërit prej miqve të tij të hershëm, e cila thekson: “Sapo u afrova pranë shtëpisë së tij, u befasova nga një tabelë, ku shkruhej: ‘Jam duke punuar. Nuk pres asnjë. Ju lutem largohuni’! Megjithatë,- tregon ajo,- me guxim trokita në portën e tij. U çudita kur përpara mu shfaq Ai, me një kapele të çuditshme. Ishte tmerrësisht i bukur, me sy të errët, që dukej sikur kishte dalë nga përrallat ruse. Më pushtoi me ngrohtësi, duke më pyetur për prindërit…”.

Vepra artistike, që i dha atij emër të madh, ishte romani “Doktor Zhivago”, i cili, edhe pse në vendin e sovjetëve u ndalua që kur ishte dorëshkrim, u botua në 29 vende të botës dhe u shitën miliona kopje. Duke ecur në gjurmët e Tolstoit, Pasternaku, me këtë roman, u bë pasqyrë e gjallë e historisë moderne të popujve rusë. Shpallja e çmimit “Nobel” për letërsinë, për vitin 1958, u bë nga Sekretari i Përgjithshëm i Akademisë Suedeze, Andreas Österling, i cili, mes të tjerash theksoi: “Këtë herë ky çmim i jepet shkrimtarit sovjeto-rus Boris Pasternak, për arritjet e tij, si në poezinë bashkëkohore, ashtu dhe në fushën e traditës madhështore të etikës ruse. Është bërë e ditur se Pasternaku nuk dëshiron ta marrë këtë mirënjohje. Ky refuzim, natyrisht nuk e ndryshon vlerën e shpërblimit. I mbetet Akademisë Suedeze të shpallë me keqardhje se prezantimi i çmimit nuk do të bëhet.” Ndërsa më 25 tetor të vitit 1958, dy ditë pas shpalljes zyrtare, Boris Pasternaku i dërgoi këtë telegram Akademisë Suedeze: “Jam mirënjohës përtej mase, i prekur, krenar, i habitur dhe i hutuar. Duke pasur parasysh domethënien që i jepet këtij shpërblimi në shoqërinë së cilës i përkas, më duhet ta refuzoj këtë çmim që më është dhënë, ju lutem të mos e pranoni refuzimin tim, të vullnetshëm dhe me pakënaqësi…”.

ROMANI “DOKTOR ZHIVAGO”, PASQYRË E GJALLË E NGJARJEVE POLITIKE TË KOHËS

Romanin “Doktor Zhivago” Pasternaku nisi ta shkruajë në vitet 1910-1920 dhe e përfundoi në vitin 1955. Brendia e tij është pasqyrë e gjallë e ngjarjeve politike të Luftës së Parë Botërore, Revolucionit të Tetorit dhe të Luftës Civile të viteve 1918-1920, në Rusi. Pjesë e përmbajtjes së këtij romani janë edhe aludimet për përndjekjet, burgosjet dhe vrasjet e kryera në kampet shfarosëse të bolshevikëve stalinistë. Shpesh brendia e këtij romani merr natyrë autobiografike. Nën lëkurën e protagonistit doktor Zhivago qëndron vetë Pasternaku, me historinë e tij të trishtë. Stalini, duke parë kundërshtimin antimarksist dhe kundërrevolucionar të këtij romani, orkestroi një sulm të ashpër kundër Pasternakut, edhe pse deri në atë kohë e kishte adhuruar atë për poezitë e tij dhe veçanërisht për gjuhën origjinale të përkthimeve në gjuhën gjeorgjiane, për shkak të origjinës së tyre të përbashkët. Ishte kjo ndoshta arsyeja që Stalini nuk e asgjësoi fizikisht, siç bëri me shumë të tjerë. Ky roman në vendin e sovjetëve mbeti i ndaluar, ashtu si dhe vetë autori i tij.

Pasternaku, shkruan Faik Konica, mbetet një shkrimtar me famë të madhe ndërkombëtare, romani i të cilit u bë qendër e një skandali që përfshiu shumë shërbime sekrete perëndimore të kohës. Ai, jo vetëm u përkthye në shumë gjuhë të botës, por dhe u lexua nga miliona njerëz. Ajo që e shqetëson Pasternakun në këtë roman është liria e njeriut dhe raporti i tij me shoqërinë. Populli rus luftoi për përmbysjen e një sistemi të vjetër, në emër të një lirie të vërtetë, por për fat të keq, ra në një kllapi më të errët, mbi një realitet akoma më absurd. Edhe vetë Pasternaku kishte luftuar për çmontimin e regjimit carist, por ende e ndiente veten të skllavëruar, ashtu si Sizifi, të cilin Zeusi e kishte detyruar të ngjitej e të ulej nga maja e një mali të thepisur, me gurin e rëndë mbi shpinë. S’ka gjë më të tmerrshme se sa stërmundimi për një punë që s’i shërben askujt. Këtë skllavëri mitike Pasternaku kërkon ta çmitizojë përmes mendimit universal dhe protagonizmit të doktor Zhivagos.

Ky libër nuk është vetëm një roman politiko-filozofik, por dhe një roman dashurie, ku doktor Zhivagoja vihet në mesin e dy të dashurave të tij. Nga njëra anë Tanja, me të cilën është rritur dhe martuar, ndërsa nga ana tjetër Lara, e cila i kishte rrëmbyer zemrën dhe e kishte verbuar shpirtërisht. Kjo dashuri nuk u zbeh nga mentalitetet e kohës. Romani nis me brengën që përjeton Juri Zhivagoja i mitur ditën që përcjell për në banesën e fundit nënën e tij, duke e lënë jetim. Ai tronditet aq shumë, saqë e kishte vështirë ta pranonte vdekjen e saj. Dramat e Jurit të vogël kishin filluar që herët. Edhe babai i tij, pasi kishte qenë i pasur, kishte vrarë veten, kur humbi pasurinë. I mbetur fillikat, ai u rrit nga daja i tij, derisa merret nën kujdestarinë e familjes Gromiko. Pasi mbaroi studimet për mjekësi, do të bëhej mjek i famshëm, me një shpirt të bukur dhe forca të pathyeshme. Ai ndeshet me plagët e luftës për t’i mposhtur ato. Këto plagë i shëronte jo vetëm me ilaçe dhe bisturi, por dhe me fjalën e tij të ngrohtë. Tërë jetën kishte qenë një fëmijë i pikëlluar.

Interesante është lidhja e dyfishtë e tij me Tanjën dhe Larën. Lara ishte martuar që në moshën 16-vjeçare me inxhinierin Kovarovski, i cili e keqtrajtonte. Ngaqë ai ishte pasanik dhe në moshë të madhe, ajo e trajtonte më shumë si baba, se sa si bashkëshort. Pasi ai e braktis, Lara lidhet me mendjengushtin e komunistin sektar, Pasha Antipov. Por edhe kjo lidhje nuk funksionoi. Lara ishte një grua e bukur që tërhiqte si magnet burrat e kohës. Ndërsa Pasha e kishte kokën të ngjeshur me dogma. Kur Lara vjen për të kërkuar bashkëshortin e saj, Pashën, që kishte braktisur familjen, njihet me doktor Zhivagon. Pas kësaj historie romantike fshihet dashuria e vërtetë e Pasternakut me Olgën 34-vjeçare, kur ai ishte 54 vjeç, në një spital ushtarak, pas Revolucionit të Tetorit. Është koha kur ai ndan mendime të kundërta me të tjerët për luftën.

Tashmë prek me sytë e mendjes absurditetin e tragjizmit njerëzor të kësaj lufte të gjatë shkatërrimtare. Ai sheh se, pas asaj sakrifice të madhe për lirinë e vërtetë, vjen shtypja e re sovjeto-staliniste. Në vend të shpresës së zhvillimit sheh vendosjen e dogmave morale dhe politike të një shtypjeje më të egër. Ata që nuk i pranojnë këto dogma dhe mashtrime mbyten me shtrëngata gjaku ose mbyllen në burgje të përjetshme politike. Shumë shokë të tij u detyruan të bëhen vegla të shtypjes absurde. Individi po tjetërsohej në dele kopeje. Prona e përbashkët po bëhej prona e askujt. Caristët ishin zëvendësuar me bolshevikët. Antipovi ishte tjetërsuar në gjakpirës i Armatës së Kuqe. “Armiqtë” e dogmës absurde i priste “Gulagu rus”. Këtë kishte dashur të kundërshtonte edhe Zhivago (Pasternaku), kur kishte kërkuar nga titanët e kohës të bëheshin reforma të reja. Ndaj u vu në gijotinën e seleksionit. Kështu nisi kalvari i përndjekjes së Zhivagos, i cili tashmë ishte i detyruar të merrte rrugën e vështirë të maleve të Uranit, për të shpëtuar kokën. Ishte koha kur Pasha Antipovi e akuzonte atë si përkrahës të politikës cariste. Te dashuria e dyfishtë, Juri Zhivagoja sheh lirinë e tij të vërtetë. Tanja rrit me dashuri vajzën e doktor Zhivagos që e lindi me Larën, ndërsa Pasha Antipovi përfundon me vetëvrasje. Doktor Zhivagoja kuptoi se njeriu, në atë regjim, nëse donte të ishte gjallë, duhet të hiqte dorë nga mendimi i lirë dhe jeta e tij personale.

Në vitin 1922 Zhivagoja kthehet në Moskë me mendimin që të bashkojë familjen, por fatkeqësisht zhduket në një kamp përqendrimi. Kur miqtë e Zhivagos shohin një vajzë të bukur, që kishte buzëqeshjen e ngrohtë të doktorit, dëshpërohen thellë për fatin e keq të këtij mjeku që sakrifikoi gjithçka për vendin dhe njerëzit. Ishte koha kur Zhivagoja e sheh qartë zhgënjimin e tij ndaj sakrificave që kishte bërë ai dhe miqtë e tij tërë jetën. Tanja i shkruante nga Moska plot mall e dhimbje këto fjalë: “Nuk të fajësoj për asgjë.” Ndërsa Juri Zhivagoja, përmes trillit krijues të Pasternakut, shkruan: “Në dashuri dhe në luftë gjithçka është e justifikuar”. Protagonistin e bren më shumë fakti se është zhdukur mendimi i lirë. Vendin e tij e ka zënë absurdi dhe marrëzia kolektive. Shpresën për një të ardhme më të mirë për vendin e tij Boris Pasternaku do ta shprehë nëpërmjet përshkrimit të bukur metaforik, të cilin e vendos mjeshtërisht në gojën e protagonistit të këtij romani me të njëjtin emër. Doktor Zhivagoja thotë: “Po lëviz nëna Rusi. S’i rrihet në një vend, ecën dhe s’lodhet, flet dhe s’ngopet. Nuk është puna se flasin vetëm njerëzit. Mblidhen e bisedojnë yjet e pemët, filozofojnë lulet e natës e bëjnë mitingje ndërtesat e gurta…”. (161)

Kur Pasternakut i kërkuan të largohej nga atdheu, ai tha: “Për mua, largimi nga atdheu është i barabartë me vdekjen.” Shkëlqimi dhe liria që kishte pritur Boris Pasternaku, pas tri dekada luftërash, nuk erdhi kurrë. Rusia po zbehej në sytë e tij gjatë atyre trazirave të ashpra politike dhe ai gjithë jetën shkroi se madhështia e saj do të shkëlqente një ditë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura