‘Me këtë makinë lëvizin hajdutë të armatosur’- Telefonata që ngriti në këmbë Policinë pak para mesnate në Tiranë, kush janë të arrestuarit

Apr 1, 2022 | 15:01
SHPËRNDAJE

Një telefonatë në sallën operative rreth orës 23:00 të së enjtes ngriti në këmbë Policinë në Tiranë pasi jepte të dhëna për një automjet në të cilin lëviznin të armatosur disa persona që kryenin grabitje.

policia-tirane

Policia ka bërë me dije në një njoftim për mediat se gjatë ndjekjes së këtij automjeti për të cilin kishin marrë informacion, në tentativë për t’u larguar, makina është përplasur me mjetin e shërbimeve të Policisë Kriminale.

Punonjësit e policisë që ndodheshin në makinën që ndiqte mjetin e dyshuar nuk kanë pësuar lëndime.

Më pas, thotë policia, personat që ishin në mjet e kanë braktisur atë dhe janë larguar, duke përfituar edhe nga errësira. Por pasi është rrethuar zona, efektivët kanë arrestuar personat e dyshuar.

Në pranga ra një 17-vjecar dhe një 20-vjeçar, të identifikuar si Kevin Vila dhe Mikel Aliu. Por blute theksojne se atyre gjatë kontrollit të mjetit dhe kontrollit fizik nuk iu është konstatuar asnjë send i kundërligjshëm.

Njoftimi nga Policia Tiranë

Më datë 31.03.2022, rreth orës 23:00, në sallën operative ka ardhur një telefonatë për një automjet në të cilin dyshohej se ndodheshin persona që kryenin vjedhje dhe lëviznin me armë zjarri me vete.

Menjëherë shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të mjetit dhe gjatë ndjekjes, në tentativë për t’u larguar, mjeti është përplasur me mjetin e shërbimeve të Policisë Kriminale, pa shkaktuar dëmtime të punonjësve që ndodheshin në mjet.

Më pas, personat që ishin në mjet kanë braktisur mjetin dhe janë larguar, duke përfituar edhe nga errësira.

Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe si rezultat kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– Kevin Vila 17 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Vjedhja” e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim;

– Mikel Aliu, 20 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Vjedhja” e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë shtetasi L. Z., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i Krimit”.

Gjatë kontrollit të mjetit dhe kontrollit fizik të tyre nuk është konstatuar asnjë send i kundërligjshëm.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura