Sali Berisha njofton datën e protestës së opozitës: Më 11 shkurt Shqipëria marshon drejt Tiranës. Rama nuk ka nder dhe dinjitet

Jan 31, 2023 | 21:45
SHPËRNDAJE

Ish kryeministri Sali Berisha ka zbuluar datën e protestës së opozitës në Tiranë. Në një deklaratë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë, Berisha u shpreh se Shqipëria do të marshojë drejt Tiranës në datë 11 Shkurt.

Ai u shpreh se të gjithë qytetarët do të vërshojnë në sheshet e kryeqyetit kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

“Sot është jetike, është vendimtare largimi i këtij armiku të egër të opozitës shqiptare nga pushteti. Largimi sa më shpejt i Edi Ramës i cili prej së paku 6 vitesh ka angazhuar shuma përrallore, ka angazhuar polici sekrete, ka angazhuar dhe ka korruptuar shefin e kundër inteligjencës së SHBA të FBI.

Ka marrë peng ish kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ka bërë gjithçka për asgjësimin politik të Sali Berishës me qëllimin e vetëm shkatërrimin e opozitës së vërtetë në Shqipëria. Është koha të flasë opozita deri në largimin e kësaj kalbësire nga pushteti. Deri në largimin e këtij turpi dhe këtij njeriu që nuk ka asnjë parim dhe asnjë normë apo moral.

Nuk ka nder dhe dinjitet, nuk ka asnjë kufi në poshtërsitë e tij për të qëndruar vetë në pushtet pavarësisht se çfarë i shkakton vendit të vet, demokracisë dhe partnerëve. Me datën 11 Shkurt shqipëria marshon drejt Tiranës, Tirana vërshon në rrugë dhe sheshet e saj në një protestë kombëtare”, tha Berisha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura