Aksioni i SPAK në ministrinë e Brendshme, drejtoresha e arrestuar është motra e Kryegjyqtares së Lezhës

Jul 10, 2021 | 11:10
SHPËRNDAJE

Drejtoresha e blerjeve të përqendruara në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari e cila u arrestua me urdhër të SPAK si e dyshuar për akuzën e “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” është motra e kryetares së Gjykatës së Lezhës, mëson “Panorama”.

Edlira Naqellari
Edlira Naqellari

Kryegjykatesja e Lezhes është Ornela Naqellari.

Edlira Naqellari, mbante detyrën e drejtoreshës së blerjeve të përqendruara në Ministrinë e Brendshme dhe ka rreth 8 ditë që është shkarkuar nga ministri Bledi Çuçi.

Kryegjykatesja e Lezhes Ornela Naqellari
Kryegjykatesja e Lezhes Ornela Naqellari

Gjatë hetimit, sipas Prokurorisë së Posaçme, janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik, bërë nga anëtarë të Njësisë së Prokurimit si Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleviz Hasani dhe anëtarët e komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Femneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me titullarin e Organit Qendror Blerës, dhe si pasojë kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi.

DENONCIMI I PD

Denoncimi për tenderin e uniformave të policisë si aferë korruptive e ka bërë Partia Demokratike përmes drejtueses së Departamentit Antikorrupsion, Lealba Pelinku.

PD denonconte një vit më parë se “për të përjashtuar garën në tenderin e hapur pak ditë më parë, Ministria e Brendshme ka përgjysmuar afatin minimal të parashikuar në ligj për t’u bërë pjesë e tenderit dhe për të plotësuar kushtet e tij. Ligji i Prokurimit Publik parashikon një afat minimal 52 ditor, por Sandër Lleshaj, në shkelje të ligjit, ka vendosur shkurtimin e afateve për ata që duan të konkurojnë në 24 ditë.”.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DREJTUESJA E DEPARTAMENTIT ANTIKORRUPSION, LEALBA PELINKU

Kur bëhet fjalë për abuzimin me miliona euro, Sandër Lleshaj nuk ndryshon nga paraardhësit e tij Saimir Tahiri apo Fatmir Xhafaj.

Gjuetia e preferuar e Ministrave të Brendshëm të Edi Ramës është tenderi 30 milionë euro me uniformat e policisë.

Kësaj rradhe, mënyra e gjetur për të vjedhur është paracaktimi i fituesit përmes shkeljes së procedurave ligjore për rregulla të barabarta loje dhe konkurencë të drejtë në treg.

Për të përjashtuar garën në tenderin e hapur pak ditë më parë, Ministria e Brendshme ka përgjysmuar afatin minimal të parashikuar në ligj për t’u bërë pjesë e tenderit dhe për të plotësuar kushtet e tij.

Ligji i Prokurimit Publik parashikon një afat minimal 52 ditor, por Sandër Lleshaj, në shkelje të ligjit, ka vendosur shkurtimin e afateve për ata që duan të konkurojnë në 24 ditë.

Ky është një afat kohor i pamjaftueshëm për të përmbushur detyrimin ligjor që dikton kushte të barabarta gare dhe konkurence.

Shkelja e të tilla garancive ligjore është tregues direkt se kemi të bëjmë me një aferë korruptive. Kemi të bëjmë me një pazar mes atij që drejton Ministrinë e Brendshme dhe klientit të paracaktuar, për favorizimin e të cilit ngushtohen ditët e garës dhe shmangen konkurentët e tjerë.

Shkelja flagrante e rregullave në këtë tender 30 milionësh të uniformave të policisë tregon se kushtet ku operon sot prokurimit publik në Shqipëri janë kushtet e një pazari mafioz. Kur dy banda mbyllin pazarin, siç ka ndodhur në rastin e tenderit të uniformave, askush nuk duhet lejuar të ndërhyjë e të prishë pazarin.

Gjithçka ndodh në kurriz të qytetarëve shqiptarë, të cilët vidhen hapur nga një qeveri që ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura me bandat dhe krimin e organizuar.

Partia Demokratike do ta ndjekë me vëmendje këtë tender dhe do të denoncojë çdo akt korruptiv që fut duart e Ministrit të Brendshëm apo të kujtdo tjetër në 30 milionë euro para publike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura