“Labi i Burrelit”, “Pionieri çamarrok!”- Historia e panjohur e ‘atentatorit’ të Hrushovit që përfundoi në qeli me Pjetër Arbnorin! Si e futën në grackë spiunët vetëm se tha se: Mehmeti ka plagosur Enverin!

Apr 17, 2022 | 21:09
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ Thanë se i gjetën bombë, revole e thikë. E dënuan fillimisht për Hrushovin. E akuzuan se do ta qëllonte kur do vinte në Pashaliman. Me pushkatim, vendosi prokurori. Me 25 vjet Gjykata Ushtarake. Pastaj e akuzuan për terror ndaj krerëve të pushtetit popullor.

hoxha shehu hrushpv

Këtë herë, Hrushovi ishte larguar dhe ishim divorcuar me Moskën. E veçantë në llojin e vet historia e Namik Zenelit, pakut nga Vajza e Vlorës. Një drame më vete, një dramë e çuditshme, nga ato ku jeta rezervon fate të pamëshirshme e herë-herë fatale për njerëzit. Gjithsesi, “atentatori” i panjohur i Hrushovit, pas atij kalvari të jashtëzakonshëm vuajtjesh, mundi të mbijetojë dhe arriti të ringrihej në këmbë për t’ia destinuar harresës fantazmën, që i vrau ëndrrat dhe i mori rininë.

Madje, i dukej absurde t’i kthehej një ngjarje të një epoke tjetër, ca më tepër kur motivi mbi bazën e të cilit ishte ngritur skema e saj, tingëllon arkaik e vulgar në ditët e sotme.

Namik Zeneli ndërroi jetë pak kohë më parë. Kur ishte në fundin e tij, me Lefter Hitën, një historian amator, siç thotë, shkuam një mbrëmje mysafir në shtëpinë ku jetonte në Vajzë. Fillimisht kundërshtoi t’i kthehej historisë me atentatorin e Hrushovit, pastaj i lënduar nga sindromi i të përvuajturit dhe i viktimës, preferoi të qëndrojë në përshkrimin telegrafik të kontekstit dhe rrethanave, në të cilat u gjend përballë sfidës më të rëndë të jetës.

“Do vija dorë mbi Hrushovin?! Gjepura. As ata që më prangosën nuk e besonin. Nuk ishte halli te mua. Duhej një alibi dhe e gjetën.

Një alibi për të luajtur. Bile për të luajtur gjatë. Emri i madh i Hrushovit ishte fantastik për idenë e tyre. Po gjërat nuk shkuan vaj. Sa iku djalli i Kremlinit nga Tirana, u prishëm me Moskën. Loja mbeti në mes të rrugës. Unë mbeta sërish në Burrel. U shpik një vjegë tjetër. Nga Hrushovi që do qëlloja, më akuzuan për terror mbi udhëheqësit tanë…”

E ENJTJA E 11 SHTATORIT ‘59

Kishte ardhur dhe kishte ikur Hrushovi kur prangosën Namik Zenelin. Gjatë vizitës së tij në Pashaliman, ishte hapur fjala se ishte tentuar për t’i bërë atentat. Ishte pëshpëritur nën zë në rrethe të ngushta dhe aty për aty ishte mbyllur. U tha pastaj se ishin zbuluar ata që do qëllonin mbi kreun e Kremlinit. Në Vlorë e në rrethina u mësua se në Vajzë ishte bërë goditja e parë. Lajmet që vinin më tej dukeshin konfuze e të paqarta. Ngjarja ishte sekretuar në dosjet e sigurimit dhe hetuesisë speciale.

Sakaq, të kryqëzuarit kishin filluar ta zbulonin pak nga pak misterin e saj, pa kuptuar arsyen e vërtetë të asaj që ndodhte. Namik Zeneli, njëri ndër ta, kur i kthehej atij momenti kujtonte me detaje çastet kur e thirrën në emër të popullit.

“Ishte 11 shtator i ‘59-ës. Ditë e enjte. Katër burra më morën tek oborri i shtëpisë dhe më hipën në gazin e Degës. Do vish me ne, më thanë në fillim. Pastaj më hodhën prangat. Dukeshin të egërsuar. Përse, çfarë kam bërë, i pyeta unë. Ata heshtnin dhe shtrëngonin armët që kishin në duar. Ngjitur më rrinte operativi i zonës Ilia Llazi. Rreth tij, tre oficerë të sigurimit, Pandeli Përmeti, Ilia Gaqo e Sotir Xhara.

Diku afër mbrëmjes mbërritëm në Vlorë. Më futën në një dhomë të errët dhe më lanë ashtu për disa orë. Pas mesnate më mori në pyetje nënkryetari i Degës, Dhori Bashari. Nuk bëhej fjalë për meselenë e Hrushovit. Akoma nuk ishte zbuluar legjenda e tij. Diçka tjetër kërkonte ai.

Ke thënë se Mehmet Shehu ka plagosur shokun Enver”. Menjëherë u futa në temë. E pashë që kisha rënë në grackë. Diçka të tillë e kisha thënë. Po, po, e kisha thënë. Në kushte të paqarta, po ishte e vërtetë. E kisha dëgjuar para disa ditësh në Vajzë nga miqtë e mi dhe e kisha folur me të tjerët. Dhori Basharit ia kishin prurë të freskët. Ia kishin sjellë ata që kishte dërguar më parë me skemën e provokimit. E kisha ngrënë.

Ai nuk ndenji gjatë atë natë përballë meje. Të nesërmen më solli në qeli një tabor me hetues. Të egër, brutalë, të pamëshirshëm. Ditë e natë duhej të rrëfeja për ta. T’u përgjigjesha pyetjeve të tyre. Ata dëgjonin dhe mbanin shënime. Faqe të tëra të shkruara me makinë shkrimi, m’i jepnin t’i firmosja. Nuk bëhej fjalë t’i pyesja çfarë shkruhej në to. Nuk m’i linin t’i lexoja gjatë. Mjaftonte t’u hidhja një sy dhe duhej t’i nënshkruaja. M’u bë e tmerrshme kjo gjendje. Një moment humba durimin. Të vejë në djall, thashë dhe u kërkova të bënin çfarë të donin. Firma, firma pambarim.

I çmendur zelli i tyre për to. Përfundimisht, bënë çfarë deshën e shkruan si ua donte puna. Provat e para i përkisnin atentatit të Mehmetit ndaj Enverit. Për ditë të tëra pastaj më kërkonin llogari për Hrushovin. Më sollën aty dëshmitarë e prova nga ato që nuk të shkonte mëndja. Më vunë më në fund përballë bombat, revolen e thikën me të cilat sipas tyre, do të bëja terror. As vetë nuk e kuptoja çfarë ndodhte…”

PROKURORI: TË PUSHKATOHET!

“Në plumb Namik Zeneli! Plumba për ata që do vrisnin mikun e madh Nikida Hrushov!”. I njohur me lëndën e hetimeve disamujore, prokurori i Vlorës shpërtheu pa mëdyshje verdiktin fatal qysh në ballafaqimin e parë. Pas fjalëve të tij salla do të binte në qetësi të thellë. “Desha të thosha diçka atë moment, po fjalët më mbetën në fyt. Pashë nga avokati Vangjel Karbunara, po dhe ai nuk dinte ku ta fillonte mbrojtjen e çështjes. Për një çast kujtova nënën, vëllain, motrën dhe të them të drejtën u drodha si purtekë. Aty për aty mendova se isha vetëm 20 vjeç”.

Namik Zeneli që është befasuar nga marrëzia e komunikimit të papritur, kujton se është ndjerë i pafuqishëm për të reaguar ndaj ndëshkimit të rëndë. Sakaq, përfaqësuesi i akuzës me pamjen e triumfuesit, ka lexuar masën e dënimit për dy të tjerët, të cilët me sa dukej i kishin shpëtuar skuadrës së ekzekutimit.

Sa dëgjuan kaq Iliaz Vrazhdo e Mustafa Iliazi morën frymë lirisht. I dënuari me pushkatim nuk mban mend asgjë si rrodhi seanca deri në fund. Vetëm në mbrëmje është kthjelluar kur e ka parë veten në qeli. I pllakosur nga tmerri për atë që e priste nga çasti në çast, ka ndenjur i shtrirë për orë të tëra. Diku pas mesnate e ka vizituar nënkryetari i degës Dhori Bashari.

Këtë herë fliste me një ton disi të qetë, duke e orientuar bisedën për situata që ai nuk ishte në gjendje t’i kuptonte. Namik Zeneli me fantazmën e skuadrës së pushkatimit në sy, qëndronte shpërfillshëm para tjetrit.

Herë pas here hidhte vështrimin nga fytyra e përgjumur e Dhori Basharit dhe miratonte pa vetëdije çfarë i diktonte.

Asgjë nga fjalët e tij nuk kishin rëndësi për të dënuarin me pushkatim. Gjithçka ishte mbyllur një herë e mirë me fjalën e shkurtër të prokurorit të rrethit. Sidoqoftë, prania e funksionarit të sigurimit në atë orë të vonë në qelinë e errët, do ta fuste ngjarjen në tjetër rrjedhë. Namik Zenelit do t’i duheshin muaj të tërë për të zbuluar domethënien e ligjëratës të Dhori Basharit.

“Fillimisht nuk ua vura veshin fjalëve të tij. Hidhej sa nga njëra degë në tjetrën. Herë shfaqej si engjëll e herë djalli vetë. Dinak e cinik te zoti. Sa binte fjala tek akuza, turfullohej i tëri.

“T’u çel syri për atentatin e Mehmetit. Po ç’e do që të doli bosh. Deshe të tronditje dynjanë me meselenë e Hrushovit, po harrove që partia e populli janë zgjuar. S’ke ku ia mban djalë i mbarë. Rrëfeu hapur.

Të paktën të shpëtosh jetën, se je i ri”. O zot, thashë me vete. Ç’të thosha unë, i mjeri. Ata vetë flisnin e vetë shkruanin. Preferova heshtjen. Tjetri zbuloi variantin e ri. Doli hapur për atë që kërkonte. Bëhej fjalë për një pakt të fshehtë, për një marrëveshje. “Do të çojmë prapë në gjyq, po nuk do ta zëmë në gojë punën e Hrushovit. Do akuzohesh për terror ndaj personaliteteve të larta”.

Si të doni, pohova unë. Ç’të fitoja të fitoja. Isha i mbytur e i mbyturi nuk ka dert nga të lagurit. Ramë në një lloj ujdie. Prej këtej procedura nisi nga e para. Këtë herë me tjetër trup gjykues. Ishte vendosur që çështjes t’i jepte fund Gjykata Ushtarake. Ashtu ndodhi. Dosjet e hetuesisë na i lexuan aty përsëri. Një tjetër prokuror lexoi pretencën. Ajo nuk shkonte tek ekstremi. Nuk u dëgjua fjala pushkatim. Pa gjë prapë nuk mbeta. Më prenë biletën për 25 vite. Dy të tjerët mbetën po me aq sa në seancën e parë…”.

LABI I BURRELIT

Disa seanca në pak muaj do mjaftonin për ta çuar në ferrin e Burrelit njeriun, që ishte akuzuar se do vriste kreun e Moskës. Pavarësisht se në dosje ishte tjetërsuar lënda që kryqëzoi Namik Zenelin, të burgosurit e tjerë do ta thërrisnin “Hasmi i Hrushovit” qysh të nesërmen. I pari do ta pagëzonte kështu një i dënuar nga Vlora. Mandej të tjerët do t’ia kujtonin orë e çast, aq sa do t’i harrohej emri i vërtetë. Sidoqoftë, djaloshi nga Vajza nuk do identifikohej vetëm me alibinë e Hrushovit.

Emra të tjerë do dëgjonte dita-ditës. Ishte pjesë e qesëndisë e miqve të dikurshëm. Pjesë e dashurisë njerëzore që ata i falën shpirtërisht. E Namik Zeneli nuk ua harroi kurrë sjelljen fisnike në ato kohë të vështira. “Labi i Burrelit, më thirri ditët e para Pandi Kristua. Pjetër Arbnorit i pëlqente të më thoshte “pionieri rebel”.

Fadil Kokomani e kishte në majë të gjuhës fjalën “vlonjati çamarrok”. Mihallaq Zallari më quante “piktor i munguar”.

Mbetesha në vëmendjen e tyre, si më i vogli ndër ta…” “Hasmi i Hrushovit” i traumatizuar fillimisht me masën e ndëshkimit, do të befasohej nga mjedisi ku e syrgjynosën. I futur rishtas midis të dënuarve politikë, do të ndjehej i privilegjuar, madje që ditën e parë. “Unë, çobani i Vajzës, me katër klasë fillore nisa të jetoj, të lexoj, të fle, të këndoj me akademikë të shquar, me ish-ministra, deputetë, gjeneralë, regjisorë, anëtarë të Byrosë Politike, gjykatës, kryeprokurorë.

Një elitë e tërë mbledhur aty. Një lloj fati për mua ky…”. Miqësia me ta, labit të Burrelit do t’i jepte forcën për të shpërfillur mungesën e lirisë dhe kushtet çnjerëzore. Po jo vetëm kaq. Ditë-netët e qelive pak nga pak do të merrnin kuptimin e një shkollimi të veçantë. Mësuesit, si rrallëkund tjetër do të shfaqeshin para tij bujarisht, të duruar e njerëzorë. Mihallaq Zallari, ish-kryeparlamentari i periudhës së luftës, iu afrua miqësisht që ditët e para. I qëndroi mbi kokë siç thotë dhe i kërkoi t’i shfrytëzojë ditët e burgut për t’u bërë piktor.

E ka njohur me emrat e mëdhenj të penelit Mikelanxhelon, Rafaelon, Rembrandin, Pikason dhe e ka ulur të provojë dorën në telajon e improvizuar. Ka vazhduar për ditë e net të tëra me të dhe në fund është ndjerë i lumtur që ka mundur ta bindë penelin me dorën e tij. Ka realizuar të parin por tretin e Lavdies, kushërirës së vet, pastaj atë të babait, të vëllait, të motrës e të familjarëve të tjerë. Me dhjetëra e dhjetëra punime të asaj periudhe ka mundur t’i ruajë si visare të rralla.

Tek çdonjëra, thotë, shquan dorën e mjeshtrit Llazari, pa të cilën nuk do mundte t’i realizonte kurrë. Pjetër Arbnori ka qenë një nga mësuesit e tjerë të Namik Zenelit. Me qetësi dhe durim i ka mësuar frëngjishten dhe e ka dashuruar me kryeveprat e letërsisë. Fadil Kokomani i ka mësuar ushtrimin e isos së polifonisë labe me tastierën e fizarmonikës.

“Isha i ri, fare i ri unë, labi i Burrelit, shprehet ai dhe munda të mësoj prej tyre”. Një armatë e tërë profesorësh ka lënë gjurmë në jetën e tij dhe e kanë bërë të ndjehet krenar, që është shkolluar nga mësues të mëdhenj, nga personalitete të shquara të letrave shqipe…

Dashuria dhe divorci me Moskën në dramën e burrit nga Vajza

“Ku je, o Namik Zeneli?”. Lefteri, njeriu që na shoqëronte për te shtëpia e tij, troket në portën e jashtme dhe në pritje të reagimit na tregon diçka për kushtet e vështira, në të cilat jeton i zoti i saj. Nga brenda dëgjohet një zë i plotë me një timbër të veçantë: “Bujrëm vëllezër!”.

Ulemi pastaj në verandën e ngushtë dhe me kafen e mirëseardhjes përpara mundohemi të mësojmë për jetën e burrit fatkeq, që dikur është kryqëzuar për urrejtje ndaj Moskës. Është një ngjarje e viteve ‘50, të cilën banorët e hershëm të Vajzës e njohin mirë. Ata që e dëgjojnë për herë të parë u ngjan me një legjendë të pabesueshme. Lefteri që na ka folur më herët për të, këmbëngul për ta zbuluar nga goja e të zotit. “Si ta futën, o Namik, vëllai për atë Hrushovin e Rusisë”.

Tjetri, i zënë në befasi, hesht për një moment dhe aty për aty ia kthen me një ton qortues: “Shpatulla të vogla këto të miat për të mbajtur një histori të madhe, o byrazer”. Sakaq, Namik Zeneli njeriu që ka kaluar jetën në ferrin e burgjeve të komunizmit, devijon paksa nga rrjedha e bisedës për motivin e ndëshkimit të dikurshëm dhe sjelpërmbledhtas thelbin e dramës, që për të nuk ka pasur lidhje me Hurshovin e Rusisë.

“Ku unë e ku Hrushovi. Ku Vajza ime, e ku Moska e tij. U desh një përplasje për alibinë e radhës dhe u qep për mrekulli. Mjaftoi kaq dhe…”. Metamorfoza e Namik Zenelit pas kësaj, as më shumë e as më pak, ka ndjekur logjikën e kohës, ku dallon prangosja spektakolare në një moment historik. “Erdhi Hrushovi në Pashaliman, e si lum ne”, kujton me shpoti ai.

“Sigurimi si gjithnjë në punën e vet. Ngjarjet e mëdha pagëzoheshin me krehje të mëdha. Me fushata bile. Radha kishte ardhur te mua. Do vinte patjetër. E ndillte biografia e keqe. Me babain përjashtuar nga partia. Me xhaxhain pushkatuar nga regjimi. Me vëllain burgosur për arratisje. Kaq ishte boll për të prerë biletën e Burrelit…”.

Deri këtu, nga mënyra si kanë rrjedhur ngjarjet për Namik Zenelin kanë qenë normale. Po drama e tij do të vazhdonte edhe pas divorcit me Moskën dhe “pashain” e saj, Hrushovin…

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura