“Kush qëlloi?”- Masakra me 4 viktima, i gjithë shteti në Shkodër më 2 prill, çfarë u bisedua me përfaqësinë e PD-së! Urdhri nga Ramiz Alia për zhvarrosjen e trupave

Apr 3, 2024 | 14:53
SHPËRNDAJE

TANUSH MULLETITANUSH MULLETI/ Në Prill të 1991, një grup i madh përfaqësuesish të institucioneve shqiptare, hetuesë, prokurorë, ministra, deputetë e të tjerë, kryesuar nga sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, profesor Aleks Luarasi, u mblodhën në sallën e madhe të Komitetit Ekzekutiv, ku u zhvillua një ballafaqim ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, qytetarëve shkodranë, Partisë Demokratike, e sindikalistëve.

Grupin e PD-së e drejtonte doktor Ali Spahia, grupin e sindikatës e drejtonte Ferdinand Temali ku ishin edhe forca të tjera politike dhe grupimi i të Drejtave të Njeriut. Aleks Luarasi, në krye të tavolinës, paraqiti ngjarjet e 2 prillit sipas variantit qeveritar. Është djegur Komiteti i Partisë, më vonë janë vrarë e plagosur protestuesit. U tregonte shkodranëve, çfarë ka ndodhur në Shkodër!?! Në këtë situatë me shumë takt e finesë ndërhyn doktor Ali Spahia dhe thotë: “Zoti, sekretar i Përgjithëshëm i Kryemimistrisë, kjo tregon se ju nuk keni informacion të saktë”. Luarasi vazhdoi përsëri me avazin e variantit e qeveritar. Doktor Ali Spahia ndërhyri përsëri: “Zoti, sekretar i Përgjithëshëm, nuk je i saktë”! Luarasi vazhdonte në të tijën. Ali Spahia ndërhyri përsëri: “Nuk është e vërtetë!”, duke vazhduar më tej: “Kjo është një gënjeshtër e madhe e krijuar në zyrat e errëta e institucioneve komuniste”. Luarasi vazhdonte prapë. Doktor Spahia i indinjuar, iu drejtua: “Zoti sekretar i Përgjithshëm, është e turpshme për ju si profesor të paraqisni këtë manipulim monstruoz edhe kriminal që ka ndodhur në Shkodër, ditën për diell dhe e gjithë Shkodra e di të vërtetën. Nuk mbulohet dielli me shoshë”.

Një zë nga salla u dëgjua: “Këta me rrena e kanë nisur tash 45 vjet, me rrena po e përfundojnë”. Ky ishte Fric Radovani. “Nuk kemi çfarë të dëgjojmë! Pallavra?!”, kështu tha dhe Ferdinand Temali. Dolëm përjashta, lamë mbledhjen e ikëm. Nuk kishim më çfarë të bisedonim. E përfunduam detyrimin karshi Qeverisë. Kishte mbetur vetëm Presidenti, Ramiz Alia. Një ditë prej ditësh shkuam në Tiranë për t’u takuar me Presidentin Alia. Sindikata e Shkodrës u kryesua nga Ferdinand Temali, ishte edhe E. Kavaja, nënkryetar i Sindikatave të Shqipërisë, anëtarët e këshillit presidencial: Kiço Blushi, Prof. Rexhep Mejdani dhe Prof. Lufter Xhuveli, Kleanthi Koçi, etj., të i thanë grupit të sindikatës: “Ndihmoni Presidentin, se e keni edhe shkodran”! Ferdinandi ia antarëve të këshillit presidencial: “Ju dhe Presidentit i ka dekë ora, bashkë me Partinë Komuniste”. Në takim Ramiz Alia ndër të tjera na tha: “Hetuesia edhe Prokuroria pretendojnë që, nuk është bërë ekspertiza. E merrni ju përsipër zhvarrimin e tyre?

Bujar Bishanaku, Arben Broci, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka

“Do të mundohemi ta realizojmë këtë kërkesë”, iu përgjigjëm ne.

Sipas Haredin Shyti, libri “Përballë së keqes”, faqe 150- 151, “Ramiz Alia e dinte të vërtetën e ngjarjeve se informacioni i Degës së Punëve të Brendshme kishte ndryshuar rradhen e episodit të ngjarjes. Ai informacion ishte pasqyruar fjalë për fjalë në komunikatën e Ministrisë, i shpjegova se renditja e gabuar ka ardhur nga pakujdesia… ‘E po mbaje me shëndet’, tha Ramiz Alia. Gjatë diskutimeve në zyrën e Aleks Luarasit, gjeta kryetarin e Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, prokurorin e Përgjithshëm Rrapi Mino, etj. Qemali lexoi deklaratën. Ndër të tjera, zvarritja e hetimeve, ishte faji i Policisë”.

Presidenti u shpreh: “Ju duhet të denonconi në Prokurori, që të hapet proçesi”. Mbas disa ditësh grupi i ekspertëve, i përbërë nga profesor Meksi, doktor Çiço, doktor Troshani, Beci e të tjerë si dhe ekspertët e qendrës së kriminalistikës, kryehetues, kryeprokuror të rrethit dhe të shtetit, filluan procesin e zhvarrimit të trupave të vrarë. Për t’u bërë të besueshëm, kishin futur edhe dy përfaqësues të PD-së, Fatmir Bërdica dhe unë si përfaqësues i Sindikatave. Atëherë morëm pjesë në zhvarrimin e trupave të të vrarëve të 2 prillit. Mbas zhvarrimit, Bishanakut iu gjet plumbi në aortë. Plumbi ishte sa një thua gishti. Atë plumb unë e kam mbajtur në dorë. Kameramanit të Ministrisë së Brendshme, një burrë ezmer edhe i shëndoshë, i ra të fikët. Nuk u filmua më. Mbaroi xhirimi me kamera. Disa fotografi i kam bërë unë; më mbrapa ka ardhur për të fotografuar dikush nga kriminalistika. U hap edhe varri i Besnik Cekës. Në shpinë kishte hyrjen e plumbave 13 deri 14 centimetër porsi drejtkëndësh. Nuk iu gjetën plumbat, megjithëse u bë kërkim me metalkërkues. Sipas motrës së tij që ishte mjeke, nga hemorrogjia plumbat mund të kishin dalë bashkë me gjakun. Me gjetjen e plumbit, kryehetuesi Qemal Lame tha: “Tani gjendet edhe arma që është përdorur”. “Si e gjeni ju?!”, e pyeta.

“Ky është ose plumb pistolete TT ose automatiku kinez – u përgjigj ai – nga inventaret që janë bërë, kanë humbur 4-5 automatikë të një modeli tjetër”. Në vijim bëmë një procesverbal me gati 16 faqe edhe nuk na mbeti gjë tjetër veçse denoncimi në Prokurori. Lajmëruam nëpërmjet radios të vijnë dëshmitarë okularë, që kishin parë vrasjet. Në zyrat e Hetuesisë Shkodër, kur firmosëm proces-verbalin kam lexuar relacionet e para për ngjarjen.

Ndër të tjera shkruhej: “Një pjesë e efektivit humbi kontrollin dhe qëlloi mbi turmën”. Efektivat që u përdorën për shpërndarjen me forcë të demonstruesve ishin shumë heterogjen, përbërë nga Grupet e Ndërhyrjes së Shpejtë, policë dhe ushtarë të Repartit “732”, pa ekperiencë. Në një vend tjetër në raportin e datës 8.4.1991 shkruhej: “Një efektiv hapi zjarr në ajër pa urdhër, por pastaj u humb orientimi nga mungesa e veprimeve kompakte, duke sjellë viktima dhe të plagosur. Nuk u përdorën lëndë kimike pasi atë ditë mungonte shefi i kimisë dhe një bërthamë e stërvitur për këtë qëllim”.

Pas ngjarjes u fol për arratisjen e 5 policëve, L.P. nënoficer nga Mnela, P.V., nënoficer nga Boga, F.R. nënoficer nga Grizha, P.O., nënoficer nga Gruemira, N.P., nënoficer nga Klosi, të cilët kanë qenë me shërbim për ruajtjen e Komitetit të Partisë, të rrethit Shkodër. A.L., ekonomist dhe antar i komisionit të inventarizimit, në atë kohë deklaroi në shtyp se gjatë 2 Prillit, janë shpenzuar rreth 59.000 fishekë, shifër kjo që mund të verifikohet. U hap fjala se për humbjen e gjurmëve, organet e sigurimit të shtetit do të digjnin hetuesinë. Atëherë sindikata me në krye Arben Borshi, F. Radovani, F. Temalin, etj., ka organizuar për dy ditë e tre netë, ruajtjen e hetuesisë. Prokuroria dhe Hetuesia në atë kohë ishin në një ndërtesë afër Kullës së Inglizit. Bashkë me Besnik Komin morëm takim me përfaqësuesit e prokurisë dhe hetuesisë.

Sipas këshillës së Presidentit vijmë të denoncojmë masakrën e 2 prillit, iu thamë sapo hymë në zyrat e hetuesisë.

Një drejtues nga Tirana (Hetuesisë ose Prokurorisë) me mbiemrin Leka, i shoqëruar nga kryeprokurori i rrjetit Shkodër, na pyeti:

“Kush e ka djegur Komitetin e Partisë”? Besniku iu përgjigj menjëherë: “Protestuesit! Populli i Shkodrës”! Në vijim të dialogut ai tha: “Dëmi ekonomik arrin në 24 milionë lekë”.

Besniku ia ktheu: “Do t’i bëjmë thirrje popullit të Shkodrës edhe do t’i mbledhim 24 milionë lekët! Kështu bëhet edhe zhdëmtimi”. Ju na gjeni tani, se kush i ka vrarë!, thashë unë. Kemi një muaj e ca që, sillemi përqark me këto ekspertiza. Fjalë, vetëm fjalë. Deri tani, nuk kemi as edhe një gjë konkrete.

“Ju e filluat akuzën gabim, vijoi Besniku. Duhet të na thoshit çfarë keni bërë deri tani më pas të na flisnit për ndërtesën. Ju vutë ndërtesën më me rëndësi sesa jeta e njeriut”.

Atëherë u ngritëm edhe dolëm jashtë. Kur dolëm jashtë, po na prisnin shokët e kryesisë edhe 30 vetë që kërkonin të dëshmonin. E pamë që kjo ishte gjë pa gjë edhe e lamë. Edhe të 30 vetët që donin të dëshmonin u larguan. Si konkluzion ne respektuam të gjitha kërkesat ligjore të shtetit komunist. Ai nuk u përgjigj. Vetëm fjalë, sorollatje dhe sorollatje! Nuk mbeti gjë tjetër veçse greva, veçse greva e urisë. Kryetari i grevës së urisë u caktua Muhamet Gradeci, intelektual me autoritet edhe reputacion.

Sekretari i BSPSH, Shkodër, M. Bardeli dha dorëheqjen edhe hyri në grevë të urisë. Gjithashtu Kryetari i sindikatës, F. Temali, hyri në grevë. Sekretar i grevës mbeti Zefi, por edhe ai ishte i ngarkuar me punë në ndërmarrje. Pak a shumë punën e tij mbulova unë. Një ditë përpara shpalljes së grevës më ngarkuan të marr takim me kryesinë e Sindikatës në Tiranë. Bashkë me një përfaqësues të sindikatës së ish N. Tullave në Shkodër, Mithat Çaku, me një makinë “IFA” të Ndërmarrjes së Duhan – Cigareve, kemi shkuar direkt edhe në Valias. Në sallën e madhe në Valias ishin mbledhur gazetarë e njerëz të tjerë si edhe kryetari i grupit të Partisë së Punës, prof. L. Xhuveli, nënkryetari i parlamentit Lush Përpali, deputet i Partisë Punës edhe disa ministra. Edhe kështu ushtarët e Gardës së Republikës, silleshin përqark. Greva e urisë në Valias sapo kishte filluar.

Kur u kthyem në Shkodër, në mbrëmje ishte organizuar një mbledhje e madhe e sindiktave të rrethit në sallën e Institutit Pedagogjik (sot Universiteti i Shkodrës). Unë u tregova për fillimin e grevës në Valias edhe si paraqitej situata. Të nesërmen filloi greva e urisë në Shkodër. Çdo gjë u paralizua në qytet. Me lejen e komisionit të grevës u lejuan disa shërbime policore, PTT-ja, spitalet, dyqanet e bukës edhe gjërat e domosdoshme. Edhe kryetarja e Komitetit, Terezina Marubi, lëvizte me leje të Komisionit të Grevës. Sheshi para grevës në Piacë, ishte mbuluar nga agjitacioni dhe parrullat tona, përgatitur nga puna profesionale e F. Radovanit. Çdo ditë, populli, pas orës 17:00, mbushte sheshin përpara grevës.

Një imam i ri, çdo ditë të grevës, pas dreke, hipte mbi barakë dhe bënte lutje fetare për mbarëvajtjen e grevës.

Do të kujtoj në të gjithë pishat dhe akaciet ishin vënë të gjithë kafshë allçie nga Shkolla Veterinare, të shoqëuar me emrat e antarëve të Byrosë Politike. Ishte një atmosferë shumë e bukur, një situatë shumë entuziaste. Vlen të kujtojmë solidaritetin e qytetit në përkrahje të grevës, si edhe solidaritetin e fshatrave të rrethit të Shkodrës si psh me insiativën e një grupi përfaqësuesish të Buzëujit, Koplik – të gjithë fshatrat sillnin ushqime të ndryshme si, vezë, djathë, qumësht. Me insiativën tonë vumë një lajmërim: “Kush ka nevojë, t’i marrë këto ushqime, janë falas”. Nuk vinte njeri t’i merrte!

I çuam tek azili i pleqve edhe te shtëpia e fëmijës. Dua të tregoj një episod domethënës, duke ndenjur dezhurn në orën 12 të natës, erdhën dy policë dhe thanë a mund të marrim nja dy kokrra vezë se kemi gjithë ditën pa ngrënë. “Merrni sa të duash”, i thashë. Ato morën nga 4 kokrra vezë, morën pak djathë e qepë dhe ikën. Pas saj erdhi një vajzë, edhe ajo nuk mori më shumë se 4 kokrra vezë, djathë e qepë dhe iku. Më pas erdhi një plakë në moshë e mori nja 30 kokrra vezë. Më e bukura ishte se të nesërmen, vajza e plakës që kishtë ardhë një natë më parë dhe pyeti: “Kush është përgjegjësi këtu?” e më tha; “Shiko, nëna ime ka bërë një gabim dhe ka marrë 30 kokrra vezë”. Jo mor zotni, këto vezë janë për ato që s’kanë, ne e kemi një kafshatë bukë. Populli i Shkodrës, në atë varfëri që ishte, nuk pranonte vjedhjet dhe abuzimet. Me të drejtë të vjetrit kanë thënë: “Peshku qelbet nga koka”. Se kur fillon të vjedhë ai lart, do vjedhin dhe ata poshtë. Meqenëse u bë problem puna e ushqimeve dhe perimeve, menduam se ishte më mirë të grumbullojmë qumësht. Makinat mblidhnin qumësht nëpër fshatra. Për këtë qëllim, kemi shkuar deri në Breg të Lumit, në Dukagjin. Ky qumësht grumbullohej në Fabrikë të Qumështit nën drejtimin e sindikalistit, Ardian Cungut (tani banon në Kanada), që ka bërë një punë të shkëlqyer edhe.

Kemi grumbulluar qumësht sa vendosëm që fëmijëve nga mosha 1-3 vjeç t’u jepnim qumësht falas për tre muaj. Ndërmarrja e Bonifikimit në Shkodër, përveç një automjeti kamion vuri edhe autobusin e punëtorëve në dispozicion të studentëve edhe qytetarëve që kishin nevojë për të shkuar në spital në Tiranë, pa shpërblim. Autobuzi nisej në orën 9 dhe kthehej pasdite në orën 16:00. Pas kësaj, filluan të vinin ndihma nga rrethet e tjera dhe nga jashtë. Mbas një muaj greve në një mbledhje të madhe të sindikatave të Shqipërisë, edhe përfaqëuesit e rretheve të tjera kërkuan të veprohet ashtu sipas kërkesave të sindikatave të Shkodrës. Para këtij fakti grupi shkodran me kryetar Muhamet Gradeci, vazhdonte grevën duke dhënë dhe intervista për “Radion Shkodrës” dhe për radiot e huaja, korrespondentëve që kishin ardhë nga gjithë bota. Nga ndihmat financiare që, erdhën edhe nga rrethe të tjera me shpenzimet tona kemi çuar në Hungari të plagusorin Çlirim Bajri, që mbeti invalid pa krah për jetë. Të gjithë të plagosurve u kemi dhënë shpërblim financiar modest, që u shpërndanë nga M. Bardeli, T. Mulleti dhe P. Pepa, i Uzinës së Telave. Listat përfundimtare të të vrarëve edhe të plagosurve nga shkopinjtë e gomës i kemi marrë nga avokat Gjoleka, që bashkëpunonte me regjisorin Kujtim Çashku, si përfaqësues i Komisionit të Helsinkit. Gjithësecili kishte kartelën e vetë me fotografi, me ngjyra.

Në grevë ishte edhe vëllai i dëshmorit, Arben Broci, gjimnazist 17 vjeçar, që u përkeqësua edhe dy-tre herë e dërguam në spital, me rrezik për jetën. Bashkë me Fricin, e bindëm nga ora dymbëdhjetë e natës, të lërë grevën me konditë që nëna e tij të shkonte të fliste në stadiumin “Dinamo”, në Tiranë. Mbajti një fjalim shumë prekës, e shoqëruar nga Fric Radovani, ing. Fatlum Nurja dhe kryetari i BSPSH doktor ing. Gëzim Shima.

Kam parë me sytë e mi një gjimnazist 17 vjeçar, Harris Morina, që i ka hyrë plumbi në gjoks e i ka dalë nga mbas shpinës. (Kur e kam takuar pas 20 vjetësh, ishtë bërë 1.85 cm i gjatë dhe me peshë rreth 100 kg…! Fati i njeriut). Ditën e dytë të grevës, Viktor Martini, i burgosur politik me disa adoleshentë hoqën bustin e Leninit te lulishtja afër zjarrfikëseve edhe e çuan në mes të qytetit (në qendër të Piacës).

Njerëzit i hidhnin kopertona biçiklete në qafën e bustit të Leninit. Gjatë kësaj kohe një punë të lavdërueshme kanë bërë grupi i informacionit “Radiotelevizioni”, “Zëri i Amerikës”, RAI dhe gazeta të tjera. Qeveria u paralizua krejtësisht. Autoriteti i sindikatës së Shkodrës ishte bërë model ptë gjithë BSPSH.

Qeveria nuk mund të rezistone më. U bënë shumë ndërhyrje që greva të mbyllej, pa pyetur ne, këtë punë sabotuese e mori përsipër, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Valter Xheka. Xheka doli në televizor dhe tha: “Kur të them unë, do të mbyllet greva”. Ferdinand Temali, me vendosmëri iu përgjgj: “Kush je ti që mbyll grevën? Grevën e mbyllim ne që po e bëjmë, jo ti”. Kështu filluan përplasjet Brenda BSPSh-së.

Sindikata e Tiranës, kishte shmangur inxhinierin e mineraleve radioaktive, Gëzim Shima, i cili kishte ardhur dhe kishte përshendetur grevën, kurse të tjerët nuk ishin prononcuar.

Si përfundim, pas shumë debatesh, të gjitha rrethet ia lanë Shkodrës të vendoste nësë do mbyllej apo jo greva. U mblodhëm në Kryesinë e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. Në zyrat e tyre ishin edhe ambasadorët e përfaqësive të huaja: Rajerson, T. Cardili, gazetarë të huaj, etj. Aty erdhi dhe Skënder Gjinushi, Abdi Baleta, etj. Të gjithë pretendonin se greva duhej të mbyllej se po kalonte në katastrofë. Ben Afizi deklaroi: “Po çfarë do i themi Shkodrës? Kemi bërë një muaj e sa grevë urie, e ça fituam?”. Atëherë Muhamet Gradeci tha: “Ne do të mbyllim grevën me dy kondita: qeveria të japi dorëheqjen dhe zgjedhjet e përgjithshme që duhet bëhen në vitin ’95, të zhvillohen në vitin ’92”. Ata e pranuan menjëherë këtë propozim edhe përfaqësuesit e qeverisë po ashtu. Me këtë përfundim u kthyem si fitimtarë në Shkodër.

Pas mbledhjes, bashkë me B. Hafizi, ishim afër zyrës së kryeredaktorit të gazetës “Sindikalisti”, Vangjel Kozma. Aty ishin mbledhur disa gazetarë të huaj si dhe Ambasadori Rajerson. Më kujtohet se Rajersoni ishte shumë i gëzuar dhe entuziast. që u mbyll greva. U çudtiëm. Aty ishte Dervish Duma, gazetar i gazetës “Sindikalisti”, si dhe përkthyesi i tij Sokol Muça. Ky i fundit ishte përthyes i amerikanëve dhe shoqëronte gjithmonë amerikanin sindikalist Donald Shajmer. Ben Hafizi e pyeti ambasadorin: “Pse je kaq i gëzuar”?! Ambasador na e ktheu: “Nëse s’do ishte mbyllur greva, unë nesër do të isha në Ëashington (bëri shenjë me dorë)”! Kjo bisedë u bë duke qeshur dhe ing. F. Nurja tha po me të qeshur: “Kjo do të thotë se nëse s’është i zoti të mbyllë një grevë të sindikatës së Shqipërisë Ambasadori i shtetit më të fortë, çfarë bën në Tiranë?”.

Bashkimi i Sindikatave e kreu detyrën e vet morale dhe ligjore duke filluar nga poshtë lart deri tek presidenti për zbardhjen e të vërtetës për vrasjet e 2 Prillit dhe dënimin e tyre. Për herë të parë në historinë botërore, një qeveri komuniste-staliniste u dorëzua dhe u tërhoq nga drejtimi absolut i shtetit nga greva e përgjithshme paqësore e organizuar nga Bashkimi i Sindikatave. Kjo është merita kryesore, vendimtare e Bashkimit të Sindikatave. në qoftëse Levizja Studentore solli pluralizmin politik, Greva e Përgjithshme e Sindikatës solli votimet e lira të vitit ’92 dhe përshpejtimin e ardhjes së Lirisë dhe Demokracisë drejt integrimit europian. Në rast se zgjedhjet do bëhëshin në ’95, Partia e Punës mund të prodhonte president Lukashenko të përjetshëm.

Këshilli Sindikal i Degës Shkodër ka një meritë të veçantë, se u bë shëmbull në të gjithë Shqipërinë dhe në botë nëpërmjet radiove, televizoneve, rrjeteve sociale, etj.

Gjej rastin të përmend se ky Këshill përbëhej nga: Kryetar – Ferdinand Temali; sekretar – Arben Borshi; Anëtarë – Muhamet Gradeci, Fritc Radovani, Lela Zorba, Marina Rraposhta, Beniamin Hafizi, Ing.Fatlum Nurja, Mark Bardeli, Besnik Komi, Paulin Pepa, Naim Dividi, Skënder Strica, Ing. Agron Sykja, Halit Haziz Rrustja, Ing. Fatmir Dragoti, Besnik Bekteshi, Xhelal Fejza, Qazim Lika, Namik Mehmeti, Dr. Ramiz Hafizi, Ing. Ndrek Radovani, Smajl Kurtmema, Dr. Nard Shira, Beniamin Ademi, Bep Laloshi, Zef Preçi, Bajram Agovi, Tanush Mulleti, etj.

Është detyrim moral dhe historik që Bashkia e Shkodrës të vendosë një tabelë kujtese ku u zhvillua greva e urisë e sindikalistëve që rrëzoi Partinë Komuniste dhe përshpejtoi proceset demokratike. Një pjesë e mirë e Këshillit Sindikal duhet të nderohet me titullin “Nderi i Shkodrës”, së paku për ato që e drejtuan si: ♦ Ferdinand Temali; ♦ Muhamet Gradeci; ♦ Fritz Radovani; ♦ Lela Zorba; ♦ Marina Rraboshta; ♦ Ing. Agron Sykja; ♦ Etj.

Me respekt të veçantë duhet kujtuar kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, ing. Gëzim Shima, themeluesi kësaj sindikate që u prit nga Sekretari i Shtetit Amerikan James Barker më 22 qershor ’91 dhe nga Zëvendëskanceilari dhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë Hans Dietrich Genscher më 16 dhjetor ’91.

Përfaqësuesit e Sindikatës, Dega Shkodër, janë pritur me nderime nga autoritetet shtetërore dhe sindikatat përkatëse në Romë, Vjenë, Pragë, Berlin, etj., për kontributin shembullor të dhënë në formë paqësore për rrezimin e regjimit komunist.

Ngjarja e 2 prillit duhet analizuar thellë. Unë i tregova siç i kam parë me sytë e mi dhe përjetuar personalisht. Të tjerët duhet të shkruajnë vetë, të tregojnë atë që se kam parë unë. Unë marr përsipër dhe i dal zot gjërave që kam parë unë dhe i kam përjetuar vetë. Për një gjë jam i sigurtë, që nuk do t’i përgjigjem disa artikujve e botimeve të kujtimeve që kanë dalë këto vitet e fundit për 2 prillin dhe Gjyqin e zhvilluar për atë ngjarje, as Eduart Përjakut që ka shkruar për ngjarjen, as avokat Nazif Bezhani që ka shkruar “Vrasja e shekullit”, artikujve të kryehetuesit Qemal Lames, dhe ekspertëve E. Myftarit, N. Tozaj etj. (që akuzojnë direkt Policinë). Vijon…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura