Kush përfiton nga situata e tensioneve me Greqinë

Apr 2, 2024 | 21:39
SHPËRNDAJE

Agim-Nesho-1NGA AGIM NESHO

Rama erdhi në pushtet për të thyer linjat tradicionale të politikës së jashtme të Shqipërisë, mbrojtjen e interesave kombëtare dhe fqinjësinë e mirë në bazë të interesave reciproke të vendeve. I bindur për rolin e tij të misionarit në histori, ai theu linjat e politikës së jashtme të integrimit Europian, ridimensionoi marrëdhëniet me Italinë dhe Greqinë, duke i dhënë një rol të ri aksit të veprimit Beograd-Ankara, si faktorë të rinj të paqes dhe stabilitetit ballkanik në rajon. Aq i paqartë ishte në politikën e jashtme, sa huazoi menjëherë doktrinën neo-otomane të Erdoganit ‘zero probleme me fqinjët’, një doktrinë me strategji të qartë në rikthimin e Perandorisë neo-otomane në Europë. I etur për protagonizëm dhe lavdi, por i paaftë për ti realizuar ato, ai vrapoi të bëhej pjesë e skenarëve serbo-rusë të ndryshimeve gjeostrategjike në Ballkanin Perëndimor, si ndryshimi i kufijve dhe Ballkani i Hapur, të cilat conin në rritjen e dominimit serb në Ballkan. I paepur për të merituar bekimin e Vucic si ‘lider global’, atij i nevojitej statura e një patrioti të flaktë, që bashkonte shqiptarët në gjithë trojet e tyre, kërkonte njohjen e Kosovës brenda në Beograd dhe zhvillonte një propagandë pro bashkimit Shqiptar. E gjithë kjo veprimtari dukej se pëlqehej nga nacionalistët e rinj serbë të Beogradit, për të realizuar skenarin e tyre të paqes së madhe ballkanike midis shqiptarëve dhe serbëve, për të bërë një aleancë të tipit Francë-Gjermani dhe për të mbetur faktorët kryesorë politikë që do të përcaktonin të ardhmen e rajonit. E gjithë kjo lëvizje politike qëndronte në goditjen e Kosovës, ndarjen e saj dhe realizimin e strategjisë serbe për të marrë dicka nga Kosova. Por marrëdhëniet tepër të ngushta dhe vasaliteti ndaj projektit të Beogradit, një projekt i përkrahur dhe nga Fondacioni Open Society, e vinte Ramën në pozita mosbesuese para opinionit publik Shqiptar. Atij i duhej një ‘armik i jashtëm’, ku me qëndrimet e tij të nxiste nacionalizmat e së kaluarës dhe të shpaloste retorikën patriotike. Dhe kjo ishte Greqia. Politikat shoviniste në të kaluarën, retorika për Vorio-Epirin që vazhdonin të artikulonin grupe të caktuara nacionaliste në Greqi, operacionet ‘fshesa’ ndaj emigrantëve, cështja came, ekzistenca e ligjit të luftës e bënin Greqinë një target të lehtë për të ndezur zjarrin e nacionalizmit në Shqipëri dhe projektuar Ramën si një lider patriotik. Prandaj Rama përdori ‘patriotizmin’ e tij për marrëveshjen e detit midis Shqipërisë dhe Greqisë, letrën patetike për t’ju treguar grekëve rolin e madh të shqiptarëve dhe arvanitasve në krijimin e kombit të tyre që u shoqërua me një ftohje të marrëdhënieve midis dy vendeve. Retorika nacionaliste e Ramës bëri të zbehej roli i rëndësishëm i Greqisë së sotme demokratike, anëtar i BE dhe NATO-s, mbajtës dhe mikpritës të mbi 70,000 shqiptarëve të cilët gjetën strehë në kushtet e vështira të tranzicionit demokratik të Shqipërisë në vitet ’90. Politika të tilla acaruese me Greqinë i përkonin Ramës, jo vetëm për staturën e tij ‘patriotike’ por edhe për të shprehur devotshmërinë e tij ndaj mentorit të tij Erdogan dhe politikave të tij ndaj Greqisë. Për më tepër që poli i tij i pushtetit në Ballkan, i krijuar me kujdes me Vucic, mund të kishte një kundërshtar potencial sic ishte Greqia demokratike dhe anëtare e NATO-s, duke e ditur qartë që nuk ndanin të njëjtin vlera.

Me kalimin e kohës Rama kuptoi që politika e tij e jashtme e mbështetur në aksin Beograd-Ankara mund ta conte atë në rrezikimin e pushtetit të tij personal. Serbia vazhdonte politikat e saj pro-ruse dhe bashkëpunimi i saj i ngushtë me Moskën po e bënte atë gjithmonë e më të pabesueshëm për Perëndimin. Erdogani gjithmonë e më shumë po kërkonte të shtrinte influencën e tij në Ballkan duke u shkëputur nga Perëndimi për të krijuar Turqinë si një fuqi të re rajonale që punonte për interesat e saj. Ky pozicionim i ri i Turqisë shtoi vëmendjen e Perëndimit ndaj Greqisë për ta fuqizuar atë si avantposti i Bashkimit Europian në kufijtë juglindorë të Europës. Dhe kjo vëmendje e Perëndimit nuk shkoi kot për kameleonin politik Rama që ta ofronte një marrëveshje të re me Greqinë. Ai vrapoi të njihte shtrirjen e detit territorial me 12 milje nga Greqia, pa menduar thellë se kjo po prekte pasurinë nëntokësore detare për Shqipërinë si dhe në mënyrë të njëanshme dhe të pajustifikuar kërkoi që marrëveshja e detit të shkonte në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë pavarësisht se të drejtat e detit për Shqipërine mund të dëmtoheshin rëndë. Ai premtoi cdo gjë si një monark i pashpirt i Shqipërisë për tu bërë i pranueshëm për grekët. Dhe Grekët besuan si naivë lojën e Ramës, besuan që ky ishte njeriu i politikave të hapura, që marrëveshjet ja kishin penguar Presidenti Meta dhe nacionalistët shqiptarë. Ata u entuziazmuan dhe i hapën ekspozita për vizatimet e tij mediokre në zemër të Athinës, me pjesëmarrjen e gjithë qeverisë greke. Më vonë kryeministri Mitsotakis viziton Shqipërinë dhe Rama si ‘patriot i thekur’ e shoqëron në Himarë dhe ju prezanton dropullitëve se do të vendosë bustin e kryeministrit Mitsotakis në qendër të Dropullit. Por loja e Ramës ndaloi me zgjedhjet në Himanë dhe rrëmbimin e kandidatit të zgjedhur Beleri në burgjet e Shqipërisë. Aventurieri politik Shqiptar, që ju ofroi grekëve cdo pasuri të detit Shqiptar, mori pozicionin e mbrojtësit të drejtësisë, të funksionimit të shtetit ligjor në një kohë që të gjithë e dinë se në Shqipëri shteti është i kapur dhe drejtësia nën regji.

Po pse Rama mori një kthesë të tillë të fortë duke u shitur prapë si patriot? Sigurisht në radhë të parë janë interesat e prekura të klepto-oligarkisë të lidhur me të për shfrytëzimin e bregdetit Shqiptar dhe përfitimeve maksimale prej tij. Së dyti, Rama kërkonte të gjente një shtet për të penguar avancimin e Shqipërisë drejt BE, në një projekt që është i papranuar prej tij nga detyrimi që duhet të japë llogari dhe të bëjë transparencë për dhënien pa fre’ të pronave publike dhe keqmenaxhimin e fondeve financiare. Koncesionet për asetet strategjike të vendit kishin kohë që ju jepeshin në mënyrë preferenciale vendeve jo të BE-së dhe mbretërive arabe. Rama e dinte që në diskutimin e kapitujve do të shikohej që Shqipëria nuk plotësonte asnjë kusht të një demokracie funksionale. Rama është nga ata autokratë që gënjen me lugë të zbrazur Perëndimin, por vetëm bën klientelizëm me shtete që mund të rrezikojnë pushtetin e tij, si marrëveshja për afganët me SHBA, marrëveshja me Melonin, etj. Ai kërkon të blejë influencë dhe heshtje, por ka treguar se nuk do ta bëjë pjesë të Perëndimit Shqipërinë. Ai pret në heshtje ndryshimin e situatës gjeopolitike në botë për të vazhduar projektin e tij të përbashkët me Vucic dhe për ta kthyer Ballkanin Perëndimor në një zonë të hapur influencash për fuqitë botërore. Ky projekt i siguron atij pushtet të përjetshëm.

Lidhur me Greqinë, cështja parimore që ajo ngre për zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe moslejimin e betimit të Belerit është e pamjaftueshme. Ajo ka rënë pre’ e lojës për pushtet të Ramës dhe kërkon ta thyejë atë me presion për të marrë prej tij lëshime. Greqia e ka informacionin dhe duhet të kuptojë që Shqipëria e regjimit të Ramës nuk është një shtet demokratik dhe si e tillë nuk mund të presësh vecse politika konjukturale. Greqia, përpara se të protestojë për arrestimin e Belerit, duhet të ngrejë zërin në Bruksel dhe Washington se Shqipëria është kthyer në një regjim putinesk, ku lideri i opozitës është arrestuar pa akuzë konkrete, ku drejtësia mbetet e influencuar nga politika, zgjedhjet manipulohen në favor të pushtetit dhe shteti i së drejtës nuk funksionon.

Greqia duhet ta kuptojë se pa ndihmuar Shqipërinë në rikthimin e demokracisë ajo nuk fiton as cështjen Beleri, por rrezikon në të ardhmen sigurinë e saj dhe të Perëndimit duke e vendosur veten si sanduic midis regjimeve autokratike që mund të sjellin cdo të papritur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura