Kush e sundon botën? Moda e librave që zbulojnë të padukshmen

May 9, 2011 | 14:18
SHPËRNDAJE

Ndërsa mendon se je i “qartë” për çfarë të rrethon, mjafton një shkëndijë për të prishur balancat. Po kush e drejton botën? Janë udhëheqësit botërorë ca marioneta në duar të fuqive madhore, a ka pas tyre shoqëri të fshehta? Po në sistemet e tjera yjore, a ka jetë? Janë 1001 pyetje që të vërdallisen në kokë, pa mundur të gjesh përgjigje. Këtë gjendje paqartësie e nxisin jo pak botimet e shumëllojshme, që së fundi kanë filluar të mbushin edhe tregun shqiptar të librave. Viteve të fundit, disa shtëpi botuese shqiptare e kanë kthyer vëmendjen e tyre kah botimit të një kolane të veçantë librash që lidhen me të padukshmen, me të mistershmen, me atë që fshihet pas asaj që ne e quajmë “e zakonshme” apo “normale”. Autorë të ndryshëm hedhin lloj-lloj idesh mbi mënyrën se si qeveriset globi, nxjerrin lloj-lloj formulash, makinacionesh, konspiracionesh. Ca bazohen në gjuhën e simboleve, ca të tjerë në analiza të së tashmes drejt së ardhmes. Po a lexohet kjo lloj literature, çfarë e tërheq lexuesin drejt saj dhe në fund të fundit, a duhen besuar këta libra? Më mirë për këtë mund të orientojnë vetë botuesit, ata që morën iniciativën për të sjellë në shqip këta libra. Dy nga shtëpitë botuese që botojnë më së shumti këtë lloj literature janë “Bota shqiptare” dhe “Helga’s Secrets”.

Flet Alfred Cako, botuesi i “Helga’s secrets”

“Historia e njerëzit, një ajsberg, të zbulojmë ç’fshihet nën ujë”

Alfred Cako, përfaqë sues i shtëpisë botuese “Helga’s Secrets”,
thotë se e ka mbështe tur veprimtarinë botuese, kryesisht në këtë kolanë. Sipas tij, lexuesi i kësaj literature sa vjen dhe rritet.  Si e filluat rrugën si botues dhe përse nisët të botonit serinë e librave që lidhen me “mistere”, të tipit ufo, shoqëritë e fshehta, e ardhmja… etj.?
Kam rreth 20 vjet që e studioj nonfictionin. Më duket se dallimi midis fictionit dhe nonfictionit është si ndryshimi midis dy pikturave me stil romantik të engjëjve të Botiçelit (gjithsesi të bukur) nga njëra anë, dhe disa qiellgërvishtësve të ndriçuar në një natë pa re me yjet rreth e rrotull e me një stil kubist, një Kandinsky – apo dallimi midis një filmi me Fernandelin dhe një filmi si Star Trek 2009. Në fillim i propozova një mikut tim të një shtëpie tjetër botuese librin e parë kryesor të konspiracionit në shqip me 2007, të përkthyer nga unë dhe ai libër ndoshta është bestseller ende në shqip. Dhe kështu mendova se “përse të mos e provoj vetë dhe ta sfidoj e grish një grup modern lexuesish drejt shkrepave moderne të nonfictionit në gjuhën shqipe?”. E theksoj, në gjuhën shqipe, pasi misteri dhe okulti që janë shumë të vjetra gjetiu, tek ne nuk ka qenë i ushtruar prej shekujsh, me përjashtim ndoshta të lashtësisë, si në Dodonë apo në shkollat e vjetra të misterit në ishujt dorikë e Jon, për të cilat flet i madhi Albert Pike dhe ku s’përjashtohen të kenë qenë aktivë edhe ilirët, te cilët më pas u shkëputën për shkaqe historike nga këto praktika të mistereve e okultit që vinin si dritë nga një e panjohur e lashtë.
Ç’kriter ndiqni në përzgjedhjen e librave që botoni, sepse autorë që shkruajnë mbi të tilla tema ndoshta janë shumë, çështja është sa të besueshëm janë ata…
Meqenëse kam filluar prej vitesh ta studioj këtë lloj gjinie, mendoj që e njoh se cili është ‘flori’ e cili është ‘bakër’. Për ta shprehur më qartë për lexuesin tradicional në Shqipëri, i njoh autorët më të rëndësishëm që rrokin temat e nonfictionit, të cilët janë Shekspirët, Balzakët, Dostojevskët, Drajzerët, Nerudat e kësaj gjinie. Temat më të diskutueshme midis virtuales e realitetit të nonfictionit natyrisht që janë konspiracioni dhe okulti. E para ka lidhje më tepër me të fshehtat e njerëzve apo grupeve të fuqishme, të cilat synojnë të arrijnë sa më shumë fuqi ekonomike e politike nëpërmjet konspirimit dhe ilegjitimitetit. E dyta është më shpirtërore, por lexuesi i saj i pastërvitur e ka të vështirë të përtypë fusha të tilla, si astrologjia, numerologjia, alkimia, kur njerëzit njohin nga arsimimi i tyre shkencat njerëzore të ngjashme me to si astronomia, matematika dhe kimia. Dallimi midis tyre është se të parat vinë të marra apo të shpallura si edhe librat e shenjtë dhe të dytat janë zhvilluar dora-dorës nga njeriu. Të parat madje kanë humbur disa prej kuptimeve të tyre të fshehta nga kalimi i viteve e shekujve dhe prej shkatërrimit të rrjeteve okulte që i kanë studiuar ato në epoka të caktuara. Po kështu, e afërt me okultin është edhe tema e misterit, që ka lidhje me ufologjinë, hierarkinë e mundshme qiellore e tokësore, vizitat dhe lidhjet historike midis origjinave të njeriut dhe jashtëtokësorëve në periudha të caktuara, për të cilat flet aq shumë Dhiata e Vjetër. Ndërsa me shumë degë të tjerë të trajtuara nga nonfictioni i “Helga’s Secrets”, siç janë ekonomia, filozofia, diplomacia, memuaristika, historia, shkenca dhe teknologjia, lufta kibernetike, religjioni etj, nuk besoj që ka shumë probleme, pasi njerëzit janë pak më të familjarizuar me këto tema.
Sa i interesuar është lexuesi për këtë kategori librash dhe përse?
Në përgjithësi kjo temë ka qenë shumë pak e lëvruar dhe ka një pjesë mendjehapur të lexuesve, të cilët nuk mund të qëndrojnë dot në rresht dhe nuk mund të manipulohen nga shumë idiotësi zyrtare të trajtimit të ngjarjeve dhe të fenomeneve të ndryshme historike e shoqërore apo shpirtërore e religjioze. Nisur nga parimi se monopolin e së vërtetës shpirtërore e materiale e ka vetëm “Gjeometri i Gjithësisë”, si dhe nga fakti se historia e njerëzimit ngjan me një ajsberg që e fsheh shumicën e masës së vet që i përcakton drejtimin e lëvizjes, mendoj se askush nuk mund të pretendojë se vetëm trajtimi tradicional është definitiv dhe s’ka asgjë të re për t’u trajtuar. Në këtë prizëm të ngjarjeve, aktualiteti po na ballafaqon me një brez kryesisht të ri – po jo vetëm të ri – i cili e kundron këtë realitet në mënyrë moderne, pra sipas qasjes së nonfictionit. Dhe numri i këtij lexuesi sa vjen e rritet.
Edhe shtëpi të tjera botuese janë të tërhequra nga këto tema, sa e fortë është konkurrenca mes jush?
“Helga’s Secrets” është e fokusuar totalisht te nonfiction-i. Mund të ketë edhe të tjera shtëpi botuese që janë joshur rastësisht nga kjo gjini e letërsisë, por ato deri më sot kanë qenë të fokusuara te letërsia fiction. “Helga’s Secrets” është një shtëpi botuese e re me karrierë më pak se dyvjeçare mbi shpatullat e saj, por ajo ka hyrë në treg me një agresivitet relativ dhe me një ofertë risi për lexuesin, si nga përmbajtja, ashtu edhe nga pamja e librave të saj. Përmbajtja, siç e thamë, është nonfiction book, ndërsa pamja e kopertinave të librave të saj dallohet nga librat e shtëpive të tjera prej ngjyrave bardhë e zi që mbizotërojnë në kopertinë, si dhe prej formatit standard. Unë këtë lloj gjinie kam vite që e studioj dhe mendoj se e njoh, kështu që nuk do ta kem të vështirë ta përballoj konkurrencën për mbijetesë, nëse ajo një ditë do të vijë e ashpër. Megjithatë, mendoj se ka vend për të gjithë dhe konkurrenca vetëm sa e përmirëson cilësinë e përzgjedhjes si edhe atë të librit, por ul edhe çmimin e tij në interes të lexuesit.

Flet Genti Gjonaj, përfaqësuesi i “Bota shqiptare”

Për Genti Gjonajn, përfaqësues i shtëpisë botuese “Bota Shqiptare”, librat që ai boton nuk ofrojnë të vërtetën absolute, por ama një botë të panjohur më parë nga lexuesi…
Si ju lindi ideja për të botuar kolanën “Të vërtetat e fshehura”?
Shtëpia botuese “Bota Shqiptare” në veprimtarinë e saj botuese ka rrokur e rrok hapësira të gjera, ku pa dyshim përfshin autorë të shquar të letërsisë botërore, qofshin këta klasikë apo bashkëkohorë, pa bërë përjashtim edhe autorë shqiptarë më në zë të kohës. Në fondin e botimeve të “Bota Shqiptare” renditen mbi 300 tituj, ku të klasifikuar sipas llojeve, mund t’i ndajmë në disa kategori: autorë vendës, letërsi europiane, letërsi amerikane, nobelistë, biografi, kujtime etj. Kolonat më të rëndësishme të “Bota Shqiptare” janë: Autorë bashkëkohorë; Biografi të shquara ; Biblioteka universale; Histori&Dossier; Shqiptarët në syrin e të huajve; Kolana “Të vërtetat e fshehura”. Kjo e fundit është një ndër kolanat më të suksesshme të botimeve “Bota Shqiptare”, ku përfshihen mbi 20 tituj të autorëve nga më të shquarit në botë. Motoja e këtyre botimeve, nga më të suksesshmet është thënia e Benxhamin Dizraelit (kryeministër anglez) se: “Bota qeveriset nga personazhe krejt të tjerë nga ata që mendohen, personazhe të cilët veprojnë në fshehtësi”. Duhet përmendur libri “Kush e sundon botën?” Jim Marrs, botim që hapi serinë e kësaj gjinie pothuajse ose aspak të panjohur nga lexuesi ynë. Themi pothuajse sepse një pjesë e mirë e të rinjve, njohës të gjuhëve perëndimore kanë tentuar individualisht të njohin këtë zhanër të letërsisë dokumentare.
Si është pritur ajo nga lexuesi dhe ku qëndron interesi?
Është një letërsi që u mirëprit dhe u pëlqye nga lexuesi. Libra si “Kush e sundon botën?”, përkthyer me mjeshtëri nga Aurel Manushi (katër pjesë) dhe pjesa e fundit nga A. Cako, bestseller ndërkombëtar, shumë shpejt u kthye edhe në bestseller shqiptar.
Po kështu “Të fshehtat e Masonerisë”, shkruar me shumë vërtetësi autentike nga një ish-mason i lartë (Laurence Gardner) e me radhë “Konspiracioni Botëror” dhe “Sekreti më i madh” i David Icke që shquhet për trajtesat e veta tepër interesante dhe faktet tronditëse që i servir lexuesit. Edhe këta libra janë thithur nga lexuesi në masë të konsiderueshme. Pra, është një letërsi dokumentare me vlera të spikatura realiste, me informacion të shumtë dhe interpretime shkencore. Faktet, ndodhitë dhe ngjarjet që përshkruhen janë tronditëse. Është një letërsi që trajton çështje që kanë të bëjnë me sekrete qeveritare, me histori dhe besime të fshehta, me shoqëri sekrete, me sekretet e pasurisë të pushtetit dhe të kontrollit, sekrete që asnjëherë nuk janë përmendur në tekstet e historisë dhe që nuk janë zënë asnjëherë në gojë nga mediat. Ato shpalosin para lexuesit një botë të re të panjohur më parë.
Sa të besueshëm janë këta libra?
Autorë si David Icke, Texe Marrs, Jim Marrs etj. janë prof. universitetesh nga më të shquarit të Universiteteve të Amerikës dhe Britanisë. Pra, janë libra që sjellin tek lexuesi një informacion të bollshëm në sasi dhe cilësi, por që të krijojnë mundësinë, ashtu si pretendojnë edhe autorët, zgjedhja mbetet në dorë të lexuesit. Këta nuk janë libra që imponojnë të vërtetën absolute, por mundohen të zbardhin shumë ndodhi, episode dhe ngjarje të ndodhura në botë, për të cilat lexuesi masiv ka pasur vetëm një mundësi njohjeje, atë të informacionit zyrtar. Ky këndvështrim i ri e bën këtë lloj letërsie dokumentare tepër të pëlqyer dhe të mirëpritur. Kjo lloj letërsie shërben si bazë e mirë për letërsinë fiction. Është një letërsi që hap alternativë mendimi dhe e bën lexuesin të gjykojë me mendje të kthjellët. Ka prurje të mëdha informacioni alternative, larg shablloneve të zakonshme edhe gjykimeve stereotipe. Janë libra të shkruar bukur dhe me gjuhë ekspresive. Është jo vetëm letërsi e shkruar, por ka edhe shumë filma dokumentarë (fitues çmimesh ndërkombëtar) që merren artistikisht me këtë temë. Admiruesit e kësaj letërsie janë lexues të formuar, studentë ose të rinj të diplomuar në universitete perëndimore, pa lënë mënjanë edhe lexuesin klasik.
Shumë nga problemet dhe ngjarjet që prekin këta libra tashmë janë botuar nga Wikileaks. Kështu, numri i skeptikëve ndaj kësaj letërsie është ulur në maksimum dhe numri i lexuesve është rritur.
Edhe shtëpi të tjera botuese, po e lëvrojnë këtë gjini, ndihet konkurrenca?
Fakti që shumë shtëpi botuese “lulëzojnë” si kioskat dhe shuhen nga “fadroma” e vlerave, tregon se edhe në këtë hapësirë përpjekjet për të përfituar nga rruga që kanë hapur të tjerët, është evidente. E rëndësishme është profesionalizmi, përzgjedhja e autorëve për çdo lloj gjinie, përkthyes profesionistë, përgatitja për botim me nivel të arrirë, prurja në shqip brenda standardeve të gjuhës shqipe. Botues mund të ketë shumë, profesionistët ngelen. Pra, në këtë aspekt konkurrenca nuk përbën asnjë problem, sepse bota e letërsisë është e madhe, hapësira për të kontribuar në të është e pamasë, mbetet vetëm dëshira dhe përkushtimi për t’i dhuruar lexuesit vlera.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura