Kuratorja e ekspozites Elona Xhepa: Përse bëhen martesat shqiptaro-serbe

Apr 9, 2013 | 15:21
SHPËRNDAJE

Një ekspozitë fotografike e realizuar nga Elona Xhepa dhe Katarina Gajic hedh dritë mbi një fenomen në rritje. Gjithnjë e më shumë vajza nga Veriu i Shqipërisë po martohen me djem nga fshatrat e Jugut të Serbisë. Disa përmes një agjencie martesore që rregullon këto lloj martesash, të tjera me mblesëri. Elda Gega, njëra prej tyre, tregon për eksperiencën e saj

Sot, për shkak të emigrimeve që kanë ndodhur këtu e 23 vite më parë, askujt nuk i bën çudi as bashkëjetesa e as martesa e dy njerëzve të kombësive të ndryshme. Ka nga ata që i lakmojnë, ka të tjerë që i paragjykojnë. Në çdo rast, zgjedhja i takon gjithsecilit. Edhe atëherë kur lidhjet krijohen për shkak të fluturave në stomak, edhe atëherë kur rrjedhën e jetës ta diktojnë kushtet. Martesat mes vajzave shqiptare dhe burrave serbë janë bërë kryesisht si pasojë e rastit të dytë, të kushteve të jetesës. Ekspozita e hapur pak ditë më parë në Akademinë e Arteve nga Elona Xhepa dhe Katarina Gajic, përmes fotografive dhe teksteve të shkurtra, dëshmon copëza jete të këtyre lidhjeve të reja që po sjellin në jetë edhe fëmijë. Se si lidhen njerëzit e këtyre dy vendeve në martesë, si takohen e çfarë i bën bashkë, na i tregon njëra prej anëtareve të projektit, Elona Xhepa, ajo që ka mbuluar edhe pjesën e shkrimeve e raportimeve të kësaj ekspozite. Por, për ta prekur edhe më afër këtë realitet, u lidhëm me njërën prej grave që tashmë e ka transferuar jetën në Serbi, për shkak të martesës, Elda Gegën. Së pari, na tregon Elona…

Si nisi ky projekt, çfarë ju bëri bashkë me Katarinën?
Vitin e parë të shkollës së lartë e kam kryer në Amerikë, ku u njoha me Katarinën. Duhet të them që në fillim se Katarina është nga Serbia, prandaj edhe projekti ynë u fokusua vetëm te këta dy popuj. Kjo e jona, pra tema rreth martesës së grave shqiptare me burra serbë, është fare e pakonsumuar, përveç një dokumentari që ka bërë dikur “Top Channel”, të cilit iu referuam edhe ne.
Si u vutë në kontakt me gratë, historinë e të cilave përcillni në këtë ekspozitë?
Nuk ka qenë e lehtë sepse duhet të udhëtoje atje, të njihje njerëz, por meqenëse Katarina është prej andej, nuk ishte as e parealizueshme. E para që kontaktuam përmes të njohurve të Katarinës, ka qenë Elda Gega, prej historisë së të cilës zë fill edhe ekspozita. Pastaj, ajo na ka lidhur me gra të tjera shqiptare, që na kanë treguar historitë e tyre.
Si janë historitë e tyre? Ç’i ka bërë këto gra ta kërkojnë “fatin” në një vend që nga ne është parë gjithnjë “vëngër”?
Ekziston aktualisht në Shkodër agjencia martesore “Maruel 2008 & CO”, që mundëson martesat mes vajzave shqiptare dhe vendeve ballkanike. Por, siç ju thashë, ne u fokusuam vetëm te Serbia. Pra, njëra mënyrë e lidhjes së martesave është kjo. Tjetra është përmes shkuesisë, pasi një vajzë ka shkuar është martuar atje, sugjeron te të njohur të atjeshëm dhe krijon lidhje të reja me të afërme të sajat në Shqipëri. Zonat të cilat i krijojnë kryesisht këto lidhje janë nga veriu i Shqipërisë me djem të jugut të Serbisë. Në pjesën jugore të Serbisë dominojnë meshkujt, e kundërta ndodh me veriun e Shqipërisë, ku për shkak të emigracionit apo mënyrës së jetesës vajzat nuk kanë mundësi të krijojnë një lidhje martesore, përveçse në këtë mënyrë.
Nga ato që thoni, duket sikur këto martesa janë të shpeshta. Keni dijeni, nga kërkimet, se sa mund të jetë numri i tyre?
Sipas agjencisë së Shkodrës që është hapur që në vitin 2008, deri tani janë bërë 200 martesa, ndërsa numri i aplikimeve që presin t’i ndjekë i njëjti fat, është përafërsisht 9.000. Nga martesat që janë bërë, kanë lindur 50 fëmijë.
Ju keni folur me një pjesë të këtyre grave, a hasin pengesa kur shkojnë atje? Një vend krejt i panjohur, ku nuk dinë të bëjnë as minimumin, të komunikojnë…
Është e vërtetë, nuk e dinë gjuhën kur shkojnë atje, por si fillim përdorin një fjalor xhepi për të shkëmbyer fjalët e domosdoshme derisa, me kalimin e kohës, në një farë mënyre mësohen, përshtaten.
A keni dijeni nëse pjesë e këtyre aplikimeve janë edhe vajza nga Kosova?
Jo, me aq sa dimë ne, nuk ka.
Ka pasur raste që këto lidhje kanë dështuar dhe secili është kthyer në vendin e vet?
Kjo nuk është e lehtë të ndodhë, po të marrim parasysh nivelin arsimor dhe ekonomik të të dyja palëve. Tek e fundit, është pikërisht ai që i kushtëzon këto martesa.
Në të gjitha rastet edhe burrat edhe gratë janë të paarsimuar?
Kryesisht po. Por është edhe një rast i një vajze nga Puka që ishte transferuar prej disa vitesh në Tiranë, jetonte në zonën e Kombinatit. Ajo u martua me një burrë që jetonte në Danimarkë, ishte pedagog atje, por kishte diferencë të madhe moshe me të, rreth 22 vjet.
[portfolio_slideshow]

E martuara me mbleseri ne Serbi Elda Gega

Elda Gega, një prej vajzave të martuara në fshatrat e Serbisë
“E takova tim shoq 2 herë përpara martese”
Elda Gega është njëra prej 200 vajzave shqiptare që ka lidhur jetën me një djalë serb. Prej pak kohësh ka sjellë në jetë një djalë. U përpoqëm të mësojmë rreth jetesës së saj, arsyet që e “detyruan” të martohet në vendin fqinj, kushtet e jetesës së sotme, mënyrën e jetesës… Bashkëbisedimi nuk ishte i lehtë për shkak se u bë virtualisht, por nuk do të ishte as nëse do të ishte bërë ballë për ballë. Arsimimi, niveli i jetesës së këtyre vajzave që jetojnë në zona të thella të veriut të Shqipërisë, ka bërë që numri i fjalëve që kanë përdorur gjatë jetës, të jetë po aq sa numri i martesave shqiptaro-serbe. E sigurt është që, atje ku kanë shkuar, kanë gjetur më mirë se ç’kanë lënë. Me fjalë të shkurtra e të ndërprera, jemi përpjekur të kuptojmë e t’ju përcjellim realitetin e një bashkëjetese të re, që po shtohet çdo ditë…

Ekspozita e martesave shqiptaro-serbe, nis pikërisht me fotografinë tuaj. Si ka nisur historia juaj e martesës?
Përpara meje është martuar një shoqja ime në Serbi, e cila pastaj më prezantoi edhe mua me bashkëshortin që kam sot.
Sa herë u takuat përpara se të vendosnit për t’u martuar?
Pas fjalës së shoqes sime, djali erdhi në shtëpi për të më parë. Pastaj erdhi edhe një herë tjetër dhe unë i dhashë fjalën për po.
Si kanë qenë kohët e para kur shkove në Serbi? Nuk njihje as gjuhën, apo jo?…
Jo nuk e dija, dhe ishte shumë e vështirë në fillim. Me ndihmën e ndonjë fjalori të vogël mëson në fillim fjalët e domosdoshme, pastaj me kalimin e kohës pasurohet. Tani e di mirë dhe komunikoj pa problem me ta.
A keni pasur ndonjëherë konflikte nacionaliste apo fetare? A është bërë prejardhja problem mes jush?
Jo, për këto çështje, jo. Kemi konflikte normale si çdo çift, por jo, nuk kanë qenë ndonjëherë këto shkaqet.
Po njerëzit e tij i njihni? Si shkoni me ta?
Të them të drejtën, janë njerëz të mirë, kemi marrëdhënie të mira.
Ku jetoni?
Fshati ku jetojmë quhet Kriva Reka.
Me çfarë punësh merreni? Si jetoni?
Burri merret me bagëtinë e me bujqësi. Unë e ndihmoj kur është nevoja, por merrem kryesisht me punët e shtëpisë, jam shtëpiake.
A je e kënaqur prej kësaj martese, ishte kjo ajo që doje për veten?
Po, e kënaqur jam, jetesa këtu është e mirë dhe njerëzit janë të mirë, të kuptueshëm.
A ka pika të përbashkëta mes ju të dyve, që mund të tregojnë edhe në farë ngjashmërie mes dy popujve?
Jo, nuk kam vënë re zakone apo gjëra të përbashkëta.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura