“Kur ta bëja me shenjë, pse s’dilje?”, nëna e vajzës së ngacmuar: S’tregova se…(Pranga mësuesit)

Apr 29, 2018 | 19:20
SHPËRNDAJE

Ngacmoi seksualisht nxënësen e tij 11-vjeçare, arrestohet dhe pezullohet nga detyra mësuesi i shkollës në fshatin Kalasë të Delvinës.

“Ndalimi i tij pasi si mësues në një shkollë 9-vjeçare në Delvinë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Ngacmimi seksual”, ndaj një nxënëse të kësaj shkolle”, sqaron policia.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë  Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Sarandë për veprime të mëtejshme.

Nëna e vajzës e ka bërë publik rastin abuzues, dy muaj pas ngjarjes.

Ajo fillimisht nuk ka dashur që historia të bëhej publike për shkak të paragjykimeve. Të gjendur përballë refuzimit të vajzës për të shkuar në shkollë, prindërit kanë denoncuar mësuesin 60-vjeçar.

mesuesi
mesuesi

Prindërit e vajzës janë të divorcuar dhe e mitura jeton prej vitesh në fshatin e gjyshërve të saj në Kalasë, ndërsa e ëma e saj jeton në Sarandë.

Ndërkohë, për denoncimit të nënës së vajzës, kanë nisur hetimet edhe nga Policia e Delvinës. Banorë të fshatit Kalasë, shprehen se ky është rasti i tretë i abuzimit nga ky mësues.

“Isha bashkë me një shoqe dhe po pastronim shkollën. Duke pastruar, më thotë mësuesi: Lerja leckën shoqes dhe hajde pak në klasë. Më tha,- Kur ta bëja me shenjë, përse nuk dilje jashtë? E pyeta – pse të dilja? Po nuk dole më, do të të vë 4,- tha ai dhe më puthi. Unë ika”, ka treguar vajza e mitur.

Znj, Morena, si ka ndodhur ngjarja? Çfarë ju ka treguar vajza për abuzimin nga ana e mësuesit të saj? 

Vajza jeton me prindërit e mi në fshat, në Kalasë. Ngjarja për të cilën flasim, ka ndodhur dy muaj më parë, kur vajza ishte në shkollë. Kur u kthye nga shkolla, vajza ua tregoi ngjarjen gjyshërve të saj. U tha prindërve të mi se mësuesi e kishte puthur. Atëherë, ata u shqetësuan shumë. Nisën të pyesnin vajzën, duke këmbëngulur që të tregonte se çfarë tjetër i kishte bërë ai. Por vajza thoshte se asgjë tjetër, vetëm se e kishte puthur. Të ndodhur në këtë situatë, prindërit më njoftuan edhe mua për çfarë kishte ndodhur. U nisa në fshat, se unë jetoj në Sarandë. Jam e divorcuar nga burri dhe vajzën ma kanë rritur prindërit.

nena w vajzes

Kur e pyetët vetë vajzën, çfarë ju tregoi? 

Kishte mbaruar mësimi, nisi të më tregonte vajza, dhe unë me një shoqe pasi kishim pastruar klasën ishim duke pastruar korridorin e shkollës. Mësuesi më thirri në klasë, kur shkova në klasë më kërkoi llogari pse nuk i shkova më shpejt. Unë kam në dorë edhe katrën edhe dhjetën, i kish thënë vajzës dhe e kishte puthur. Kjo është e gjitha çfarë i ka ndodhur vajzës.

Pse nuk e keni denoncuar ngjarjen në momentin që ka ndodhur? 

Nuk është e lehtë në fshat, se ka shumë paragjykim. Vajza kishte dy muaj që nuk shkonte në shkollë. Ka vetëm pak ditë që ka shkuar, kur dëgjoi se mësuesi është transferuar në fshatin Tatzat, në një shkollë tjetër.

Keni pasur ndonjë ndërhyrje nga familja e mësuesit apo të afërm të tij për të mos bërë denoncim? 

Nga familja jo, njerëz tanët më kanë thënë të mos e bëja publike, për të ruajtur vajzën. Po ne kemi edhe krushqi me këtë fis.

Çfarë mase kërkoni që të merret ndaj mësuesit? 

Nuk duhen lënë të lirë të tillë njerëz që marrin në qafë fëmijë të vegjël. Shteti shqiptar duhet të veprojë. Të mos u japë punë dhe t’i fusë në burg. Ata janë e keqja e fëmijëve tanë. Këtë kërkova sot edhe në Komisariatin e Policisë në Delvinë. Qëkur kam marrë vesh, se çfarë i ndodhi vajzës, më është prishur gjumi.

Po vajza si është tani?

Më dhimbset shumë, sikur është mbyllur në vetvete dhe nuk flet. Nuk do që të kujtojë çfarë i ka ndodhur.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura