Kur duan të na pengojnë rrugën e integrimit

May 28, 2024 | 11:22
SHPËRNDAJE

NGA SHPËTIM IDRIZI Shpetim idrizi1

Do ta quaja një rast e fillim të mirë, që Parlamenti po përfshihet në debate me interes publik dhe të mbajë qëndrime të tilla. Jam i bindur që kolegët do të përfshihen seriozisht në këtë diskutim për të arritur që vërtetë Shqipëria të jetë vërtetë gati për në BE më 2030. Por, duhet të tërheq vëmendjen tuaj se, që të jemi gati për në 2030, përveç standardeve të demokracisë, shtetit ligjor, ekonomisë konkurruese, korrupsionit etj., ne do na duhet të kalojmë edhe pengesa të tjera, të një natyre krejt tjetër, që s’kanë të bëjnë as me standardet e as me reformat… Dëgjova për shembull dhe dua të theksoj dhe për ju, atë që para disa ditëve Kryeministri i Greqisë tha: “…se rruga e integrimit të Shqipërisë kalon nga Athina dhe se Greqia i ka të qarta e të mirëpërcaktuara se cilat janë vijat e tyre të kuqe…”.

Nuk e di në ishte ky një kërcënim, apo arrogancë për të na treguar supremacinë helene, që vazhdon të sillet si shefe e Ballkanit, e të bëhet pengese për çdo vend sovran që progreson. Në fakt, marrëdhëniet midis shteteve bazohen mbi reciprocitetin, respektin e dinjitetin e ndërsjellë. Ne e kemi provuar mbi kurriz në këto 33 vjet se çdo të thotë që rruga e Shqipërisë të kalojë nga Athina. Të kalojë nga Micotaqisi I – parë dhe i II – dytë, të kaloje nga Venizellosit e parë, të dytë e të tretë…

Ne e dimë që na ftoni dhe nganjëherë vetë ofrohemi, në gjithë këto vite, që ta harrojmë historinë, të harrojmë Çamërinë, të harrojmë Ligjin e Luftës, që qeveria e popullit gjiton e mik grek mban me Shqipërinë, të harrojmë ksenofobinë e racizmin, ndërrimin e emrave etj., që të kemi marrëdhënie të mira me Greqinë. Në fakt, shtetarët tanë e kanë bërë këtë në 33 vite, por marrëdhënie të mira s’kemi pasur, sepse sa herë i është dashur Greqisë, kemi hyr në kriza ciklike. Është po kaq e vërtetë se shteti grek në këto 33 vjet, e segmente të tij, nuk i kanë harruar historitë me varreza, det e tokë, Vorio-Epir e homogjen, racizëm, histori me imponime e arrogancë, e histori me duart e forta, paternalizëm e veto, e fundit për njeriun me 3 emra e me 3 dënime për burg, Beleri.

Ne e kemi provuar çdo të thotë kjo që tha Micotaqisi i dytë “…se rruga jonë për në BE kalon nga Athina…”. Në çdo hap drejt rrugës së integrimit, ne na është imponuar të lëshojmë nga një copë nga interesi ynë dhe prapë Greqia ka qenë e fundit që ka dhënë miratimin. Ju kujtoj, të nderuar kolegë, se për marrëveshjen e stabilizim–asocimit, qeverisë së kohës iu imponua ndërtimi pa leje e pa projekt i varrezave të Kosinës, që u kthyen në skenar të denjë për një film horror, me varrime e zhvarrime, e që sipas prokurorisë, me eshtra pleqsh e fëmijësh shqiptarë. Hapje të shkollave greke edhe aty ku nuk përcaktoheshin si zona minoritare, që Shqipëria i kishte njohur si të tilla që në vitet 1920, kur u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve. Për të hyrë në NATO e për liberalizimin e vizave na u imponua zgjerimi dhe me 3–4 të tjera dhe legalizimit në Parlament i varrezave të ushtarëve grekë, që erdhën si pushtues e rrinë me të njëjtën simbolikë të ngulur në këtë tokë…

E këto varreza u lejuan e legalizuan edhe në kundërshtim me Konventën e Vjenës të vitit 1956, e cila ndryshe nga ajo e pasluftës së Parë Botërore, parashikon që pas procesit të dekompozimit, trupat të kthehen në vendin e tyre e pranë familjeve, se deviza “ku kam të rënët, kam atdheun” është pikërisht e grekëve. Por nga pala greke dhe ajo shqiptare u harrua dhe dakordësia e vitit 1994, që për reciprocitet të ngriheshin në Çamëri apo Epir, po të doni, varrezat e partizanëve çamë.

E sa për kujtesë, Shoqata Çamëria dhe deputetët e PDIU–së i kanë bërë kërkesë ministrisë përkatëse që t’u japë varrezave monumentale të Kllogjerit ku prehen 2900 persona, statusin e Varrezave Historike. Po për hyrjen në NATO na u imponua Marrëveshja e ashtuquajtur e Detit, që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese, nga e cila Shqipëria humbiste 350 km2 det. Kabllogramet e “WikiLeaks” të ambasadorit amerikan Widher tregonin se pala greke i kërkoi madje palës shqiptare që SHBA dhe fuqitë e tjera të mëdha të mos njoftoheshin dhe të liheshin jashtë këtyre negociatave. Për e statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave na u imponua ligji për Minoritet, ku dolëm me 9 minoritete, zgjerimi i ujërave territoriale nga 6 – 12 milje. Ligji për Censin, ku Censi jo vetëm që s’ka asnjë lidhje me daljen e minoriteteve, se dolën 9 pra, por jemi të vetmit në botë që vumë kriter sasior 20 për qind në një zonë, që të ngulen flamuj e shkolla në zemër të Shqipërisë. Kur sot e kësaj dite as OKB, as BE, as OSBE nuk kanë një definicion se cili quhet minoritet, e aq më pak nga pikëpamja sasiore se sa duhet të jenë në një territor që të quhen të tillë.

E ngatërruam me imponim të drejtën e deklarimit pa frikë e hapur se çfarë je objektivisht e faktikisht, me çfarë ndjehesh i motivuar nga halli apo nga presioni. Se çfarë je etnikisht nuk është çështje zgjedhjeje, por çështje fakti… E arritëm deri aty sa të vendosim pyetjen non sens e idioteske, kujt etnie i përkisni: asaj shqiptare, greke, romë, egjiptiane, bullgare apo maqedonase. Duke mos bërë as dallimin midis kombit dhe etnisë, se shqiptarët janë komb, e kanë shtet dhe jo etni të lidhur me një shtet tjetër… Vetëm ne mund të arrinim deri këtu… Hoqëm konceptin e zonave minoritare, që i kishte caktuar Fan Noli, Zogu e Hoxha, e 30 vjet pluralizëm. E së fundi, veto për Shqipërinë, për të drejtat e njeriut me 3 emra dhe me 3 dënime me burg. Nga vendi që nuk njeh asnjë minoritet e nuk njeh të drejtat e njeriut, të jetës, të pronës, të lëvizjes së shqiptarëve të Çamërisë.

-Shqiptarët në gjenezën e vet janë europianë, por që ka 2000 vjet që për shkak të pozicionit gjeografik, në vijën ndarëse midis Lindjes e Perëndimit, na kanë imponuar të ishim në perandoritë e Lindjes, Vija e Teodosit, Roma e Lindjes, Bizanti, osmanët e së fundi konferenca e Jalta na la në perandorinë e së keqes së kuqe të komunizmit bolshevik.

-Drejtimin e rrugës sonë e kanë përcaktuar rilindësit tanë, kur deklaronin që: “Për ne shqiptarët, dielli lind andej nga perëndon”.

-E Perëndimi, Europa, vlerat e saj demokracia, humanizmi, vlerat njerëzore, të mishëruara nga Konventat Europiane kalojnë nga Roma, Berlini, Uashingtoni, Parisi e Londra.

Të nderuar Kolegë deputetë, ne duhet t’i bëjmë të qartë Greqisë, se shqiptarët kanë historinë e tyre, fuqinë e tyre njerëzore dhe ekonomike e ne dëshirojmë marrëdhënie miqësore e partneriteti, jo vasaliteti me fqinjët tanë… Një faqe e re historie duhet të hapet midis dy vendeve tona, e kjo në 2024 duhet të jetë ajo e trajtimit me dinjitet, reciprocitet, zgjidhje e kompromis në radhë të parë për heqjen e Ligjit të Luftës, që është një turp i madh midis dy gjitonëve e popujve miq, “…një skizofreni Ballkanike…” e ka quajtur Koziasi, e “…absurd…” Dendiasi. Trajtimi me seriozitet e me dialog të hapur për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë, boll më duke na mohuar dhe që ekzistojmë. Na kanë mohuar antifashizmin e shqiptarëve të Çamërisë me 2 batalione, në të dyja anët e kufirit, e 650 partizanë me emër e mbiemër, por ne nuk ishim as të humburit e as agresorët e luftës. Ne ishim njerëz krenarë, në punën e shtëpitë e veta, e bëmë luftën me nazi-fashizmin më shumë se grekët, e në fund u vramë e masakruam nga bandat e Napolon Zervës, që sot ju e keni shpallur hero e i ngrini buste.

Për ta përfunduar: Kjo rezolutë është një instrument i mirë, që shpreh qëndrimet e këtij Parlamenti dhe ne duhet ta përdorim atë, ne duhet të përfshihemi dhe si Parlament që të kemi marrëdhënie të mira me Greqinë, gjitonin tonë e popullin mik grek. Ne, çamët e Epirit, jemi edhe më të interesuarit. Unë mendoj se ka ardhur koha të kontribuojmë dhe ne si parlamentarë në përmirësimin e raporteve me Greqinë, nëpërmjet diplomacisë parlamentare, unë propozoj një rezolutë apo deklaratë të këtij Parlamenti, adresuar Parlamentit grek, që të kërkojmë investimin e kolegëve tanë grekë për heqjen e Ligjit të Luftës, gjendjes së luftës dhe pasojave juridike pronësore dhe njerëzore që burojnë nga ky ligj absurd e famëkeq, që rri midis dy vendeve tona prej 84 vjetësh, si vende mike, por juridikisht armike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura