Kundërshtoi zëvendësimin e monedhës vendëse me “Dinarin” jugosllav, ana e panjohur Mitrush Kutelit si bankier! U dënua me 5 vite burg dhe me të burgosurit punoi për tharjen e kënetës së Maliqit

May 13, 2024 | 15:09
SHPËRNDAJE

Pesë vjet burg sepse “faji u vërtetua nga deponimet e pjesshme të tij…”, pesë vjet heqje lirie dhe punë të detyruar vetëm e vetëm sepse në biografinë e tij kishte pasur deviacione të bindjeve politike, shumica e të cilave të realizuara në kohë jo në Shqipëri, por në Rumaninë e largët. Ky është “shpërblimi për merita” që i rezervoi në vitin 1948 ish-pushteti komunist Dhimitër Paskos, të njohur ndryshe edhe me pseudonimin Mitrush Kuteli, vlerësuar si një nga shkrimtarët më të mirë shqiptarë të shekullit të shkuar, apo më saktë si themelues të prozës moderne shqipe.

mitrush kuteli

Këtë radhë në shënjestër është pikërisht Mitrush Kuteli, shkrimtari i njohur, autori i “Tregimeve të moçme shqiptare”, mbledhësi dhe shpërndarësi i mitologjisë ilire, kritiku letrar dhe përkthyesi i denjë. Në pretencën e prokurorit shfaqet, lakuriq e vërteta se Kuteli duhet të dënohet, qoftë edhe pa asnjë provë bindëse. Konkluzioni i prokurorit se “faji u vërtetua nga deponimet e pjesshme të tij”, pra nga ato që vetë shkrimtari nxori nga goja e tij dhe më tej akuza hipotetike, sipas të cilës, ai, kur jetonte në Rumani, kishte pasur lidhje me një parti naziste, janë konsideruar ndër provat më të rëndësishme për ta futur në burg. Pra, paradoksi i vërtetë qëndron në faktin se ai u fut në burg në Shqipëri kryesisht i akuzuar për mendimet që kishte në kokën e tij gjatë kohës që jetonte në një tjetër shtet. Ja pretenca e ndërtuar nga prokurori dhe vendimet e gjykatave.

PRETENCA E PROKURORIT

Sh. Gjyqtarë! I pandehuri Dhimitër Pasko, si anëtar i organizatës fashiste rumune “Roja e Hekurt”, ka vepruar aktivisht në ndihmë të okupacionit nazist dhe vendosmëria e tij për agresion e çon dhe vullnetar në ushtrinë mercenare rumune kundër Ushtrisë së Kuqe ku luftoi gati një vit. Në shtator të vitit 1942 kthehet në Shqipëri, ku menjëherë emërohet nëpunës në aparatin e shtetit fashist. Në kohën e okupacionit nazist, ka shkruar një sërë artikujsh në gazetën “Bashkimi i Kombit” me anë të cilëve luftonte lëvizjen NÇ dhe mundohej të mbillte përçarje në elementët intelektualë.

Me çlirimin e Shqipërisë në shoqëri të ngushtë me Kostë Boshnjakun e Kol Kuqalin shfryn urrejtjen e tij kundër Pushtetit Popullor dhe kudo që ndodhet në rrethe elementesh të njohur shfaq mendimet e tij kundër reformave ekonomike dhe ligjeve të Pushtetit Popullor. Lufta e Tretë Botërore që popullarizon i pandehuni është bazë kryesore për të rrëzuar Pushtetin Popullor. Fajësia e të pandehurit u provua nga deponimet e pjesshme të tij dhe nga proces-verbali, i parashikuar prej Nenit 3 të Ligjit nr. 372 datë 12/XII/1946 mbi fajet penale kundër popullit dhe shtetit, në bazë të nenit e ligjit të sipërm, kërkoj të vendoset dënimi i tij me 7 vjet privim lirie e konfiskim të së drejtës…

Tiranë më 5 prill 1948

Prokurori ushtarak,

Kapiten II Petrit Hakani (firma)

Vendimi i Gjykatës së Lartë Republika Popullore e Shqipërisë

Gjykata e Lartë Ushtarake Nr.132 i Regj. Them.

Vdekje Fashizmit Liri Popullit Nr.207 i Vendimit Procesverbal Sot më datën 20/V/1948, Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, i formuar prej: Major Niko Cetës, kryetar. Kapiten I Nexhat Hysenit, anëtar. Kapiten II-të Vangjel Kocanit, anëtar. I asistuar nga kryesekretari aspirant Thoma Rino dhe në prezencën e Prokurorit Ushtarak të UK Shqiptare Kapiten i I, Nevzat Havzedarit, mori në shqyrtim akt-gjykimin nr.220 datë 7/IV/1948, të Gjykatës Ushtarake të Tiranës, me të cilën, në bazë të Nenit 3 paragrafi 1,4,5 dhe të Ligjit nr 372 datë 12/XII/ 1946 dhe të nenit 4 të Ligjit të sipërpërmendur, mbi fajet penale kundër popullit dhe shtetit, është vendosur ndëshkimi me 5 vjet privim lirie si dhe konfiskim të pasurisë të luajtshme dhe të paluajtshme kundër Dhimitër Pasko, i biri i Pandit dhe Poles, vjeç 41, lindur në Pogradec e banues në Tiranë, me profesion shkrimtar, i martuar pa fëmijë, i pa dënuar, me arsim shkencë ekonomike, arrestuar në datën 15/V/1947, për shkak se ka qenë anëtar i partisë fashiste “Roja e Hekurt” në Rumani dhe ka marrë pjesë në luftë kundër ushtrisë së Kuqe.

Në vitin 1942 ka ardhur në Shqipëri dhe ka bashkëpunuar me tradhtarët kundër LNÇL dhe mbas çlirimit të Shqipërisë vazhdon aktivitetin e tij armiqësor kundër Pushtetit Popullor. Prokurori kërkon të vendoset aprovimi i vendimit të sipërm si me vend dhe i bazuar në ligj, i hiqet dënimi përsa i përket konfiskimit të pasurisë.

Këshilli: Nga shqyrtimi i akteve rezulton se i pandehuri Dhimitër Pasko, më parë anëtar i partisë “Roja e Hekurt” në Rumani, i frymëzuar me ndjenja fashiste, më 1942, është kthyer në Shqipëri dhe me artikuj të ndryshëm që ka shkruar në gazetën “Bashkimi Kombit” ka bërë agjitacion dhe propagandë kundër LNÇ, me qëllim që të përçante popullin dhe t’i bashkonte me organizatat terroriste ballin Kombëtar dhe Legalitetin. Mbas çlirimit duke përfituar nga shpirtmirësia e Pushtetit Popullor nuk ka ndryshuar nga politika e tij fashiste, por ka mbajtur lidhje me armiqtë e popullit Kostë Boshnjakun e Kol Kuqalin; fakte këto që provohen në pohimet e tij.

Duke marrë parasysh sa u tha më lart, Gjykata e Faktit e ka arsyetuar dhe bazuar në prova konkrete vendimin e saj dhe dënimi i është dhënë në proporcion me fajin, vetëm se nuk duhet të vendoste konfiskimin e pasurisë së tij.

Prandaj: Për këto arsye Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, në bazë të neneve 10 dhe 17 nr. 2 të Ligjit nr. 368 datë 12/ XII/1946, mbi organizimin dhe kompetencat e gjykatave ushtarake, duke pranuar dhe kërkimin e prokurorit Vendosi: Aprovimin e vendimit nr. 220 datë 7/IV/1948, të Gjykatës Ushtarake të Tiranës, që përmban ndëshkimin e Dhimitër Pandi Paskos, nga Pogradeci dhe banues në Tiranë me 5 (pesë) vjet privim lirie dhe punë të detyruar, pa konfiskim të pasurisë së tij. Ky vendim është i prerë.

Tiranë, më 20/V/1948 (Emrat e anëtarëve të trupit gjykues e firmat)

Procesverbal i mbajtur kundër Dhimitri Paskos (Mitrush Kuteli), i biri i të ndierëve Pandi e Pole, vjeç 41, i martuar me Efterpi Skëndi, pa fëmijë, profesioni shkrimtar, rrjedh nga një shtresë e mesme qytetare, i pa proceduar, i padënuar, kombësia, babai vlleh Rumun dhe nëna shqiptare, shtetësia shqiptare, i cili deklaron si më poshtë. Shkollën fillore e kam bërë në Pogradec, të mesmen tregtare në Selanik, universitetin në Bukuresht në 1934, ku kam marrë doktoratë në shkenca ekonomike. Si mbarova shkollën kam punuar në Bukuresht në një depo verërash, kam punuar gjithashtu në gazetën “Shqipëria e Re” që dilte në Kostancë. Mandej në zyrën e studimeve të financës dhe kreditin industrial. Në Shqipëri jam kthyer më 1942 dhe hyra si drejtor – administrator pa të drejtë firme në S.A.S.T.E.B. për një vit, por u largova pasi dhashë dorëheqjen në muajin pestë. Mandej hyra në Bankën Kombëtare deri më gjashtë tetor 1944, datë që u arratisa dhe shkova në Berat pranë Ministrisë së Financave. Kur u ktheva në Tiranë hyra në Bankë deri në gusht 1946 dhe prej kësaj date deri sa u arrestova kam punuar pranë Institutit të Studimeve.

PORTRET I MITRUSH KUTELIT (1907-1967)

Pyetje: Ke qenë t’i anëtar i “Rojës së Hekurt” në Rumani?

Përgjigje: Kam qenë simpatizues i kësaj organizate për një kohë të shkurtër, por anëtar jo.

Pyetje: Pse e simpatizoje këtë lëvizje fashiste?

Përgjigje: E simpatizoja për parullat e saj socialiste, si psh. puna është nder dhe lipset të jetë baza e jetës, zhvillimi i kooperativave për të luftuar spekulimin e tregtarëve, puna vullnetare me krahët e intelektualëve etj., të cilat shoh sot se i kishin marrë nga komunizmi dhe i kishin përvetësuar.

Pyetje: Ishte socialiste kjo lëvizje sipas mendimit tënd?

Përgjigje: Atëherë besoja se po, sot kuptoj se jo….

Pyetje: Kishte lidhje me gjermanët kjo organizatë dhe a e dije t’i një gjë të tillë?

Përgjigje: Nuk e dija, por më vonë e mora vesh se kishte lidhje.

Pyetje: Dije gjë t’i atëherë për Bashkimin Sovjetik dhe çfarë mendimi kishe për këtë shtet?

Përgjigje: Gjë të saktë nuk dija. Libra nga Bashkimi Sovjetik nuk vinin dhe mendimet e mia ishin shumë konfuze, ashtu siç i krijonte shtypi i brendshëm (rumun) që ishte reaksionar dhe fjala bolshevik në shtyp përdorej për të keq.

Pyetje: Nga këto del se t’i ke qenë fashist i vjetër, anëtar i “Rojës së Hekurt”, prandaj fol drejt!

Përgjigje: Nuk kam qenë fashist, por një socialist i turbullt, pa gjetur vijën e caktuar.

Pyetje: Ti kishe të gjitha mundësitë të kuptoje të mirën dhe të keqen, kishe mbaruar shkencat ekonomike dhe pse tash paraqitesh si inoçent, prandaj fol!

Përgjigje: Universiteti ishte i shumanshëm dhe nuk jepte mundësi të orientoheshim edhe për strukturën ekonomike, për punët që zhvilloheshin (në B.S.) nuk flitej fare, ose kur flitej e quanin kaos. Këto ishin kurset që bëheshin në universitet.

Pyetje: Domethënë, ti je rritur me tendenca reaksionare?

Përgjigje: Dëshira ime ka qenë gjithmonë gjetja e një rruge për drejtësi shoqërore, ambienti ishte konfuz, reaksionar dhe unë mbeta i dizoreintuar.

Pyetje: Ke qenë ti vullnetar në Bashkimin Sovjetik më 1941?

Përgjigje: Jo, nuk kam qenë dhe as mendoja, por më morën disa muaj ushtar me forcë dhe prita rastin e parë që të largohem, pasi ndieja se lufta që bëhej ishte e padrejtë, agresive. Atje kam qëndruar dy muaj e gjysmë dhe punoja si sekretar i II dhe me anën e bankës u lirova, pasi kërkova vetë një gjë të tillë.

Pyetje: Në Shqipëri kur je kthyer dhe me cilët autoritete je takuar?

Përgjigje: Jam kthyer në shtator të 1942 dhe jam takuar me plot njerëz si dhe me Dhimitri Beratin, ish-president i S.A.S.T.E.Bit dhe kam biseduar me të çështje familjare. Në dhjetor hyra në S.A.S.T.E.B., dhe sikur e kam thënë qëndrova pesë muaj megjithëse kontrata ishte për një vit, dhashë dorëheqjen dhe pasi kapitulloi Italia kam punuar në Bankën Kombëtare.

Pyetje: Puna që ke bërë ti, ka qenë në shërbim të okupatorëve?

Përgjigje: Unë kam menduar si kundër okupatorit, për të mos dhënë mjete financiare, për të larguar ose ngadalësuar ato që jepte Qeveria, për të siguruar rezervën e arit që të mos emetohej monedhë e re, etj..

Pyetje: Dmth., ti e paske paralizuar aparatin e shtetit nazifashist?

Përgjigje: Po, e kam sabotuar.

Pyetje: Çfarë shkrimesh ke shkruar në kohën e gjermanëve?

Përgjigje: Kam shkruar artikuj ekonomik dhe letrar në gazetën “Bashkimi i Kombit”, kjo ishte e Qeverisë, por artikujt e mi ishin kritikë kundër Qeverisë për çështje financiare dhe ekonomike.

Pyetje: Si të linin ty që të shkruaje kundër Qeverisë si pretendon, kurse e vërteta është se ti ke qenë bashkëpunëtor i bashkimit të kombit dhe i Qeverisë kuislinge?

Përgjigje: Ata nuk kuptonin. S’kishte kontroll, ishin budallenj, kishte anarki. Tash titujt nuk më kujtohen, por ishin mbi financën, kundër shpenzimeve të kota që kalonin mundësitë nfinanciare të vendit.

Pyetje: Pas çlirimit, ç’punë ke bërë dhe pse ike nga banka?

Përgjigje: Kam punuar në bankë dhe ika se kam qenë i sëmurë, nevrastenik dhe mandej kam punuar nja dy muaj për përgatitjen e programit të studimit të folklorit në Institutin Pedagogjik.

Pyetje: Ç’marrëdhënie ke pasur me Kol Kuqalin?

Përgjigje: Ato që rridhnin nga detyra si anëtar administrativ në bankë.

Pyetje: Je takuar shpesh me të lartpërmendurin?

Përgjigje: Në bankë kur ishte po, mandej kam shkuar në shtëpi kur i kanë sjellë eshtrat e djalit nga Prishtina më 1946, ky ka ardhur ke shtëpia ime një herë për… dhe për urime martese. Kur erdhi më tha se nuk jam nisur direkt tek ty, por pasi isha në një shtëpi këtu afër, u ktheva për urime.

Pyetje: Tjetër herë ke qenë në shtëpi të tij?

Përgjigje: Po, kam qenë për të bërë bibliografinë e librave të rinj që më kishte ngarkuar Instituti i Studimeve më 1947, për këtë punë kam qenë edhe në komunitetin mysliman edhe atë ortodoks, në depot e librave etj.

Pyetje: Takoheshe me Kolën ndonjëherë tjetër e çfarë bisedonit?

Përgjigje: Mund të jem takuar rastësisht rrugës dhe e pyesja shpesh për të birin që i kishte vdekur, pasi doja të shkruaja diçka për dëshmorët e Prishtinës. Unë kërkoja punë dhe kisha shpresë që do të gjeja, por ai thoshte me ironi se ty nuk të japin punë.

Pyetje: Fliste ndonjëherë kundër pushtetit ose tregohej i pakënaqur Kola?

Përgjigje: Me mua nuk bisedonte ndonjë gjë kundër, por ai vetë dukej i ftohtë.

Pyetje: Po Kostë Boshnjakun prej sa kohe e njeh dhe ç’biseda ke bërë me të?

Përgjigje: Kostë Boshnjakun e njoh qysh në Rumani më 1931- 1932 dhe shkruanim në gazetën “Shqipëria e Re” në Kostancë e mandej jam takuar me të në Priskë, kur u arratisa në tetor 1944 dhe më vonë në Tiranë.

Pyetje: Sa herë ke qenë në shtëpinë e të lartpërmendurit?

Përgjigje: Kam qenë nja dy herë. Një herë kam qenë për të marrë firmën e Bilancit të Bankës dhe një herë tjetër për tu takuar me një plak nga Ballkameni i Follorinës, i cili dinte shumë këngë popullore, për këtë më kishte thënë Kosta, por pasi plaku atë ditë ishte i sëmurë dhe banonte në një shtëpi me Boshnjakun, hyra te Kosta dhe qëndrova një gjysmë ore, por nuk më kujtohet çfarë kemi biseduar.

Pyetje: Tjetër herë je takuar me të?

Përgjigje: Jam takuar pranë Librarisë… dhe kishte në dorë revistën “Krediti” dhe më tha nëse e kisha kënduar një artikull që thoshte diçka mbi disa anëtarë të ish-këshillit administrativ se ata donin, thoshte, artikulli që me anën e bankës të merrnin fuqinë në dorë. Unë i thashë nuk e kam kënduar. Ai ma tregoi dhe tha çuditem se Ministri i Financës na falënderoi kur dolëm nga Këshilli për punën e zhvilluar në Bankë dhe qeshi me çudi.

Pyetje: Ç’ke biseduar me të kundër pushtetit, sepse neve e dimë se ti ke bashkëpunuar për të rrëzuar pushtetin me Kostë Boshnjakun e Kol Kuqalin, prandaj fol drejtë?

Përgjigje: Tjetër gjë nuk kam biseduar përpos këtyre që tregova as me të parin as me të dytin. Sa u thanë më sipër janë të vërteta dhe pasi m’u lexuan fjalë për fjalë, i firmoj me vullnet të lirë.

I pandehuri. Dhimitër Pasko (firma) Hetuesi. Beqir Ndou (firma)

Kundërshtoi zëvendësimin e monedhës me “Dinarin”, të panjohurat e Kutelit

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi para pak ditësh Mitrush Kutelin (emri i lindjes Dhimitër Pasko), shkrimtar, ekonomist, publicist dhe përkthyes (13 shtator 1907-4 maj 1967). Në kuadër të 57-vjetorit të vdekjes së shkrimtarit të shquar Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko), edhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi një takim përkujtimor për të nderuar figurën dhe punën e tij madhore në lëmin e letrave shqipe. Në këtë takim morën pjesë të familjarë, miq, njerëz të letrave si dhe lexues të autorit Kuteli. Fjalën e rastit e mbajtën studiuesi Behar Gjoka, prof. Kastriot Gjika si dhe djali i tij, Pandeli Pasko.

QKLL shkroi në faqen e saj online se, Mitrush Kuteli dallohet jo vetëm për gjuhën dhe stilin e tij në shkrimet prozaike, por edhe si një intelektual, i cili punoi fort për t’i dhënë historisë së letërsisë shqipe jo vetëm Kutelin, por edhe figura të tjera si Lasgushi apo Noli. Përveç pseudonimit letrar Mitrush Kuteli, njihet edhe me emra të tjerë arti, si Izedin Jashar Kutrulia dhe Dr. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes, më 1919 dhe po në këtë vit, në kalendarin “Pogradeci”, botoi vjershat e tij të para: “Mëmës Shqipëri” dhe “Skënderbeu”. Më 1921 filloi Shkollën Tregtare Rumune në Selanik, ndërsa në vitin 1928, filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike në Bukuresht, ku njëkohësisht drejtoi gazetën “Shqipëria e Re” në Kostancë, në faqet e së cilës hapi rubrikën “Shënime Letrare”.

U diplomua në vitin 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare me vlerësimin më të lartë, “Diplomam Magnam cum Laudæ” në Universitetin/// e Bukureshtit. Pas një kohe të shkurtër, arriti të bëhej drejtor i Bankës Kombëtare të Rumanisë, ku përkrahu ekonominë vendëse. Në vitet 1924 – 1933, Mitrush Kuteli shkroi dhjetëra shkrime me karakter ekonomik dhe financiar në gjuhën shqipe e rumune rreth monedhës, kreditit, reformës agrare, xhelepit dhe të dhjetave. I spikatur për pikëpamjet e tij demokratike, ai nuk mund t’i shpëtonte dorës së hekurt të diktaturës. Burgoset në vitin 1947 me akuzën armik i popullit me 5 vjet heqje lirie. Një pjesë të dënimit e kreu në kampin e Vloçishtit në Maliq. Do të lirohej nga burgu më 1949, pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me Jugosllavinë.

Kushtet në të cilat do të ndodhej pas lirimit nuk do t’i jepnin atij mundësinë e botimeve, duke i mohuar kështu shprehjen e talentit të tij në letërsi. Deri vonë ai do të merrej me përkthime duke gjetur në këtë mënyrë një ngushëllim ndaj zvetënimit të vullnetit të lirë, që karakterizonte atë kohë absurde. Disa prej veprave të tij do të konfiskoheshin dhe do të humbnin përgjithmonë. Mitrush Kuteli ndërroi jetë më 4 maj 1967, duke lënë pas vepra të një gjuhe të pasur dhe personazhe të pavdekshëm. Mitrush Kuteli njihet sot si një ndër themeluesit e prozës moderne shqiptare.

Ndër veprat e tij më të spikatura janë: “Ago Jakupi e të tjera rrëfime”, “Kapllan Aga i Shaban Shpatës”, “Xinxifillua”, “Tregime të moçme shqiptare”, “E madhe është gjëma e mëkatit”, “Në një cep të Ilirisë së Poshtme”, “Baltë nga kjo tokë” etj. Gjithashtu, ka përkthyer në shqip vepra të Turgenjevit, Gorkit, Gogolit dhe Nerudës. Dhimitër Pasko ka botuar 16 libra dhe 25 artikuj në gjuhën rumune mbi ekonominë dhe financat. Librat kishin të bënin më shumë me çështje të problemeve të monedhës dhe të kreditit në Ballkan, mes të cilave: “Mendime mbi Krizën Agrare në Rumani”. Kjo vepër fitoi çmimin e parë në një konkurs dhe u botua më parë tek “Buletini i Ministrisë së Bujqësisë” të Rumanisë.

BANKIERI

Mitrush Kuteli, edhe pse njihet më tepër në fushën e letërsisë si shkrimtar, ka qenë një nga ekonomistët më të shquar shqiptarë. Kuteli mbrojti Doktoratën në Shkencat e Monedhës dhe Bankës me vlerësimin më të lartë: “Diplomam Magnam Cum Laude”, dhe pas një kohe të shkurtër, arriti të bëhej drejtor i Bankës Kombëtare të Rumanisë, ku përkrahu ekonominë vendase. Në vitet 1924 – 1933, Mitrush Kuteli shkroi dhjetëra shkrime me karakter ekonomik dhe financiar në gjuhën shqipe e rumune rreth monedhës, kreditit, reformës agrare, xhelepit dhe të dhjetave.

Kuteli mori pjesë në debatin për reformën agrare të mbretit Zog, duke e kundërshtuar reformën. Në vitin 1933, botoi në Rumani broshurën: “Tri problema në lidhje me Bankën Kombëtare”, e cila u konfiskua në Shqipëri, por hyri dhe qarkulloi fshehtazi dorë më dorë. Pas kapitullimit të Italisë, në kohën e okupimit gjerman, Kuteli, i cili ndodhej në Shqipëri, punoi pranë Bankës Kombëtare të Shqipërisë si konsulent për çështjet e monedhës. Kjo detyrë e përballi me Komandën Gjermane, të cilët donin të emetonin një monedhë të renë Shqipëri, për të financuar ushtrinë e tyre. gjatë asaj periudhe janë tre momente ndërhyrje, të cilat nxjerrin në pah profesionalizmin dhe integritetin e Mitrush Kutelit si ekonomist i klasës së parë:

1.Nevojat për financim të ushtrisë gjermane, kërkesat e shumta për të plotësuar nevojat e ushtrisë.

2.Depozitimi i arit shqiptar, në emër të Qeverisë shqiptare, Bankës Kombëtare, në Zvicër.

3.Presioni i autoritetit gjerman për të shtypur kartëmonedha të pambuluara me rezervë ari.

Kuteli bëri të mundur ruajtjen e pavarësisë së Bankës Kombëtare nga këto ndikime, duke ndikuar për të mos u marrë vendime në dëm të interesave të shtetit shqiptar. Gjatë asaj kohe, ushtria gjermane i kërkonte Bankës Kombëtare miliona franga për financimin e ushtrisë, sasi e papërballueshme. Ai botoi një sërë artikujsh ekonomikë dhe financiarë, në shtypin shqiptar, që synonin luftën kundër inflacionit monetar. “Dr. Pasko kundërshtoi, në mënyrë absolute, kërkesat e ushtrisë si për ndryshimin e monedhës, si dhe kërkesën për financimin e ushtrisë.

Në nëntor të vitit 1944, Dhimitër Paskon e kërkuan në Berat, ku sapo ishte formuar Qeveria Demokratike e Shqipërisë, e kryesuar nga Enver Hoxha, ku punoi në Ministrinë e Financave. Pas hapjes së Bankës së Shtetit, u emërua drejtor në Drejtorinë Qendrore të saj dhe u zgjodh anëtar i Këshillit Administrativ. Si drejtor, Dhimitër Pasko dha idenë, organizoi dhe mori pjesë në operacionet e para financiare: vulosjen e monedhës së vjetër, emetimin e çeqeve – monedhë për nevojat e para financiare etj.. Në vitin 1946, kundërshtoi zëvendësimin e monedhës vendase me “dinarin” jugosllav.

Ky veprim shpëtoi ekonominë vendëse nga një inflacion i mundshëm, mbasi për rezervat, monedhën dhe ekonominë vendase, ky akt do të ishte katastrofik. Dha dorëheqje nga banka në gusht 1946. Politika radikale e arrestoi në muajin maj të vitit 1947 dhe e dënoi me pesë vjet heqje lirie. U dërgua në kampin e Vloçishtit, ku bashkë me të burgosurit e tjerë punonte për tharjen e kënetës së Maliqit. Pas lirimit nga burgu, në prill të vitit 1949, Dhimitër Pasko nuk u angazhua më me ekonomi, por iu desh të merrej kryesisht me përkthime. Më 4 maj të vitit 1967, Mitrush Kuteli ndërroi jetë. Por si u përcoll vdekja e Kutelit në gazetën “Drita” te 1967…!

Vdekja e tij në vitin 1967 u shënua me një tekst të shkurtër në formë nekrologu në gazetën “Drita”, në të cilin, ndër të tjera, thuhej: “I shprehin ngushëllimet tona familjes dhe të afërmve për humbjen e parakohshme”. Kështu shënohej vdekja e njërit prej shkrimtarëve dhe intelektualëve më të dalluar të vendit, veprën e të cilit do ta lakmonin edhe kultura të tjera, shumë më të mëdha”. “…Interesimi i kritikës sonë për veprën e Kutelit dhe personalitetin e tij ka ardhur duke u rritur në këto 10- 15 vitet e fundit. Me Fishtën, Konicën, Koliqin, Lasgushin, Camajn e ndonjë tjetër, Kuteli mbetet autor i preferuar i kësaj kohe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura