Kulla e Ngujimit në Theth kthehet në atraksion turistik! Historia e Izolimit nga ata që kryenin një akt të rëndë

Sep 25, 2023 | 13:43
SHPËRNDAJE

Kulla e Ngujimit, Monument Kulture i Kategorisë së Parë, është një nga monumentet e rralla të historisë arkitekturore të Veriut.

kulla e ngujimit

Ndërtimi unik njihet në Dukagjin si vendi ku qëndronin ata që kishin kryer një akt në kundërshtim me ligjet e kanunit dhe prisnin derisa të arrihej pajtimi. Kulla e Ngujimit gjendet në Theth dhe njihet si një nga atraksionet turistike kryesore të këtij fshati të njohur alpin. Kulla ka strukturë katërfaqëshe me çati tipike alpine. Ekzistenca e saj përmendet nga Franc Nopça, një nga studiuesit më të njohur hungarezë, i cili ka udhëtuar në viset malore të Shqipërisë në fillim të shekullit XX.

Mënyra e ndërtimit mbi shkëmb, dhe izolimi me gurë i kullës është karakteristike për trevat e thella të Veriut. Këto fortesa dominojnë ndërtimet e tjera shqiptare në aspektin e vetëmbrojtjes. Dritaret e vogla si frëngji u jepnin përparësi banorëve të kullës të ndiheshin të sigurt dhe të mos diktoheshin nga armiqtë jashtë fortesës. Kulla e Thethit e ka kryer edhe funksionin e ngujimit, pasi aty izoloheshin ata që kryenin një akt të rëndë, por edhe funksionin e pajtimit. Në kohën që i ngujuari qëndronte i izoluar në kullë, pleqtë e fshatit nisnin bisedimet mes familjeve që ishin prekur nga konflikti. Fortesat e tilla nuk mund të ruheshin nga armiku pa armët e zjarrit. Periudha kur këto tipologji kullash e humbën kuptimin e ndërtimit të tyre ishte ajo e viteve ’45-’90, ku shumë prej tyre u kthyen në magazina bujqësore, vatra kulture, apo dhe u shembën nga harresa.

Historia

Kanuni i Lekë Dukagjinit ka nisur të zbatohet në Malësinë e Veriut të Shqipërisë disa shekuj më parë. I transmetuar me anë të fjalëve të urta, të formuluara si të thëna prej princit Lekë Dukagjini dhe të transmetuara gojë më gojë, ai mbijetoi i pashkruar dhe u zbatua si një “ligj” në ato zona deri në kapërcyell të shekujve XIXXX, kur prifti Shtjefën Gjeçovi vendosi ta hedhë në letër.

Për pasardhësit e banorëve të këtyre zonave Kanuni nuk mund të lexohej, por vetëm të përcillej nga ati tek biri me të thënë. Në këtë kullë, pajtimi i fundit i gjakut është bërë më shumë se një shekull më parë, nëse do t’i referohemi kujtimeve të udhëtares britanike Edit Durham, që shkeli në këtë zonë në vitet e para të shekullit XX.

Pyetjes së saj se kur ka qenë pajtimi i fundit i gjakut, banorët e Thethit i thanë “10 vite më parë” dhe prej asaj kohe ndërtesa nuk ka parë më brenda saj as ngujim të fajësit dhe as pleqtë e moçëm që mblidheshin për të pajtuar familjen e gjaksit me atë të viktimës. Shkrimtarja dhe artistja angleze nuk e ka menduar se pikërisht vizatimi i bërë prej saj në librin “Shqipëria e epërme” e ka kthyer këtë kullë në një atraksion ekzotik për mijëra turistë të huaj dhe vendas që këto 10 vitet e fundit kanë vërshuar në këtë fshat, duke rizbuluar atë magji që ajo e pa me sy më shumë se një shekull më parë. Pse “Kulla e Ngujimit” është në fakt “Kulla e Pajtimit”.

Gojëdhënat e ruajtura si fakte historike nga banorët flasin për pajtimin e më shumë se 300 konflikteve nga e gjithë zona e Shalës pikërisht në këtë vend, ku sot nipi i tij, tregon me pasionin e një aktori. E ndërtuar 4 shekuj më parë si “Kullë Mbrojtjeje” nga armiku ajo ka ndryshuar disa herë funksion, si kullë ngujimi e pajtimi, si kasolle e lënë në harresë gjatë komunizmit dhe sot si objekt turistik. Po çfarë ndodhte brenda këtyre mureve nga koha e Lekë Dukagjinit deri në fund të shekullit XIX?! Në vend të themeleve ajo qëndron mbi një gur të madh, duke i mbijetuar shekujve dhe të gjitha fenomeneve natyrore, por sot mbi fatin e saj flitet shumë. E ngjashmja e saj në Curraj të Epërm në Tropojë u shemb e lënë në harresë vetëm disa vite më parë dhe kjo e bën kullën e Thethit edhe më unike e të rëndësishme për trashëgiminë kulturore të Shqipërisë. I vetmi rikonstruksion që i është bërë është çatia e re e financuar nga Ambasada Holandeze. Në kohën e komunizmit, kulla u deklarua si “kasolle”, të vetmen pronë që kishin, për t’i shpëtuar ndonjë vale shembjeje, por dhe në atë kohë njerëzit që ia dinin historinë vinin fshehurazi e bënin foto para saj. Duke besuar se kjo është koha e dytë e lavdishme e jetës së Kullës, trashëgimtarët e saj po bëjnë përpjekje për ta vendosur atë nën mbrojtjen e UNESCO-s, duke e lënë si testament të trashëgimisë botërore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura