Ku duhen kërkuar “burimet e antiamerikanizmit”?

Apr 16, 2024 | 9:29
SHPËRNDAJE

NGA XHEVAT MUSTAFA  Xhevat Mustafa

Sidomos këto 10 vitet e fundit, edhe në hartën e “Botës Shqiptare” po shprehen, ku hapur dhe ku si me vete, nga disa me zë të lartë e nga të tjerë me nëntekste të thellë apo të cekët, opinione që mbartin doza të forta apo të lehta zhgënjimi, pakënaqësie dhe kritikash ndaj politikës amerikane. Shumica e këtyre kurajozëve as e kanë ndërmend dhe as pranojnë që këto deklarime të tyre të sinqerta të interpretohen dhe kritikohen si shprehje antiamerikanizmi.

Sipas tyre, ata nuk po bëjnë asgjë më tepër e më pak se miliona qytetarë amerikanë, të cilët kanë kritikuar dhe vazhdojnë të kritikojnë nëpër media, rrugë, sheshe, salla konferencash partiake dhe sindikatash, politikën e brendshme e të jashtme të Presidentit aktual Joe Biden, njëjtë siç kanë bërë më parë me presidencat e mëhershme, demokrate apo republikane.

Kuptohet, pa e çuar ndërmend se të kritikohet një presidencë, një president a zv.presidente; një sekretar shteti, një diplomat dhe ambasador amerikan apo “një pushtetar i lartë shqiptar ose nga një vend tjetër, një mik apo aleat amerikan, i korruptuar nga fundi i këmbës deri në majë të kokës”, do t’u interpretohet dhe regjistrohet nëpër dosje si “antiamerikanizëm”.

Më kujtohet mirë se në intervistën e tij një vit më parë, saktësisht në mbrëmjen e 13 prillit 2023 në “Top Chanell”, në kuadër të vizitës së tij në Tiranë, më 11-13 prill, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shprehu me të drejtë shqetësim edhe për dukurinë e shfaqjes apo shprehjes me masivizim në rritje edhe në Shqipëri, të antiamerikanizmit, referuar sidomos shtimit të kritikave ndaj ambasadores Yuri Kim, mike dhe kolege e hershme e tij dhe prej rreth një viti eprore e tij…

Me të drejtë të pjesshme dhe fare hapur akuzoi për këtë Rusinë. Ndërsa me nëntekst dhe me tendenciozitet të pamaskuar bëri fajtor për këtë zhgënjim ndaj SHBA-ve, deri në antiamerikanizëm, Sali Berishën, “duke harruar” se ky prej afro 10 vitesh është një individ politik dhe jo një institucion…, siç është Edi Rama me parti, qeveri, drejtësi, që edhe pa dashje apo paradoksalisht janë bërë një burimth tjetër shqiptar antiamerikanizmi!? Sipas mister apo senior Escobarit, Berisha po e bën këtë për hakmarrje apo kundërveprim ndaj ‘non grata’-s nga DASH!

Por, Escobar atëherë si dhe shefi i tij, Blinken gjatë vizitës së tij 8-orëshe në Tiranë, më 14 shkurt 2024, “harroi” se edhe pas një kohe të gjatë, “non grata” për Berishën është e paarsyetuar publikisht me “fakte korrupsioni” dhe e lënë në nivelin e tij, vetëm me emrin e tij, pa u vazhduar me emra të tjerë, jo më pak meritorë se ai… Gjithashtu, mister Escobar “harroi” më 13 prill 2023 e “ka harruar” gjatë gjithë vitit në vijim, deri më sot, në mes prill 2024 e njësoj si shefi i tij, Antony Blinken, se kritikat ndaj Rama-qeverisjes për dukuri me masivitet dhe shtrirje si korrupsioni, trafiqet e dograve e të klandestinëve, të pastrimit të parave të pista kanë qenë të shumta e të forta edhe në raportet vjetore të DASH-it të tyre, në këta mbi 10 vjet…

“Çuditërisht” apo jo rastësisht, edhe në mbrëmjen e 13 prillit 2023 e më vonë deri në këto ditë të prillit 2024, diplomati i lartë amerikan Gabriel Escobar “nuk është kujtuar” të bëjë qoftë edhe një kritikëz të pambuktë apo të sfungjertë ndaj “djalit për shpirt në Tiranë” të Xhorxh Sorosit dhe “të vëllait po për shpirt” të Alex Soros, të cilët kanë qenë dhe janë një “burim i madh dhe i pashtershëm antiamerikanizmi! Jo vetëm kaq, njëanshmëria apo filoedramizmi i Escobar “u fshehën” apo shprehën edhe në cilësimin vetëm të Berishës si “e shkuara”, që duhet braktisur e lënë pas…

Nënteksti i Escobarit është i qartë, mbështetje e hapur e sloganit të Rama-partiqeverisë: “Vështroni dhe ecni vetëm përpara!”, domethënë pas Edi Ramës dhe Erion Veliajt me bashkëpunëtorë, zv.ministra, zv.ministresha, drejtorë, këshilltare e sekretare. Nënkuptueshëm, sipas tij, këta janë e përparmja apo e ardhmja, kur dihet se për nga origjina prindërore, dajësore, partiake këta janë pinjollë dhe trashëgimtarë gjenetikë të së kaluarës enveriane… apo stalinisto-komuniste.

Ndërsa për nga bëmat apo veprat, shpejt apo vonë jo pak prej tyre meritojnë “ftesa për kafe” në SPAK apo disa vjet “pushime turistike” nëpër burgje, para se të fluturojnë e të gjejnë “çerdhe” nëpër parajsa fiskale e juridike… Po kështu, Escobar, nëse do të bënte analizë të thellë dhe objektive, “do të befasonte” veten dhe shefat e tij në Uashington se “simptomat e para të antiamerikanizmit” te jo pak shqiptarë antiqeveritarë apo opozitarë, nuk janë ndaj SHBA-ve në përgjithësi, ose ndaj SHBA-ve të presidentëve Wilson, Ruswelt, Aizenhauer, Regan, Bush atë e bir, Bill Klinton…

Shqiptarët, qysh nga 1913- ta, por sidomos pas 1990-tës janë filoamerikanët më të flaktë jo vetëm në Ballkan, por në krejt Evropën e më gjerë. Ata nuk ia harrojnë SHBA-ve dhe nuk ia zvogëlojnë mirënjohjen ish-presidentit Bill Klinton për rolin historik e vendimmarrës në nisjen e fushatës së sulmeve ajrore ndaj Jugosllavisë së Millosheviçit, më 24 mars 1999, përmbyllur me sukses me çlirimin e Kosovës, më 11-12 qershor 1999. Shfaqjet apo shprehjet e antiamerikanizmit te shumica e shqiptarëve nuk janë masive dhe gjerë përfshirëse, të adresuara drejtpërdrejtë si akuza ndaj Partive Demokrate dhe Republikane në tërësi apo në gjithë “piramidat” e tyre…

Këto “simptoma antiamerikanizmi” janë shprehje apo rrjedhoja zhgënjimi e ftohjeje ndaj 3 presidencave të fundit në Shtëpinë e Bardhë (Obama, Trump, Biden) dhe ndaj rritjes së ndikimit të Xhorxh Sorosit tek jo pak diplomatë në DASH gjatë këtyre 15 viteve të fundit… Është e pritshme dhe e kuptueshme përse as Blinken dhe as Escobar “nuk e shikojnë” apo “nuk e kuptojnë” se Xhorxh Soros dhe “piramida” e tij, edhe pse ai është qytetar amerikan korrekt ligjërisht dhe financiarisht, si taksapagues i rregullt, përbën një nga “burimet më të pasur” të antiamerikanizmit. Këtë mision apo këtë rol e kryen duke provokuar apo injektuar zhgënjime dhe pakënaqësi edhe ndaj politikës dhe presidencave amerikane, nëpërmjet krizave ekonomike, financiare, sociale, politike, juridike… që shkakton në vendet ku gjen shesh për të bërë përshesh, si 2 vjet më parë në Sri Lanka e si këto vitet e fundit, në Shqipëri…

Është e kuptueshme se Escobar dhe shefi i tij, Blinken e dinë shumë mirë se cilët shtete, institucione, individë… janë investitorët kryesorë për kultivimin dhe shtrirjen e antiamerikanizmit në nivel botëror… Edhe pse ata e dinë po kaq mirë, po “ua kujtojmë” se në nivel ballkanik dhe sidomos shqiptar, dozat e antiamerikanizmit, jo krejt rastësisht, “i injektojnë”, krahas Putinit dhe Vuçiçit dhe shërbimeve të tyre sekrete, edhe disa ambasadorë, misionarë politikë dhe të shërbimeve sekrete të SHBA-ve, si Yuri Kim, Hill, Honevier, Grenell, McGonigal…

Ky kontingjent politikanësh dhe zyrtarësh amerikanë e bëjnë “injektimin”, provokimin, nxitjen, përhapjen e “antiamerikanizmit” me veprime dhe mosveprime; me tifozllëk dhe njëanshmëri të ndjeshme majtas, me deklarime jo objektive, me fotografi shumë miqësore e përtej limiteve të kodit dhe funksionit diplomatik me qeveritarët më të lartë dhe me persekutimin e liderit kryesor të opozitës me një ‘non grata’ masivisht jobindëse; me ekspozita pikture në Beograd… të bashkëshorteve, në kulmin e bisedimeve Serbi-Kosovë!

E kanë bërë dhe po e bëjnë edhe me qëndrime dhe deklarata në Uashington, Bruksel, Beograd, Prishtinë, Shkup, Ohër, që u kuptohen lehtësisht nënteksti dhe preferenca politike, të cilat qelben erë sorosianizmi, filosllavizmi, antishqiptarizmi edhe nga shumë larg! Nuk është e vështirë për t’u kuptuar se, pa apo me dashje, disa zyrtarë dhe misionarë diplomatikë amerikanë dhe evropiano-perëndimorë, “çojnë ujë antiamerikanizmi”, me kanale mbi ose nëntokësorë, në mullirin e Rusisë, padyshim më e interesuara dhe më e pakursyera për të investuar për kultivimin dhe masivizimin e antiamerikanizmit jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por në shumicën e vendeve të botës! Edhe lufta në Siri, Libi, Jemen, Rusi-Ukrainë, konfliktet Izrael-Palestinë në Gaza dhe Iran-Izrael, shoqëruar nga mbështetja e fortë apo e plotë e SHBA-ve ndaj Izraelit, nxisin dhe provokojnë pashmangshmërisht antiamerikanizëm në botën arabo-islamike, deri në Afganistan, Pakistan, Bangladesh, Malajzi, Indonezi, vende me rreth 85%-90% të popullsisë me besim islamik…

Pra, burimet e antiamerikanizmit duhen kërkuar më shumë në botën sllave, botën arabe dhe islamike në përgjithësi, në botën kinezo-koreanoveriore, latino-amerikane… Ndërsa në Shqipëri e Kosovë, në të vërtetë është një burimth i pakrahasueshëm, i papërfillshëm, i përkohshëm. Ai mund të shterojë e thahet shpejt, nëse do të ketë ndryshim presidencash dhe “klime politike” në SHBA, favorizuese edhe për ndryshim të “klimës politike” dhe të qeverisjes edhe në Shqipëri!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura