Kryetari pa vepra shkencore i Akademinë e Shkencave

Dec 2, 2023 | 9:23
SHPËRNDAJE

NGA FITIM ÇAUSHI fitimcaushi

Prej kohësh akademikët kanë pasur për mision botimin e studimeve që e lartësonin shkencën shqiptare dhe veçanërisht Albanologjinë. Ndaj nderojmë si korifenj të studimeve me vlera, veçanërisht në fushën e Albanologjisë akademikët Aleks Buda, Eqerem Çabej, Dhimitër Shuteriqi, Alfred Uçi, Mahir Domi, Kristo Frashëri, Rexhep Qosja, Ramadan Sokoli, Beniamin Kruta, Idriz Ajeti, Jup Kastrati, Ali Hadri, Anton Çeta, Rexhep Munishi, etj., të cilët sollën një produkt shkencor, që do t’i mbetet si kurorë lavdie shkencës dhe kulturës shqiptare në shekuj.

Qysh në Konferencën e Parë Albanologjike të vitit 1962, është theksuar rëndësia e veçantë e shkencave albanologjike në vendin tonë. “Detyra për të hequr pluhurin e kohës nga ky trashëgim i çmuar i së kaluarës, për të nxjerrë në dritë kulturën e krijimtarisë artistike u takon albanologove tanë, – u theksua në konferencë – kjo kërkon që të zhvillohet më tej metoda e diskutimeve të lira krijuese për vlerësimin e rezultateve të kërkimeve”.

(Konferenca e I Albanologjike, nëntor 1962) Studiuesit e huaj të folklorit tonë, si Han Rajnhold, Majer, Pederson, Jarnik, Karaxhiç, Lamberc, etj., u bënë përhapës të fjalës së gjallë të popullit shqiptar, ku pasqyrohet historia e tij epike dhe lirizmi i thellë i shpirtit të tij poetik. Për ta, prof. Androkli Kostallari në konferencë theksoi: “Kërkimet e folkloristëve shqiptarë e të huaj treguan qartë se folklori shqiptar është ndër më të pasurit e më të larmishmit në Evropë dhe se pa të është e vështirë, në mos e pamundur, të zgjidhen disa nga problemet kyçe të folkloristikës Ballkanike”.

(Androkli Kostallari, Konferenca e I Albanologjike) Elena Gjika në veprën e saj “Kombësia shqiptare në dritën e këngëve popullore”, 1866 i dha folklorit tonë një vlerësim të lartë dhe doli në konkluzione të rëndësishme shkencore. Fakti që në këtë Konferencë kumtoi prof. Ramadan Sokloli për Polifoninë tonë popullore, dëshmon se shkenca shqiptare e kishte konfirmuar këngën popullore tre dhe katërzërëshe, qysh në vitin 1962, si Polifoni Popullore Shqiptare.

U konfirmua kjo gjetje edhe në tetor 1989, simpoziumi shkencor “Polifonia popullore e Ballkanit, me studiues nga disa vende Ballkanike. Përkundër rezultateve të konferencave, simpoziumeve dhe sesioneve shkencore të organizuara nga Instituti i Folklorit, arritje këto të çmuara të albanologjisë, ju z. Gjinushi vazhdoni t’i qëndroni besnik pseudargumenteve të akademikut Vasil Tole, alias zëvendësi juaj, që i ka injoruar brutalisht të vërtetat e pakontestueshme të paraqitura nga studiuesit dhe profesorët shqiptarë. A ka ndonjë arsye që ju bëheni palë me të?

Padyshim që ka, por ato janë sa antishkencore aq dhe antikombëtare. E këtu del një problem i madh. Çuditërisht, nën përkujdesjen e kupolës së Akademisë janë zhvilluar në sallën shkencore “Aleks Buda”, të Akademisë së Shkencave, dy promovime librash të “akademikut” Vasil Tole: “Odiseja dhe sirenat, grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit” dhe “Pse qajnë kuajt e Akilit”.

A e nderon Akademinë e Shkencave Shqiptare, që në sallën e Babait të Albanologjisë, të organizohen përurime për paçavure me sirena greke dhe kuaj që qajnë e qeshin? Në librin e parë, akademiku Vasil Toles ka shkruar se Polifonia shqiptare e ka djepin dhe origjinën nga sirenat greke, madje në dosjen e përgatitur nga ana e tij për në UNESCO është deklaruar me pompozitet, se “Polifonia do të mbetet gjithnjë një këngë magjike e sirenave”!

Nuk ka asnjë dyshim, se sipas këtij “akademiku” trashëgimia shpirtërore e popullit shqiptar, do të konsiderohet edhe në shekujt e ardhshëm kulturë greke e ardhur nga sirenat! E kjo kaloi në heshtje, ca më tepër nuk ngacmoi asnjë nga akademikët e Akademisë së Shkencave për këtë diversion kulturor që cenon Albanologjinë shqiptare dhe trashëgiminë shpirtërore të popullit shqiptar?

Si nuk u kujtuat ju zoti kryetar t’i kërkonit kolegut, një sirenë, për një koncert të përbashkët me grupet polifonike në sallën “Aleks Buda”? Ta poshtërojë kaq shumë kulturën popullore shqiptare një “akademik” pa vepër albanologjike dhe Akademia e Shkencave dhe kryetari i saj të heshtë?! Kjo është anormale. Përse jini ju z. Gjinushi në majë të Akademisë së Shkencave, të talleni me trashëgiminë shpirtërore të popullit shqiptar?

Edhe më tronditëse është propagandimi nga maja e Akademisë së Shkencave i Epirit si etnitet grek (!) duke i vendosur sirenat pranë brigjeve të Shqipërisë së sotme: “Ne i përmbahemi idesë, se vendndodhjen e sirenave mund ta lokalizojmë pranë brigjeve të sotme shqiptare”.(V. S. Tole, Odiseja dhe sirenat…vep. e cit. f. 41) Në këtë përçartje sirenat lokalizohen në Epir, më konkretisht, pasaportizohen në Sul të Çamërisë, i cili për shumë studiues të huaj e vendas, konsiderohet me origjinë ilire. A nuk kishte vend për ju të pyesnit qoftë dhe një herë: Ç’duan sirenat drejt Epirit? Pse nuk rrinë sirenat atje ku janë, në Greqi?! Nën shembullin tuaj, edhe akademikët e sotëm e kanë ekspozuar veten si specie indiferente, edhe kur ndërkombëtarisht poshtërohet trashëgimia shpirtërore e popullit shqiptar në UNESCO.

Në faqen 65 të librit “Odisea dhe sirenat grishje drejt viseve isopolifonike të Epirit”, Vasil S. Tole, shkruan: “Iliada dhe Odisea përbëjnë burimin e parë historik, monumentin e parë të shkruar, i cili përshkruan aktet e trimërisë së parahelenëve në këtë epokë”. Sikundër e shikoni, z. Gjinushi, edhe “Iliada”, edhe “Odiseja”, sipas akademikut dhe zëvendësit tuaj, na qenkërkan produkt parahelen, jo para Ilir, ndërkohë që Homeri trojanët i konsideron Dardanë. Parahelene konsiderohen edhe sirenat tek “Odiseja”, si qenie mitologjike greke.

Çfarë lidhje ka kënga polifonike shqiptare me sirenat greke: tek të cilat Vasil Tole vendos djepin e polifonisë shqiptare?! Kjo është një çmenduri, sepse sirenat nuk ekzistojnë askund dhe nuk është mirë që këngën polifonike shqiptare ta studiojë si produkt të hiçit, çka e ka ndërkombëtarizuar përmes UNESCO-s. Ç’vlerë kini ju z. Gjinushi, kur pranoni në Akademinë e Shkencave “vepra” të shëmtuara, antikombëtare?! Akademiku Pëllumb Xhufi, në botimin monumental “Arbrit e Jonit”, e ka dokumentuar përfundimisht, përmes mijëra dokumenteve, se Epiri në 1000 vjetët e fundit ka qenë Arbëri. Ose Akademia e Shkencave do të pranojë Vasil Tolen, që e konsideron Epirin Greqi, ose do të pranojë Pëllumb Xhufin, që Epirin e konsideron Shqipëri.

Të dy bashkë nuk mund të pranohen në atë institucion të shenjtë, prandaj ju larguat Xhufin prej Akademisë dhe mbajtët sejmenin tuaj, ndonëse nuk dihet mirë, se kush është sejmen i njëri tjetrit. Ç’vlerë kanë shkencat albanologjike, nëse pranohen dy etnitete brenda të njëjtit territor gjeografik?! Çfarë i thoni popullit, që ju paguan z. Gjinushi, se Epiri na qenkërka edhe Greqi edhe Shqipëri?! Të gjithë studiuesit shqiptarë, veçanërisht me studimin e fundit për Epirin, ish-kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Shabam Demiraj, konkludon, se Epiri është Iliri. Por ju z. Gjinushi nuk kini pasur kohë ta lexoni akademikun e madh Demiraj, jo vetëm se nuk e kuptoni atë, sepse vetëm shifrat njihni.

Ju z. Gjinushi nuk kini botuar asnjë studim shkencor albanologjik, për t’i shërbyer Albanologjisë shqiptare. Si mund ta drejtoni Akademinë e Shkencave pa shembull personal, sikurse kishin bërë Aleks Buda, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Eqrem Çabej? Aq më tepër që ju nuk dini as t’i mbroni vlerat e Albanologjisë dhe trashëgiminë shpirtërore të popullit shqiptar, kur akademikë miq tuaj i falsifikojnë dhe ia atribuojnë popullit fqinjë trashëgiminë shpirtërore të popullit shqiptar, si produkt të sirenave dhe korit kishtar bizantin!

Janë bërë disa simpoziume shkencore kur nga studiuesit më në zë të vendit është pohuar se nuk ka “isopolifoni”! Në mjaft syresh keni qenë dhe ju i ftuar, po nuk keni denjuar të merrni pjesë. Sepse ishit në pragun e zgjedhjeve dhe pjesëmarrja juaj në simpozium, krijonte konflikt me nënkryetarin, i cili mund të rrezikonte zgjedhjen tuaj si kryetar! Më shumë vlerësoni interesin e ngushtë personal, sesa parimet e shkencës që ju drejtoni.

Deri tani zoti Gjinushi, koka e Akademisë së Shkencave, tashmë i zgjedhur për herë të dytë, nuk e ka parë të nevojshme të prononcohet për këtë tjetërsim serioz të Albanologjisë. Ju zoti Gjinushi nuk keni reaguar as pas rezolutës më të fundit të intelektualëve e shkrimtarëve më në zë të Shqipërisë e Kosovës, që bëjnë apel për të frenuar aksionin antikombëtar për huazimin e këngës polifonike shqiptare. Me sa duket, nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur ju nuk mund të lëndonit zëvendësin tuaj, protagonistit kryesor të tjetërsimit të identitetit të polifonisë popullore, pasi vota dhe më së shumti akrobacitë e tij u duheshin për të marrë mandatin shumë të diskutueshëm në krye të Akademisë.

Keni rënë poshtë zoti Gjinushi, keni shpërfytyruar personalitetin tuaj, por edhe të institucionit që drejtoni prej vitesh. Dhe krejet në fund, ia vlen t’ju pyesim ju dhe zëvendësin tuaj: Cilat janë vlerat kombëtare të botimeve tuaja që mund ta ballafaqojnë shkencën tonë Albanologjike me studiuesit e huaj, për të cilat ata kanë interes? Asnjë, se të dy nuk kini botime të nivelit albanologjik. Nxituat kot zoti Gjinushi për ta rimarrë karrigen e kryetarit të Akademisë, se mbi të gjitha nuk e meritoni.

A nuk do të ishte në dinjitetin tuaj që t’ia lëshonit vendin një akademiku që ka vepra në Albanologji, sikurse akademikut Pëllumb Xhufi, i cili në veprat e tij të botuara: “Shekulli i Voskopojës”, “Fundshekulli i dëshpëruar”, “Arbrit e jonit” etj., ka përdorur me dhjetëra mijëra dokumente të periudhës së Mesjetës, sa asnjë nga akademikët e deritanishëm. Në mënyrë shkencore dhe logjikë të hekurt, ai ka asgjësuar përfundimisht tërë pretendimet shoviniste dhe keqinterpretimet për tërësinë territoriale dhe kulturën e popullit shqiptar në shekuj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura