Kryeministri Rama e kthen bashkëqeverisjen në agjenci, do vendosë gjoba ndaj zyrtarëve. Ja sanksionet e parashikuara

Sep 20, 2021 | 13:48
SHPËRNDAJE

Në mbledhjen e parë me kabinetin e ri qeveritar, Kryeministri Rama lajmëroi shndërrimin me ligj të platformës së bashkëqeverisjes në një agjenci kombëtare, e cila do të hetojë dhe ndëshkojë edhe nëpunësit publikë.

“Qëllimi i këtij ligji është të krijojë kushtet për bashkëqeverisje me qytetarët nëpërmjet gjithëpërfshirjes së tyre në politikëbërje, garantimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurat administrative vendimmarrëse dhe rritjen e përgjegjshmërisë dhe të llogaridhënies së administratës shtetërore, përmes platformës “Me ty për Shqipërinë që duam”, thuhet në prezantimin e projektligjit.

“Agjencia, në bashkëpunim me Institucionin e Administratës Shtetërore, heton kryesisht të gjitha faktet dhe vlerëson të gjitha rrethanat e nevojshme për kontrollin e veprimtarisë administrative të institucionit të administratës shtetërore. Kur është e nevojshme kryerja e hetimeve të thelluara për konstatimin e fakteve të nevojshme të çështjes, titullari i institucionit, me paraqitjen e kërkesës së drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë, miraton krijimin e një grupi pune, pjesë e të cilit do të jenë personat e ngarkuar nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë sipas përcaktimit në kërkesë”.

Agjencia është nën varësinë e Kryeministrit, që emëron dhe drejtuesin e saj. Ligji i posaçëm për funksionimin e saj u miratua në mbledhjen e parë të qeverisë “Rama 3”. Mes kompetencave, gëzon të drejtën e masave disiplinore për funksionarët e institucioneve që shkelin vendimet e saj, deri në largim nga puna. Agjencia për Bashkëqeverisjen gjithashtu, mund t’i propozojë ministrit përgjegjës ose Kryeministrit lirimin nga detyra të titullarit të organit administrativ. Projektligji për Agjencinë e Bashkëqeverisjes parashikon edhe një sistem vlerësimi ku qyetetarët do mund të japin notën e tyre për shërbimet dhe drejtuesit e institucioneve, të cilave u janë drejtuar, që duket se do të ndikojnë dhe në fatin e tyre.

KODI ETIK

Kryeministri kërkoi forcimin e sanksioneve të Kodit Etik ndaj të gjithë anëtarëve të qeverisë që e shkelin atë. “Dua të them se qeveria ka një Kod Etik dhe nuk është vetëm kornizë normash por mënyrë jetese, ndaj dua të bëj me dije publikisht se në rastin e parë të mos respektimit të pikave, ministri duhet të kërkojë ndjesë publike dhe nëse e përsërit, duhet të lirojë vendin në tryezë”, iu drejtua Rama ministrave të tij në mbledhjen e parë të qeverisë pas betimit në Presidencë. Rama tha se qeveria nuk do bëhet mburojë e atyre që shkelin ligjin. “Do t’ju mbroj publikisht pa asnjë rezervë përballë çdo agresioni dhe kundërshtari të progresit që duam të sjellim bashkërisht. Do t’ju ruaj dhe shpinën nga çdo erë kundër jush që mund të fryjë për shkak të detyrës brenda shtëpisë sonë të përbashkët por edhe një herë, as mua, as Partinë Socialiste nuk do ta ketë mbrapa kush do të hedhë qoftë dhe një hap jashtë dyshemesë së ligjit”, tha Rama.

SANKSIONET NGA AGJENCIA E BASHKËQEVERISJES

Çdo person që shkel dispozitat e këtij ligji dënohet me gjobë, si më poshtë:

a) Institucioni i Administratës Shtetërore nga 10 000 deri në 60 000 lekë;

b) Nëpunësi publik ose titullari i institucionit publik, brenda personit juridik, i cili është përgjegjës për shkeljen, nga 30 000 derinë 80 000 lekë.

“Nota ime”, çdo muaj do të publikohet vlerësimi i qytetarëve për shërbimet e caktuara të administratës publike

KODI ETIK

Anëtarët e qeverisë:

– nuk duhet të fluturojnë me “business class”

– nuk duhet të shkojnë me pushime jashtë shtetit

– nuk duhet të shkojnë në kafene apo të drekojnë në restorant gjatë ditëve të punës, përveç se për festa familjare – nuk mund të pranojë bileta nga kompani private për veten apo familjen

– bashkëshortët nuk duhet të përdorin sallën VIP të aeroportit nëse nuk udhëtojnë me ministrin

– ndalohet përdorimi i makinës së ministrit nga familjarët kur janë pa ministrin Ministrat të mos dalin në Kuvend jashtë frymës së kolegjialitetit të vendimmarrjes në qeveri. Do konsiderohet thyerje e rëndë e Kodit të Etikës. Nuk do t’i kundërpërgjigjemi me formatin e vjetër tradicional të fletërrufeve të konferencave të shtypit të opozitë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura