Kryeministri më jetëgjatë i vendit/ Në moshën 97-vjeçare, ish-udhëheqësi i Malajzisë kandidon sërish zgjedhjet e përgjithshme

Oct 12, 2022 | 12:13
SHPËRNDAJE

Ish-udhëheqësi 97-vjeçar i Malajzisë, Mahathir Mohamad do kandidojë sërish në zgjedhjet e përgjithshme të vendit.

Mahathir Mohamad

Mahathir, i cili u shtrua në spital në fillim të këtij viti për shkak të probleme me zemrën, tha të martën se do të mbrojë vendin e tij duke përfaqësuar Langkawi, një destinacion popullor turistik.

Por shtoi se aleanca që ai përfaqëson, Gerakan Tanah Air (GTA) ose Lëvizja Atdheu, nuk ka vendosur ende se kush do të jetë kryeministër nëse fiton zgjedhjet, që priten të mbahen në nëntor.

“Ne kemi marrë një vendim. Në Langkawi, kandidati do të jetë Mahathir Mohamad, por jo si kandidat për kryeministër të ardhshëm, thjesht si kandidat për ligjvënës”, tha ai në një konferencë për shtyp.

Ndërsa shtoi: “Nuk kemi vendosur se kush do të jetë kryeministër sepse kandidati për kryeministër është i rëndësishëm vetëm nëse fitojmë.”

Mahathir, i cili doli nga spitali muajin e kaluar pasi u sëmur me Covid-19, ka qenë kryeministër i Malajzisë dy herë. Ai mbajti detyrën për 22 vite nga korriku 1981 deri në tetor 2003, duke e bërë atë kryeministrin më jetëgjatë në vend.

Ai doli nga pensioni në 2018 për të udhëhequr koalicionin e tij të atëhershëm, Pakatan Harapan ose Aleanca e Shpresës, në një fitore shokuese në zgjedhje dhe u kthye në pushtet në moshën 92-vjeçare.

Mahathir tha se ishte shtyrë të vepronte pasi Najib Razak u përfshi në skandalin financiar shumë miliardë dollarësh rreth fondit shtetëror të investimeve 1Malaysia Development Berhad (1MDB).

Najib është burgosur për 12 vjet për pastrim parash, abuzim me pushtetin dhe akuza të tjera në lidhje me skandalin, por mbetet një forcë politike mes spekulimeve se ai mund të marrë një falje mbretërore.

Mahathir paralajmëroi të martën se Najib mund të lirohet nëse UMNO fiton zgjedhjet.

Kryeministri aktual i Malajzisë është Ismail Sabri Yaakob i partisë në pushtet UMNO. Ai shpërndau parlamentin të hënën, duke i hapur rrugën zgjedhjeve, por ende nuk është caktuar një datë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura