Krijoi kushtet për atentatin ndaj Marklen Hakës, por mbeti e vrarë halla e shënjestrës, zbardhet akuza ndaj Durim Bamit! I arrestuar për krimin vëllai i të zhdukurit 9 vite më parë

May 18, 2024 | 8:56
SHPËRNDAJE

Zbardhen detaje të reja nga megaoperacioni i Prokurorisë së Posaçme ku u lëshuan rreth 50 urdhërarreste pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin Sky ECC, ndërsa u “bastisën” nga policia banesat e disa prej emrave më të njohur të botës së krimit në vend.

Marklen Haka durim bami

Një nga personat ku zbarkuan forcat RENA ishte edhe banesa e Durim Bamit në Fushë-Krujë. Ndaj këtij të fundit është ngritur akuza për krijimin e kushteve për vrasjen e një tjetër personazhi të njohur të botës së krimit, Marklen Hakës.

Por në atentatit ndaj të riut në vitin 2019, mbeti e vdekur halla e këtij të fundit, Shpresa Basha. I arrestuar për krimin është vëllai i Enver Stafukës, i cili rezulton i zhdukur prej vitit 2015.

Naim Stafuka është arrestuar ditën e djeshme, ndërsa nuk dihet ende roli i tij në atentatin nga Marklen Hakës.

Atentatet ndaj Marklen Hakës

33-vjeçarit Marklen Haka iu bë atenat më 21 shtator 2019 në Nikël. Por nga të shtënat me armë ai mbeti i plagosur ndërsa mbeti e vrarë halla e tij, 50- vjeçarja Shpresa Basha.

Ndaj të riut u qëllua me 100 plumba, ndërsa Haka kishte vetëm dy muaj që ishte liruar nga burgu. Mariglen Haka ka përfunduar për herë të parë në pranga kur ishte 20 vjeç, i dyshuar për një vepër të rëndë penale, atë të vrasjes.

Ndërkohë një tjetër atentat iu bë më 8 qershor 2022 në vendin e quajtur kryqëzimi i fshatit Nikël, ku mori një plumb në fytyrë. Marklen Haka kishte kohë që nuk dilte nga vila e tij luksoze në fshatin Nikël në Fushë-Krujë, që nga atentati i fundit në shtator të vitit 2019.

Madje, ai kishte vendosur të braktiste edhe Shqipërinë dhe të zhvendosej në Belgjikë. Megjithatë, edhe atje ai kishte preferuar të qëndronte në fortesën e tij në fshatin Nikël.

Megjithatë një telefonatë nga ish-kunata e tij e çoi atë përsëri në pritën e qitësve të tij, të cilët ishin në përditësim të çdo lëvizje të tij dhe kishin marrë çdo masë për eleminimin e tij. Ata ishin të përgatitur dhe dispononin informacion në terren, kështu që kur Marklen Haka zgjodhi të dilte nga vila e tij, ajo u përfundua me atentatin që ndodhi mesditën e 8 qershorit 2022 kur një telefonatë miqësore për kafe nga ish-bashkëshortja e vëllait të tij të ndjerë, e cila ishte e shoqëruar nga një mikesha e saj, e nxorri atë edhe njëherë në rrugë, aty ku në kthim e prisnin sërish në pritë armiqtë e tij.

Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes grupi hetimor, provoi se në segmentin rrugor, 35 metra në anën lindore të kryqëzimit të fshatit Nikël, mbi asfalt, janë gjetur të shpërndara në mënyrë të çrregullt, 17 gëzhoja në formë cilindrike, 12 nga të cilat janë të shtypura me kapsollë të goditura me mbishkrimin në fundin e tyre 14 G.F.L, një predhë metalike e shformuar dhe një këmishë predhe.

Marklen Haka ia hodhi paq edhe këtë herë, si në sulmet e tjera me armë ku objektiv i armiqve të tij kishte qenë ai vetë dhe pjesëtarë të familjes Haka. Ai mori një plumb në nofull, ndërsa dëshmitarë të batareve ndaj makinës së tij u bënë edhe të pranishëm të rastësishëm apo jo në vendngjarje. Ata panë të tmerruar se si plumbat vërshuan edhe ndaj tyre, duke rrezikuar seriozisht jetën. Disa prej qitjeve përfunduan edhe në lokalin ngjitur me skenën e atentatit.

Marklen Haka: Nuk kisha ecur as 200 metra nga lokali kur vura re një automjet tip Audi A8, prodhim i viteve 2008-2010, me ngjyrë të zezë, me xhama komplet të zinj, me targa të bardha të huaja, me gërma të vogla, që më bëri shumë përshtypje. Në këtë moment i dhashë gaz makinës dhe e parakalova Audin.  Por aty vura re se kjo makinë po vazhdonte të më ndiqte dhe qëndronte pranë meje në një distancë rreth 100 metra.

Kur mbërrita në vendin e quajtur stacioni i Niklës, mora kthesën për në fshat. Aty pashë djalin e xhaxhait tim që duhet Tani Haka. Ai po qëndronte në këmbë në rrugë para lokalit dhe ma bëri me dorë që ta merrja. Unë ndala makinën dhe Tani mu afrua që të hipte në automjet. Në këtë moment, pranë makinës sime u afrua Audi A8, i cili uli xhamin dhe nga aty u qëllua me armë. Unë u shtriva në sedilje, ndërsa të shtënat vazhdonin. Ndërkohë që një plumb më kapi në nofull.

Pas asaj që më ndodhi unë i dhashë makinës indietro dhe u largova drejt Fushë Krujës. Aty u ndala për një moment dhe u nisa sërish dhe shkova të kalçeto ‘Çangu’.  Ku mbërriti Adi Haka i cili më pas më dërgoi në spital.

 

 

 

 

 

Zhdukja e Enver Stafukës

Enver Stafuka u rrëmbye dhe u zhduk mbrëmjen e 8 shkurtit në vitin 2015. Video e publikuar në emisionin “Nën shenjëstër” tregojnë të plotë dinamikën e ngjarjes si edhe lëvizjen e personave me të cilët Enver Stafuka konsumoi kafen e fundit, por edhe të rrëmbyesve të veshur si policë.

enver-stafuka

Ky i fundit u zhdukSiç shikohet edhe nga pamjet e plota, i pari që vjen në sheshin para lokalit dhe që zbret nga makina është Enver Stafuka teksa ora shënon 19:23.

Menjëherë pas tij, vjen Gentjan Bejtja. Më pas siç dallohet në video, vjen Ramazan Rraja, nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja. I fundit që i bashkohet grupit është Durim Bami, personi që shikoni në pamje që zbret nga makina në anën tjetër të rrugës. Siç vihet re në vazhdim, të katër personat, futen në lokal.

21 minuta më pas, i pari që del nga lokali është Ramazan Rraja, emri i të cilit përmendet për herë të parë në këtë histori. Ky i fundit, merr makinën dhe largohet. Vetëm një minutë pas tij, nga lokali po me nxitim, del Enver Stafuka. Këto janë momentet e fundit përpara rrëmbimit.

Ai duket teksa nxiton dhe drejtohet për te makina e tij. Është ky çasti, ku persona të veshur si policë, të cilët mesa duket po e prisnin, kanë dalë nga automjeti i tyre dhe i kanë thirrur në emër. Fillimisht ata e kanë shtyrë dhe më pas e kanë lidhur. Ndërsa një makinë afrohet dhe katër personat e fusin Enver Stafukën në brendësi të automjetit.

Edhe sot pas më shumë se 6 vitesh, Enver Stafuka nuk është gjetur. Vetëm 2 minuta pasi ka ndodhur rrëmbimi, dalin qetësisht nga lokali, Durim Bami dhe Gentjan Bejtja. Themi qetësisht, pasi askush prej tyre, duket sikur nuk e ka parë aksionin e policisë ku u ‘arrestua’, Enver Stafuka që në fakt rezultoi të ishte rrëmbim. Sot, gati shtatë vite më vonë, ende nuk dihet asgjë për fatin e babait të 4 fëmijëve. Policia e cila ka rihapur dosjen është duke hetuar grupin e Emiljano Shullazit, si të përfshirë në krimin e rëndë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura