Kreu i ri zgjidhet më 29 korrik, tensione e sherr mes militantëve e deputetëve të PD, çfarë ndodhi në 8 orët e mbledhjes së Kryesisë

Jun 8, 2023 | 8:01
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Mes debateve dhe tensioneve që zgjatën për tetë orë kryesia e Partisë Demokratike vendos të hapë garën për zgjedhjen e kryetarit të ri, që do të jetë në datën 29 korrik.

Mbledhja maratonë e PDsë zyrtare, e cila nisi në orën 18:00 dhe zgjati deri në orët e para të mëngjesit, u shoqërua me debate të forta, sulme dhe kërcënime ndaj disa prej anëtarëve të Kryesisë. Vendimi për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së me 29 Korrik, u miratua me 17 vota pro, 2 vota kundër dhe 3 abstenime. Sipas vendimit, kandidatët që duan të hynë në garë për drejtimin e partisë, paraqesin kërkesën për kandidim brenda datës 20 Qershor 2023.

Ndonëse duhet të ishte një mbledhje që mund të bënte bashkë demokratët në të dy krahët, por që degjeneroi në tension, dhunë verbale, sharje e kërcënime ajo e kryesisë së thirrur nga kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi. Mbështetësit e Lulzim Bashës dhe krerët e degëve jo pak herë janë futur në mbledhjen e kryesisë, duke ushtruar presion, madje edhe duke kërcënuar deputetët që mbështetën platformën e Gazmend Bardhit që shihte si emergjente bashkimin e demokratëve dhe nisjen e zgjedhjeve nga baza, duke mos e konsideruar emergjente zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.

Dhuna verbale e kërcënimet brenda në mbledhje e detyruan Gazment Bardhin që së bashku me deputetin Dashnor Sula të largoheshin duke e lënë në mes drejtimin e kryesisë. Ndërsa, Jorida Tabaku e zhgënjyer nga kërcënimet dhe gjuha aspak etike e përbashkuese në mbledhje hoqi përfundimisht dorë nga pozicioni i nënkryetares së Partisë Demokratike.

“Kryesia e PD mbas një mbledhje 8 orë të gjatë vendosi për të vazhduar përpara me procesin e zgjedhjeve në parti. Kërkesa ime dhe dëshira ka qenë e vetme dhe e thjeshtë, mos nxitohemi dhe t’i japim demokratëve një proces të drejtë, real dhe që na nderon. Të gjithë ishim dakord për faktin që PD duhet të riorganizohet por nuk gjetëm gjuhën e përbashkët për mënyrën se si duhet të riorganizohemi. I kërkova kryesisë të mos marrim vendim të nxituar, çdo vendim i njëanshëm thjesht do të zvogëlojë edhe më shumë partinë tonë dhe nuk do ta zmadhojë atë. Në kushtet që jemi ne nuk kemi luksin të përsërisim të njëjtat gabime! Pyetja që sot duhet t’i bëjmë vetes është nëse duam një parti të kryetarit apo kryetar për partinë tonë? Ne duhet patjetër të hapim PD, duhet të përpiqemi mos bëjmë procese të njëanshme, duhet të përfshijmë këdo. Me vlerësimet maksimale për deputetët dhe kontributin e tyre, kolegjit të kryetarëve dhe kontributin e tyre dhe të gjithë ato që kanë qëndruar. I premtova anëtarëve të kryesisë që do të qëndroj deri në fund, derisa mund të gjejmë një zgjidhje që i përfshin të gjithë në proces. Të mos nxitohemi!”, tha Tabaku.

Dorëheqje që u pasua edhe nga ajo e Flamur Hoxhës. Por saga e kërcënimeve nuk u mbyll me kaq. Krerët e degëve dhe mbështetës të Bashës s’i kursyen deputetët që refuzonin zgjedhjen e kryetarit të partisë pa u bërë më parë bashkimi i demokratëve në bazë. Dhunën verbale, presionin dhe shantazhin kundër deputetëve, kryetari i grupit parlamentar, Gazment Bardhi e denoncoi publikisht. Në mes të mbledhjes, disa prej anëtarëve të Kryesisë, kanë vendosur që ta braktisin atë pasi nuk kanë rënë dakord për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së më 29 Korrik. Në një deklaratë për mediat, ish-kandidati i PD-së për Tiranën, Roland Bejko, është shprehur se largimi në mes të mbledhjes i disa prej anëtarëve, është thikë pas shpine për demokratët. Bejko ka shtuar se në këto momente, PD-së i duhet mbështetje dhe jo shkelma.

“Nuk e di si do të vazhdojë më tej. Di të them që për 8 orë u diskutua nga të gjithë anëtarët e Kryesisë dhe besojmë se gjithkush dha versionin e tij për mënyrën sesi e ka parë PD që 1 vit më parë ku është larguar Basha dhe në momentin kur ka ardhur për t’u diskutuar se cilin nga modalitetet, pranoj në Kryesi, pasi u dhanë disa propozime. Unë i propozova të dy propozimet, si atë të grupit parlamentar, ashtu edhe atë të Kolegjit të Kryetarëve dhe propozimet që vinin nga anëtarët e Kryesisë, i përputha në një. Nuk u ra dakord për faktin që muaji qusht është muaji ku nuk bëhen dot zgjedhjet në parti, si në nivelin vendor, ashtu edhe për kryetarin dhe në këtë moment, kur u kërkua të bëhej votimi, në mënyrë të pakuptimtë, u pa që u largua sekretari i përgjithshëm, nuk e mora vesh sesi u largua. U larguan dhe disa nga deputetët dhe tek e fundit, u kalua në votim”, deklaroi Bejko.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura