Kostot e shkatërrimit të prodhimit vendas, ekonomia po rrit varësinë nga importet! Si industria përpunuese po tkurret me shpejtësi

Jan 28, 2024 | 7:19
SHPËRNDAJE

Rënia e Euros, rritja e pagës minimale, kërkesa e dobët nga jashtë po çojnë në faliment shumë fabrika, teksa ekonomia jonë po rrit varësinë nga importet. Në tremujorin e tretë 2023, industria shënoi rënie me 8.2%, më e madhja nga viti 2020 kur e gjithë bota u bllokua nga pandemia Covid-19. Ekspertët dhe bizneset e sektorit lajmërojnë se falimenti i njësive të prodhimit jep pasoja zinxhir që nga arsimi, taksat, punësimi, shkatërron industritë mbështetëse dhe rrënon punën 20-vjeçare që ka bërë vendi në krijimin e “Made in Albania”.

Alba-Shoes-fabrika-fason-1115-scaled

Sektori i prodhimit, sidomos industria përpunuese, po tkurret me shpejtësi nga disa faktorë që po e bëjnë rënien të qëndrueshme. Në tremujorin e tretë 2023, industria u reduktua me 8.2%, rënia më e madhe që nga tremujori i dytë i vitit 2020 kur e gjithë bota u bllokua nga pandemia Covid-19.

Kjo ka sjellë pasoja zinxhir që nga punësimi, pagat, eksporti dhe në afatgjatë do të zgjerojë ndikimin negativ që nga cilësia arsimore, të ardhurat buxhetore, varësia nga importi dhe kostot në ekonomi, – shpjegojnë bizneset e sektorit dhe ekspertët e fushës.

Një seri faktorësh që po shkaktojnë tkurrjen, si rënia e Euros, rritja e pagës minimale, kërkesa e dobët nga jashtë nuk po mbikëqyren, duke i lënë të pashpresa bizneset drejt falimentit. Shoqata Pro-Eksport raportoi se dolën rreth 1000 persona të papunë në pak javë nga fabrikat e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve kryesisht në qarqe.

Punësimi në sektorin e industrisë në 3-mujorin e tretë shënoi rënie me 2% dhe perspektiva mbetet e errët edhe për vitin 2024. Kjo është hera e parë që përfaqësuesit e sektorit nuk mund të japin parashikime për rikuperim.

Zhvendosja e ekonomisë nga prodhimi tek importi do t’i sjellë vendit pasoja negative afatgjata, thotë kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, i cili gjithashtu operon në sektorin e agropërpunimit. Ai thotë se falimenti i njësive të prodhimit jep pasoja zinxhir që nga arsimi, taksat, punësimi, shkatërron industritë mbështetëse dhe rrënon punën 20-vjeçare që ka bërë vendi në krijimin e produkteve “Made in Albania”.

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj thotë se, një rritje ekonomike që konsideron largimin nga sektorët prodhues nuk mund të jetë një model i ri, pra një përmirësim strukturor i ekonomisë sonë.

Në procesin e përmirësimit strukturor, vendet janë të orientuara drejt rritjes së prodhimit bazuar në strategjitë e industrializimit të tyre. Ai tha se, duhet të aplikohet një fond i posaçëm që duhet të ketë objekt parandalimin e falimentit në industrinë e prodhimit.

Panajot Soko, ekspert i çështjeve makroekonomike, analizon se ekonomia shqiptare duhet të bazohet te prodhimi shqiptar. Tregu i prodhimeve është  qëndrueshëm me norma shumë të larta vlerësimi, ndërsa tregu i shërbimeve, edhe për shkak të avancimit teknologjik e shoqëror, është një treg i paqëndrueshëm me norma shumë të larta zhvlerësimi.

Dhe referencat për këtë i gjen kudo, si zhvlerësim strukturor, apo dhe industrial. Për shembull, rasti i shërbimeve postare, apo i shërbimit telefonik, të cilat për shkak të internetit, të dyja këto industri janë reduktuar në maksimum dhe telefonia shumë shpejt do të vdesë si shërbim.

Efektet në punësim

Sektori i prodhimit në Shqipëri bazohet te krahu i lirë i punës dhe është punëdhënës i rëndësishëm për shtresat e brishta të shoqërisë, kryesisht në 40% e poshtëm të shoqërisë me të ardhura të ulëta.

Në fabrikat e industrisë përpunuese, ku bëjnë pjesë tekstili, këpucët linjat e përpunimit të produkteve ushqimore, letra dhe druri, metalet dhe industria automotive punësonin rreth 86 mijë persona në vitin 2021. Vitin e kaluar, mbi 20% e të punësuarve me pagë ishin në sektorin e industrisë.

Nga pikëpamja sociale, sektori i industrisë punëson kryesisht gra dhe ka zbutur ndjeshëm hendekun gjinor në punësim. Ndonëse me paga të ulëta, sektori dha punë për një pjesë të popullsisë në varfëri ekstreme.

Pas administrues publikë, industria është sektori më i madh i punësimit me pagë në vend, por punësimi në këtë sektor ra në tremujorin e tretë për të tretin tremujor radhazi.

“Ecuria e punësimit do të jetë shumë dramatike, duke pasur edhe ndikim social dhe sidomos në zonat rurale ku aktivitete të tjera ekonomike përtej sektorit manifakturë të veshjeve dhe këpucëve nuk ekzistojnë, parashikimi është i kuptueshëm për të gjithë”, – thotë Edvin Premçe nga Shoqata Pro-eksport.

Të dhëna operative tregojnë se, largimet nga puna po ndodhin në shumë në qarqe, ku janë të vendosura disa fabrika. Në Korçë, Shkodër dhe Fier, ka të dhëna për mbylljen e shumë njësive të prodhimit dhe rritje të papunësisë gjithashtu.

Në qarqe ka një rrjet të vogël linjash prodhimi dhe nuk ka mundësi që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin si në Tiranë, ku një fabrikë e vogël mund të marrë punë nga një më e madhe.

“Kam plan të shkurtoj punonjësit me rreth 18% në njësinë ‘Shqipëria Tricot’”,- thotë Gjergj Leqejza, sipërmarrës i një prej njësive më të mëdha të prodhimit tekstil në Shkodër.

Në njërën anë, humbjet nga kursi i këmbimit dhe në tjetrën, rritja e pagës minimale, po i bëjnë prodhimet shqiptare për eksportet jokonkurruese në tregjet ndërkombëtare. Humbjet nga kursi i këmbimit kapën 10% të xhiros në muaj të caktuar të vitit 2023, ndërsa paga minimale nga 32 mijë lekë në prill 2022 arriti në 40 mijë lekë në prill 2023.

Më në vështirësi janë fabrikat e këpucëve dhe ato të prodhimit të veshjeve intime, pasi kriza pas luftës në Ukrainë bëri që konsumi në këto produkte të shënojë rënie.

Punësimi në bizneset e industrisë hyri në krizë që në tremujorin e tretë të vitit 2022, ku rënia nisi me 0.2% pas një rritje me rreth 7% gjatë gjithë vitit. Gratë që punojnë në sektorin fason e kanë shumë të vështirë të punësohen në sektorin e turizmit, për shkak të largësisë në këto qendra.

P.sh. punësimi në fason është i përqendruar në Kamzë, por nevoja për punonjës është kryesisht në Durrës. Mosha mesatare e grave që punojnë në sektorin fason është mbi 50 vjeç dhe atësitë e tyre për të qenë produktive në sektorë të tjerë janë të ulëta.

Zëvendësimi i prodhimit me import ul nevojën për aftësi

Zgjerimi i prodhimit “Made in Albania”, dy dekadat e fundit, ngjalli një sërë profesionesh, të cilat nuk do të ishin të nevojshme nëse nuk do të ishin fabrikat.

Megjithëse 70% e punonjësve në një njësi prodhimi janë me aftësi të ulëta, pjesa tjetër rreth 30% janë persona të arsimuar që i takojnë shtesës së mesme, të tillë si inxhinierë, mekanikë, laborantë, stilistë, ekonomistë, menaxherë të burimeve njerëzorë etj., që një kompanie importuese nuk i duhen.

Zgjerimi i fabrikës ringjalli disa degë që ishin drejt mbylljes në Shqipëri. P.sh. numri i studentëve në përgjithësi ra me 12,7% ndërmjet periudhës 2018 dhe 2022, ndërsa numri i studentëve në degët e inxhinierisë u rrit me 14% për të njëjtën periudhë.

U vu re interes më i lartë tek inxhinieria tekstile dhe ajo mekanike, për shkak të kërkesës në rritje nga fabrikat. Gjithashtu, ka një interes më të lartë për të studiuar në degët e Universitetit Bujqësor për agroindustrinë dhe menaxherë për sektorin e prodhimit.

“Unë punësoj deri në 7 herë më shumë se sa një biznes që operon në import me të njëjtën xhiro sa unë”, – thotë Alban Zusi, industrialist në industrinë ushqimore. Një importuesi i duhen magazina, disa shoferë, maksimumi një ekonomist ose një jurist, me të cilët mund të realizojë xhiro dhe fitime të kënaqshme.

“Në fabrikën time janë të punësuar aktualisht 3 inxhiniere kimistë, shumë mekanikë, menaxher burimesh njerëzorë, 7 mirëmbajtës dhe kam një rrjet të gjerë ofruesish shërbimesh dhe mallrash që janë të lidhur me mua”, – tha Zusi. Për të njëjtën sasi të ardhurash, një importuesi i duhen 15 veta, ndërsa një prodhuesi 100 punonjës.

Sektori i prodhimit nxit aftësitë në punë dhe gjithashtu ndihmon në kërkimin shkencor. Të dhëna empirike nga ekonomia globale tregojnë se vendet më të prosperuara në botë aktualisht janë ato që kanë investuar në prodhim dhe në industrializimin e tij.

Rritet varësia nga importet dhe ekspozimi, krizat e jashtme

Në nëntor 2023, eksportet shqiptare shënuan rënie në vlerë në rreth 20%, teksa për të gjithë 11-mujorin 2023, tkurrja ishte më shumë se 10%. Në nëntor, rënia e të gjitha grupeve të eksportit u tkurr përveç produkteve kimike.

Edhe grupi i ushqimeve ra me 9.5%, teksa shumë produkte që prodhohen në vend, po zëvendësohen nga importi. Kjo është më e dukshme për bujqësinë, ku reduktimi i numrit të krerëve të bagëtive me mbi 20% për dy vitet e fundit ka rritur ekspozimin ndaj importit të bulmetrave, të cilat u rritën me ritme dyshifrore këtë.

Prodhimi në sektorin bujqësor në tremujorin e tretë të vitit 2023 ra për të gjashtin tremujor radhazi, duke e bërë rënien të qëndrueshme në sektor.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në 11-mujor, importet e ushqimeve nga jashtë shënuan rritje 8.5% në sasi. Një pjesë e prodhimit vendas po zëvendësohet me import. Situata e krijuar ka nxitur çmime më të larta në grupet që nuk prodhohen në vend.

Çmimi i qepëve dhe patateve në 2023 shënoi rritje vjetore me mbi 21%, për shkak se prodhimi vendas është zëvendësuar me import. Teksa çmimi i bulmetit u rrit me rreth 40% dy vitet e fundit prej mungesës së qumështit. Reduktimi i prodhimit e ekspozon vendin ndaj krizave të jashtme dhe monopoleve të grupeve të importit.

Shpesh çmimet e importit nuk janë shumë elastike pasi zhvillimet në vend kanë treguar se, ndryshimi me ulje i çmimeve në tregjet ndërkombëtare nuk reflektohet.

Çmimet e mallrave të importit, sidomos produkteve ushqimore, kanë rënë ndjeshëm në vitin 2023 në raport me një vit më parë, por kjo nuk është reflektuar në tregun e brendshëm, përkundrazi çmimet janë rritur më tej.

Të dhënat e tregtisë së jashtme të përpunuara nga “Monitor” tregojnë se në periudhën janar-korrik të vitit 2023, çmimet për njësi të importeve të ushqimeve kanë shënuar rënie vjetore mesatarisht me 9% dhe për karburantet mbi 40%. (Kalkulimet u bënë duke llogaritur vlerën e një kilogrami mall të importuar në 7-mujorin e parë 2023 dhe në të njëjtën periudhë 2022, me të dhënat e INSTAT të tregtisë me jashtë).

Përllogaritjet tregojnë se rënien më të madhe në artikujt e konsumit masiv e kishin karburantet.

Një litër karburant i importuar ka kushtuar në janar-korrik të këtij viti 43% më lirë se e njëjta periudhë e vitit 2022. Për disa produkte ushqimore të shportës, rënia e çmimeve të importit ishte shumë e lartë, teksa në tregun e brendshëm reagoi me rritje të çmimit.

Për shembull, një kilogram vaj nga importi ka kushtuar 33% më lirë se 7-mujori 2022, por të dhënat nga inflacioni tregojnë se çmimi i vajit u rrit mesatarisht me 6% në të njëjtën periudhë.

Vlera e drithërave të importuara ranë me 24% në 7-mujorin e parë, por çmimet në tregun e brendshëm u rritën me 10% në këtë grup. Çmimet e importit, bulmetit dhe vezëve shënuan rënie vjetore me 12.2% në periudhën referuese, por çmimet në tregun e brendshëm u rritën 22.6% për këtë grup.

Çmimet e zarzavateve të importuara ranë me 10%, ndërsa në tregun e brendshëm, çmimet këtë grup u rriten me 17%.

Çmimet e importit në grupin e ushqimeve u rritën vetëm për sheqerin me 12%, duhanin 10.6%, kafshët e gjalla me 4.2%, për të cilat janë përcjellë në tregun e brendshëm. Importet e sheqerit kanë rënë me mbi 30% këtë vit si rrjedhojë e emigrimit të të rinjve, por çmimet në tregjet e pakicës ishin gati 10% më të larta.

Rënia e çmimeve të importit këtë vit u ndikua nga dy faktorë themelorë, nënçmimi i euros dhe rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Importuesit kanë fituar nga kursi i këmbimit, pasi me të njëjtën sasi parash kanë blerë më shumë valutë për të importuar produktet.

Analiza më të thelluara kanë treguar se përgjithësisht në Rajonin e Ballkanit, ku bën pjesë edhe Shqipëria, çmimet zakonisht rriten më shumë se në tregjet ndërkombëtare, por nuk bien më pas.

Ndikohen negativisht të ardhurat buxhetore

Në krahasim me importin, sektori i prodhimit gjeneron më shumë të ardhura buxhetore. Nëse importet paguajnë vetëm TVSH dhe sigurimet e stafit, të ardhurat tatimore nga industria janë më të larta për shkak të lidhjes me burimet.

Alban Zusi, me kompaninë INCA, prodhon lëndë të parë nga të brendshmet e bagëtive që shërbejnë për paketim të sallamerisë. Kompania e z. Zusi është e lidhur me një seri furnitorësh nga thertoret, teksa është furnitor për disa nga fabrikat e prodhimit të sallamit në vend.

Ky proces bën që vlera e shtuar të rritet e për rrjedhojë të taksohet në të gjitha proceset që kur gjenerohet lënda e parë deri në produktin final. Përfitimet tatimore janë më të mëdha ndaj industrive që përpunojnë lëndën e parë.

P.sh. në sektorin e hidrocentraleve është rritur vlera e aseteve ujore e për rrjedhojë të ardhurat për buxhetin e shtetit. P.sh. ekonomia dhe buxheti fitojnë më shumë nga prodhimi i birrës në vend se sa në import.

Birra e importuar paguan TVSH në doganë, ndërsa birra vendase mban qindra punonjës në punë, paguan sigurime shoqërore, tatim mbi fitimin dhe një seri taksash që lidhen me mjedisin dhe aktivitetin prodhues në vend.

Nga viti 2015 në nëntor 2023, importet e birrës janë rritur me 113% sipas të dhënave zyrtare në Ministrinë e Financave. Birra vendase plotëson vetëm 40% të kërkesës së tregut dhe po reduktohet nga viti në vit.

Prodhimi rrit vlerën e lëndës së parë

Eksportet shqiptare bazohen në burimet natyrore dhe të krahut të lirë të punës, por sektori i industrisë, sidomos përpunimi, bën që vlera e lëndës së parë në vend të rritet.

P.sh., fabrikat e prodhimit të salcës, sallamit dhe përpunimit të peshkut në vend përdorin tonelata kripë vendi. “Vetëm unë përdor mbi 10 mijë tonë kripë në vit”, – thotë z. Zusi.

Rënia e aktivitetit në fabrikën time ka ulur sasitë e shitjes për thertoret dhe kripën tha ai. P.sh., fabrikat e çimentos dhe ato të tullave marrin lëndën e parë në natyrë dhe prodhojnë çimento dhe tulla të cilat më pas shiten në tregun vendas dhe eksportohen.

Në 11-mujorin e vitit të kaluar, materialet e ndërtimit arritën vlerën e 100 miliardë lekëve dhe ishin grupi i dytë më i madh i eksporteve pas tekstileve dhe këpucëve, teksa në 11-mujorin e këtij viti, vlera e tyre ra me 73 miliardë lekë.

Shumë njësi përpunimi i kanë dhënë vlerë një produkti të fjetur më parë. P.sh., kur ishte në funksion rafineria e përpunimit të naftës, tregu plotësonte 30% të nevojës nga tregu i brendshëm, teksa aktualisht e gjithë nafta që nxirret nga nëntoka shqiptare aktualisht shitet e papërpunuar jashtë vendit, duke i hequr vendit të gjithë vlerën e shtuar në ekonomi dhe punësim nga funksionimi industrisë së përpunimit.

Pas pandemisë Covid-19, kërkesa për mallra në tregun ndërkombëtar u rrit dhe bashkë me to, edhe çmimet. Kjo vuri në lëvizje zinxhirët e prodhimit në vendin tonë, të cilët u shuan shumë shpejt nga forcimi i Lekut dhe rritja e pagës minimale që e bënë Shqipërinë jokonkurruese.

Banka Botërore, në një analizë të thellë, që i bëri profilit të ekonomisë shqiptare në mars të këtij viti, tha se ka hapësira shumë të mëdha për të rritur vlerën e prodhimeve të bujqësisë dhe të fabrikave, të cilat do ta bëjnë më të qëndrueshme rritjen ekonomike të vendit.

Pajisjet mjekësore dhe ushqimet janë produkte që e kanë tregun e garantuar gjatë kësaj dekade, ndaj politikat mbështetëse duhet të nxisin këta sektorë./Monitor

peshkimi 1 peshkimi 1 peshkimi 1 peshkimi 1 peshkimi 1

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura