Kosova apo Syriza?

Feb 5, 2015 | 11:59
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ

   Një paradoks ka dominuar skenën e informimit shqiptar gjatë këtyre dy javëve në raport me dy ngjarje që po zhvillohen rreth nesh, konkretisht në Kosovë dhe Greqi. Në Kosovë po konsumohet kriza institucionale më preokupuese qysh nga shpallja e pavarësisë, ndërsa siç pritej në Greqi, Syriza, partia e ekstremit të majtë, pas një fushate folklorike fitoi zgjedhjet dhe tani po gëlltit premtimet e veta.
Ministri provokues i Ekonomisë i Tsipras, veshur si këngëtar rroku, borxhi, trojka, euro dhe fati i BE-së kanë dominuar lëndën e testatave europiane e shumë më tepër atë të mediave shqiptare. Në një tjetër kontekst, ky krye vendi në hierarkinë e lajmeve edhe në Tiranë do të ishte i mirëkuptuar. Pa përjashtuar kuriozitetin sensacional, por më tepër të yshtur nga preokupimi për një vend fqinj, fatet e të cilit në një masë të caktuar ndikojnë edhe tonat gjithë sa duket e natyrshme. Fakti që rreth 800 mijë shqiptarë jetojnë dhe punojnë atje, kuptohet, na i galvanizon shqisat.
Ky interes i shfaqur përmes debatesh dhe panelesh të shumta, kryeartikujsh, artikujsh dhe informacionesh derdhur me titra ka kaluar në plan të dytë a të tretë atë që po ndodh në Kosovë. Logjike, humane, por edhe si interes kombëtar do të ishte një inversion në trajtim dhe në diskursin publik. Besoj jemi të gjithë dakord kur mendojmë se për ne Kosova është më e rëndësishme se kollarja e munguar e Tsiprasit.
Nëse fenomeni Tsipras do të ndodhte në Shqipëri dhe në të njëjtën kohë në Qipron greke, do të kishte trazira e mungesë stabiliteti, grekët nuk do të ishin kaq altruistë, por do të merreshin me hallet e sivëllezërve të tyre. Ata janë fanatikë për çështjet e tyre kombëtare. Çdo krahasim çalon, por çdo krahasim është i dobishëm për dyshimin që propozon. Në këtë kontekst, paditet ndjeshmëria e cunguar dhe hipokrizia jonë e konturuar tashmë ndaj Kosovës dhe kosovarëve. Megjithëse tensioni politik atje është i lartë, jo vetëm nuk u japim peshën e duhur në ligjërimin e përditshëm, por edhe si fqinj i klasifikojmë ata si të kategorisë së dytë.
Shteti i Kosovës tashmë është përballë provës së vet më domethënëse demokratike, vetëqeverisëse, multietnike, zhvillimit ekonomik e social bash në momentin kur janë zbehur disi kompetencat e faktorit ndërkombëtar dhe rritur ato të qeverisë së saj, gjë kjo e kërkuar në vazhdimësi.
Këto ditë, pas “lakmusit” Jabllanoviç dhe zhvillimeve të dhunshme në sheshin qendror të Prishtinës, pamë se të gjitha këto nocione po tendosen duke përvijuar në horizont skenarë preokupues. Nostalgjia historike për shtetin amë ka bërë që kosovarët të shfaqen shumë etikë në marrëdhënie me ne. Gjithmonë dashamirës, ata nuk janë përzier, nuk na kanë dhënë mend. Kush i ndjek mediat e tyre, sheh se Shqipëria me sukseset, dështimet dhe ngjarjet e saj të rëndësishme ka qenë temë dhe lajm i parë, ashtu siç duhet të jetë për të gjithë ata që besojnë te njësia e kombit.
Ndërsa ne, ngarkuar me stereotipa të së kaluarës, herë ideologjikë e herë krahinorë, shartuar me kozmopolitizëm dy lekësh kafenesh kryeqytetase, jemi mundur, sidomos politika për marketingun e saj, të rrasë turinjtë në çdo gjë të tyren dhe ta bëjë lajm Kosovën vetëm sipas kësaj axhende. Një pritje, një përcjellje, një qytetar nderi, një drekë për aksh politikan, menjëherë vrullshëm, me gjithë epizmin e saj zbret në shtëpitë tona në kohë reale.
Po kur Kosova përballet me problemet e veta ekzistenciale, atëherë gjithçka shndërrohet në çështje e tyre e brendshme, lajm i barabartë me shiun në Bullgari apo Turqi. Thjesht një kronikë e privuar emocionesh. Me sa duket, marrëdhënien me Kosovën e kemi më tepër retorike pa brendi, sesa shpirtërore. Eunukët e mendimit shqiptar plot përbuzje gjinore e quajnë çdo gjë me referencë etnike ligjërim kombëtarist si të tillë arkaik e të dëmshëm dhe, me sa duket, po fitojnë terren. Çekiçi që ka tredhur ata, rrezikon të bjerë mbi ne. Dilema shqiptarë apo fqinjë, lajm i parë apo i dytë, do të përcaktojë edhe pozitën e shqiptarëve në Ballkan së shpejti, si dhe statusin e ndershmërisë mes nesh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura