Kontrabanda në pikën e Morinit, u kapën edhe 40 koli birre “Peja”

Dec 30, 2013 | 10:35
SHPËRNDAJE

Dogana e Morinit, Kukës
TIRANE – Në furgonin e bllokuar të premten nga policia e Kukësit, u sekuestruan edhe 40 koli birre “Peja” që futej kontrabandë nga Kosova, duke shmangur detyrimet doganore. Njëkohësisht transportuesit e birrës kanë shmangur në këtë formë edhe pagesën e akcizës, pasi birra bën pjesë në grupin e mallrave të akcizës. Burime nga Policia e Shtetit thanë se ka nisur një hetim i gjerë në Doganën e Morinit në Kukës, për të zbuluar edhe raste të tjera të kontrabandës së pijeve alkoolike, por edhe mallrave të tjera ushqimore. Të njëjtat burime thanë se dyshohet që birra “Peja” mund të jetë futur kontrabandë dhe më pas është hedhur për shitje në tregjet shqiptare, duke shmangur të gjitha taksat që duhen paguar në doganë, bashkë me akcizën. Në hetimet e nisura nga Drejtoria e Antikrimit Ekonomik të Tiranës marrin pjesë edhe oficerët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, pasi përveç doganierëve, dyshohet të jenë të përfshirë edhe punonjësit e Policisë Kufitare. Duke përfituar shuma të ndryshme parash, në këmbim të favorit për të mos kontrolluar furgonët që transportojnë mallra, doganierët e efektivët e kufirit dyshohet se kanë lejuar në dhjetëra raste futjen kontrabandë në vendin tonë të produkteve të ndryshme. Burimet thanë se janë siguruar informacione se produktet kosovare, duke përfshirë këtu ushqime të ndryshme dhe pije alkoolike, si dhe birrën “Peja”, kanë kaluar pikën e kalimit kufitar të Morinit pa u zhdoganuar. Tre doganierë dhe 2 punonjës Policie të Doganës së Morinit u arrestuan të premten nga policia e Kukësit dhe SHKB, pasi kishin lejuar kalimin e një furgoni me ushqime dhe pije alkoolike kontrabandë, që të hynte nga Kosova drejt vendit tonë. Policia arrestoi edhe shoferin e automjetit që po transportonte mallrat me akcizë, të pashoqëruara me faturat përkatëse. Burime zyrtare të Ministrisë së Brendshme thanë se arrestimet u kryen nga Policia e Kukësit dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, me akuzat “kontrabandë me mallra të akcizës”, si dhe “shpërdorim detyre”. Tre doganierët janë arrestuar pak momente pasi Policia kishte kapur dhe bllokuar një automjet furgon të markës “Volksvagen” me targa AA 009 DN, që transportonte mallra ushqimore dhe 40 koli birre “Peja”, e cila është pjesë e grupit të mallrave të akcizës. Mal Shahu, 45 vjeç, me detyrë doganier në Doganën e Morinit dhe Nadir Shahu, 36 vjeç, shoferi i furgonit, u arrestuan në aksin rrugor Kukës-Morinë, ndërsa u kapën teksa transportonin me një furgon mallra kontrabandë. Ndërsa dy ditë më parë Gjykata e Kukësit caktoi masën “detyrim paraqitjeje” për 3 doganierët e 2 policët, duke lënë në “arrest me burg” vetëm shoferin e furgonit.          e.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura