Kongresi famëkeq dhe kremtimi si shkelje e Kushtetutës

May 25, 2024 | 10:00
SHPËRNDAJE

NGA BESIM NDREGJONI besim-ndregjoni

Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë po ndjek me shumë vëmendje dhe urtësi situatën politike në vend dhe shpreh indinjatën e thellë ndaj mazhorancës politike aktuale për veprimet politike që po merr në përkujtimin e një kongresi diktatorial, siç është Kongresi i 24 majit të Përmetit!

Sot falangat e diktaturës enveriste të udhëhequr nga hibridet e diktaturës, duke shkelur Kushtetutën, e cila e ka dënuar Kushtetutën e diktaturës dhe 24 maji e viti 1944 dhe e ka kthyer Shqipërinë në një sistem demokratik, kremtuan këtë datë simbol i enverizmit stalinian.

Pushteti vendor kremtoi më 24 maj 20024, 80-vjetorin e këtij kongresi famëkeq dhe njollë e zezë për shqiptarët, me shalle të bolshevizmit, vendosjen e pushtetit komunist. Njëlloj si në diktaturë. Kremtoi këtë datë, e cila për 45 vite njollosi identitetin tonë kombëtar, flamurin e Skënderbeut, duke i vënë sipër yllin e bolshevizmit, deri sa shqiponjat e lirisë të Spaçit ia hoqën në mes të plumbave mbas 30 vitesh sundim diktatorial.

I kujtojmë falangës enveriste, kryetare e Bashkisë së Përmetit, se qytetarët e Përmetit e kanë dënuar 24 majin tuaj diktatorial që në vitin ‘90 dhe luftojnë e punojnë për Shqipërinë demokratike europiane, duke dënuar ideologjinë e Kongresit të Përmetit. Të quash pushtetin popullor, diktaturën enveriste të suksesshme, siç e citoi kryetarja e bashkisë në fjalimin e saj, e pakta që mund të thuhet për fjalën tuaj lajthitëse, e pakta që mund të bëni nëse keni ndonjë ndërgjegjësim kombëtar, duhet të jepni dorëheqje për një veprim antikushtetues dhe antiligjor, se keni shkelur Kushtetutën e vendit, që ndalon urrejtjen në shoqëri. Kryeministri duhet të nxjerrë urdhrin e shkarkimit tuaj për urrejtjen që ke ndaj shqiptarëve, duke manifestuar pro kongreseve ideologjike komuniste, duke helmuar shoqërinë shqiptare me kremtime ideologjike jashtë Kushtetutës.

Për dijeni tuaj dhe të atyre që duartrokisnin fjalimin tuaj urrejtës ndaj shqiptarëve dhe ndaj demokracisë, ju keni shpërdoruar postin e kryetarit të bashkisë. Sami Frashëri i madh i Përmetit na mëson: “Kalben njerëzit e ndershëm, atje ku lartësohen kriminelët”. Kongresi famëkeq i juaji vazhdoi ideologjinë staliniste duke dënuar demokracinë amerikane dhe duke e larguar Shqipërinë nga vendet perëndimore dhe duke e bërë pjesë të sllavizmit serborus. Ai kongres që kremtuat zhvilloi luftën civile ndaj veriut, duke dërguar divizione për t’i shtypur dhe sunduar.

Ai kongres vendosi përfundimisht diktaturën staliniste, duke i sjellë Shqipërisë humbje të mëdha njerëzore. 24 maji është një ndër ditët më të zeza për popullin shqiptar. Ai kongres që kremtuat ju si dikur para 34 viteve ka sot mbi 6000 shqiptarë që i vrau dhe u zhduku kufomat. Ai kongres burgosi pa faj 36.000 shqiptarë. Pushkatoi në moshën tënde mbi 1000 gra. Shkatërroi me internime mbi 100.000 familje.

Ju drejtohemi publikisht kush jua jep të drejtën juve të fyeni shqiptarët, që vuajtën 914.000 vite burg politik nga ideologjia e atij kongresi.

Kush jua jep të drejtën juve të na prekni plagët tona, që kullojnë akoma gjak dhe nënat tona i kanë lotët e patharë nga ai kongres banditësh, që vritni shqiptarë të pa faj.

Kërkojmë që Presidenti, Kryetarja e Parlamentit, Kryeministri dhe forcat politikë ta dënojnë këtë kremtim të kongresit të diktaturës dhe të kërkojnë shkarkimin e organizatorëve nga postet drejtuese, t’u kërkojnë falje familjeve shqiptare që përballuan vuajtjet e diktaturës.

Zotërinj qeveritarë, nëse nuk merrni masa dhe do të lejonit prishjen e ekuilibrave të shoqërisë, do të jeni fajtorë përpara kombit dhe historisë.

Është koha që të gjitha forcat antikomuniste, institucionet religjione, partitë, intelektualët me mendim liberal, media progresive, të reagojnë të bashkuar ndaj kësaj përpjekjeje të mbarsur me moral pervers që po kërkon t’i serviret dhe t’i imponohet brezit të ri. Helmatisja e brezit të ri me ideologjinë primitive dhe reaksionare që himnizon kriminelin dhe krimin përbën aktin më të turpshëm dhe të papranueshëm për një shoqëri demokratike.

Shoqëria, shqiptarët kanë nevojë për pajtim kombëtar dhe jo për urrejtje e ndasi. Boll kemi vuajtur nga urrejtja!

Është kohë e paqes pa nderim të diktaturë!

*Presidenti Besim Ndregjoni

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura