Autoritetet e Kosovës kanë thënë të martën se kanë konfiskuar sasi të konsiderueshme të armatimit në pjesën veriore, që dyshohet të ketë mbetur aty, pas sulmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka thënë në një konferencë për media se Policia e ka siguruar informacionin nga qytetarët dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Ai, bashkë me ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, kanë bërë të ditur se bastisjet janë kryer në rrethinën e Zveçanit, kah pjesa e Rudares.
Hoxha ka thënë se në mesin e pajisjeve të konfiskuara janë rreth 1.500 municione, 10 armë të gjata, 62 shok-bomba, eksplozivë, radio-lidhje, karikatorë të mbushur e të zbrazët, dhe një uniformë e ushtrisë serbe.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al