Koncesioni me pullë të kuqe

Sep 24, 2022 | 10:14
SHPËRNDAJE

PANO SOKO

PANO SOKO

Pikënisjen për këto që po shkruaj më poshtë e mora nga një studim i formatit “Policy Paper” të profesorit të shquar të Ekonomisë Elvin Meka, lidhur me ecurinë dhe problematikën e një prej kontratave të partneritetit publik-privat më të vjetra, që vazhdojnë akoma ekzistojnë dhe sot, atij të pullave fiskale. Në fakt, koncesioni i pullave fiskale, në historinë e shkurtër koncesionare shqiptare, mund të quhet fare mirë dhe si guri i themelit i asaj që më pas mori përmasat e një megastrukture disa miliardë dollarëshe. Ishte pikërisht kjo marrëveshje e lidhur në vitin 2011, ajo që hapi siparin e një kalvari të gjatë marrëveshjesh të ngjashme, të cilat në momentin që flasim janë një gur që peshon rëndë në qafën e hollë të financave shqiptare.

Për të qenë korrekt, më duhet ta pranoj që partneriteti publikprivat është një praktikë që është përdorur në shumë vende të zhvilluara, kryesisht si një mekanizëm me mision fundor, atë të lehtësimit të shtetit nga barra financiare e ofrimit të një shërbimi të caktuar. Por në të gjitha këto vende që kanë përdorur këtë praktikë është pasur parasysh një parim esencial, nga pikëpamja e etikës ekonomike,- Çmimi i shërbimit të kontraktuar duhet të jetë “cost oriented”, çka do të thotë që çmimi vjen si shumatore e kostove që koncesionari shpenzon për produktin, plus një marzh fitimi të arsyeshëm, afër mesatares së industrisë. Natyrisht, të dy komponentët që përbejnë çmimin, si kostot ashtu dhe norma e fitimit, i nënshtrohen një analize të imtësishme nga pala shtetërore, me qëllim, shmangien sa më shumë të abuzimit.

Në rastin e koncesionit të pullave fiskale, ashtu si më vonë në një sërë kontratash PPP të tjera të ngjashme me të, ky parim duket se nuk është marrë parasysh. Sot, kompanitë shqiptare që tregtojnë mallra akcize apo farmaceutike, paguajnë sipas studimit, për të njëjtin shërbim një tarifë 12 herë më të lartë se ata në Kosovë, apo 8 herë më të lartë se Bashkimi Europian. Te studimi i referuar, justifikimet që nxirren nga aktorët përgjegjës për këtë anomali janë dy. E para është që kostot rriten për shkak se Shqipëria ka një ekonomi të ulët të shkallës, meqë është ekonomi e vogël. Dhe e dyta Shqipëria furnizohet me një produkt më specifik dhe cilësor, rrjedhimisht me kosto më të lartë.

Të dyja justifikimet nuk qëndrojnë. E para, Kosova ka një ekonomi shkalle më të ulët sesa Shqipëria, sepse është një vend me ekonomi më të vogël sesa Shqipëria, por përsëri paguan për pullat fiskale një çmim mesatar prej 2 USD, ose 12 herë më të vogël sesa Shqipëria. Nëse ekonomia e shkallës do të ishte një faktor, atëherë Kosova duhet të paguante më shumë sesa Shqipëria, por kjo nuk ndodh.

E dyta, Bashkimi Europian ka një kornizë rregullatore shumë më të fortë kushtesh për cilësinë e pullës fiskale, rrjedhimisht ka një cilësi më të lartë të pullës dhe përsëri ka një çmim të mesatarizuar prej 3 USD, ose rreth 8 herë më të ulët sesa Shqipëria.

Në këtë moment lind natyrshëm pyetja, po përse Shqipëria ka një çmim kaq të lartë të pullës fiskale?

Në optikën time, arsyet janë dy. Ose stafi negociator që ka përfaqësuar qeverinë në negociata ka qenë totalisht i paaftë dhe jo profesional, gjë e cila më pas është shfrytëzuar nga pala koncesionare për të caktuar një çmim shumë më të lartë nga ç’duhet të ishte, ose e dyta kontrata është lidhur në bazën e një marrëveshjeje korruptive mes vendimmarrësve shtetërorë dhe palës koncesionare, që në thelb ka vendosjen me dashje të një çmimi të lartë të pullës fiskale, me qëllim ndarjen shtesës së padrejtë të fitimit.

Personalisht besoj se ka qenë kjo e dyta, pasi nga gjithë historia e deritanishme me kontratat PPP, koha ka treguar që forca drejtuese e tyre ka qenë korrupsioni. Prandaj, personalisht besoj se korrupsioni ka qenë përcaktues dhe në koncesionin e pullave fiskale.

Gjithsesi, në një shtet normal, e gjitha do të ishte qartësuar nga organet përkatëse, përgjegjësit do të duhet të ishin përgjigjur dhe anomalia do të duhej të ishte rregulluar, por këtu te ne, këto histori zakonisht shuhen nën hirin e kohës. Ato që mbeten pas janë pasojat.

Dhe në rastin e koncesionit të pullave fiskale, pasojat janë 90 milionë USD që janë paguar për një shërbim, për ekuivalentin e ponderuar të të cilit Kosova ka paguar vetëm 7.5 milionë USD dhe BE ka paguar 11 milionë USD. Janë mesatarisht rreth 80 milionë USD që nëse do t’i ishin kursyer biznesit shqiptar, përkthehen në 800 vende të reja dhe permanente pune për një periudhë prej tashmë 10 vitesh.

Por jo. Sot shqiptarët, në vend që të kenë 800 vendet shtesë të punës dhe produkte “Made in Albania” më të lira e më cilësore, kanë një kompani të huaj që rrëmben çdo vit rreth 9 milionë USD që një Zot e di pse dhe i ndan ato një Zot e di me kë.

© Panorama.al

Te lidhura