Kompensimi i pronave, 4 mijë përfitues me vendime të ‘93 dhe ‘94

May 30, 2016 | 16:00
SHPËRNDAJE

Rreth 4 mijë pronarë do të jenë përfituesit e parë nga fondi 24 milionë dollarë që është vënë në dispozicion këtë vit pas miratimit të ligjit të ri.

Drejtoresha e AKKP, Sonila Qato
Drejtoresha e AKKP, Sonila Qato

Agjencia e Trajtimit të Pronave pritet të zbardhë sot regjistrin e vendimeve të marra në periudhën ’93 dhe ’94. Paraprakisht mësohet se janë 4 mijë dosje, për të cilat ka përfunduar vlerësimi financiar. Pra është përcaktuar masa e përfitimit për secilën nga familjet, bazuar mbi hartën e re të çmimeve të trojeve, por me zërin kadastral që prona ka pasur në kohën e konfiskimit.

Vetë drejtoresha e ATP-së, Sonila Qato, më herët, përmes një daljeje për mediat, tha se publikimi i vendimeve do të bëhet në datën 30 maj. Pas kësaj pronarët që do të kenë emrin në listë kanë të drejtë të aplikojnë për t’u kompensuar me një nga skemat e kompensimit, përkatësisht financiar, fizik apo duke marrë pjesë në ankand. Ata mund ta bëjnë këtë duke plotësuar një nga formularët e aplikimit.

Në tabelën përbri janë të listuara edhe dokumentet që duhet të dorëzohen së bashku me formularin. Ky i fundit do të vendoset në dispozicion nga Agjencia e Pronave. “Subjektet, të cilat disponojnë një vendim përfundimtar të vlerësuar financiarisht, kanë të drejtë të aplikojnë për kompensim. ATP-ja vijon procedurat për kompensimin e subjekteve, sipas rendit kronologjik, duke filluar nga vendimi më i hershëm dhe duke shqyrtuar e verifikuar dokumentacionin e depozituar”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

tab

Në lidhje me pagesat për ata që do të zgjedhin të kompensohen financiarisht, ato do të bëhen të plota dhe jo me këste. Ligji i ri përcakton që derdhja e parave të bëhet pasi të kenë kaluar 30 ditë nga publikimi i vendimit dhe qytetarët të mos e kenë ankimuar atë.

KOMPENSIMI FIZIK

Agjencia e Pronës ka në zotërim 23 mijë hektarë tokë bujqësore, për të cilat ka përfunduar më herët edhe vlerësimi ekonomik, të cilat do të përdoren për skemën e kompensimit fizik. Për ndarjen e kësaj sipërfaqeje, dy do të jenë kriteret bazë. Kriteri i parë është rendi kronologjik i vendimeve, që do të thotë se, sikurse kompensimi financiar, edhe ky kompensim do të fillojë me vendimet më të vjetra në kohë.

Kriteri i dytë lidhet me vendndodhjen e pronës që do të përfitojnë si kompensim fizik. Pra, pronari do të kompensohet me një pronë nga fondi fizik, e cila gjeografikisht është më afër me pronën që i është njohur për kompensim. Në lidhje me dokumentet që duhet të depozitohen, ato nuk ndryshojnë, por mbeten të njëjta, si në rastin e kompensimit financiar. Ndryshon vetëm formulari i aplikimit, i cili është specifik për secilin rast.

Në total janë 26 mijë vendime të formës së prerë, të cilat presin të kompensohen. Bazuar në ligjin e ri, Agjencia e Trajtimit të Pronave ka nisur një proces të ri rivlerësimi, ku një metër katror tokë do të llogaritet me çmimet e tregut, po zëri kadastral nuk do të jetë ky i sotmi, por ai që ka pasur prona në momentin e shpronësimit.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura