Kolana e UET, rektorja Nika: Plurale, profesionale dhe shkencore

Sep 20, 2019 | 13:17
SHPËRNDAJE

NEVILA NIKA

Rektorja e UET, Nevila Nika
Rektorja e UET,
Nevila Nika

Përdorimi i ndershëm i armës së kujtesës është antidoti më i vlefshëm ndaj barbarizmit dhe kundër rishpikjes së të kaluarës. Dhe kjo është e vlefshme në çdo stinë politike, në çdo moment debati kulturor, në çdo epokë të historisë. Një përdorim i ndershëm, që si i tillë nënkupton që të mos i drejtohesh së kaluarës në kërkim të një legjitimiteti për zgjedhjet e së sotmes. Përkundrazi, të paktën, në qoftë se për të dalluar në kohët e largëta kundërshti që na ndihmojnë për të modifikuar ose regjistruar atë që mendojmë sot. Krejt ndryshe, që fatkeqësisht sot është e përhapur, është përdorimi i sforcuar i kujtesës si armë për të na bërë që t’i sjellim llogaritë e kaluara në të tashmen. Një armë e përdorur me mënyra të pafundme të manipulimit që prodhon dëme të pariparueshme në ndërgjegjen historike të përgjithshme, shtrembërojnë të kaluarën, helmojnë kujtimin kolektiv edhe të ngjarjeve më të afërta. Dhe kjo armë, si e tillë, meriton të luftohet.

Por përballja me të kaluarën nuk është një sfidë e lehtë për një vend si i yni, i cili përjetoi një regjim diktatorial për gati gjysmë shekulli. Kjo përballje ka nevojë për shumë aktorë, për shumë kontribuues e mbi të gjitha ka një nevojë të domosdoshme për shumë njerëz mendjehapur. E pikërisht këta të fundit nuk i kanë munguar kurrë Universitetit Europian të Tiranës. E hedhur si ide nga z. Henri Cili dhe e mbështetur fuqimisht nga i gjithë stafi i UET dhe në kuadër të Institutit Europian “Pashko”, projekti i botimeve të kolanës “Scripta manet”, në lidhje me të kaluarën tonë historike e veçanërisht për atë të periudhës komuniste, nisi rrugëtimin e vet 10 vjet më parë.

Por është krejt e natyrshme që në nisje të një projekti, sado mirë të jetë i menduar ai, askush nga ideatorët e realizuesit nuk i shpëton dot frikës nëse do t’ia dalin ta realizojmë e mbi të gjitha do të mund ai t’i përmbushë të gjitha pritshmëritë e publikut?

Pyetjet thelbësore që u shtruan ishin: a vuan shoqëria shqiptare nga mungesa e plotë apo e pjesshme e kujtesës, pra, amnezia, dhe a është çasti i duhur tashmë që ajo të përballet me të kaluarën, cilado që të ketë qenë ajo? Përgjigjja më e mirë për të dyja pyetjet, ishte pa dyshim nisja nga puna për botimin e kësaj kolane librash, për të cilët kishte, ka dhe do të ketë edhe mjaft vite nevojë shoqëria shqiptare.

Një projekt tejet i rëndësishëm i ndërmarrë për herë të parë nga një institucion arsimor jopublik shkaktoi jo pak zhurmë në rrethet akademike e më gjerë. Një nismë që kërkonte jo vetëm burime njerëzore, por mbi të gjitha burime financiare. Pati reagime e vazhdon të ketë nga më të ndryshmet, mosbesim e dashakeqësi, mospërfillje e zili. Por UET nuk u ndal, i bindur se libri është arma më e mirë për të luftuar të keqen, se libri është mjeti më i mirë për të ndërtuar një të ardhme gjithnjë e më të mirë. E mbi të gjitha, kjo nismë pati edhe një synim tjetër, pikërisht atë që ka edhe detyrën kryesore si institucion, edukimin e brezit të ri në aulat e këtij universiteti.

Librat e kësaj kolane janë tashmë pjesë e një debati publik gjithnjë e më konstruktiv, edhe pse shoqëria shqiptare ka jo pak komplekse e mangësi, sidomos për sa i takon njohjes së të vërtetave historike. Vitet e regjimit komunist kanë lënë jo pak pasoja te secili prej nesh. Mjafton të kujtoj fjalët e një burri të mençur, i cili në vitet e fundit të diktaturës, u shpreh me ironi therëse se “…të tana të mirat i kam lum miku, por po më kalbet FJALA në bark”, për të kuptuar se deri ku kishte arritur ndrydhja apo autocensura, që po vdiste përditë çdo shqiptar. Kemi nevojë të flasim e të komunikojmë me njëri-tjetrin, të rrëfemi e të kumtojmë të vërtetat tona, pasi vetëm kështu mund të tejkalojmë dhimbjet e shkaktuara nga diktatura, vetëm kështu mund të plotësojmë pjesët e munguara të puzzle-it të kujtesës sonë historike. “Rrno për me diftue” lëshoi kumtin vite më parë i paharruari At Zef Pllumi, e ky kumt i tij mund të them se qe ylli polar për UET-in dhe Institutin Europian “Pashko”.

Përzgjedhja e autorëve është një tjetër element, që përforcon atë çka thashë më sipër, në UET mbizotërojnë njerëzit mendjehapur e këtu natyrisht vend të veçantë zë z. Cili. Pjesë e kësaj kolane janë autorë nga më të ndryshëm, si formim, si përvojë jete, si origjinë familjare, krahinore e besimi, të përndjekur për motive politike, artistë, gazetarë, historianë, filozofë, juristë, mjekë, ushtarakë e veprimtarë politikë, të cilët nuk kanë pasur nevojë të “futin mik” apo të “kenë një rekomandim” për të botuar librin nga UET PRESS në kuadër të këtij projekti për kujtesën, të mbështetur nga Instituti Europian “Pashko”.

E gjithë kolana përbën një burim të jashtëzakonshëm për njohjen e së kaluarës tonë historike, edhe pse jo produkt i një institucioni kërkimor shtetëror. E pra, historia, pikërisht ajo e papërdorshme në procesin e prodhimit, që nuk shet e blen mallra dhe që merret me atë që nuk është më prodhimtare, qartësisht është një nga të paktat disiplina, në gjendje të na tregojë karakterin kalimtar e historik, pikërisht të maktheve të kohës sonë dhe së bashku me qëllimet, idealet e pasionet e shumëllojshme e të jashtëzakonshme që kanë shtyrë njerëzit që kur ekzistojnë në këtë tokë. Ajo mund të vazhdojë të na thotë atë që njerëzit kanë qenë dhe ata që mund të jenë, përkundrejt atyre që janë sot.

Amik Kasoruho dhe Rrahman Parllaku, dy autorët që i japin jetë këtij projekti

1

Në projektin 10-vjeçar të Institutit Europian “Pashko”, i “25 libra për kujtesën mbi komunizmin”, një projekt ky që ka kontribuar këto vite në njohjen më së miri të së shkuarës komuniste dhe ka dominuar debatet publike. Dy nga autorët, Amik Kasoruoho dhe Rrahman Parllaku, nga 25 të tillë që kanë qenë pjesë e këtij projekti, sjellin përvojat e tyre përmes dëshmive, dokumenteve dhe rrëfimeve që bëjnë historinë tonë dhe personazhet shumë të njohura nuk jetojnë më. Amik Kasaruoho në librin e tij “Shqipëria, Ankthi dhe Ëndrra” analizon Shqipërinë e dy kohëve, atë të ankthit gjysmëshekullor dhe çmimin e një ëndrre. Libri është një vështrim i së kaluarës së vendit tonë dhe vjen i rrëfyer më historinë e trishtë personale të autorit. Ndërkohë, Rrahman Parllaku, i cili sa ishte gjallë konsiderohej si gjenerali i fundit i epokës komuniste në Shqipëri, që luftoi fashizmin dhe sfidoi komunizmin, në librin e tij me refleksione, i cili është pjesë e një kolane të rëndësishme të botimeve UET PRESS, njëkohësisht është edhe pjesë e projektit 10-vjeçar të Instituit Europian “Pashko” “25 Libra për kujtesën mbi komunizmin”, na shërben si një model që vjen si testament për brezat nga memoria historike e kombi. Shumë emra, shumë vende dhe histori, shumë dashuri dhe mirënjohje për to ka derdhur gjeneral Parllaku brenda faqeve të këtij libri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura