“Klerikë shqiptarë apo të huaj?”- Debatet e Ramiz Alisë me Konstantinos Mitsotakis! Ideja për huazimin e priftërinjve në kishat e reja dhe këmbëngulja e presidentit shqiptar për të mbetur autoqefale

Dec 4, 2023 | 14:08
SHPËRNDAJE

NGA ALBERT HITOALIAJ/ Në janar të vitit 1991, mbërriti në Shqipëri një delegacion grek i nivelit të lartë, i kryesuar nga kryeministri grek i asaj kohe, Konstantinos Mitsotakis. Pjesë e këtij delegacioni ishte edhe ministri i Jashtëm grek, Samaras, kompozitori i famshëm grek, Nikos Teodoraqis, si dhe e bija e Micotaqisit, Dora që një vit më pas do të merrte postin e ministres së Kulturës.

KOSTANDIN MICOTAQIS RAMIZ ALIA DOKUMENT3

U zhvilluan bisedime me homologët shqiptarë dhe me kryeministrin shqiptar të kohës, Adil Çarçani, i cili shoqëroi delegacioni grek edhe në takimin që ai bëri në fshatin minoritar, Derviçan, në Dropull. Sakaq, Micotaqis zhvilloi dhe një takim me presidentin shqiptar, Ramiz Alia. Procesverbali i këtij takimi gjendet në Arkivin Qendror Shtetëror (AQSH): Fondi 489 (Presidiumi i Kuvendit Popullor), viti 1991, nr. 5, dosje 146, “Procesverbal i mbajtur në takimin e Ramiz Alisë, kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor me Kryeministrin e Republikës së Greqisë, Konstantinos Mitsotakis datë 13.1.1991”.

Biseda mes dy përfaqësuesve të lartë shtetërorë sillet e plotë, sipas këtij procesverbali. Kishin filluar të hidheshin hapat e parë të marrëdhënieve dy palëshe që do të zhvilloheshin në dekadat në vijim. Minoriteti grek në Shqipëri, vetëdeklarimi I etnisë, drejtimi i Kishës Ortodokse shqiptare, pluralizmi, rruga e Shqipërisë drejt Europës dhe ndikimi grek, “Çështja çame” ishin këto ndër problematikat kryesore që u shtuan në tavolinëne diplomatike të kohës. Shqetësimi kryesor i Micotaqisit ishte që fshatrat e minoritetit grek në Shqipëri nuk duhet të zbrazeshin, nuk duhej që minoritarët të emigronin në Greqi, por i këshilloi ata që të rrinin aty e madje i kërkoi edhe Ramiz Alisë që kjo ikje të ndalohej në një farë mënyre.

Nga ana tjetër, çështja çame u ngrit nga Alia si një çështje që kërkonte zgjidhje. Por, Micotaqis deklaroi se për Greqinë ishte çështje që nuk ekzistonte. Në vitet në vijim, pati një lloj vijimësie me luhatje të artikulimit të kësaj çështje në tryezat e ndryshme diplomatike, por që nga ajo kohë e deri sot shihet se agjenda diplomatike e kërkesave greke (absurde në shumë raste) është plotësuar, ndërsa një çështje si ajo e pronave dhe të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë, jo vetëm që nuk ka gjetur zgjidhje, por është shndërruar në tabu diplomatike për të cilën nuk duhet as të flitet e jo më të kërkohen zgjidhje.

55b55d63-1364-4b8e-9707-41931b978458

Materiali i mëposhtëm ka vlerë historike, por mbi të gjitha ndriçon më mirë objektivat diplomatike të synuara nga Greqia karshi Shqipërisë, edhe sot, ku shfrytëzohet si pretekst diplomatik qenësia “greke” e një individi që nuk është përfaqësues i ndonjë minoriteti, siç është rasti Bejleri. Në fund të bisedës me Alinë, Micotaqisi, kur po flitej për karakterin inatçi të shqiptarëve, pohon me të qeshur: “Po edhe ne (grekët) kemi pak gjak shqiptari”. Dhe ai e dinte mirë se sa gjak shqiptari ka pasur në Greqi, pasi edhe bashkëshortja e tij, Marika Januku, që njihej në qarqet politike e shoqërore të kohës, si një grua shumë e fortë, ishte një arvanitase nga familjet e vjetra, një “kokë shqiptari” siç e quante dhe vetë Micotaqisi e të tjerë, për t’i vënë në dukje karakterin e saj të spikatur.

E megjithatë, asgjë nuk u bë për atë komb arbëror në Greqi, për t’i ruajtur kulturën, folklorin, gjuhën dhe historinë e tij. Ky është një fakt po aq kokëfortë sa ç’është edhe fakti tjetër, që Epiri është sinonim i Shqipërisë në tekstet historike. E vërteta dhe faktet, krahasuar me objektivat strategjikë të shteteve shpeshherë dalin në plan të dytë në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke prodhuar përfitime, qoftë edhe strategjike (siç deklaroi Bakojanis për Marrëveshjen e detit), por jo qëndrueshmëri marrëdhëniesh, pikërisht pika në të cilën ndodhen marrëdhëniet shtetërore greko-shqiptare.

KOSTANDIN MICOTAQIS RAMIZ ALIA DOKUMENT

 

DOKUMENTI

Bisedimet e presidentit Ramiz Alia me kryeministrin e Greqisë Konstantinos Mitsotakis

“Shqipëria ka qenë dhe është për marrëdhënie të sinqerta, të hapura e pa paragjykime me Greqinë”

Më 13.1.1991, kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, priti në “Pallatin e Kongreseve” kryeministrin e Republikës së Greqisë, Konstandin Micotaqis dhe personat që e shoqërojnë. Midis tyre u zhvillua kjo bisedë:

RAMIZ ALIA: Unë ju uroj ardhjen në Shqipëri dhe dëshiroj të theksoj që populli shqiptar dhe qeveria shqiptare janë të gëzuar që kanë rastin të vini në Shqipëri pasi jemi të bindur që vizita juaj do të shënojë një ngjarje me rëndësi në marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Jemi dy vende fqinje. Shqipëria ka qenë dhe është për marrëdhënie të mira me Greqinë dhe është e interesuar që këto marrëdhënie të jenë të sinqerta, të hapura, të jenë pa paragjykime e t’u përgjigjen kohëve të reja, pra koncepteve të botës së sotme.

Besoj që dy popujt dhe dy vendet tona janë të interesuar që të kenë lidhje sa me të ngushta me njëri-tjetrin, që kufijtë të jenë të qetë, të qëndrueshëm, që kontributi i dy vendeve tona të jetë i madh dhe i rëndësishëm në Ballkan. Ardhja juaj koincidon me dy momente të rëndësishme, me vete zhvillimin aktual të Shqipërisë, me demokratizimin e jetës së saj që pasqyrohet në zhvillimin e pluralizmit politik në vend, që pasqyrohet në ndryshimin e legjislacionit tonë, në ndryshimet në kushtetutën tonë që padyshim do të krijojnë një situatë pozitive të zhvillimit të gjithanshëm të Shqipërisë. Koincidon edhe në planin ndërkombëtar me një moment të ri që ekziston sot në botë. Kam parasysh pikërisht ato përpjekje të mëdha që po bëhen sot për të zëvendësuar frymën e luftës, atë fryme që ngjallte mungesë besimi në popujt, që nxiste mosmarrëveshje, atë frymë që kërkon të krijojë atmosferë të favorshme midis qeverive të ndryshme.

Shqipëria dhe Greqia janë angazhuar në proceset e Ballkanit, ashtu si, në mënyra të ndryshme, janë angazhuar në zhvillimet në Evropë. Jam i bindur që ardhja juaj në Shqipëri do të shënojë një hap të ri e do të nxisë marrëdhëniet tona në të gjitha planet. Shqipëria dhe Greqia nuk kanë për të ndarë gjë. Shqipëria dhe Greqia nuk i kanë borxhe njëra-tjetrës as në vite, as sot. Shqipëria dhe Greqia i kanë të tëra mundësitë të ecin bashkë me njëra-tjetrën.

I kam thënë mikut tim, Mikis Teodorakis, i kam thënë edhe ministrit tuaj të Jashtëm, Samaras që këtu në Ballkan Shqipëria dhe Greqia kanë jetuar mijëra vjet dhe është në nderin e popujve shqiptarë e grekë që në këta mijëra vjet nuk ka pasur luftë. Kjo është gjë e madhe. Pra kanë një të kaluar historike të lavdishme dhe nuk ka arsye që në këto kohë të reja, kur po përpiqen të bashkohen kontinentet, kur afrohen popujt nga njëra anë në tjetrën, midis Shqipërisë e Greqisë të mos ketë marrëdhënie të mira. Ne duhet të jemi realistë.

Aktualisht marrëdhëniet midis Shqipërisë e Greqisë janë pak jo si duhet. Duhet të jenë shumë më mirë në planin ekonomik dhe nga pikëpamja e kulturës. Varet nga ne, pra nuk do të mungojë vullneti i mirë as nga pala greke, as nga pala shqiptare. Këtë urim i bëj zotit Micotaqis, vizitës së tij në Shqipëri, që ajo të jetë plot sukses.

64407fdc-d210-4c9a-8946-d1c28262f478

KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Zoti President, dëshiroj të besoj në kryetarin e qeverisë suaj dhe në përfaqësuesit e qeverisë sonë. I thashë qartë pikëpamjet e mia. Këtu në Shqipëri kam ardhur si mik dhe dëshira ime është të përmirësoj marrëdhëniet tona. Kjo nuk mjafton të thuhet po duhet edhe të bëhet, që të punojnë të dy palët. Duhet të flasim pastër, qartë. Në qoftë se duam të ecim përpara kjo është në duart tona. Me ju duam të jemi të sinqertë, të jemi miq, të bisedojmë për problemet që kemi e të arrijmë marrëveshje se duhet vërtet të përmirësojmë marrëdhëniet tona.

Akoma duhet të theksojmë se ne ndjekim me interes zhvillimin tuaj, drejt demokracisë e mbrojtjes së të drejtave personale të qytetarëve tuaj. I çmojmë përpjekjet që bëhen për këtë në Shqipëri dhe përpjekjet tuaja personale. Veçanërisht kjo është një temë që e kemi në zemër se është e natyrshme të kujdesemi për minoritetin që jeton në Shqipëri. I thashë kryeministrit tuaj që minoritarët duan të jetojnë në tokat e të parëve të tyre. Janë shtetas shqiptarë, pa dyshim, dhe gëzojnë të drejtat e tyre fetare, njerëzore që i përcakton Karta e Helsinkit dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Duam që ky minoritet të jetë hallkë që na bashkon dhe jo shkak problemesh. Kjo e fundit hyn në problemet e ndryshme dhe të vazhdojmë bisedimin. Do të flas po vetëm kur të mbarojmë dhe kur flasim përpara gazetarëve bëjmë keq e jo mirë.

RAMIZ ALIA: T’i lëmë gazetarët të ikin, po ta kenë të qartë gazetarët që të mos krijojnë përshtypjen që marrëdhëniet shqiptarogreke nuk janë vetëm minoriteti grek, por janë ShqipëriGreqi dhe ka shumë probleme. U lodhët sot se kishit edhe udhëtimin, bëtë edhe bisedime. Por bëtë mirë që erdhët, se gjithnjë është më mirë kur bisedohet se sa kur dërgohen mesazhe ne efir.

KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Me këtë jam dakord.

RAMIZ ALIA: Me çfarë nuk jeni dakord?

KONSTANTINOS MITSOTAKIS:  Jam për takime personale. Kjo krijon edhe besim reciprok. Të mos harrojmë që në një pjesë të madhe marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë marrëdhënie besimi. Unë kam ardhur këtu jo për të prishur punë, po për të ndrequr. Jam vërtet që të takohem me ju. Nuk është e zakonshme që kur bëhen bisedime ndërkombëtare të nxjerrim pozitiven përpara se të bisedojmë. Në qoftë se ka mosmarrëveshje t’i themi në fund.

RAMIZ ALIA: Përse është fjala?

KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Dëgjova që u dha një konferencë shtypi në orën 13:30.

RAMIZ ALIA: Kush e dha?

KONSTANTINOS MITSOTAKIS:  Mua gazetarët grekë më thanë që e dhanë gazetarët grekë. Samaras (min. jashtëm grek): E thanë gazetarët shqiptarë.

RAMIZ ALIA: Gazetarët grekë. Edhe unë u habita. Ata më thanë në konferencën e shtypit të përfaqësuesit të Ministrisë së Jashtme të Greqisë u tha që bisedimet midis kryeministrave nuk shkuan mirë. Unë i theksova, që mua kjo nuk më rezulton.

KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Nuk di ç’thotë kryeministri, mua më duket mirë. Tani foli një përfaqësues i shtypit i Ministrisë suaj të Punëve të Jashtme. Të dalë një përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Jashtme e të përgënjeshtrojë këtë njoftim, ndryshe nuk e shikoj të arsyeshme të qëndroj këtu. Nuk e di në jeni dakord.

RAMIZ ALIA: Jam dakord se nuk shikoj ndonjë diskordancë në bisedimet tuaja me kryeministrin. Unë t’ju them sinqerisht u habita kur më tha një nga gazetarët grekë, ai me pyeti a jeni ju optimist nga bisedimet me zotin Micotaqis se sot me kryeministrin tuaj nuk ranë dakord. Përgjigja ime është regjistruar nga gazetarët grekë dhe është tekstualisht: mua nuk më rezulton që kryeministrat të mos kenë rënë dakord.

Në qoftë se ju kërkoni hollësira drejtojuni atyre që jua kanë thënë. Edhe unë u habita.

KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Si rezultat unë do t’ju lutem që Ministria e Jashtme ta përgënjeshtrojë këtë.

RAMIZ ALIA: Mirë.

KOSTANDIN MICOTAQIS RAMIZ ALIA DOKUMENT1

KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Gjersa të mbarojmë edhe bashkërisht të biem në një konkluzion. Më vjen shumë keq që e bëra këtë vërejtje po në të vërtetë e ndiej veten shumë ngushtë. Me këtë do të doja të thosha që bisedimet kishin shumë pika pozitive. Natyrisht ka edhe ndryshime, por vijat kryesore na gjejnë të një mendimi dhe vijat kryesore janë të përmirësojmë marrëdhëniet e të dy vendeve, të zgjidhen problemet e minoritetit grek brenda frymës së demokracisë të Shqipërisë e të mbrojtjes në përgjithësi të të drejtave të njeriut e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Duam që marrëdhëniet tona të zhvillohen në të tërë sektorët, ekonomik e kulturor. Kemi filluar me takime të njerëzve kompetentë në të gjithë sektorët.

Duam të nënshkruajmë edhe disa marrëveshje dhe t’u japim shtytje të madhe marrëdhënieve tona, duke pasur parasysh se demokratizimi i Shqipërisë do të ecë përpara në rrugën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Folëm edhe për të drejtat fetare, zoti Kryeministër më informoi për planet tuaja dhe dispozicionin tuaj dhe ne kishim rastin t’i themi se Greqia është e predispozuar t’ju ndihmojë në marrëdhëniet tuaja me Evropën e të 12-tëve ku merr pjesë Greqia.

Por, në përgjithësi në marrëdhëniet tuaja me botën perëndimore kisha rastin t’ia thoja zotit Kryeministër dhe t’jua them edhe juve, ajo që ka rëndësi të madhe procesi për demokratizimin të vazhdojë me qëndrueshmëri e të bëhet i besueshëm karshi të gjithëve se ka shumë që dyshojnë. Tema të veçanta për të cilat biseduam ishin këto: folëm për liritë fetare në Shqipëri.

RAMIZ ALIA: Në Shqipëri?

KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Në përgjithësi, por veçanërisht në minoritetin grek, thashë që qeveria jonë ka miratuar ardhjen e përfaqësuesve të patrikanës shqiptare. Patrikana e Stambollit ka kërkuar nga qeveria shqiptare të vijë një patrik.

RAMIZ ALIA: Në Shqipëri nuk i ka kërkuar kush dhe në qoftë se kërkojnë do t’u themi tutje. Kush ju ka informuar ju?

KOSTANDIN MICOTAQIS RAMIZ ALIA DOKUMENT2

KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Këtë informatë kisha. Kisha ortodokse e Shqipërisë nga ana kishëtare bën pjesë në Patriakanën e Stambollit, nuk flas nga ana politike.

RAMIZ ALIA: Nuk bën pjesë. Kisha ortodokse shqiptare ka qenë shpallur që përpara 60 e ca vjetëve autoqefale, e ka shpallur që Fan Noli.

Kisha shqiptare ka qenë gjithnjë autoqefale ashtu si edhe komuniteti mysliman shqiptar, që përbën rreth 70 e ca për qind të popullsisë ka qenë autoqefal dhe nuk ka qene varur as nga Stambolli, as nga kongregacioni islamik.

KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Kush e mbante?

RAMIZ ALIA: E zgjidhnin vetë priftërinjtë shqiptarë.

KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Po sot ç’do të bëhet?

RAMIZ ALIA: Unë nuk jam prift.

KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Historia është e madhe. Kujtojmë se kjo çështje është zgjidhur, po nuk është zgjidhur.

RAMIZ ALIA: Ky problem nuk ekziston. Ju po trokisni në derë të hapur. Nuk ekziston ky problem në Shqipëri.

KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Ekziston problemi se nuk kishte priftërinj. Pyetja kush do t’i bjerë priftërinjtë?

RAMIZ ALIA: Pretendon Greqia t’i bjerë në Shqipëri?

KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Jo.

RAMIZ ALIA: Beogradi?

KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Jo.

RAMIZ ALIA: Moska?

KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Vetëm patrikana e Stambollit.

RAMIZ ALIA: Kjo nuk ka lidhje. Ky është një problem që nuk ekziston.

KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Nuk jemi të një mendimi.

RAMIZ ALIA: Jo, jo, unë jam ateist, nga kjo pikëpamje mendimi ynë është i kundërt. Pra ne flasim për dy gjëra të ndryshme. Ju flisni për një realitet që nuk ekziston, jo sot, por ka 70 vjet. Kisha dhe feja myslimane tek ne kanë qenë autoqefale, nuk kanë pasur asnjë lidhje me jashtë. Ju kërkoni të na lidhni me patrikanën e Stambollit, myslimanët me arabët, kisha katolike të lidhet me Vatikanin, unë nuk e kuptoj. Ne jemi ne dy koncepte të ndryshme.

KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Ne kufizohemi vetëm në ortodoksët. Nuk jemi të një mendimi.

RAMIZ ALIA: As unë nuk jam me mendimin tuaj. Në qoftë se kisha ortodokse greke do të lidhet me patrikanën e Stambollit, po kisha ortodokse e Shkodrës, sipas pikëpamjes suaj, me kë do të lidhet?

5e772925-cf15-47c0-8e38-38912b1fbee9

KONSTANTINOS MITSOTAKIS: E gjithë Shqipëria.

RAMIZ ALIA: Do të ketë lidhje me Patrikanën kisha e Shkodrës apo me Beogradin? Të jeni të sigurtë që Beogradi e ka caktuar që tani kush do të jetë kryetar i ortodoksëve në Shkodër. Prandaj ju zoti Micotaqis me propozoni që në Shqipëri të ketë patrikanë të Stambollit, të Beogradit, të Shkupit se janë dhe ortodoksët maqedonas, të kemi Vatikanin dhe islamikët.

KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Mos më thoni gjëra qe nuk i thashë.

RAMIZ ALIA: Logjika shkon këtu.

KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Unë thashë pikëpamjen tonë. Është e drejta juaj të mos e pranoni. Unë thashë mendimin tim. Tani që nuk ka priftërinj kush do t’i emërojë priftërinjtë. Mund të ketë liri fetare pa priftërinj?

RAMIZ ALIA: Nuk mund të ketë, e përsëris, nuk mund të ketë.

KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Po kush do t’i emërojë?

RAMIZ ALIA: Sigurisht jo unë si President, le t’i gjejnë vetë. Unë si President përgjigjen për të gjithë shqiptarët dhe si president nuk mund të jem i njëanshëm e të zgjidh problemet e ortodoksëve e të mos zgjidh të myslimanëve etj. KOSTANDIN MICOTAQIS: Po katolikët kush do t’i emërojë?

RAMIZ ALIA: Ne nuk kemi fare kontakte me Vatikanin, as myslimanët me asnjë halifat. Më duket se po e katandisim çështjen e marrëdhënieve tona tek priftërinjtë, po nuk është ky problemi kryesor.

KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Unë thjesht përmenda një problem. /Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura