“Katër ditë në darën e kurthit”- Si ra fotografi Ndoc Kodheli, viktimë në ditët e fundit të diktaturës! Ç’ndodhi në hotelin e Beratit

Jan 27, 2024 | 13:52
SHPËRNDAJE

BESIM FUSHA/ Si rrallë në gjithëherë dhe asgjëkundi, data 25 nëntor, i kyçi nën sqetull datat komshie: 24 dhe 26 nëntor, ku u fshehën krejt bëmat dhe jetësia e kolegut të fotografëve: Ndoc Kodheli – shkodrani plot mirësi i Kolës dhe Pinës. Që, njëzëshëm e quanim ambasadorin e humorit shkodran në Tiranë dhe krejt shqipfolësve përtej Tiranës…

Hysen Gostivari Ndoc Kodheli1

Vdiq më 1989. 1989-a qe viti që mblodhi dhe renditi vetëm keqësi për Ndoc Kodhelin. Krejt papritur për Ndocin, fillnisi dita dhe ditët më të trishta të jetësisë së tij. Më 19.4.1989, një “organizëm” i hilshëm, e nisi me “shërbim” në Berat. Një makinë me targë TR 03155, e çoi “armikun e popullit” me “pushime” në hotelin e Beratit…

Qe automjeti që pat vulosur në ballë 55-n, numër ligjor ky… që pat futur dridhje në mendësinë e shqiptarëve… Ndocit i caktuan dhomë më vete. Dhe, avash e hilshëm i kërkuan të firmoste një shkresë… Me ca nënvizime djallëzore, që Ndocit iu dukën sajime çudi… Të nesërmen ia ndërruan dhomën Ndocit. Për të shmangur anësinë e qytetit. Qe dhomë me pamje nga jugu. Nga ku do të ndihmonte edhe zhurmimi i lumit. Kur marifetçijtë do të zbatonin mëtutjen e zanatit… Aq sa dhe ashtusi, nën darën e kurthit, vështirë të durohej…

Ata i kërkonin Ndocit të firmoste një shkresë me padërman… Nuk di se ç’përmbante shkresa, nuk di as edhe nëse Ndoci firmosi nën atë që shkruhej… Nuk di shumçka në rrjedhojën e asaj gurguleje katër ditore, veshur së jashtëmi me maskën “turistike”… Di ç’dukej mbas “shërbimit”… të Beratit. Një zymti e Ndocit, një heshtje përtej së qeshurës, tutje humorit të përzënë që nuk qe kurrë e zakonshme për te. Një rënie shpirtërore e trupore, me plagë e të nxira nën veshje, që për ditë e javë u kujdesën familjarët.

Tani fliste vetëm me veten: … paskam thanë: “vezët janë shtrenjtë…”, çfarë teprije a humori ka këtu, kur vërtetë siç e dinë të gjithë, çmimi i vezëve u ngrit… Paskam thënë: …”tufëzat kullosin në asfald!” – Kushedi… mos asht sajuar ndryshe ajo që i thash fshatarit – që t’i shtynte delet në sheshinë të barit, se nuk fotografohen në xhade?! Kjo duhet të jetë?! Por, ç’humor mund të sajohet këtu?! Ç’humor apo ç’të pa vërtetë mund të ketë, kur paskam thanë se në “Muzeun Enver Hoxha”, janë bërë shpenzime…

Por, edhe mund ta kem thanë, siç më shtynë kajherë e vërteta… Në të vërtetë atë verë (1989), qarkulloi një themnajë që nuk dukej edhe aq shterpë… Ndoci ishte sëmurë dhe me një vështrim, kjo dukej e besueshme. I thanë se sëmundja do saktësuar dhe mbase edhe do mjekuar atje, jashtë… I thanë edhe se të shkonte në një nga zyrat e Ministrisë së Jashtme për më shumë sqarime. Dhe Ndoci kështu bëri. Kollaj – i tha zyrtari, na përket të kujdesemi për mjeshtrin… Por, le të guxojnë tu lutemi edhe për një zmadhim e retushim të një fotografie familjare… Edhe kjo kollaj…i paska thanë hallexhiu… Dhe halli ia sosi kurajon dhe fuqinë…

Mjeshtrore e “gatoi”, dhe mjeshtri ia çoi në zyrë. Mbas kësaj themnaja mbiu bija… U tha se paska shkuar si cjapi ke kasapi… U tha se Ndoci, nuk paska pranuar të marrë pagën e ofruar. Kjo zgjatje kundërshtije, medemek, paska pjellë të thënën kundërshtuese, ase krahasuese: “…në Muzeun ‘Enver Hoxha’, janë bërë shpenzime…”. U tha po për këtë se gurgulenë nuk e nisi bashkëbiseduesi, por shoku i zyrës, nga frika se po të dilte llafi, do ta pësonte edhe ai… Kështu edhe ndodhte, qe e zakonshme në shumë raste…

Por nuk dimë nëse qe saktësisht e vërtetë këtë herë. Ngase, paçka se ç’thonim e ç’thuhej… asgjë nuk e dëshmonte Ndoci. Kur hetuesit i thanë në të pyetur, se: “… ti mër qen, i paske bërë atentat Leninit!?”… Ndoci tha me plot fuqinë që i kishte mbetur: …po, kjo asht plotësisht e vërtetë… Unë e shtyva Franja Kaplan… – atë fundgushti 1918…që t’ia derdhte zorrët në sheshin e burrave… Por, ti hala nuk paske cof… më erdhe prap në shteg, more dac i zi me shtatë shpirtra djalli…

Tani nuk asht Franja, por prap…do të vij dita, me dorën time prap do të vras… E di ku je. Kavajsia artiste Kristina Koljaka, ta zbukuroi basuretin dhe të vendoi në oborrin e Galerisë së Arteve. Aty më prit! Nuk do të hiki pa ta kallcu venin. “Hë… edhe ke kurajon të tallesh, a?! Jo, nuk tallem! Po them të vërtetën… Leninin e vrava unë!… I vetmi faj që kam… Nëse nuk e besoni… fshijeni edhe këtë nga shënimet tuaja!”.

* * *

…përkundrazi, ata nuk fshinë asgjë… Dosja u fry aqsa…sa mezi mbërthehej… Sekretari i Partisë së Rajonit nr.4, e vendosi përpara vetes, ulur mes podiumit, me përballë sallën plot me kolektivin e “Propagandës Bujqësore”, a punonjës të Ministrisë përkatëse. Për të “shembylluer”… a gjykuar “armikun e popullit” – Ndoc Kodheli… Ka qenë ngjarje çudi… e papritura e madhe, për të paditurit e padjallëzuar aty… Me në krye të paditurin e pafajshëm Ndoc Koledhi. “O Zot!… Ç’paskam ba, o Zot?!… Ç’të keqe bana njitash në treçerekët e jetës?!… Tani, në burrninë e burrit?!”. Dhe, artisti i humorit… i mirësisë… dhe fotografisë… Ndoc Kodheli, kurrë nuk e mori vesh se ç’të keqe bëri… Ashtu sikundër askush nuk mësoi se me ç’shkresurina e kishte fryrë dosjen Sekretari i Partisë, për të fryrë edhe trutë e gjindjes së pranishme.

Në çudinë e madhe, të gjithë u shtangën… mbetën me veshë e gojë harruar, heshtur dhe hapur… – përveç nja dy a tre të kurdisërve që “recituan” shëmtuar ç’ju kishte zhgarravitur çakërdisja djallëzore… Edhe pse pati plot të tjerë që u shprehën me sinqeritet se nuk e njihnin Ndocin me këto të këqija… Ata që e kishin sajuar kurdisjen i mbyllën veshët… Ditët shpejtuan me ç’qe kurdisun. Edhe me rikurdisje bëmash që gjasme shtoheshin në ajri, ngase s’i nxente më dosja… Me urdhër enkas nga Drejtoria, u “qendis” pika “Ç” e nenit 98 të kodit të punës… Dhe Ndoc Kodheli u përzu… u shty disi tutje… Siç qe bërë “zakon” të parandodhte zymtia në prag furtune.

Fotografi i vlerave në artin e fotografisë u caktua të montonte arka rrushi, hone tutje nga Vora, në NB “17 Nëntori”… Kështu! Dhe eci përshpejtimi… Sosi papritur gurgulenë e çudisë… Ndoci u sëmur rëndë. U shtrua ngutshëm në spital. Dhe vdiq… Vdiq më 26.11.1989. Le ta themi edhe këtë: …mbase, ndër vdekjet e fundit kështu të jetësisë moniste… Pati dyshime edhe themnaja për këtë vdekje…

Shumëkush, nënzëshëm a zëshëm, vetëpyeti dhe pyeti: “… Kush e vrau Ndoc Kodhelin?! Siç qe bërë e zakonshme: trysnia e jetës “made in Enverizëm”… frika pat sajuar edhe ligjësitë e pashkruara… vetëm nja dhjetë të afërm a fisnorë… e varrosën Ndocin gjinofqar… Përfshirë edhe nja dy punëtorë të shërbimit të varrnajës”… Lulet që munguan qenë shëmti e stërvinë e shpirtrave të sajuar…që i polli trysnia…

* * *

Shikuat në paradë të imazheve brenda këtij shkrimi, edhe piedestalin pa shtatore. Shkruar në ballinë dhe përanash me turlisojshe… Është piedestali që mbajti mbi kurriz nja mbi 40 vjet, shtatoren e Leninit të rusëve. (40 vjet, ka thonë Zoti, që duhet të durojnë “robtë” e shkretë, për tu shembun e keqja… për t’u gdhi nryshe…më thoshte gjyshi…s’di tamam përse…)

Që e vrava unë Leninin…Ndoci e tha burrnisht… mbase, ngase, ashtu e donin ata(?!) Se… kushedi mendësinë e hilshme?! Ama, unë nuk shoh “vdekje” në imazhet e mbërthyera zotshe nga maestro Ndoci. Shoh plot art e bukuri në qindra imazhe shqiptare – edhe përtej gjuhës shqipe… Shoh jetësi të nënshkruar gjallshëm për në përjetësi… E në pati ndonjë pishmanllëk që s’e di, ia hoqa unë merakun Ndocit. Nja pak javë ase muaj më mbrapa, e fotografova unë piedestalin e shtatores… I tjetërsuar për nja ca ditë. Për të hovur ngopjen e shpirtrave rinorë… dhe ngushëlluar disi fanatikët e pagdhendun…

* * *

Piktori Robert Guci tregon “shakanë” e fundit të Ndocit. Kur po grupoheshin për në mbledhjen e “gjykimit”… “shokë, në kolektivin tonë kemi zbuluar një armik të popullit… Hajdeni t’ia marrim frymën!”, ndërsa fërkonte duart dhe nënqeshte pa siklete… Më saktë: me siklete të përzëna për gjithsa hoqi… Ngase, shpirti i Ndocit, i gatuar papro me brumë mirësie, nuk përqafi kurrë asnjë grimcë ligësie… Por, gjinof!… U shemb në grackën e zhgënjimit. U shemb për së fundi…

U shtrua në “Nënë Tereza”. Dhe vdiq. Plot 63 vjeç dhe dy ditë. Heshti përgjithmonë. Nja dhjetë a trembëdhjetë të afërm e përcollën dhimbshëm për në banesën e fundit… Më mbrapa asgjë nuk u tha për të… Me sa di as të shkruara nuk pati… Familjarët ikën në Itali… Lulet mburrece e “sedërmëdha” të mortjes mbi kurrizin gungaç të kaftë të dheut të Sharrës, u thanë pa hiç ripërtëritje… Dhe, Ndoci, i gatuar vetëm me brumë mirësie dhe gazin e humorit… sikur u harrua…

* * *

Kush e vrau Ndoc Kodhelin?! Përse?!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura